KOHË PUSHIMI DHE TAKIMI

Jul 17 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XVI gjatë vitit

Leximi parë (Jer 23,1-6)

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

“Vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime”, thotë Zoti. Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për barinjtë që e kullotin popullin tim: Ju e tretët grigjën time; i shpërndatë delet e mia e nuk u kujdesuat për to. Ja, pra, unë vetë do të merrem me ju: do ta ndëshkoj sjelljen tuaj të keqe! – është fjala e Zotit!  Po, unë vetë do ta bashkoj tepricën e grigjës sime nga të gjitha vendet, ku i pata flakur, e do t’i kthej në kullotat e tyre: do të sillen mbarë e do të shumohen. Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin; më s’do të kenë frikë as nuk do të tremben, asnjë kokërr nuk do të mungojë – është fjala e Zotit. Ja, po vijnë ditët – është fjala e Zotit – kur do t’ia ngris Davidit pinjollin e drejtë, që do të mbretërojë si mbret i vërtetë dhe do të jetë i urtë e do të ushtrojë në vend të drejtën e drejtësinë. Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Izraeli do të jetojë në paqe. Ja emri me të cilin do ta quajnë: ‘Zoti ynë – drejtësia jonë!”

Fjala e Zotit

 

PSALMI 23

Ref: Zoti është bari im, asgjë nuk me mungon.

————————————————————-

Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,

më prin në ujëra të qeta,

shpirtin ma përtërin.

Ai më prin shtigjeve të drejta

në saje të dashurisë së Emrit të vet.

————————————————————-

Po edhe në kalofsha

nëpër luginën e hijes së vdekjes,

s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:

thupra jote dhe kërraba

për mua janë ngushëllim.

————————————————————-

Ti ma shtron tryezën përpara

Ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen,

gotën ma mbush plot e përplot.

————————————————————–

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin

në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit

derisa të jem gjallë.

—————————————————————

 

 Leximi dytë (Ef 2,13-18)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit larg, erdhët ngjat, në saje të gjakut të Krishtit. Përnjëmend Ai është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një, e përmbysi murin ndarës, domethënë armiqësinë, në trupin e vet. Ai e shfuqizoi ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve, paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri, e duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. E prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat. Në saje të tij, pra, si njëra palë ashtu edhe tjetra, kemi të drejtë të dalim para Atit në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt.  

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti;

unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 6, 30-34)

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre. Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbtën, sepse ishin porsi ‘dhentë pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në leximin e parë shohim se si vet Zoti do të përkujdeset për popullin e vet, sepse barinjtë nuk ishin përkujdesur për të, por e kishin lënë që të tretet e të asgjësohet në aspektin shpirtëror. Ata kishin humbur çdo gjë dhe tani Zoti, Hyj premton jetë të lumtur duke u përkujdesur për ta.

Në leximin e dytë dëgjojmë se si në saje të Jezu Krishtit, të gjithë kanë mundësi të bashkohen në një grigjë të vetme që e udhëheq një bari i vetëm.  Në Krishtin jemi popull i Zotit.

Për këtë, pra, duhet falënderuar Zotin e mbi të gjitha duhet të lutemi që të mbizotëroj shpirti i paqes dhe i bashkimit në ne, që të mundemi të jemi bashkësi e gjallë dhe vepruese e Zotit duke i shfaqur mrekullitë e tija në jetën e përditshme, si dëshmitar të mirë në fjalë dhe vepra.

Në Ungjillin e sotshëm, lexojmë porosinë e thjeshtë dhe kuptimplote. Jezusi, gjithnjë është në shërbim të njerëzve. Nuk është çudi që edhe ai lodhet. Vepron, flet, qorton, mëson, shëron- thjesht u ndihmon të gjithëve atyre që kanë nevojë. Ishte ky një aktivitet i pandërprerë me të cilin duhej të mësoheshin edhe nxënësit e tij. Duhej ts ndiqnin ritmin e punës dhe jetës me Jezusin. Por, Jezusi është i vetëdijshëm, nuk bie në ndikim të aktiviteteve. Nuk humb nervat, nuk e humb kokën. E di që njeriu ka nevojë për pushim dhe ka nevojë që të marrë frymë lirshëm pa qenë i penguar nga të tjerët. Sepse, aktiviteti i tepruar mund të ndikojë negativisht të humbë paqen e brendshme. Kështu nuk është në gjendje të jap atë që është më e mira dhe më e nevojshmja për njerëz.

Jezusi vëren njerëzit, lodhjen, vëren nevojën e kohës, ai ju jep fjalën që ushqen shpirtin, trimëron dhe ngritë. Apostujt e vet i dërgon në vetmi, por për vete nuk llogarit, ai vepron.

Raste të tilla kemi edhe në vende të tjera në ungjill, kur thotë: “Ejani te unë të gjithë ju që jeni të lodhur nga barra e rënd e unë do t’ ju çlodhë” (Mt 11,28), Kush ka etje le të vijë tek unë! Gjn 7,37).

Kjo thirrje vlen edhe për ne. Ne, duhet të kemi besim në Jezusin dhe të dëgjojmë fjalën që na drejton. Jezusi e di për çka kemi nevojë, ai i njeh mendimet tona, e njeh jetën tonë. Në Jezusin ne mund ta shuajmë etjen tonë, mund të gjejmë pushim për shpirtrat tanë

Edhe ne jemi në aktivitete të shumta të jetës, duhet punuar shumë, duhet të angazhohemi që të kemi një standard të jetës, por mos të harrojmë duhet edhe të pushojmë nga punët, duhet të takohemi me Krishtin në meshën shenjte, në lutje që të marrim energji të reja për të vazhduar me punë.

Për fat të keq sot ka shumë njerëz, shumë besimtar që të dielën e çmon jo si ditë aktiviteti shpirtërorë, por si ditë pushimi për të bërë ahengje, shëtitje, takime, lëvizje të shumta, por jo për të marrë pjesë në meshën shenjte, jo për të shenjtëruar ditën e diel e ditën festë, sikurse na mëson nëna Kishë.

Kështu ne jemi të ngopur e të lodhur nga puna dhe ahengjet e në anën tjetër jemi të zbrazët shpirtërisht.

E kur zbrazemi shpirtërisht, vijnë krizat të cilat mund të na kushtojnë me jetë, sepse dëshpërohemi, pikëllohemi, trazohemi për gjëra që na ndodhin në jetë.

Me Zotin gjithmonë kemi sigurinë kemi perspektiv, kemi hirin që na përcjell dhe i jep kuptim jetës sonë me Të dhe në mes veti.

Në vetmi gjithmonë takohemi me vetveten dhe takohemi me Zotin. Këtu ne gjejmë shumë pyetje dhe përgjigje mbi veten tonë. Kemi thjesht çka të heqim e çka të shtojmë që të jemi besimtar të mirë

Pas çdo pune, pas çdo dite që kalojmë është mirë që të ndajmë pak kohë për Zotin dhe të shoshitim mendjen dhe zemrën si kemi kaluar dhe çka kemi bërë gjatë ditës. Të kërkojmë falje për lëshimet, të falënderojmë Zotin po ashtu për një ditë që kemi kaluar, për dhuratën e jetës, për shumëçka të mirë që na jep Zoti.

 

LUTJET E BESIMTARËVE 

Vëllezër e  motra, t’ ia drejtojmë lutjet tona Hyjit Atë, i cili na u shpall në Jezu Krishtin si bari që përkujdeset për grigjën e vet: Zë lutemi së bashku:

Ruaje dhe mbroje, popullin tënd, o Zot!

– Për Kishën tënde të shenjtë që mos t’ i mungoj kurrë bashkëndjenja dhe mëshira ndaj të pikëlluarve, të nëpërkëmburve dhe të gjithë atyre që janë në vështirësi të lutemi:

– Për të gjithë ata që iu ke besuar shërbimin baritor që të jenë të qëndrueshëm në ndjekjen e Birit tënd, Bariut të mirë, të lutemi:

– Për të gjithë ata që janë të ngashënjyer në mësime të gabuara dhe janë larguar nga Ti: që më mëshirën tënde t’ i falesh dhe t’ u ndihmosh të kthehen në rrugën e vërtetë, të lutemi:

– Për ne, këtu të pranishëm që në këtë gosti të na ripërtëritesh në forca të reja për të qenë në shërbim të atyre që kanë nevojë për ne, të lutemi:

– Për vëllezërit e motrat tona të vdekura: që t’ u falesh mëkatet dhe ti pranosh në mbretërinë tënde, të lutemi:

 

O Zot, Hyj pranoj lutjet tona dhe të gjitha ato dëshira të mira që janë në zemra tona. Na jep hiret e shpirtit shenjtë që në rrugën tonë me besnikëri të ndjekim Bariun e Mirë, Jezu Krishtin, i cili jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »