DRITË PREJ DRITËS

Jul 21 • Recension

Shkruan: Don Lush Gjergji

Botimi i librit “DRITË PREJ DRITËS” i autorit Dedë Palokaj është fryt i punës shumëvjeçare, me mjaft studime, shqyrtime, hulumtime, meditime, me përmbajtje dhe porosi qenësore dhe thelbësore të fesë, shpresës dhe dashurisë, tri virtyteve teologjike për jetën dhe dëshminë e krishterë, për arritjen e shëlbimit dhe amshimit.

Shkas, rast dhe mundësi për këtë trajtim të pasur dhe të begatshëm shpirtëror, kulturor dhe përmbajtësor, janë tri ngjarje të rëndësishme që jemi duke i përjetuar dhe kremtuar: 1700 vjetorin e Ediktit të Milanos, që e kishte shpallur Kostandini i Madh në vitin 313, i cili pa dyshim ka ndërruar rrënjësisht historinë e njeriut dhe të njerëzimit, veçmas atë të Kishës dhe krishtërimit, duke dhënë lirinë për të besuar dhe jetuar sipas bindjes, përcaktimit, vlerave dhe orjentimeve jetësore edhe për të krishterët, si dhe për paganët. Viti i Fesë 2012 – 2013, që e shpalli Papa në dorëheqje Benedikti XVI, për ta ngjallur fenë, zgjuar shpresën dhe ndezur dashurinë e krishterë në botën e sotme e cila rrezikon shumë vlera dhe virtyte nën trysninë dhe robërinë e materializmit, hedonizmit, konsumizmit, indiferentizmit dhe ateizmit praktik. Sipas Papës Benedikti XVI relativizmi është “diktatori modern” që dëmton sistematikisht dhe djallëzisht gati gjithçka, duke e mohuar të Vërtetën, Jetën, Dashurinë, Dritën, kinse në emër të “lirisë dhe të barazisë njerëzore” të njeriut të kohës sonë. 33 vjetori i Qendrës për Ripërtëritje Shpirtërore “Flori dhe Lauri” në Prishtinë, me përvojë dhe dëshmi konkrete, prekëse, që shprehen dhe dhurohen për lexim, meditim, thellim dhe përcaktim në jetën e krishterë.

Pas leximit të kujdesshëm të këtij dorëshkrimi, shijimit të këtij “brumi ungjillor”, të cilin e ka përgatitur për ne Dedë Palokaj, mund të them: “Dritë prej Dritës” është një zbërthim mjaft burimor, studimor dhe shumëdimensional i fesë së krishterë, që si fije lidhëse dhe bosht ka Jezu Krishtin, Shëlbuesin e botës, njohurinë e fesë, jetësimin dhe dëshminë e jetës së krishterë që zbatohet dhe dhurohet në trajta të ndryshme. Këto “kanale” të zbulimit dhe dhurimit të Jetës, Fesë, Dashurisë, Dritës, janë para së gjitha në dorën e Zotit dhe të Njeriut, në takime, afrime dhe bashkime mes tyre. Pa këtë bashkëpunim dhe pranim të ndërsjellët nuk ka fe, jetë me Zotin dhe me të afërmin, me vetveten, aq më pak kthim, ndërrim dhe shenjtërim, me këtë as dëshmi, mudësi për ta komunikuar dhe dhuruar atë çka ne jemi dhe kemi, Krishtin dhe fenë tonë.

“Brumi” që na ofron dhe dhuron Dedë Palokaj është mjaft i pasur, shumë i mirë, i gatshëm për gatim. Mirëpo kjo s’do methënë se edhe buka do të jetë po ashtu e mirë dhe e shijëshme. Prej brumit deri te buka ka mjaft punë dhe mjeshtri, apo si thotë fjala e urtë popullore: “Le të piqet e mos të digjet”. Tek ne herë – herë buka mbetet e papjekur, e si e tillë nuk hahet, herë – herë djegët, dhe prapë nuk hahet, kështu që rrallë kemi bukë të mirë. Lexo, medito, lutu, thelloju në brendinë dhe shpirtin tënd, për të qenë vetveteja, i krishterë, para Zotit dhe me Zotin, për të tjerët dhe me të tjerët. Shijoje dhe jetësoje, dëshmoje bukurinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë. Falënderoj Dedë Palokaj-n për këtë punë të gjatë, sistematike, sigurisht edhe të mundimshme, për këtë lloj “enciklopedie të jetës së krishterë”për njeriun dhe kohën tonë, për këtë “Dritë” në terrin e pasigurive, mashtrimeve, hutive dhe dyshimeve të llojllojshme.

Uroj që me fenë, shpresën dhe dashurinë me të cilën është përpiluar dhe botuar, të merret në dorë, në mendje dhe në zemër të lexuesve, që edhe ne të jemi sadopak “Rrezja e Dashurisë së Zotit” si thoshte e Lumja Nëna Tereze, në vetvete, në familje, në rrethin dhe botën tonë, gjithnjë dhe kudo.

(Ky tekst është shkruar si recensim për librin)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »