ÇUDITEJ PËR MOSBESIMIN E TYRE

Jul 3 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XIV gjatë vitit (B)

Leximi i parë   Ez 2,2-5

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Në ato ditë, një shpirt hyri në mua, më ngriti në këmbë dhe e dëgjova atë që po fliste me mua. Ai më tha: “Biri i njeriut, unë po të dërgoj tek bijtë e Izraelit, te një popull kryengritësish që kanë çuar krye kundër meje. Ata dhe etërit e tyre kanë mëkatuar kundër meje deri në ditën e sotme. Njerëzit, tek të cilët po të dërgoj, janë kokëfortë e zemër-gur. Ti thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj! Dëgjuan ose s’dëgjuan – sepse janë pjellë e keqe – megjithatë le ta dinë se në mesin e tyre është profeti!”

Fjala e Zotit

  

Psalmi  123

Ref.  Sytë tanë janë të kthyer kah Zoti

——————————————————

Drejt teje po i ngre sytë e mi,

drejt teje që banon në qiell.

Qe, porsi sytë e shërbëtorëve

drejt dorës së zotërinjve të vet.

—————————————————–

Porsi sytë e shërbëtores

drejt duarve të zonjës së vet,

ashtu priren sytë tanë drejt Zotit,  Hyjit tonë,

derisa të ketë mëshirë për ne.

——————————————————-

Porsi sytë e shërbëtores

drejt duarve të zonjës së vet,

ashtu priren sytë tanë drejt Zotit,

Hyjit tonë,

derisa të ketë mëshirë për ne.

me perbuzje të krenarëve.

——————————————————–

 

Leximi dyë 2 Kor 12, 7-10

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve 

Vëllezër, që të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë – engjëlli i djallit – për të më rrahur që të mos krenohem. Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje. Por Ai m’u përgjigj: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.” Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit.  Prandaj kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë, atëherë jam i fortë.            

Fjala e Zotit

Aleluja!

Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit.

Aleluja!

 

+ Ungjilli   Mk 6, 1-6

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u nis prej andej e shkoi në vend ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: “Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tija? Po a nuk është ky zhdrukthëtar, i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tija?”. Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” Dhe nuk mundi aty të bëjë asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. E çuditej për mosbesimin e tyre.

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Në leximin e parë, dëgjojmë mbi Ezekielin profet, dhe thirrjen e tij që ia bën Zoti. Ai, ka një mision, një detyrë të shkojë dhe t’u predikojë izraelitëve, të cilët ishin kryefortë dhe në kryefortësinë e tyre jetonin larg Zotit dhe urdhërimeve të tija.

Por, profeti, edhe pse e ka parasysh popullin që ishte larguar prej Zotit, ka besim në Zotin dhe jo në fuqinë e tij të predikatarit, dhe duke u mbështetur në Zotin, vepron dhe predikon.

Kështu është edhe me ne, meshtar dhe shekullar. Të gjithë kemi një mision, të gjithë jemi profetë që në kohë të volitshme dhe të pavolitshme të predikojmë, të mësojmë dhe qortojmë sikurse thotë shën Pali apostull.

Dhe letra e dytë e shën Palit apostull, tregon përvujtërinë e cila forcohet në ligështi.

Ne, nga njëherë i japim shumë te drejtë vetës, për të thënë e për të menduar që jemi të drejtë, të mirë, të përshpirtshëm, lëvdohemi e krenohemi me punë dhe vepra tona.

Si do që të jetë, më mirë është të jemi të jemi përvujtë dhe të veprojmë në përvujtëri. Në përvujtëri nxjerrim hire prej Zotit dhe ato na përcjellin në jetë, na ndihmojnë të kuptojmë realitetin tonë dhe të botës.

 

Ungjilli i sotshëm është pak sa pikëllues. Jezusi, viziton qytetin e vet Nazaretin, aty ku u rrit dhe kaloi shumicën e kohës së vet.

Kur filloi veprimtarinë e tij botërore, u përhap lajmi për të në të gjitha anët. Ndihmoi shumë njerëz, bëri aq shumë mrekulli sa që të gjithë mbetnin të habitur.

Por, bashkëqytetaret e tij e shikonin me një mosbesim veprimtarinë e tij. Në zemrën e tyre nuk depërtonte feja, besimi. Ata dinin çdo gjë për Jezusin, ishte në zemrën e tyre një mur ndarës dhe mosbesimi. Ata, nuk pritnin nga Jezusi një fjalë të vërtetë fjalën e jetës, por ma shumë diçka fascinuese, ekzibicionale, ndonjë mrekulli por jo të nxitur nga feja, besimi. Për këtë arsye, Jezusi duke i ditur mendimet e tyre, nuk bëri aty shumë mrekulli.

Kështu është edhe me njerëzit që mendojnë se e njohin Jezusin mjaft mirë, dhe i japin të drejtë vetes për të quajtur të drejtë e të mirë. Praktikisht mendojnë që nuk kanë shumë nevojë për Jezusin sepse dinë çdo gjë dhe dëshirojnë të jenë të pavarur.

Sa ka sot njerëz që nuk marrin pjesë në meshën shenjte dhe në organizime të Kishës duke u arsyetohen se janë të drejtë s’ kanë bërë asgjë, s’kanë nevojë me humb kohë në Kishë, kanë mjaft punë tjera, dhe thonë le të shkojnë ata që kanë bërë mëkate, unë s’ kam bërë asgjë, jam i drejtë, s’ka pse të shkojë në meshë!

Ne duhet të kuptojmë dhe besojmë se Jezusi është Rruga e Vërteta dhe Jeta, dhe vetëm nëpërmes tij ne shëlbohemi dhe shpëtohemi.

Për këtë arsye, jetën tonë duhet ta ndërtojmë në atë që na mëson Krishti.

Ne duhet t’ i besojmë dhe jetojmë në lidhje shpirtërore me Të.

E lidhja shpirtërore është kur e sodisim çdo ditë jetën tonë, kur hyjmë në brendinë tonë për të parë si dhe çfarë jemi, çka duhet shtuar çka duhet hequr për t’ i pëlqyer Zotit.

Prandaj, t’ i lutemi Jezusit që të forcojë fenë tonë, besimin tonë në të, t’i lutemi Jezusit që të na ndihmojë të veprojmë sipas vullnetit të Tij; ti lutemi Jezusit që të na përkrah që të dalim ngadhënjimtar në sfidat me të cilat ballafaqohemi dhe kështu një ditë të fitojmë jetën e pasosur. Amen.

 

Lutjet e besimtarëve

Hyjit Atit tonë që përkujdeset për ne dhe na mbushë me hire të veta, t’ ia drejtojmë lutjet tona që të na jep forcë për një jetë të frytshme me Të dhe në mes vete, t’ i themi pra:

Dëgjoje, o Zot lutjen tonë!

– Për Kishën tënde, në krye me barinjtë e saj dhe bashkësinë e besimtarëve, që duke dëgjuar fjalën tënde të sjell fryte për shëlbimin e tyre dhe të botës, të lutemi:

– Për njerëzit që janë të angazhuar në mas media, politikë, shkencë dhe kulturë, që puna e tyre të jetë e drejtuar dhe të jetë synim për arritje të të mirave të përbashkëta për njerëzit mbarë, të lutemi:

– Për të gjithë njerëzit në botë, që t’ iu dhurosh dijen tënde që të jenë të aftë të jetojnë ndershmërisht dhe shpirtërisht të bashkuar me Ty dhe në mes vete, të lutemi:

– Për të rinj dhe të reja, burra dhe gra që janë në shërbim të familjes, kanë përgjegjësi në vende të ndryshme të punës,ndihmoju që me shumë përkushtim të punojnë dhe të dëshmojnë Ty , të lutemi:

– Për ne këtu të bashkuar, që nëpërmes Shpirtit tënd të na ndihmosh të jetojmë në perspektivë të re dhe hapat tanë të jenë të drejtuar kah Ti, të lutemi:

– Për të vdekurit tanë, që të shohin dritën tënde të amshuar dhe të jetojnë në gëzimin e përjetshëm, të lutemi:

O Zot, Hyji ynë, pranojë lutjet e Kishës sate, na jep fuqi që të jemi dëshmitar të dashurisë sate dhe si Atë i mirë na përcill në jetë.  Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »