MËSHIRA KUNDREJT LIGJIT
17 korrik 2015 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
Prania e Hyjit
“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.
O Zot, fjalë te tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.
Liria
I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.
Vetëdija
E di që Zoti më do pa kushte.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderoj.
Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.
Fjala
E lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, ndoshta edhe disa herë,
Dhe dëgjoj çka më flet Hyji.
Mt 12, 1-8
1 Në atë kohë ‑ një të shtunë ‑Jezusi kaloi nëpër të mbjella. Nxënësit e tij të uritur, filluan të këpusin kallinj e të hanë. 2 Kur i panë farisenjtë, i thanë:
“Ja, nxënësit e tu po bëjnë çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën!”
3Jezusi u përgjigj:
“Vallë a nuk keni lexuar ç’bëriDavidi kur u urit ai dhe shoqëruesit e tij? 4 Si hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngrën bukët e kushtuara, që nuk ishte e lejueshme t’i hante as ai as shoqëruesit e tij, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo nuk keni lexuar në Ligj se priftërinjtë e prishin të shtunën në Tempull në ditë të shtuna e nuk bëjnë mëkat? 6 E unë po ju them: është këtu diç më e madhe se Tempulli! 7 Ta kishit kuptuar se ç’do të thotë fjala: ‘Dua mëshirën e jo flinë’, nuk i kishit dënuar këta njerëz që s’po bëjnë faj. 8 Biri i njeriut është me të vërtetë i zoti i të shtunës!”
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
– Farisenjtë përshpejtonin duke treguar me gisht respektimin tradicional të së shtunës siç kërkohej nga ligji. Ata nuk e kuptonin se çfarë donte të thoshte mësimi i Jezusitse “Biri i njeriut është i zoti edhe i të shtunës”. Ata ishin shumë të zënë me rregullat, rregulloret dhe kushtime boshe flish dhe e humbnin kuptimin e mesazhit të Jezusit–mëshirën dhe dashurinë e Hyjit.
– Hyji dëshiron që të më lirojë nga shqetësimet, ndjenjat e frikës dhe ngarkesat nëpërmjet dhuratës së dashurisë dhe mëshirës së tij të pakusht. A mund ta zgjeroj edhe te të tjerët dhuratën e mëshirës dhe të dashurisë që ai e ka ndarë me mua aq bujarisht?
Bashkëbisedimi
O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë
që edhe më shumë të kërkoj.
Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.
Përfundimi
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.