SHENJAT E (MOS)BESIMIT

Jul 20 • Meditimi i ditës

20 korrik 2015 – e hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Është mrekulli të jesh së bashku me shokët, në praninë e tyre.

Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.

Më ke krijuar nga dashuria.

Madje edhe të gjitha fijet e flokëve i kam të numëruara.

Prania jote, o Zot, është gjëja më e madhe në botë.

 

Liria

 

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.

E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë personale

dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Vetëdija

 

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?

Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,

a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?

Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,

do të vendos që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar veten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mt 12,38-42

 

38 Një herë disa skribë e disa farisenj morën fjalën e i thanë:

“Mësues, prej teje duam të shohim një shenjë.”

39 Ai u përgjigj:

“Breznia e prapë dhe lavire shenjë kërkon! Shenjë tjetër s’do t’i jepet përveç shenjës së Jonës profet! 40 Sikurse Jona qe në barkun e përbindëshit të detit tri ditë e tri net, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë në zemrën e tokës tri ditë e tri net. 41 Njerëzit e Ninivës do të ngrihen Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse ata u kthyen në predikimin e Jonës. E ja, këtu diç më shumë se Jona! 42 Mbretëresha e Jugut do të ngritet Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i botës për të dëgjuar urtinë e Salomonit, dhe ja, diç këtu më shumë se Salomoni!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Farisenjtë ishin skeptikë për sa i përket mësimeve të Jezusit dhe i kërkonin një shenjë si provë se ishte nga Hyji. Ata donin prova se ai kishte fuqi mbinatyrore. Bota është plot meshenja dhe mrekullitë cilat Zoti ynë Jezu Krishti i bën çdo moment, por ne nuk arrijmë t`i dallojmë. Nëse ndodh diçka e keqe e fajësojmë Hyjin e në qoftë se ndodh diçka e mirë mendojmë se është e rastësishm Ne nuk jemi në asnjë mënyrë më të ndryshëm nga njerëzit të cilët kanë jetuar në mjedisin e Jezusit.

– Jezusi është Hyji me ne. Më fton që besimin dhe shpresën time ta mbështes në të. Koha e lutjes mund ta ushtrojë syrin e zemrës sime që ta njohë Zotin në vepër në jetën time. Cilat janë shenjat që ma dëftojnë praninë e tij në jetën time? A i vërej shenjat e tija, siç janë butësia, dhembshuria dhe falja e mëkateve – apo pres dhe kërkoj ndonjë shenjë ekstra?

– Nëse bëhem më i afërt me Zotin dhe kam mirë besim në shpirtin e tij aq më pak do të kem nevojë për prova dhe jam i/e aftë të mbështetem në atë çka tashmë e kam mësuar. Zoti ka mirëbesim në mua kurse unë duhet të mësoj të kem mirëbesim në shpirtin e Zotit që është në mua.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.

Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »