E DIELA E XV GJATË VITIT (B)

Jul 11 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë Am 7,12-15

 

Lexim prej Librit të Amosit profet 

Në ato ditë, prifti i Betelit Amasia i tha Amosit: “Shporru, o vegimtar! Ik në dheun e Judesë. Atje ha bukë e atje profetizo! Sa për në Betel mos guxo më të profetizosh, sepse kjo është shenjtërorja e mbretit e tempulli i mbretërisë!” Atëherë Amosi i përgjigji Amasisë: “Nuk jam profet as s’jam bir profeti, por jam bari e vjelës fiqsh. Por vetë Zoti më mori prej pas dhenve e më tha Zotynë: ‘Shko e profetizoi popullit tim, Izraelit!’ Tash dëgjoje fjalën e Zotit: Ti po thua: ‘Mos profetizo kundër Izraelit e mos prediko kundër shtëpisë së Izakut!’ Po për këtë arsye kështu thotë Zoti: ‘Gruaja jote do të bëhet lavire në qytet, prej shpatës do të bien bijtë e bijat e tua, toka jote me konop do të ndahet, kurse ti do të vdesësh në vend të papastër dhe Izraeli do të shkojë nga vendi i vet në skllavëri’.”   

Fjala e Zotit

 

Psalmi 85

Ref. Tregoje, o Zot, fytyrën e dashurisë sate.

———————————————————–

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,

ai premton paqe për popullin e vet,

për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.

Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,

lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

—————————————————————–

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,

drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

E vërteta do të mbijë nga toka

e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

—————————————————————–

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë

edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

Drejtësia do t’i shkojë përpara

dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

————————————————————

 

Leximi dytë Ef 1,3-14

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Efesianëve 

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur. Në Të, në saje të gjakut të tij, e fituam shpërblimin; në Të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të tij, të cilin Hyji e ndikoi në ne bashkë me çdo urti e kuptim.  Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet – synim që lirisht kishte vendosur qysh më parë ta kryente në Të – kur të plotësohej koha: domethënë të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të gjithë qeniet që janë në qiell e në tokë. Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë – të paracaktuar me vendim të Atij që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet – të jemi në nder të lavdisë së tij – ne që qysh më parë e vuam shpresën në Krishtin. Po në Të edhe ju që e dëgjuat fjalën e së vërtetës – Ungjillin e shëlbimit tuaj – mbasi besuat në Të, u vulosët me Shpirtin Shenjt – të Premtuarin – që është pengu i trashëgimit tonë: për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit – në nder të lavdisë së tij.         

Fjala e Zotit.

Aleluja!

Pranojeni fjalën e Zotit jo si fjalë njerëzish,

por ashtu si në të vërtetë është fjala e Hyjit.

Aleluja!

 

 Ungjilli   6,7-13

 

+Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i thirri të dymbëdhjetët e nisi t’i dërgoi dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, por të mbathnin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka. Dhe u thoshte: “Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të mos largoheni nga ai vend. Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.” Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.         

Fjala e Zotit

 

Porosia 

Në leximin e parë dëgjojmë nga libri i Amosit profet, i cili jetoi në shekullin e tetë para Krishtit. Amosi, u lind në pjesën jugore të mbretërisë, ndërsa

jetoi në pjesën veriore, në qytetin Betel.

Hyji e thirri dhe e dërgoi që të profetizojë. Amosi i përgjigj dhe nuk kursen askënd për t’ i qortuar dhe mësuar atë që Zoti kërkonte nga ai. Fliste kundër idhujtarisë, kundër diskriminimit dhe kundër padrejtësisë që bëheshin në popull, mbi të gjitha i mbronte të varfëritë dhe ata që ishin të nëpërkëmbur. Ishte njeri i drejtësisë. Nuk ishte çudi që kishte me shumë njerëz në konflikt, sepse nëse predikohet dhe jetohet drejtësia edhe atëherë edhe sot do të biesh ndesh me njerëz, sidomos me ata që kanë pozita e që punën e vet nuk e kryejnë me nderë dhe nuk e kryejnë si duhet.

Shën Pali në letrën e vet, ju drejtohet të krishterëve, duke i trajtuar kush janë dhe çfarë janë në Jezu Krishtin. Janë të zgjedhurit e Zotit, janë të thirrur të shenjtë dhe të patëmetë. Janë bij të adoptimit, bijtë e Zotit. Sepse në saje të Jezu Krishtit u shpërblyem. Kështu, plani i Zotit realizohet në dashuri  në Jezu Krishtin.

Për ne, është e rëndësishme që të bëjmë krejt atë që është e mundshme që plani i Zotit të realizohet për shëlbimin tonë dhe të njerëzve mbarë.

Këtë e arrijmë, nëse mundohemi që të jetojmë në lidhshmëri me Zotin në lutje dhe në jetë sakramentale, në përvujtëri dhe dëgjesë ndaj asaj që na mëson Kisha nënë.

Në Ungjill, shohim sesi Jezu dërgon nxënësit e vet që të predikojnë dhe të jenë dëshmitar të tij, të predikojnë atë që dëgjuan dhe panë. Ju urdhëron që mos të jenë së tepërmi të ngarkuar me gjëra materiale, sepse ajo pengon në përhapje të Ungjillit, të Lajmit të gëzueshëm.

Jezusi, iu jep pushtet që të kundërshtojnë të keqin dhe mëkatin, dhe sot, këtë shpirt e shohim shumë të pranishëm në botë, sepse njerëzit më tepër e duan terrin se dritën. Jezusi, erdhi që të shëlbojë, të shpëtojë njeriun, prandaj edhe kërkon bashkëpunim me Të nëpërmes Kishës.

Të gjithë jemi të ftuar që ta  ndjekim rrugën e Zotit, por ndodh shpesh që jemi të ngarkuar për së tepërmi me gjana materiale; kemi ngarkesë të madhe dhe kujdesemi për shumë gjëra sa që harrojmë obligimin që kemi si të krishterë.

Kështu, duke u përkujdes së tepërmi për gjëra tokësore dhe materiale rrezikojmë jetën shpirtërore, jetën me Zotin.

Është koha që të realizojmë planin që Zoti ka me ne, është koha që të jetojmë në praninë e Zotit me jetën tonë të mirë dhe të ndershme duke e dëgjuar dhe duke e zbatuar fjalën e tij, mësimet që predikoj Krishti për shëlbimin tonë.

Në luftë kundër mëkatit dhe të keqit nuk na nevojitet asgjë, as shkop, as para, por na nevojitet prania e tij, na nevojitet hiri i tij që na ndihmon të ngadhënjejmë mbi  të këqijat që na kanosen, robërimi i mëkatit.

Mbi njeriun duhet të mbizotërojë shpirti e jo materia, duhet që shpirti të na udhëheq e jo gjërat materiale. Plani i Zotit, duhet të realizohet në zemrën tonë dhe në shoqërinë që na rrethon.

Është tragjike nëse jemi të shurdhër dhe të verbër për ta dëgjuar dhe për ta parë lavdinë e Zotit.

Lutjet e besimtarëve

Të frymëzuar prej Shpirti shenjtë, t’ ia drejtojmë Hyjit Atë lutjet tona dhe t’ i themi:

Na shiko o Hyj dhe ki mëshirë për ne!

– Papën tonë Françeskun, ipeshkvijtë tanë dhe të gjithë ata që janë në shërbim të Ungjillit ripërtëriti dhe frymëzojë që me dashuri dhe përkushtim të plotë, të sjellin fryte të shumta për shëlbimin dhe shpëtimin e të gjithëve, të lutemi:

– Ndihmoje Kishën tënde që të rritet në fe, shpresë dhe dashuri, duke e dëgjuar dhe zbatuar mësimin tënd, të lutemi:

– Të gjithë njerëzit vullnetmirë ndihmoj o Zot dhe përkrahi që të realizohen dëshirat e mira për një jetë me të mirë me Ty dhe në mes vete, të lutemi:

– Për ne këtu të pranishëm që të frymëzuar nga Shpirti yt, të dimë të jetojmë dhe veprojmë për të mirën e familjes dhe shëlbimin e shpirtit, të lutemi:

– Që materializmi mos ta ngulfat eten shpirtërore, na ndihmo që të jetojmë të lirë për të realizuar thirrjen tonë në dashuri dhe kushtim të plot të vlerave morale dhe njerëzore, të lutemi.

O Atë qiellor, prano lutjet tona të përbujta, dhe na ndihmo që gjithnjë të ecim rrugës që na mësoi Biri yt Jezu Krishti, i cili me Ty dhe Shpirtin Shenjt  Zot, jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »