DEMOKRACISË I DUHET NJË KOMUNIKIM I PLOTË DHE BINDËS

Jul 4 • Res socialis

Shkruan: Dr. Pavao BRAJSHA

 

Diskutimi i paplotë, është i përgjithshëm, pa pjesët e rëndësishme, dhe subjektivisht i deformuar; kurse ai i plotë është konkret, i plotësuar dhe i verifikuar. Mesazhet i përgjithësojmë, duke eliminuar çdo përjashtim të mundshëm, dhe duke i përgjithësuar rastet individuale. Për një komunikim të suksesshëm, është e domosdoshme që mesazhet të konkretizohen; kjo do të thotë: të lejosh përjashtime dhe t`i kufizosh deklaratat e tua në raste konkrete.

Në sjelljen e mesazheve shpeshherë e harrojmë veten, të tjerët, arsyet, pasojat dhe anën tjetër të krahasimit. Për të qenë të qartë dhe të kuptueshëm, është e domosdoshme që të përfshish subjektet konkrete (vetveten dhe të tjerët), të japësh arsyet, t`i përshkruash pasojat e mundshme dhe të cekësh edhe anën tjetër të krahasimit.

Duke biseduar shumëçka, supozojmë, kështu edhe shtrembërojmë. Ne, këtë duhet kontrolluar në dialog, dhe duke dëgjuar anën tjetër- duhet shpjeguar. E gjithë kjo është e mundur, vetëm nëse flasim edhe për bisedën tonë, dhe nëse vazhdimisht gjatë bisedës, japim, kërkojmë dhe marrin informacione shtesë.

Marrëveshja demokratike, është e mundur vetëm me një bisedë të plotë, e cila, është konkrete, e plotë, dhe e nënshtruar një kontrolli të vazhdueshëm, në dialog të hapur. Vetëm ky lloj i bisedës mundëson një vendim-marrje, bashkëpunim dhe bashkësi demokratike. Biseda e paplotë, e kthen demokracinë e proklamuar në të kundërtën e saj, në një jo demokraci, në një demokraci të rreme. Madje, do të mund të flisnim për “një demokraci të paplotë”. Në të gjithçka është e paplotë duke ia lëshuar fatit të formave të ndryshme të plotësimit jodemokratik, kështu që në fund kemi çdo gjë, vetëm jo demokraci, sidomos në praktikën e përditshme.

Fati i përmbajtjes së mesazhit të dërguar, nëse do të arrijë fare te marrësi i porosisë dhe si do të ndikojë në të, varet nga ajo se çfarë ndodh në mes dërguesit të mesazhit, të adresuarit (marrësit, destinatarit), dhe vetë mesazhit. Marrëdhëniet në mes të atyre që e dërgojnë mesazhin, në mes tyre dhe përmbajtjes së mesazhit, dhe midis tyre dhe marrësit të mesazhit, forcojnë, dobësojnë ose zhvlerësojnë ndikimin (efektin) e përmbajtjes së mesazhit në marrësit e mesazhit.

Biseda nuk ndodh vetëm në përmbajtjet e shprehura. Një pjesë e saj shumë e rëndësishme, janë marrëdhëniet ndërmjet të gjitha pjesëve të saja. Marrëdhëniet dhe qëndrimet ndaj përmbajtjes dhe pranuesit të mesazhit dukshëm ndikojnë në suksesin e vetë bisedës. Nuk është e mjaftueshme të kesh përmbajtje cilësore demokratike. Janë të nevojshme edhe marrëdhëniet dhe qëndrimet demokratike. Nuk është e mjaftueshme formulimi demokratik i bisedës. Nevojitet edhe të mendosh në mënyrë demokratike. Nuk mjafton të flasësh në mënyrë demokratike. Duhesh edhe të sillesh në mënyrë demokratike. Vetëm në këtë mënyrë, biseda jonë është me të vërtetë demokratike. Kjo arrihet vetëm nga një kombinimi marrëdhënieve dhe qëndrimeve demokratike me përmbajtjet dhe frazat verbale demokratike.

Demokracisë i duhet një komunikim i kuptueshëm

Shkolla komunikologjike e Hamburgut në krye me Friedmann Schulz von Thun, është e njohur për konceptin e saj të kuptueshmërisë në diskutim. Sipas tij, diskutimi është i kuptueshëm në qoftë se është i thjeshtë, i qartë (e shqyrtuar), konciz dhe interesant, kurse është i pakuptueshëm në qoftë se është i komplikuar, jo i qartë, i gjerë dhe jointeresant. Diskutimi është i lehtë (i thjeshtë) në qoftë se në të përdorim fjali të shkurtra, fjalë të njohura, dhe një të folur normal, konkret dhe të zakonshëm. Ai është i ndërlikuar në qoftë se përdorim fjali të gjata, fjalë të panjohura dhe të folur abstrakt. Ai është i qartë nëse përmbajtjen e paraqesim të lidhur, të kataloguar, logjikisht dhe gradualisht dhe nxjerrim në pah të rëndësishmen. Është i shkurtër, në qoftë se përdorim pak fjalë dhe shumë informacione duke u ndalur në thelbësoren, kurse është i gjerë në qoftë se përdorim shumë fjalë dhe japim pak informacione dhe humbasim duke u marrë me gjëra dytësore, d.m.th. nëse në lidhje me zërin dhe përmbajtjen flasim pa lidhje. Diskutimi është interesant, nëse përdorim të folur të drejtpërdrejtë dhe një stil personal me shembuj, analogji, kurse ai është jointeresant dhe i mërzitshëm, nëse fjalimi dhe stili janë indirekt dhe apersonal, pa shembuj dhe analogji. “Të flasësh në senat, ose t`i drejtohesh cilitdo njeriu duhet thjeshtë dhe jo shumë zbukurime; njeriu duhet të shërbehet me fjalim të pastër” (Marcus Aurelius).

Demokracia e pakuptueshme as që është demokraci. Kuptueshmëria dhe transparenca është një karakteristikë themelore e çdo demokracie. Pakuptueshmëria lidhet zakonisht me paplotësinë e të shkruarit dhe të folurit, kështu që nga njëra anë kemi para vetes një fjalim gjoja demokratik, në anën tjetër një praktikë padyshim jodemokratike. Kjo është plaga e shumë demokracive. “Të flasësh, duhet sikurse kur sajohet një testament. Sa më pak fjalë, aq më pak grindje”(Gracian). Në diskutim, mund të plotësohemi në mes veti në mënyrë të lirë, të barabartë dhe shkëmbyese. Vetëm ky është një komunikimi i lirë dhe i barabartë. Këtu dominon përmbajtja e komunikimit, sipas të cilës, në mënyrë fleksibile përshtaten marrëdhëniet midis bashkëbiseduesve. Ata ndryshojnë në varësi të përmbajtjes dhe kontekstit.

Pozicionet ndodhen në funksion të përmbajtjes dhe komunikimit. Njohja në mes veti dhe qëndrimi në lidhje me përmbajtjen e komunikimit i përcaktojnë pozicionet në marrëdhënie që në mënyrë fleksibile qarkullojnë mes partnerëve. Ky është një komunikim fleksibël komplementar (plotësues). Një diskutim i tillë, do të mund ta quanim “edhe unë- edhe ti” diskutim. Diskutimin, njeriu duhet ta zhvillojë për të plotësuar, shtuar, zgjeruar, përfshirë, dhe jo për të përjashtuar, mohuar, nënvlerësuar.

Diskutimin duhet njeriu ta ndërtojë mbi të përbashkëtën në të ndryshmen. Opinionin dhe sugjerimin e bashkëbiseduesit kurrë nuk duhet refuzuar tërësisht. Në të duhet njeriu të ndërlidhë, të ndërtojë, të zgjerojë duke shtuar diçka nga vetja, duke e modifikuar bashkërisht. Asgjë nuk duhet të refuzohet në tërësi. Sepse gjithmonë ekziston diçka mbi të cilën mund të ndërtohet dhe të zhvillohet diçka e re.

Demokracisë i duhet një komunikim i rehatshëm

I rehatshëm është ai diskutim, në të cilin ndjehemi komod dhe të lirë; në të cilin njeriu mund të marrë frymë, nuk shkelen disa të drejta themelore të njeriut, nga i cili nuk kemi nevojë të ikim dhe ku mund të qëndrojmë gjatë. Këto janë kryesisht e drejta për autonomi dhe diversitet, për të pasur hapësirën vetjake, kohën vetjake, dinamikën vetjake dhe një minimum të kënaqësive vetjake. Ne të gjithë kemi të drejtë për një ngjashmëri, por edhe një diversitet mendimesh, idesh dhe sugjerimesh. Në qoftë se nuk kemi të drejtë të mendojmë ndryshe, ndjehemi pakëndshëm, jo rehatshëm. Diskutimi si një fjalim i ndryshëm i dy personave ose më shumë prej tyre, mund të shndërrohet në një fjalim gjithmonë të njëjtë të njërit ose disa prej tyre.

Diskutimi pushon së qeni kreativ dhe i lirë. Nga një komunikim i tillë, njeriu ikën. Ai ndërpritet ose shndërrohet në një gjoja komunikim; objektivi i vetëm i të cilit është që mos të arrihet të diskutohet. Këtu na ndihmon pakuptueshmëria e planifikuar dhe e vetëdijshme e mesazheve tona. Vetëm diskutimi me përmbajtje të këndshme, me të drejtën e ngjashmërisë dhe ndryshimit, është komunikim cilësor dhe vërtet demokratik. Ky është diskutimi përmbajtësish i rehatshëm.

Është e drejta jonë për të përcaktuar afërsinë dhe distancën në diskutim. Një diskutim i kënaqshëm është ai ku secili ka të drejtë për të përcaktuar vetë shkallën e afërsisë dhe të distancës, dhe askush nuk mund të hyjë pa leje në atë pjesë të territorit ku bashkëbiseduesi nuk e dëshiron tjetrin. Ky është diskutimi për nga hapësira i rehatshëm. Është e drejta jonë për

vetëvendosjen e fillimit dhe përfundimit të diskutimit. E drejta e çdo individi është të përcaktojë vetë me të cilin, kur dhe sa kohë do që të flasë. Diskutimi nevojitet kohësisht të korrespondojë me të gjithë pjesëmarrësit. Dështimi për të respektuar këtë të drejtë individuale në kohën e komunikimit pamundëson një diskutim të rehatshëm. Nuk është e mjaftueshme që pala tjetër dëshiron të flasë. Ai nevojitet të dëshirojë këtë në një kohë të caktuar. Ai gjithashtu duhet të përcaktojë vetë kohëzgjatjen e saj në mënyrë që të ndihet rehat. Ky është diskutimi kohësisht i rehatshëm.

Është e drejtë e bashkëbiseduesit, të jetë aktiv ose pasiv gjatë diskutimit. Nuk mund dhe s’guxojmë ta detyrojmë askënd që të jetë aktiv gjatë diskutimit. Diskutimi nevojitet t`i përshtatet nevojave të tij. Çdo individ ka të drejtë të flasë dhe të heshtë. Secili duhet të ketë lirinë për të inkuadruar ose për ta lënë veten jashtë gjatë bisedës. Ky është diskutimi dinamikisht i rehatshëm. I rëndësishëm është raporti i duhur në mes të kënaqësisë dhe pakënaqësisë gjatë diskutimit. Ndjehemi rehat vetëm atëherë nëse mjaftueshëm jemi shpërblyer, dhe në qoftë se frustrimet nuk e kalojnë një kufi të caktuar. Për fat të keq, ne rrallë mendojmë rreth asaj se si është duke e ndier veten bashkëbiseduesi ynë. Vetëm të kënaqur emocionalisht ne jemi në gjendje të flasim cilësisht më gjatë. Sikurse që nuk jemi në gjendje për t’u ulur gjatë në një karrige jokomfore, ashtu nuk jemi në gjendje të bisedojmë gjatë me dikë në një situatë të pakëndshme komunikimi. Ky është diskutimi emocionalisht i rehatshëm demokratik.

(Perktheu: P. Shtjefen Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »