4 korrik 2015 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

Jul 4 • Meditimi i ditës

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë prej vdekjes.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Vetëdija

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

Mt 9, 14-17

 

14 Atëherë iu afruan nxënësit e Gjonit e i thanë:

“Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

15Jezusi u përgjigj:

“A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë.

16 Askush nuk vë arnë pëlhure të re në petk të vjetër, sepse arna e shtrin petkun dhe grisja bëhet më e madhe.

17 As nuk shtihet vera e re në rrëshiqa të vjetër: përndryshe rrëshiqat shpohen, vera derdhet edhe rrëshiqat shkojnë dëm. Vera e re hidhet në rrëshiqa të rinj e kështu ruhen të dy.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Dishepujt e Gjonit ishin të preokupuar me pranimin e zakonit të agjërimit. Dukej se e kishin lënë pas dore mundësinë që t`i hapen më shumë mësimeve të Jezusit. Duke marrë shembullin e rrëshiqave të verës Jezusi bën me dije se tradita ekzistuese hebraike mund të pasurohet në dritën e mësimeve të tij rreth Mbretërisë së Hyjit

– Jezus, të lutem bëj që më me gatishmëri t`i dalloj mënyrat me të cilat mësimi yt ma ofron një jetë të re. Më ndihmo të jem i/e vëmendshëm/e për të marrë risinë e mesazhit që dëshiron të ma japësh.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i gatshëm edhe të dëgjoj gjithçka ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës kur më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hap zemrën kur i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në përkujdesjen e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »