UDHËHEQJA SHPIRTËRORE NË JETËN E TË KRISHTERIT

Jul 17 • Kulturë, Recension

Shkruan: Atë Mario Imperatori S.I.

 

Me kënaqësi pranova ta shkruaj këtë parathënie për përkthimin dhe botimin në gjuhën shqipe të punimit të magjistraturës në lëndën Teologjia Shpirtërore të Don Anton Uka-jt kushtuar udhëheqjes shpirtërore dhe këtë nuk e bëj vetëm për arsye të ngushta personale. Në fakt, është hera e parë që një studim i tillë mbi këtë temë kaq jetësore botohet në gjuhën shqipe për cilësinë e jetës kishtare edhe në trojet shqiptare, në mënyrë edhe më të veçantë për jetën e kushtuar dhe atë meshtarake. Padyshim kjo është një meritë që duhet t’i njihet Autorit.

Studimi ndahet në katër kapituj. I pari është një përshkrim i shkurtër historik që, duke u nisur prej Shkrimit të shenjtë, shqyrton disa etapa domethënëse të historisë së gjatë të Kishës deri në ditët tona. Edhe pse në mënyrë pashmangshmërisht të përmbledhur, ky rrugëtim tregon mirë se si, përtej formave të ndryshme historike me të cilat konkretisht është realizuar udhëheqja shpirtërore, padyshim, jemi përpara një të dhëne të pashkëputshme të përvojës së krishterë, që prek pikën qendrore të dimensionit karizmatik të Kishës, bashkëthelbësore me atë institucionale. Jo vetëm kaq, por ajo gjithashtu dëshmon se përvoja e krishterë është aq personale, por kurrë individuale, sepse para së gjithash feja përçohet dhe pranohet. Ia vlen të kujtojmë atëherë një përmasë interesante dhe ekumenike të udhëheqjes shpirtërore. Në fakt, teologjia më e mirë ortodokse porosit që çdo besimtar të ketë një atë shpirtëror, gjë kjo shumë e njohur për lexuesit e Dostojevskit. Qysh në këtë kapitull të parë, ashtu si edhe në pjesë të tjera të tekstit, referimi në Shkrimin shenjt ndoshta mund të kishte qenë më i kujdesshëm ndaj përmasës jo vetëm shpirtërore, por edhe ekzegjetike, gjë që do të kishte shmangur përshtypjen e dëshirës për t’ia “nënshtruar” ndonjëherë pak si tepër shpejt tekstin biblik skemave teologjiko-shpirtërore të ndërtuara më përpara.

Kapitulli i dytë thekson shumë me vend dhe, nga këndvështrime të ndryshme, elementin e parë dhe themelor teologjik të udhëheqjes shpirtërore, domethënë faktin se protagonisti kryesor i udhëheqjes  shpirtërore është gjithmonë Shpirti Shenjt. Bëhet fjalë për po atë Shpirt që pa u ndier, në mënyrë diskrete, e shoqëroi Jezusin gjatë krejt veprimtarisë së tij publike dhe nëpërmjet të cilit pastaj Ati e ka ngjallur prej së vdekuri. Është i njëjti Shpirt që sot gjallëron Kishën në përmasën e saj jo vetëm institucionale, por edhe karizmatike. Prej këtu rrjedh rëndësia e shoshitjes së shpirtrave, temë me të cilën me të drejtë Don Antoni e përfundon këtë kapitull të rëndësishëm, ku vihet re se si ajo kurrë nuk është marrë si e natyrshme për të dhënë kuptimin e mbiemrit «shpirtëror», si shumë shpesh tentohet për t’u bërë. Bota aktuale pas-moderne përsëri është bërë e ndjeshme ndaj kërkimit shpirtëror, por nuk është gjithmonë njëlloj e qartë se për çfarë «shpirti» bëhet fjalë, siç tregon rasti i New Age. Në fakt, në këtë kontekst alternativa nuk qëndron aq shumë mes shpirtërores dhe lëndores, por më tepër mes shpirtrave të ndryshëm, gjë që kërkon një edukim në pranimin e dhuratës së shoshitjes që, pikërisht, duhet të jetë njëra prej objektivave kryesore të shoqërimit shpirtëror.

Megjithatë, ky shoqërim është një realitet lidhshmërie, që prek jo vetëm Shpirtin Shenjt, por edhe dy besimtarë, atin shpirtëror dhe birin shpirtëror, figurat e të cilëve do të shqyrtohen në dy kapitujt në vijim. Në Besëlidhjen e Re është mirë e njohur se si për Jezusin Hyji i Izraelit është para së gjithash Atë dhe, është shumë më tepër se ishte në Shkrimet hebraike. Në fakt, ai nuk është më vetëm Ati i Izraelit, por është Ati i tij, Abba me të cilin Jezusi ka një marrëdhënie birnore të pashembullt në mënyrë absolute dhe që karakterizohet nga një braktisje plot besim, deri në përvojën e ndjenjës së të qenit i braktisur prej Tij në vdekje. Marrëdhënia mes atit dhe birit shpirtëror, pikërisht pse është teologjikisht e rrënjosur në atë mes Atit dhe Birit, me të drejtë bazohet prej Don Antonit rreth besimit në Krishtin e vdekur dhe të ngjallur, rritja e të cilës duhet të jetë objektivi parësor i marrëdhënies mes atit e birit shpirtëror. Kjo shpjegon arsyen pse ati shpirtëror duhet të jetë para së gjithash i dalluar si një nxënës i Mësuesit dhe një njeri i lutjes dhe i fesë, i cili, pikërisht falë kësaj, mund të bëhet për atë që i besohet dëshmitar shprese, i gjallëruar prej një dashurie sa më pak të ndryshme prej asaj të Jezusit, ndërmjetësimin meshtarak të të cilit ai duhet ta pasqyrojë sa më mirë që të mundet.

Pra, roli i atit të vërtetë shpirtëror nuk është ai që ta lidhë personin me veten e vet, duke përdorur ndoshta edhe dinamika joshjeje dhe pushteti që, pikërisht sepse të supozuara si shpirtërore, janë më të rrezikshme. Megjithatë, në të gjithçka duhet të tentohet të bëhet transparencë e pastër e Krishtit, aq sa të jetë miku i Dhëndrit, i cili kurrë nuk e rrëmben vendin që i përket vetëm Atij.

Prej këtu rrjedh aftësia për ta ruajtur distancën e nevojshme edukative që, për të qenë e tillë, nuk ka pse të jetë një ftohtësi afektive që i largon njerëzit, por vigjilente, pikë së pari ndaj vetvetes.

Për ta ushqyer siç duhet këtë marrëdhënie, që është në mënyrë të pandashme njëkohësisht shpirtërore dhe njerëzore, ati shpirtëror ftohet të kultivojë jo vetëm teologjinë, por edhe të vlerësojë në mënyrë inteligjente ndihmën e shkencave humane. E gjithë kjo duhet të përsosë te ai aftësinë për t’i lexuar shenjat e kohëve së pari në historinë e vet dhe pastaj për t’i ndihmuar të tjerët që t’i njohin dhe zbatojnë në jetën e tyre. Prej këtej duhet të rrjedhë autoriteti i tij, e jo prej ushtrimit të një pushteti edhe psikologjik mbi ndërgjegjen.

Kuptohet atëherë pse Autori, duke përvijuar në kapitullin e katërt figurën e birit shpirtëror, dallon pikërisht në dëshirën për ta njohur vullnetin e Hyjit në jetën e tij impulsin që e shtyn një besimtar të kërkojë dhe të zgjedhë një atë shpirtëror, me qëllim që ai ta udhëheq atë në këtë ecje shoshitjeje.

Pra, karakteristika e parë e birit shpirtëror shihet në shpirtin e fesë dhe në shpirtin e hapjes, që Injaci i Lojolës e quan «shpërfillje», e cila ka Hyjin si objektin e saj të parë dhe themelor, për arsyen e thjeshtë, se pikërisht kjo hapje tërësore është karakteristika e marrëdhënies birnore që Jezusi ka me Atin. Dhe pikërisht në këtë hapje birnore rrënjoset dëgjimi dhe dëgjesa, të kuptuara siç duhet. Këto karakteristika themelore, që kanë të bëjnë me çdo të pagëzuar, më pas konkretizohen sipas thirrjeve të ndryshme brenda Kishës. Pastaj Autori nuk mungon të vërë në dukje se sa më shumë që marrëdhënia e shoqërimit rritet dhe piqet drejt objektivit të saj të vërtetë, aq më shumë ajo bëhet një marrëdhënie vëllazërore dhe miqësore në Krishtin, sepse, siç thotë, duke iu referuar me gëzim Dhëndrit, Gjon Pagëzuesi, mik i Dhëndrit, shkruan: «Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem» (Gjn 3, 30).

Ndoshta një vëmendje më e madhe ndaj konceptit të misionit dhe atij të misionit kishtar, do të kishte kontribuar për të theksuar edhe më shumë atë që më së miri e ka bërë karakteri teocentrik, trinitar dhe kishtar i udhëheqjes shpirtërore. Pra, fakti që Autori ka arritur ta dallojë pikërisht këtë pikë si karakteristikën thelbësore të marrëdhënies së udhëheqjes shpirtërore, tregon shumë mirë vlerën dhe ndihmesën e studimit të Don Antonit, të cilën nuk mund të mos ia porosisim lexuesit shqiptar.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »