PAPA “ARBËNESH”

Jul 6 • Recension

(Eqrem Zenelaj, Gjenealogjia e familjes shqiptare Albani nga Urbino dhe Bergamo e Italisë – Papës Clementi XI – Albani, botoi: SHB “Faik Konica”, Prishtinë 2009)

 

Origjina shqiptare e Papës Clemens XI Albani, sipas studiuesit Zenelaj, është e pakontestueshme dhe mbështetet mbi dokumente të verifikueshme. Në vetë librin “Kuvendi i Arbënit” shkruan ndër të tjera: “lus Hyjin te ruegn ty papen Arbenesce”.

 

Shkruan: Anton Gojçaj

Eqrem Zenelaj vite të tëra i kaloi në arkiva, dhe biblioteka duke kërkuar burime relevante, me objektivin që shkencërisht të verifikojë origjinën shqiptare të Papës Clemens XI Albani dhe veprimtarinë e tij në dobi të shqiptarëve. Pasi mbaron së lexuari librin, lexuesi e kupton më mirë pasionin e studiuesit për këtë personalitet dhe mirëkupton punën e tij. 

Pjesa e parë e librit merret me sqarimin e nocionit/fjalës/emrit Clemens (Clement, Klement). Konstatohet se këtë emër e patën katërmbëdhjetë papë, nga Clementi I e deri te Clementi XIV. Të gjithë, përveç njërit, e përzgjodhën në respekt të “shenjtit të parë të martirizuar” Clemens I (Romanus) (91-100). Fjala “clemens” sqarohet me fjalën latine clemens, entis, adi. – i urtë, i mirë, i butë, i mëshirshëm… Mbështetur te historiani kroat Milan Shufflay, rikujtohet kështjella e hershme mesjetare Clementiana, prej së cilës mund ta ketë marrë emrin fisi i vjetër iliro-shqiptar Kelmendi. (Parantezë-digresion: Në lashtësi Ballkanin e sotëm e quanin edhe Haemus, që nënkupton një vend malor. Po ashtu territori i Ze(n)tës, Tribunias dhe Podgorjes (Submontana) dikur quhej Helmanija. Edhe oronimit shqip Helm po t’i vihej përpara një “K” do të prodhonte fjalën Khelm… Kujto: Maja e Helmit, Helmicë, Chelmia, Holmia, Holmanija, pastaj Kom, Komani, si dhe trajta sllavisht – Hum, Zachumlia etj., janë kryesisht oronime ). Një nënkapitull të veçantë në pjesën e parë të librit studiuesi ia kushton historikut të shkurtër të fisit të Kelmendit dhe kelmendasve, duke e konsideruar si fisin e origjinës së papës Klementi XI.  

Pjesa e dytë e librit i kushtohet ekskluzivisht gjenealogjisë së familjes Albani. Hulumtimet shumëvjeçare në arkiva dhe në shumë enciklopedi autoritative në gjuhët kryesore të Europës studiuesin e çuan te përfundimi se kjo familje ishte me origjinë nga Shqipëria. Sipas disa burimeve, shpërngulja e Albanëve nga Arbëria në Itali ndodhi në vitin 1464, kur tre djemtë e Michaele Lazzi-t arritën në Urbino. Mendimet ndahen kur flitet se a erdhën ata si refugjatë, apo si njerëz të besueshëm të Skënderbeut, me mision të caktuar. Roli që së shpejti luajti kjo familje në atdheun e ri, Italinë, që në atë kohë ishte ndër vendet me kulturën më të zhvilluar ndoshta në Europë, të çon në mendimin se familja Albani posedonte një kulturë të nivelit të lartë, që e kishte bartur pjesërisht edhe nga atdheu i origjinës, Shqipëria. Zenelaj konstaton se familja Albani ishte me origjinë nga Shqipëria e Veriut, edhe më saktësisht: të parët e tij ishin nga fisi i Kelmendit.

Familja Albani krishterimit i dha disa kardinalë dhe një papë, por edhe shumë diplomatë, prelatë, aktorë, arkeologë, bibliotekistë, mësues, piktorë, ushtarakë, senatorë, shkencëtarë… Zenelaj në këtë pjesë flet, veç e veç, për figurat më të shquara  të Albanëve: kardinal Giovani Girolamo, Orazio I – gjyshi i papës – jurist i shkëlqyer dhe senator i Romës, Orazio II – vëllai i vogël i papës, Carolo III – përkohësisht princ i Mbretërisë së Romës e pastaj edhe i Al Saglios, Orazio III –  protektor i Oborrit papnor për Poloninë dhe Republikën e Raguzës, kardinal Andrea Giuseppe – sekretar i shtetit të Vatikanit, kardinal Anibali III, kardinal Aleksandër Albani, kardinal Johann Franz Gajetanus, kardinal Gio Françesko Albani. Roli dhe rëndësia e familjes Albani në shekujt XVII-XVIII, sipas këtyrë të dhënave, ishte shumë i madh jo vetëm për Vatikanin dhe Kishën Katolike, por edhe për mbarë gadishullin e Italisë.     

Kapitulli ose pjesa e tretë i kushtohet drejtpërdrejt Papës Klementi XI Albani. Gjo Françesko Albani ka lindur më 22 korrik 1649, kurse më 22 nëntor 1700 u zgjodh papë dhe mori emrin Clemens XI – Albani. Koha kur ai u zgjodh papë dhe drejtoi Kishën ishte e pasur me kriza dhe probleme politike, diplomatike, sociale, por edhe fatkeqësi natyrore (Roma goditet nga dy tërmete, një stuhi shkatërrimtare, pastaj dimri i acartë i vitit 1709 që ngriu mbarë Europën, epidemi të ndryshme etj.). Megjithëkëtë, ai gjeti kohë t’i kushtohet edhe çështjes së popullit shqiptar, lidhjen emocionale me të cilin, si duket, nuk e kishte shkëputur kurrë. Eqrem Zenelaj deklaron: “Papa Clementi XI Albani pos që ishte një fetar i devotshëm, ai kishte qenë edhe patriot i madh.” Argumentet kryesore që e frymëzojnë studiuesin për një mendim të tillë janë:

1. Në vitin 1703 Papa Clemens XI Albani inicon dhe mbështet mbajtjen e Koncilit ose Kuvendit të Arbënit, me ç’rast urdhëron argjipeshkvin e Tivarit Vinçenc Zmajeviqin që të vizitojë të gjitha tokat e Arbënisë dhe pastaj të hartojë “një raport të hollësishëm për gjendjen e kishave të Arbënisë dhe të besimtarëve…, dhe më në fund dua të di, a e përdor ai popull gjuhën e vet, të folmen arbneshe?” Ky kuvend u mbajt në Mërçi të Lezhës më 14-15 janar 1703. Aty u punua strategjia për ruajtjen e gjuhës arbënishte (shqipe), fesë katolike dhe kujtesës historike të shqiptarëve, që më pastaj përcaktuan identitetin e veçantë të shqiptarëve ndërmjet popujve të tjerë.

2. Themeloi kolegjin arbëresh në Shën Demetrio Koronë të Kalabrisë.

3. Hapi katedrën e gjuhës shqipe në Kuvendin e Shën Bartolomeut në Romë, ku dha mësim edhe Françesko Maria da Leçe, autori i Gramatikës së parë të gjuhës shqipe, në vitin 1716, për hartimin e së cilës supozohet se e kanë nxitur Papa Albani, Kongregacioni i Propagandës Fide dhe Jezuitët.

4. Papa Clemensi (Klementi) XI grishi për bashkëpunim studiuesin e njohur të asaj kohe Atë Daniele Farlati-n dhe e trimëroi të nisë punën në projektin madhor, i cili më vonë u bë i lavdishëm si “Illyricum Sacrum”, një thesar në kuptimin e plotë të fjalës për shkencat ilirologjike-albanologjike. Përfundimi i këtij projekti të quajtur edhe “Enciklopedi e Kishës Ilire” ka zgjatur 150 vjet. Shtatë vëllimet e para i ka realizuar Farlati, kurse dy të fundit Jakobo Koleti.  

Përfundimet te të cilat erdhi Zeneli janë: origjina shqiptare e Papës Clemens XI Albani është e pakontestueshme dhe mbështetet mbi dokumente të verifikueshme; në vetë librin “Kuvendi i Arbënit” shkruan ndër të tjera: “lus Hyjin te ruegn ty papen Arbenesce”; emrin “Clemens” Papa, përveç që ishte emri i një martiri të nderuar nga shekulli i parë – Shenjtit Clemens I, e zgjodhi edhe për arsyen se ia rikujtonte fisin e të parëve të Papës – Kelmendin. Studiuesi jep një regjistër të pasur të enciklopedive më të njohura europiane ku theksohet origjina shqiptare e Papës Clemensi XI, si psh: Grossses Universales Lexicon aller Wissenschafften und Kunste – Erster Band, A-Am, Halle und Leipzig, Anno 1732, ku shkruan se familja Albani origjinën e ka nga Shqipëria…, apo “Enziklopedia Zanicelli” – Bologna 2002, ku thuhet: “Albani famiglia di origine albanese discedente da Michele Lazii, trasferitosi a Urbino nel 1464”, apo edhe dëshminë kulmore që sjell autori për të dëshmuar se familja Albani nga Urbino dhe Bergamo ishte me origjinë shqiptare, që është një shënim në gjuhën latine, shkruar gjatë pontifikatit të Papës Albani: “Albanensis Familiae Hodireno Romano Pontifice Insignis Arbor Genealogica Illvstrata Historica Relatione de Eiusdem Origine et Tstav Presenti.” Bëhet fjalë për pemën gjenealogjike të familjes Albani, ku shihet se rrënjët e saj “fillojnë nga Kurora Mbretërore dhe Stema e Heroit kombëtar shqiptar – Gjergj Kastriotit.” Kjo pemë gjenalogjike gjendet edhe në kopertinën e pasme të librit.

Papa Albani qëndroi në stolin e shën Pjetrit më shumë se 20 vjet, kurse ndërroi jetë më 19 mars të vitrit 1921. Në rreshta e parë të epitafit mbi pllakën e varrit të tij, shkruan: “Viator, ad liminia Petri consiste! Clemens XI. P. R. gente Albanus, patria Urbinas (…)”. Në përkthim: “Udhëtarë! Ndalohu, te pragu i Pjetrit, Clementi XI, Papë në Romë, prej popullit të shqiptarëve, i vendlindjes Urbino (…).

Një studiues tjetër i cili ka dhënë kontribut të madh për ndriçimin e “Kuvendit të Arbënit”, dr. Fra Vinçenc Malaj, nuk përmendet fare, as si referencë por as në literaturën e shfrytëzuar, çka mund të konsiderohet si një lëshim, pa marrë parasysh se temë ishte Papa (dhe familja) Albani e jo Kuvendi i Arbënit.

Ky libër është një kontribut me vlera shkencore jo vetëm për hulumtuesit e specializuar të jetës së Papës Clemens XI apo edhe të familjes Albani, por edhe për shkencat albanologjike dhe historike në përgjithësi.        

Për autorin:

Eqrem Zenelaj (1956, Grejkoc-Therandë, Kosovë) është doktor i shkencave juridike, me tezën e mbrojtur në Universitetin e Vjenës. Jeton me familjen në Vjenë. Është ligjërues në Universitetin Fama të Prishtinës.

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »