ANTON N. BERISHA, FITUES I ÇMIMIT LETRAR “BEQIR MUSLIU” PËR VITIN 2015

Jul 9 • Letërsi

Me vendim të jurisë profesionale, në përbërje: Nehas Sopaj, Sabile Keqmezi –Basha dhe Ramadan Musliu,  fitues çmimit letrar “Beqir Musliu” për vitin 2015 është studiuesi i letërsisë, romansieri, poeti, përkthyesi, antologjisti  Anton N. Berisha.

Në arsyetimin e jurisë, veç tjerash thuhet se Anton N. Berisha përfaqëson njërin nga individualitetet e shquara letrare të letërsisë së sotme shqipe, i cili në vazhdimësi ka ndërtuar një arkitektonikë letrare artistike në themel të të cilës është ekzistenca historike dhe aktuale e njeriut dhe etnosit shqiptar. Dr. Anton Nikë Berisha, pos ndërtimit të një sistemi estetik brenda veprës së vet, ai në të njëjtën kohë, më një përkushtim të jashtëzakonshëm, ndërton një sistemi të ideve personale estetike e teorike, të cilat i ka aplikuar në opusin e tij të gjerë studimor që shtrihet që nga trashëgimia kombëtare orale, te veprat e autorëve të traditës e deri të letërsia e aktualitetit.

Çmimin, në kuadër të panairit të 43-të të librit, në Gjilan, laureatit të sivjetmë ia dorëzoi Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, ndërkaq Sarë Gjergji, si nominues, në fjalën e rastit, A. Berishën e cilësoi si modelin e studiuesit që duhet ndjekur.

Në vazhdim pjesë e fjalës së tij:

Vepra e gjithmbarshme letrare e studiuesit dhe shkrimtarit tonë, Prof. A. Berisha, është shumë e pasur dhe tejet e veçantë. Të rikujtojmë më këtë rast: është mbi 100, numri i veprave, bashkë me ribotimet, gjithmonë të plotësuara me kujdes, që Prof. Antoni na ka dhuruar.  Veprat, ndërkaq, janë të gjinive të ndryshme letrare: poezi e prozë, studime teorike estetike letrare, përkthime e antologji. Në këtë univers librash, Prof. Antoni shpërfaq gjithë shpirtin e tij të ndjeshëm edhe për lexuesit e vegjël në moshë-për fëmijët. Të mos harrojmë: Profesor Antoni shkruan për ata që dinë të  lexojnë qartë, që do thotë: vepra e tij kërkon një lexues të zgjedhur.  E shkruar me një akribi shkencore, vepra e studiuesit dhe shkrimtarit A.N. Berisha, ka në fokus atë pjesë të letërsisë e të kulturës tonë, e cila dhe mund të konsiderohet dhe është palca e historisë së kulturës, e mendësisë dhe letërsisë  shqiptare  përgjithësisht (gojore e të shkruar).  Është Prof. Antoni, që nxori në dritë gjymtimet dhe shëmtimet që studiuesit e kritika soc-realiste i kishte bërë letërsisë arbëreshe. Së këndejmi, është dhe korrigjuesi (në masë) i mësimit dhe interpretimit të gabuar që bëmë për këtë letërsi dhe jo vetëm. Duke njohur thellësisht lëndën që merr në shqyrtim e që  trajton (nga të gjitha periudhat letrare), Ai prek ato fusha të artit e të kulturës sonë ku kishte mungesë studimesh të mirëfillta, duke dhënë kështu një ndihmesë të madhe, duke trasuar rrugë e duke u bërë nxitës për një raport e marrëdhënie tonën ndryshe me kulturën, artin, letërsinë, shkencën në përgjithësi.

Vepra shkencore e studiuesit Berisha është një nxitje për një art tjetër, për një art më ndryshe, për një kulturë tjetër komunikimi, që, së fundmi, mund të kuptohet edhe si kërkesë për një mendësi e jetë ndryshe, më të avancuar, për një botë (amë) në komunikim – bashkëjetesë në e me arealin kulturor të Evropës Perëndimore. Vepra e tij letrare, si një formë e veçantë komunikimi e shprehjeje artistike, ndërgjegjëson; është dhe një katharsis shpirtëror.

Vepra e Profesor Antonit, shpreh ide e probleme nga më të ndryshmet, që kanë të bëjnë me vlerat sublime të etnokulturës sonë.

Ajo, sa e vëllimshme po aq dhe më tepër cilësore, na vjen si një shkollë letrare më vete, për ta pasur zili dhe institucione akademike. Në fakt, kompetenca shkencore që përshkon veprën e  Prof. Berishës, bëri që ajo të jetë vazhdimisht objekt trajtimi i studiuesve  të shumtë, sikundër dhe të përkthehet në gjuhë të ndryshme, duke e vënë kështu letërsinë tonë në komunikim me letërsi të tjera, duke e kthyer atë në rrjedhat e gjithmbarshme kulturore e letrare evropiane, ku natyrshëm dhe kishte lindur letërsia jonë.

Sipas Ars Clubit “Beqir Musliu”, kandidat për këtë çmim, sivjet kanë qenë edhe Agim Gjakova, Nikollë Spathari e Lazër Stani. (Drita)

11111 22222

Shpërndaje

Comments are closed.

« »