KISHA KATOLIKE NDIHMON FAMILJEN SOPI NË LLAPUSHNIK
Llapushnik, 8 korrik: Pas lajmit të hidhur që pranuam të hënën e kaluar se Familja e Gjon Sopit në Llapushnik ka pësuar dëme të rënda për shkak të djegies të odës, hambarit dhe disa pjesëve të banimit, Kisha Katolike me besimtarët e vet, në shenjë solidariteti është aktivizuar për të grumbulluar ndihma me qëllim që të riparohen dëmet e kësaj familje.
Sot në mesditë, një delegacion i Ipeshkvisë, i prirë nga Imzot Dodë Gjergji, e vizituan Familjen Sopi dhe i dhuruan mjetet e grumbulluara për riparim dhe traktorin me të gjitha pajisjet përcjellëse, ato të cilat kjo familje i kishte humbur në flakën e të hënës.
Gjatë bisedës me familjarët dhe mysafirët e rastit, u theksua se duhet të besojmë institucioneve tona kompetente që kanë hulumtuar shkaqet e djegies. Po ashtu u inkurajuan familjarët se bashkësia e krishterë, besimtarët katolik, do të shprehin solidaritet e do të jenë gjithnjë afër atyre që do të kenë nevojë për përkrahje, e në mënyrë të veçantë kur njëra prej tyre dëmtohet. Mbi të gjitha do të përkushtohen të shërojmë zemrat e të gjithë atyre që ndjehen të prekur apo u është shkaktuar dëm shpirtëror.
Pas qëndrimit tek familja Sopi, u vizitua edhe vendi ku po ndërtohet rrethoja për varrezat e bashkësisë katolike në Llapushnik. (Drita)
« TË DËRGUAR NË SHËRBIM TË DREJTËSISË, TË SË VËRTETËSDHE DASHURISË KREMTIMI I SHËN ASTIT NË SERBICË »