KISHA KATOLIKE NË SHQIPËRI DJE, SOT DHE NESËR. UNGJILLI I GËZIMIT PËR UNGJILLËZIMIN E RI

Jul 1 • Kisha ndër Shqiptarë

Shkruan: Mons. Ramiro Moliner Inglés

 

Përshëndetja e Nuncit Apostolik në Asamblenë Kombëtare të Kishës Katolike në Shqipëri (Shkodër, 18-20 qershor 2015)

 

                   

Shkëlqesia Juaj Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Shkodër-Pultit dhe President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Shkëlqesia Juaj Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit

Të dashur Vëllezër Ipeshkvij, Meshtarë, Rregulltarë dhe Rregulltare

Vëllezër dhe Motra, Qoftë lëvduar Jezu Krishti!

Para së gjithash, me gëzim të madh po ju sjell përshëndetjen atërore dhe të përzemërt të fort të dashurit Papa Françeskut.

Ai dhe ne jemi mirë të vetëdijshëm se, si Ipeshkëv i Romës dhe pasues i Shën Pjetrit, ka edhe një përgjegjësi, tërësisht të veçantë, për të gjithë Kishën Universale, e si rrjedhim edhe për secilën prej Kishave të veçanta të shpërndara në mbarë botën. Të gjithë jemi të pranishëm në lutjet e tij dhe në zemrën e tij të madhe prej ati, që gëzohet kur ne gëzohemi dhe ndan bashkë me ne shqetësimet… Afërsia shpirtërore e tij, shpresa e madhe e tij dhe dëshmia e tij prej bariu të mirë, në shëmbëllim të Jezu Krishtit, na nxit dhe na ngushëllon së bashku me Shpirtin Shenjt, fryt i bashkimit prej fesë dhe dashurisë.

Të dashur vëllezër dhe motra,

“Kisha katolike në Shqipëri dje, sot dhe nesër – Ungjilli i gëzimit për ungjillëzimin e ri” është tema e zgjedhur për Asamblenë e parë Kombëtare mes ipeshkvijsh, meshtarësh, rregulltarësh e rregulltaresh dhe laikësh, që kremtohet pas të ashtuquajturës “ringjallje”, ose më saktë pas “agimit të ditës së re që na e dhuroi Zoti”; sepse Kisha në këtë Vend nuk kishte vdekur kurrë, madje as në kohët më të errëta të përndjekjes komuniste ateiste.

Kisha e Krishtit e filloi shtegëtimin e saj në këtë rajon pikërisht në fillimet e krishtërimit. Qysh në shekullin e parë të epokës së krishterë shfaqet emri i një Ipeshkvi në Durrës; dhe pasi e fitoi përfundimisht lirinë e vet me Ediktin e Milanos, gjenden lista emrash ipeshkvijsh shqiptarë, që marrin pjesë në Koncilet e para ekumenike, si Efesi, Kalcedonia, etj.

Me ndarjen e Perandorisë Romake, mbas vdekjes së Perandor Teodozit (395), mes bijve të tij Arkadit e Onorit, Shqipëria u caktua me Perandorinë e Lindjes. Pastaj, gjatë zotërimit bizantin do të ndodhë që një pjesë e Shqipërisë do t’i qëndrojë besnike Romës, ndërsa pjesa tjetër do të vazhdojë me Bizantin. Në shekujt në vijim do të jenë të shumtë rivalët për territorin shqiptar deri në pushtimin prej turqve osman në shekullin XV.

Mbas qëndresës së heroit kombëtar dhe dalëzotësit të fesë së Krishterë Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, “Athleta Christi”, sikurse u quajt prej Papa Kalistit III në kohën e tij, Shqipëria ra nën sundimin osman, që zgjati mbi katër shekuj e gjysmë, deri me shpalljen e pavarësisë shqiptare në vitin 1912. Të krishterët, sidomos katolikët, u përpoqën t’i kundërvihen me përpjekje, vështirësi dhe sakrifica të mëdha, madje edhe heroike, “islamizimit” të vendit,  dhe të ruanin identitetin e tyre kulturor dhe fetar. (Fatkeqësisht jo të gjithë ia dolën). Në shekujt XVI dhe XVII personalitete të shquara, edhe mes klerit, u përpoqën me veprimtarinë e tyre letrare të ruanin në popull besimin fetar dhe vlerat e historisë së traditës shqiptare. Ndër këta janë: Gjon Buzuku, Marin Barleti, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani. Gjithashtu në gjysmën e dytë të viteve tetëqind Kisha do të marrë pjesë gjallërisht në të ashtuquajturën Rilindje shqiptare. Në atë kohë Jezuitët hapën një seminar në Shkodër (që ende vazhdon); edhe Françeskanët themeluan shkolla për laikë, të ndjekura edhe nga myslimanët, prej të cilave dolën intelektualë shumë të zotë, njerëz besimtarë dhe politikanë; si Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta dhe Vinçenc Prennushi, Ipeshkvi i fundit i Durrësit, i vdekur martir gjatë përndjekjes komuniste (1949).

Për fat të keq, liria politike e Shqipërisë e shpallur në vitin 1912 zgjati pak. Mbas Luftës së Parë Botërore u vendos mbretërimi i shkurtër i Mbretit Zog; pushtimi italian në fund të viteve ’30; Lufta e Dytë botërore; dhe ende pa mbaruar ai konflikt i tmerrshëm, në vitin 1944, Enver Hoxha merr pushtetin, një pushtet absolut, që do ta ruajë për 50 vjet, deri në vdekjen e tij në vitin 1985: janë vitet e tmerrshme të diktaturës komuniste dhe të përndjekjes fetare që bëhet në mënyrë sistematike dhe rrënjësore, sidomos duke filluar prej vitit 1976, kur Shqipëria miraton një kushtetutë të re, që përjashton çdo lloj shfaqjeje të besimit fetar, duke u bërë kështu shteti i vetëm ateist në botë.

Shqipëria duhet të presë ende gjashtë vite të errëta, edhe pse ngadalë fillon të duket tashmë pak dritë në fund të tunelit. Më në fund, në vitin 1991 bie diktatura komuniste dhe populli shqiptar fillon të shkruajë faqet hyrëse të një kapitulli të ri të historisë së tij.

Një datë e paharrueshme e këtij kapitulli të ri: 25 prill 1993, dita në të cilën Papa Gjon Pali II bën një vizitë të shkurtër, por të ngjeshur në Shqipëri. Në Katedralen e Shkodrës shuguron katër ipeshkvijtë e parë duke rindërtuar kështu hierarkinë e Kishës katolike në këtë Vend. Nga ajo ditë, jeta e Kishës katolike shqiptare rifillon shtegëtimin e saj në liri, ngadalë-ngadalë, por me shumë shpresë dhe entuziazëm.

Deri këtu, Kisha dje. Një Kishë heronjsh dhe martirësh; vuajtjesh, përndjekjesh dhe poshtërimesh, por edhe lavdie. Ungjilli i Jezu Krishtit, Ungjilli i shpresës dhe i gëzimit, i besimit në Hyjin, Atin e mirë dhe të pasur me mëshirë, është shpallur dhe jetuar qysh prej fillimit në këtë tokë, dhe është përcjellë nga etërit dhe nënat tek bijtë dhe bijat, nga një brez tek tjetri, pa ndërprerje, me përgjegjësi, besnikëri dhe guxim, deri në ditët tona.

Në malet tuaja dhe në luginat e thella e madje edhe duke dalë prej ujërave të disa prej liqeneve tuaj duken gërmadhat e kapelave, kishave, manastireve dhe katedraleve, dëshmitarë të heshtur, por që flasin vetë për bashkësitë e krishtera të gjalla, që në të kaluarën e kanë lutur dhe lavdëruar Zotin për vite dhe shekuj brenda mureve të tyre të shenjta. Bashkësi që aty kanë dëgjuar fjalën e Hyjit e cila frymëzonte jetën vëllazërore, familjare dhe shoqërore të tyre, ditë për ditë; dhe kanë marrë sakramentet e shëlbimit. E gjithë kjo flet për rrënjët e thella të krishtera të popullit shqiptar, e, pra, të një historie të gjatë e të lavdishme, që u duhet kujtuar dhe u duhet treguar me zë të lartë, me krenari të ligjshme, brezave të ardhshëm.

Akti më i rëndësishëm dhe transhendent që kreu Shën Gjon Pali II në atë vizitë historike në Shqipëri qe pikërisht shugurimi ipeshkvnor i katër ipeshkvijve të parë për Kishën e këtij Vendi, duke rindërtuar, sikurse e thashë më sipër, hierarkinë katolike, që ishte ndërprerë mbas vdekjes së ipeshkvit të fundit gjatë regjimit komunist. Ata qenë Sh.T. Imzot Frano Illia, si Arqipeshkëv i ri i Shkodrës, bashkë me Ipeshkvin e tij Ndihmës Sh.T. Imzot Zef Simoni (që kishte vuajtur 15 vjet në burg), Sh.T. Imzot Rrok Mirdita, si Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës; dhe Sh.T. Imzot Zef Ashta, Ipeshkëv i Pultit. E quaj me vend të kujtoj para kësaj Asambleje Kombëtare të Kishës në Shqipëri disa pjesë nga homelia e mbajtur prej Shën Papa Gjon Pali II në atë rast, që përmbajnë drejtime të qarta dhe të sakta të veprimit baritor. Duke iu drejtuar Ipeshkvijve të rinj pati thënë:

“Me shugurimin tuaj, bashkësia e krishterë rigjen qëndrueshmërinë dhe sigurinë në strukturën e vet hierarkike dhe, përmes mbështetjes dhe udhëheqjes suaj baritore mendjendritur, mund të shikojë me kthjelltësi dhe besim drejt së ardhmes”.

“Në këtë mënyrë ajo do të jetë më e gatshme për të dhënë me bujari kontributin e saj në zhvillimin shpirtëror, kulturor dhe shoqëror të Kombit Shqiptar… Duka pasë marrë pjesë në vuajtjet dhe në vdekjen e Shëlbuesit, besimtarët shqiptarë munden tani të ndajnë së bashku gëzimin shpirtëror të Pashkës së ringjalljes, prej nga zënë fill mundësi të reja apostolike dhe misionare; ja vepra e Hyjit, ja Dita që na e dhuroi Zoti”.

“Juve Barinjve të kësaj grigje të Krishtit, po ju besohet sot shërbesa që ta ruani atë  në fe, ta mësoni në të vërtetë, ta udhëhiqni në shenjtëri dhe në bashkim të plotë në Shpirtin shenjtërues, me qëllim që ta shprehë pasurinë e karizmave të veta dhe të sjellë fryte të bollshme solidariteti dhe paqeje”.

“Feja e krishterë, që mbërriti në tokën tuaj falë predikimit të Shën Palit dhe nxënësve të tij, tani duhet të ruhet, të thellohet dhe t’u përcillët brezave të rinj prej jush, të dashur Vëllezër, që falë Shugurimit do të bëheni pasardhës të Apostujve. Në këtë shërbim të rëndësishëm dhe angazhues përfitoni nga ndihma dhe bashkëpunimi vëllazëror i meshtarëve, bashkëpunëtorët tuaj të afërt, i rregulltarëve, i personave të kushtuar dhe i laikëve, formimit të të cilëve do t’u kushtoni energjitë tuaja më të mira.”

Në vijim, Papa shtoi edhe disa fjalë mirënjohjeje të thellë dhe inkurajimi për Kishën:

“Si të mos shpreh, pikërisht në këtë rrethanë, mirënjohje të sinqertë për të gjithë ato organizata dhe instanca kishtare që, duke pranuar thirrjet në ndihmë të Kishës shqiptare, menjëherë dhanë kontributin e tyre që asaj të mos i mungonte mbështetja e domosdoshme në njerëz dhe mjete, për t’i ridhënë në këtë mënyrë jetë dhe shpresë?”

“E dashur Kishë, Bashkësi katolike shqiptare, ki besim dhe shikoje me optimizëm të ardhmen tënde! Sikurse në të shkuarën dite t’i qëndrosh besnike të vetmit Zot Jezu Krishtit, edhe duke e paguar me flijimin suprem të jetës, ji e gatshme tani të pranosh Ungjillin e dashurisë hyjnore dhe t’i dëshmosh me guxim të gjitha kërkesat e tij. Jepe shembullin e një dashurie pa kushte, të një dashurie që shkon përtej fyerjeve të pësuara dhe që, përkundrazi, duke i harruar ato, është e gatshme t’i falë përndjekësit e vet… Mbajini gjithmonë të pranishme në shpirtin tuaj mësimet e Mësuesit hyjnor, sidomos në këtë kohë ndryshimesh shoqërore, dhe do të mund të bashkëpunoni për të shkruar faqe pajtimi të vërtetë dhe të plotë në historinë e Vendit tuaj”.

Papa Françesku, me vizitën e tij jo më pak historike më 21 shtatorin e kaluar, përsëriti afërsinë e tij shpirtërore me Kishën dhe me popullin shqiptar, që fort ka vuajtur për arsye ideologjike; me praninë e tij e ka nxitur këtë Kishë që të jetë gjithnjë besnike ndaj rrënjëve të saj të krishtera, e hapur për dialog me të gjithë, që të dalë prej vetvetes duke mbartur Jezu Krishtin për t’ua dëftuar të gjithëve dhe për të shkuar drejt atyre që për një arsye ose një tjetër janë larguar dhe nuk kanë guxim të afrohen; që kanë frikë të humbasin diçka të rëndësishme, nëse pranojnë ta ndjekin Krishtin, ose thjesht qëndrojnë indiferentë.

Papa Françesku ka këmbëngulur duke dhënë edhe një dëshmi të fortë vetjake përmbi dialogun që Kisha duhet të hapë me të gjithë; një dialog i sinqertë dhe që respekton dallimet, gjithnjë ndërtimtar, dhe duke u përpjekur që të bashkëpunojë me të gjithë për të mirën e përbashkët; në nivel ekumenik: me vëllezërit e krishterë, ortodoksë, protestantë; dhe në nivel ndërfetar: me myslimanët dhe me ndjekësit e besimeve të tjera, por pa e fshehur asnjëherë identitetin e vet personal. Gjithashtu, nuk duhet kurrë të pajtohemi me atë që tashmë kemi arritur, por duhet synuar më lart dhe më thellë…

Papa Françesku na ka dëftuar fytyrën dhe zemrën e Hyjit, i mirë dhe plot mëshirë, që na thërret të gjithëve tek vëllazërimi i vërtetë, por duke parapëlqyer vëmendjen dhe dashurinë e përzemërt dhe të vërtetë ndaj më të varfërve dhe më të ligshtëve, më të mënjanuarve dhe më të pambrojturve, më të fundit, sipas kriterit të botës: pikërisht këta janë të privilegjuarit e Jezusit. Madje, është vetë Jezusi që e merr atë që ne bëjmë për këto motrat dhe vëllezërit më nevojtarë.

Kisha në Shqipëri duhet ta jetojë të tashmen me përvujtëri, por në të njëjtën kohë me guxim, entuziazëm dhe pasion. Ungjillëzimi i Ri kërkon që çdo ditë të përtërihet vetëdija për përgjegjësinë tonë vetjake dhe të bashkësisë në mënyrën e të jetuarit, të të përcjellurit dhe të paraqitjes së mesazhit të Ungillit të shpresës, të mëshirës dhe të faljes, të gëzimit dhe të dashurisë.

Në fund më lejoni të ve në dukje se Kisha në Shqipëri, pas ndërtimit të të gjitha strukturave materiale gjatë këtyre 25 viteve të para të lirisë, duhet të përgatitet që të shkruajë një faqe të re të historisë së saj, duke shikuar të ardhmen, që tashmë e ka nisur, me shpresë të madhe, të bindur se nuk jemi ne protagonistët; është Shpirti Shenjt që jeton në Kishën dhe në të krishterët, ai që jep jetën, që e udhëheq dhe e bën të rritet duke e shenjtëruar; ne jemi veç të vegjël, të ligshtë dhe nganjëherë vegla pothuaj të padobishme në duart e tij. Le ta dëgjojmë atë dhe ta lejojmë që të veprojë.

Porosia misionare e Jezusit për nxënësit e tij për të shkuar në mbarë botën është sot më e gjallë se asnjëherë dhe duhet të tingëllojë si e tillë. Çdo brez i ri ka të drejtë të ungjillëzohet, me qëllim që ai pastaj të ungjillëzojë brezin pasardhës, e me radhë. Ne, të gjithë ne, të pagëzuarit, jemi Kisha që shtegëton në Shqipërinë e sotme. E, pra, të gjithë ne jemi përgjegjës për ungjillëzimin e këtij brezi!

Por kjo kërkon përtëritje të thellë dhe intensifikim të katekezës edhe për të rriturit dhe të formimit të tyre fetar. Është e nevojshme të formohen katekistë të mirë dhe të shumtë… Papa Françesku na jep një shembull shumë të bukur në këtë fushë konkrete, duke i kushtuar çdo javë një mëngjes të tërë katekezës së drejtpërdrejtë. Përse mos ta ndjekim këtë shembull, duke e përshtatur me rrethanat konkrete, në çdo dioqezë, prej vetë Ipeshkvit; dhe në çdo famulli, prej famullitarit ose prej një meshtari tjetër apo rregulltare ose katekisti… Ne e dimë se për të jetuar të botën e sotme si të krishterë të mirë nuk mjafton formimi që fëmija, i riu apo i rrituri kanë marrë në “katekizmin” përgatitës për kungimin e parë dhe pastaj për krezmimin dhe martesën. Çdo i krishterë duhet të jetë gjithmonë i gatshëm dhe i bindur për të dhënë arsye për shpresën e vet…

Ndër sektorët e tjerë, që sot kërkojnë vëmendje shumë të veçantë baritore dhe si rrjedhim një thellim të fesë që ndihmon shpresën që nuk zhgënjen kurrë, dua të përmend: të rinjtë dhe familjen. Pa këto nuk mund të jetë e mundshme përcjellja e fesë brezit tonë dhe brezave që do të vijnë. Laikët janë të thirrur të luajnë një rol shumë më aktiv dhe të rëndësishëm në programin e Ungjillëzimit të Ri. Është detyra e tyre, por edhe e drejta e tyre. Të gjithë jemi përgjegjës. Të gjithë dhe secilin të pagëzuar Zoti e ka thirrur dhe e ka dërguar: “do të jesh dëshmitari im”.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »