TË PËRNDJEKUR DHE TË FUQIZUAR

Jul 10 • Meditimi i ditës

10 korrik 2015 – E premte,

MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment
dhe e marr me mend dashurinë dhe hirin që Zoti e derdh mbi mua,

se si më krijon në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tijin…

 

Liria

 

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit tim të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Vetëdija

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie, raporte,

në lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I lejoj vetes t`i ndiej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë këputur:
për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën të mund të pranoj dhe të fal.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Mt 10, 16-23

 

16 “Ja, unë po ju dërgoj porsi dele mes ujqish!

Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!

17 Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre. 18 Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. 19

E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, 20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.

21 Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngritën kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. 22 

Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse,

kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.

23 Kur t’ju salvojnë në njërin qytet, ikni në tjetrin! Përnjëmend, po ju them: nuk do t’i përshkoni qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të shenjtë:

 

 – Jezusi kërkon prej nxënësve qëndresë përkundër faktit të përndjekjeve të cilat do t`i hasin gjatë kohës që do ta shpallin Ungjillin. Ai i siguron ata se nuk duhet të tremben,

sepse forca e Shpirtit Shenjt do të flasë nëpërmjet tyre.

– O Zot, dërgoje Shpirtin tënd të shenjtë, kur të ndjehem i shtrënguar nga betejat dhe persekutimet në jetën time. Më ndihmo të besoj në fuqinë e Shpirtit tënd, vetë jetën hyjnore në mua, që më çon në udhët e së vërtetës dhe të dashurisë.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus i dashur, po ta hapi zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti përkujdesesh sot për mua,

se do të përkujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe

sa luta mbi tekstin e Shkrimit të shenjtë.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »