MEKANIZMAT MBROJTËS TË SJELLJES JODEMOKRATIKE

Jul 19 • Res socialis

 

Shkruan: Dr. Pavao Brajsha

 

Tri format e demokracisë

Demokracia e bazuar në parimin e kënaqësisë është maksimalisht egoiste, arrogante, e pacipë. Do të mund ta identifikonim me atë që quhet “kapitalizmi i egër”. Çdo gjë është e lejuar, çdo gjë mund të bëhet. Çdo gjëi nënshtrohet përfitimit personal dhe kënaqjes së menjëhershme të nevojave të individëve ose grupeve. Ata që janë më të shkathët dhe më të fortë pa pikë turpi shkojnë përpara. Kjo është “demokracia prej magnati.” Kjo është demokraci gjuetarësh të paskrupullt për përfitim vetjak. Merret ajo çfarë dëshirohet dhe injorohen nevojat e të tjerëve. Askujt s`i interesojnë të tjerët. Secili është i preokupuar me vetveten ose grupin të cilit i përket. Këtu ligji s`respektohet, procedura s`pranohet. Gjithçka dëshirohet menjëherë, jo më vonë, këtu dhe jo gjetkë. Kjo është demokracia e Un-it të zhvilluar pamjaftueshëm dhe të papjekur, të asaj që është instinktive, e pavetëdijshme brenda nesh dhe mjedisit të ashpër rreth nesh.

Demokracia e bazuar në parimin e realitetit është më e sofistikuar, një formë më komplekse e demokracisë e bazuar në parimin e kënaqësisë. Kjo është një pafytyrësi në linjë të gjatë dhe me metoda më të rafinuara. Kënaqja mund të shtyhet, por s`lejohet të humbet. Tjetri shfrytëzohet, por në përputhje me ligjin dhe duke përmbushur procedurën. Uzurpohen gjëra për vete, por tjetrit i jepet diçka. Liria e tjetrit respektohet, por depërtohet ende me të veten. Gjithçka është e mbështjellë me kushtetutë, ligj dhe votime. Kjo është një demokraci e trurit të zhvilluar që mendon logjikisht, por në mënyrë vetëkënaqësie, egoiste. Kjo është demokracia e Unit egoist. Këtu kontrollohet situata, por s`mendohet për tjetrin. Gjëja më e rëndësishme është që të merret, edhe nëse duhet pritur.

Demokracia e bazuar në parimin e demokracisë shoqërore është sipas përmasave të njeriut të shoqërizuar. Këtu mendohet si për vete ashtu edhe për tjetrin pranë nesh. Kjo është demokracia edhe për ne edhe për të tjerët. Te sjellja e bazuar në parimin shoqëror ndodhet thelbi i sjelljes demokratike. Një parim i tillë i sjelljes do të duhej të sundonte jo vetëm jetën tonë private, intime, instiktive, por edhe në jetën tonë profesionale dhe atë më të gjerë shoqërore. Kjo është fryma dhe stili i sjelljes demokratike. Ajo duhet të sundojë, jo vetëm midis individëve por edhe midis institucioneve veç e veç, degëve të ekonomisë, popujve, shteteve dhe kontinenteve. Parimi shoqëror i sjelljes do të mund ta quanim parimi themelor i demokracisë.

Të sillesh në bazë të parimit shoqëror s`është edhe aq e thjeshtë dhe as e lehtë. Te tjetri duhet të shihet  jo vetëm objekti i nevojave tona, por në të njëjtën kohë edhe subjekti me nevoja, dëshira dhe të drejta të veta. Kjo gjithashtu do të thotë, te realizimi i nevojave tona të kihet parasysh fakti se edhe ai tjetri ka nevoja të njëjta, të ngjashme apo të ndryshme që gjithashtu dëshiron t`i realizojë. Parimi shoqëror përfshin koordinimin, negocimin në mënyrë që të dy palët në një vijimësi të caktuar të mund të shërbehen si objekt, por në të njëjtën kohë të vijnë në llogari të tyre si subjekte autonome. Mund të themi se baza e sjelljes demokratike është njohja e pozitës së tjetrit jo vetëm si të një objekti, por edhe të një subjekti me të gjitha të drejtat e autonomisë, lirisë, pavarësisë dhe mundësisë së realizimit të nevojave dhe dëshirave të veta.

Mekanizmat mbrojtëssjelljes jodemokratike

Nevojat dhe dëshirat tona ndodhen në kërkim të dritës jeshile për kënaqjen e menjëhershme sipas parimit të kënaqësisë, pa iu referuar situatës dhe kohës dhe pa asnjë vonesë. Para Un-it tonë ndodhet një detyrë e vështirë për t`ua mundësuar sa më shumë kënaqje këtyre nevojave dhe dëshirave me sa më pak konflikt të drejtpërdrejtë me realitetin shoqëror dhe ndërgjegjen vetjake(mbi-Unin). Në këtë situatë konfliktuale Uni e zhvillon një strategji të vet të veçantë, të tillë si mekanizmat mbrojtës. Me ndihmën e tyre përpiqet për të gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë e dhimbshme.

Uni ynë ose i shmanget kontaktit me të gjitha nevojat dhe dëshirat e papranueshme (ndrydhja, mohimi, projeksioni, formimi reaktiv), ose e lejon kënaqjen e tyre, por në një formë më të ndryshme të pranueshme (konversioni, zhvendosja, racionalizimi, sublimimi/lartësimi), ose e vë veten në një pozicion të tillë që t`i lejohet ajo që përndryshe s`do t`i lejohej (regresioni, identifikimi). Te kjo, Uni shërbehet duke përjashtuar nga vetëdija gjithçka që është e papranueshme dhe e turpshme (ndrydhja), duke theksuar motivin joreale, por të pranueshëm të sjelljes duke e ruajtur të ndrydhur motivin real por të papranueshëm të sjelljes (racionalizimi), duke ua atribuuar të tjerëve nevojat dhe dëshirat e papranueshme emocionale (me projeksion), duke u kthyer tek format më të hershme të sjelljes karakteristike për moshën e fëmijës (regresioni), duke e shndërruar tensionin emocional në mosfunksionim të organeve të trupit (konversioni), duke i zhvendosur emocionet ose qëndrimin nga objekti i parë në një zëvendësim të pranueshëm (zhvendosja), duke zëvendësuar veprimtarinë e papranueshme me atë shoqërisht të pranueshme (sublimimi), duke mohuar faktet e dhimbshme dhe të pakëndshme, por reale (mohimi), duke përdorur sjelljen që është drejtpërdrejt në kundërshtim me atë sesi me të vërtetë do të dëshironim të sillemi (formimi reaktiv) dhe duke marrë/imituar një sjellje të caktuar të rëndësishëm dhe të pushtetshëm të të tjerëve, dhe kështu duke zmbrapsur frikën vetjake nga ai (identifikimi).

Me analizën e mekanizmave mbrojtës zbulojmë gjendjen e vërtetë të çështjes, atë çfarë jemi duke ia fshehur vetvetes dhe të tjerëve prapa maskës së sjelljes sonë të jashtme. Ato na mundësojnë për t`i dalë zot gjithë asaj që në ne, për cilindo arsyen, është e papranueshme, e palejueshme, e papërshtatshme, e pakëndshme, dhe që ballafaqimi me të në ne krijon një gjendje tensioni, sikleti dhe kërcënimi. Kështu e ruajmë sigurinë, rehatinë vetjake duke e shmangur konfrontimin, konfliktin dhe luftën e drejtpërdrejtë.

Pa njohjen e mekanizmave mbrojtës te vetvetja dhe te të tjerët është e vështirë realisht dhe në mënyrë kritike ta trajtosh si veten ashtu edhe të tjerët.

Edhe sjellja jonë jodemokratike fshihet me ndihmën e mekanizmave mbrojtës dhe mbulohet me fasadën e sjelljes demokratike.

Depërtimi në mekanizmat tanë mbrojtës

Aftësia për të njohur mekanizmat vetjakë mbrojtës na bën më të pjekur, më të përshtatur dhe më realë në lidhje me veten tonë dhe rrethinën. Menaxhimi i vetvetes është gjithashtu një aspekt i sjelljes demokratike, dhe kjo është e pamundur pa depërtimin në vetvete dhe mekanizmat tanë mbrojtës. Të qenit kritikë ndaj vetvetes është një pjesë përbërëse e sjelljes demokratike; e si të jesh vetë-kritik në qoftë se mekanizmat mbrojtës sundojnë pa kontroll dhe pa mendjehollësi sjellën tonë? Ne s`mund të jemi as kritikë ndaj të tjerëve pa qenë kritikë ndaj vetvetes.

Mekanizmat mbrojtës zhvillohen në mënyrë të pavetëdijshme dhe kundër vullnetit tonë. Ne nuk i planifikojmë ato. Ne i gjejmë ato te përdorimi i tyre. Arritja deri te fitimi i njohurisë së ekzistencës së tyre dhe menaxhimi ynë i tyre është një punë e vështirë. Kjo është shndërrim i të pavetëdijshmes në të vetëdijshme, ndërtimi i personalitetit vetjak, rruga drejt pjekurisë dhe rruga drejt personalitetit të pjekur demokratik.

Depërtimi në mekanizma vetjak mbrojtës dhe identifikimi/njohja e tyre te të tjerët na ruan nga hyrja me gjoks e pamatur në konflikte të panevojshme, nga harxhimi i energjisë në probleme të rreme, nga ekspozimi i vazhdueshëm i zhgënjimeve dhe pakënaqësisë, nga krijimi i një mjedisi të tensionuar dhe konfliktual.

Sjelljen tonë jodemokratike mund ta ndrydhim në të nënvetëdijshmen, ta mbrojmë me racionalizime, ta projektojmë te qëllimet e të tjerëve, ta zbusim me sjellje regresive, ta bëjmë më të pranueshme me konverzion, ta zhvendosim te sjellja e të tjerëve, ta sublimojmë, ta mohojmë, ta hedhim poshtë duke i theksuar kundërshtitë, ta justifikojmë duke e identifikuar veten me të tjerët.

Nuk është problem për të shpjeguar se çfarë është sjellja demokratike dhe çfarë është jodemokratike. Gjithashtu nuk është problem të identifikohet sjellje të tilla tetë tjerët dhe përreth vetes tonë. Problemi themelor është që ta identifikojmë, ta njohim sjelljen demokratike a jodemokratike te vetja jonë. Ne jemi mjeshtër në maskimin e sjelljes vetjake jodemokratike dhe transformimin e saj të rremë në një fasadë demokratike! Në shpjegimin e këtij procesi do të na ndihmojë teoria e përshkruar e mekanizmave mbrojtës.

Është e trishtueshme të vëzhgosh se si me kalimin e kohës prej një politikani demokrat krijohet e kundërta e tij, që do të thotë “një diktator i ngjyrosur demokratik.” Të gjithë rreth tij e vërejnë atë transformim, vetëm ai s`e vëren këtë. I rrethuar me demokratë të rremë dhe me fasadë në rrethin e tij, imediat, të cilët janë më shumë servilë se sa demokratë, ai arrin të jetojë në iluzionin e vet të demokracisë vetjake. Një transformim i tillë i demokracisë është një pasojë e domosdoshme e mungesës së mirëmbajtjes së saj, para së gjithashnë nivelin e mirëmbajtjes personale të politikanëve dhe veprimeve të tyre.

Mekanizmat personal mbrojtës ia mundësojnë individit ta ruajë veten në një situatë të veçantë, por jo edhe ta përmirësojë dhe t`i zgjidhë problemet në të. Pra, qëllimi është përmirësimi i situatës vetjake, jo i asaj të përbashkët. Vetëm me mendjemprehtësi, me depërtimin në to, dhe përdorimin e mençurne jemi në gjendje ta ruajmë veten tonë dhe të ndihmojmë zgjidhjen e problemeve të krijuara.

(Përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »