RËNDËSIA E NJOHJES SË STRESIT

Jul 1 • Opinion

Përgatiti: m. Franciska (Suzana) Lekaj

Sot më shumë se asnjëherë tjetër në familje, në punë, në shoqëri përdoret termi STRES. Por a e dimë konkretisht se çfarë është ai? Apo ndoshta shpesh përdoret se dëgjohet nga të tjerët pa e kuptuar,  përdoret  thjeshtë se është bërë një term i përditshëm apo i modës ose përdoret  kur njeriu do  të tregojë lodhjen apo ngarkesën që ka ose  të tregoj diçka të pakëndshme  të tijën etj.

Stres, ankth, fobi, depresion janë bërë si terma të ashtuquajtur ‘moderne’ që zënë vend në bisedat e njerëzve e që shpesh përdoren edhe pa e ditur mirë kuptimin e tyre. Prandaj, duke marrë një informacion sado të pakët, mendoj se do t’ju ndihmojë të kuptoni, se cilat situata në jetën e përditshme janë ato që shkaktojnë stres, që duke e kuptuar këtë  ta keni më të lehtë të bëni menaxhimin e tij. Kështu, pikat që do të trajtohen janë: Çfarë është stresi? Cilat janë simptomat? Si shkaktohet ai?

Çfarë  është stresi?

Stresi, është një reagim kompleks, konjitiv dhe fiziologjik i sjelljes së një individi në një situatë të vërtetë ose të imagjinuar, i cili rrezikon dhe kërcënon mirëqenien e njeriut. Pra, stresi nuk është thjesht një fjalë me 6 (gjashtë) gërma, por është një fjalë që shkakton shumë probleme në mirëqenien e njeriut dhe që kërkon një njohje të thellë e të  mirë. Ai përfshihet nga reagimet e ndryshme të stimuluara nga faktorët psikologjikë, fiziologjikë dhe socialë.

Stresi, është një kompleks reagimesh që i shfaqen njeriut kur ndeshet në çdo ndodhi që prish ekuilibrin e tij, e që kapërcen fuqinë e tij përshtatëse. Ai është një varg  ndryshimesh biokimike që ndodhin dhe ndikojnë fuqishëm në çdo qelizë të trupit e që shkakton pasoja të rënda mbi shëndetin, dhe gjithashtu është një ndër problemet më të përhapura që po shkakton shumë shqetësime e sëmundje në jetët e njerëzve në kohët e fundit.

Stresi, është i pashmangshëm dhe si gjendje e veçantë psikologjike në pjesën më të madhe të jetës, është gjithçka që ushtron kërkesa ndaj nesh të  cilave duhet t’iu përshtatemi.

Shenjat ose simptomat  më të zakonshme të stresit

Personat e stresuar zakonisht shfaqin shenja të ndryshme si   mendime ankthioze, vështirësi në përqendrimin e vëmendjes dhe sjellje të jashtme të ndryshme, gjykim jo të mirë, prirje  të shikojë  vetëm negativisht etj. Por, që të themi diçka me konkretisht, simptomat e stresit janë: fiziologjike, emocionale, dhe të sjelljes.

Simptomat fiziologjike: shtrëngimi i dhëmbëve, shtrëngimi i duarve, frymëmarrja e vështirë, boshllëku në stomak, duart dhe këmbët e ftohta, gojë e thatë, rritje të rrahjeve të zemrës, tronditja, frika dhe ankthi, çrregullimet e gjumit ankesa psiko-somatike, dhimbje kraharori, humbje interesi në marrëdhëniet seksuale, ftohje dhe infeksione të shpeshta, marrje mendsh, kapsllëk, diarre, lodhje pa shkak, ngërçe.

Simptomat emocionale: nervozizëm, humbje durimi, prishje humori, ndjenjë vetmie, izolimi, pakënaqësi e përgjithshme humbje e vetëbesimit.

Simptomat e sjelljes: gjeste nervozizmi (kafshimi i thonjve, tundje e këmbës), të ushqyerit e pakët ose i tepërt, përdorimi i duhanit, alkoolit apo drogave për t’u relaksuar, nënvlerësim i përgjegjësive, gjumë i tepërt ose i pakët.

Këto janë  vetëm disa nga shenjat më të zakonshme të stresit, por këto e ndihmojnë personin për të pare se në çfarë gjendje është.

 

Si shkaktohet stresi?

Stresi mund të shkaktohet prej kërkesave psikologjike ose fizike, (p.sh. konflikti dhe frustacioni janë shembuj të kërkesave psikologjike, kurse kërkesat fizike mund të përfshihen infeksioni, sëmundjet ose plagët). Rutina e përditshme është një shkaktar i fortë i stresit por edhe ndryshimet e mëdha që ndodhin në jetë janë gjithashtu, stres.  Sidomos rutina e përditshme, tregon një stres serioz që mund ta rrezikojë shëndetin edhe pa e vënë re as vetë personi.

Përveç sa përmendëm më lart, kemi 3(tre) shkaqe kryesore psikologjike të stresit: Presioni[1], konflikti[2] dhe frustracioni[3].

 

Presioni

Presioni, ndodh kur përpiqemi fort të plotësojmë kërkesat sociale e psikologjike që i vëmë vetes ose që na i vënë të tjerët. Kur përpiqemi të ruajmë vetëvlerësimin duke e sforcuar veten që të arrijmë standarde më të larta e kështu përjetojmë presione të brendshëm (p.sh kur studiojmë shumë në shkollë, kur përpiqemi të jemi më shumë populloër etj).

Njeriu mund të ndjejë shumë presion, sepse nuk ka kohë të mjaftueshme të mbarojë punën, sepse do të marrë përsipër më tepër se sa realisht është i aftë të përballojë. Presioni i brendshëm, është i domosdoshëm për t’u vetëpërmirësuar, por nëse njeriu përpiqet tej mase për arsye të presionit, atëherë përjeton një stres të dëmshëm e që shkakton probleme.

Presioni i jashtëm shkaktohet prej kërkesave që ushtrojnë njerëzit mbi tjetrin. Njeriu përpiqet që t’i kënaq të tjerët, ata që janë të rëndësishëm për ta. Fëmijët përpiqen të marrin nota të mira, për të kënaqur prindërit. Vajzat përpiqen që të dobësohen për të kënaqur të dashurin. Punonjësit  përpiqen që të punojnë shumë, për t’i lënë përshtypje të mirë punëdhënësit. Njeriu përpiqet për t’iu pëlqyer të tjerëve. E kështu nëse ndalemi dhe e analizojmë presionin e jashtëm duket se ky presion na shtyn që t’i përshtatemi mjedisit social. Por kur të tjerët bëjnë shumë kërkesa ndaj njeriut (ndaj nesh) e nëse ato kërkesa janë të vështira atëherë përjetohet dhe shfaqet stresi.

 

Konflikti  

Konflikti, ndodh atëherë kur njeriu përjeton kërkesa, dëshira që nuk shkojnë me njëra tjetrën. E në shumë raste kur konflikti nuk zgjidhet, rezultat i kësaj është stresi, e kështu moszgjidhja e konfliktit shpie në stres. Konfliktet janë burim madhor i stresit.

Kur flitet për konfliktin, psikologët mbështetën në teorinë e Kurt Lewin[4] (1935) që pohonte se, konflikti mund të përshkruhet si dukuri me dy tendenca të kundërta tërheqje dhe shmangieje. Pra stresi varet edhe nga tipi i konfliktit.

 

 

Konflikti tërheqje- tërheqje (ose pozitiv-pozitiv)

Njeriu tërhiqet nga dy qëllime njëlloj të dëshirueshme, por që nuk shkojnë bashkë. Mund të realizohet secila prej tyre, por jo të dyja bashkë në të njëjtën kohë. Të zgjedhurit e një qëllimi do të thotë që të lësh tjetrin (p.sh. na pëlqejnë të dy degët psikologji dhe biologji, kërkohet që të zgjedhim njërën e nuk mundemi të dyja, ose kemi dy filma që kemi dëshirë për t’i shikojmë por për momentin mund të shikojmë vetëm njërin). Në këtë rast, cilado prej tyre është pozitive. Ky lloj konflikti shkakton stres por jo shumë. Në këtë konflikt stresi është i ulët, për është një konflikt që na e bën të vështirë marrjen e vendimeve. Ky është konflikti më i pranishëm në jetën e përditshme, sepse njeriu ndodhet mes dy zgjedhjeve të mira.

Konflikti shmangie – shmangie

Ndeshemi para këtij konflikti që paraqet dy kërkesa, alternativa njëlloj të padëshirueshme, prej të cilave na duhet të zgjedhim njërën. Do të donim që t’i shmangnim në të njëjtën kohë që të dyja, por është e pamundur. Kërkohet që patjetër që të zgjedhim njërën prej alternativave. (P.sh. kemi dhimbje dhëmbi cilën do të zgjedhim frezën e dhimbshme apo dhimbjen e dhëmbit?  Kërkohet të merrni pjesë në një mbledhje tepër të bezdisshme, do të doni ta shmangni por shefi, mbikëqyrësit janë të rreptë. Cilën do ta zgjedhni?)

Ky lloj konflikti, shkakton më shumë stres se konflikti tërheqje – tërheqje.

 

Konflikti tërheqje – shmangie

Në këtë rast njeriu ndodhet para një alternative  të vetme, e cila përmban në të njëjtën kohë aspekte pozitive që tërheqin, dhe aspekte negative që i shtynë të shmangen nga ajo. (P.sh. ju ofrohet një vend pune me prestigj. Rroga  e lartë, fjala ju ecën më shumë por do të jeni të lidhur gjithë ditën në zyrë e do të keni telashe më shumë). Ky lloj konflikti është një lloj dileme e përzier që ju bënë të përjetoni stres.

 

Frustracioni

Frustracioni ndodhë kur njeriu pengohet për të arritur qëllimin. Pra, çdo rrethanë që pengon ose bllokon plotësimin e synimeve është një frustracion. Ky i fundit krijohet nga shqetësimet e jetës së përditshme si: pritjet e gjata, të ndjerit i zhgënjyer, fajtor, i përbuzur, kur urrehesh, ofendohesh, trishtohesh, tradhtohesh, ndjehesh inferior, kur ke moral të dobët, kur nuk vlerësohet puna e bërë, kur nuk shpërblehesh etj. (P.sh doni që t’i telefononi dikujt për diçka që ju nevojitet urgjentisht. Ngrini telefonin i bini numrit, por në vend që të dëgjoni zërin e mikut tuaj, ju del sinjali i zënë). Ky është një frustracion. Sa herë të doni diçka dhe nuk mund ta keni, përjetoni frustracion e ky shkakton stres. Kur përjetohet frustracioni, individi përballet me situata të vështira problematike dhe i duhet që,  ose të braktisë qëllimin,  ose të kërkoj rrugë të reja për ta arritur atë.

Sipas psikologëve disa lloje frustracionesh më të zakonshme janë: vonesat, shqetësimet e përditshme, humbjet, dështimet. Të shohim secilën nga këto:

Vonesa

Jetojmë në një shoqëri ku koha është e rëndësishme, prandaj  mërzitemi kur bëhemi vonë. Njerëzit frustrohen kur u duhet të presin në radhë,  kur një numër telefoni është i zënë, kur dikush vonohet. Nuk zgjohemi në kohën e duhur humbasim autobusin, nuk arrijmë në orar në punë…  Vonesat të çdo lloji qofshin ato pengojnë realizimin.

Shqetësimet e përditshme

Thyerja e një gjëje, të harruarit e një takimi, humbja e portofolit, celularit ngase nuk e mban mend ku e ke vënë, ndrydhja e këmbës e shume shqetësime të tjera shkaktojnë frustracion.

  Humbja

Kur njerëzit humbin diçka të rëndësishme ajo i frustron ata, sepse kjo do të thotë që janë të privuar nga qëllimet. Nëse humbasin dikë që duan, ata janë të privuar nga e ardhmja e një marrëdhënieje.

Dështimet

Dështimet frustrojnë shumë njerëzit. Disa herë kur nuk fitohet, kur nuk arrihet  vlerësimi me një noto të lartë në një provim, dështimi në një konkurs, ose kur nuk krijohet përshtypja e dëshiruar  para tjerëve. Nganjëherë njeriu edhe pse bënë më tepër se ç’mund të pritej, ndjehet i dështuar sepse ka synime të larta. Dështimi përpos se shkakton stres ai shkakton edhe ndjenjën e fajit.

Të gjitha sa u thanë mësipërm, janë pjesë e jetës së përditshme e na bëjnë të kuptojmë qartë, se stresi në jetën e njeriu është i pashmangshëm. Ajo që kërkohet, është ta njohim atë, që ta dimë ta menaxhojmë, në mënyrë që të mos na bëhet pengesë në të vepruar e në të jetuar. Menaxhimi i stresit është i nevojshëm sot më shumë se asnjëherë tjetër.

 ___________________________

[1] Presion (shtypje) Quhet ndijimi që zbulon kontaktet me lëkuren. Është edhe përjetimi ynë kur përpiqemi t`u përgjigjemi kërkesave që na kanë parashtruar.

[2] Konflikti situate e përjetimit të kërkesave ose dëshirave kontradiktore.

[3] Frustracioni gjendje që vjen nga mos realizimi i qëllimeve. Kur personi pengohet  të arrijë qëllimin e tij.

[4]  Kurt Lewin-Mogilno 9 shtator 189- Newtonville, 12 shkurt 1947 psikolog gjerman, një pionier i psikologjisë sociale.  Ai ishte në mesin e përkrahësve të psikologjisë geshtaltiste. Psikologët që i përkisnin shkollës geshtaltiste besonin se, për të kuptuar plotësisht sjelljen njerëzor, individi duhet studiuar jo aq në pjesët e tij, por si një i tërë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »