Nostalgji bashkëkohore për kulte pagane

Një takim estetik-letrar dhe teologjik me romanin e Dan Brown, Kodi i Da Vinçit

 

Nga Fatmir Koliqi

 

Posa doli romani i shkrimtarit amerikan Dan Brown[1]The Da Vinici Code” përnjëherë mori namin në mbarë dhénë, sa që gazetat ditore dhe në mjetet tjera të informimit bënë senzacionin e tyre duke e shpallur, pa vlerësimin e kritikës letrare, një bestseller bashkëkohor. Shumë shpejt romani u përkthye në disa gjuhë të botës me tirazh disamilonësh. Mbas një viti romani erdhi edhe tek ne, i shqipëruar bukur nga Amik Kasoruho dhe i botuar nga shtëpia botuese Dudaj e Tiranës. Si në botën e perëndimit, ashtu edhe tek ne, për një kohë të gjatë i pati prí top listave të romaneve më të shitur dhe “më të lexuar”. Lënda e tij kontroverse dhe zhanri tërheqës ngacmoi shumë shpirtra, sa që tejkaloi edhe qarqet e një vepre letrare. Ngacmimi i shkaktuar vlerësohet të jetë jo në letërsi, por tek ndjenja e besimit, sepse bota e letrave estetike dhe kritika letrare do ta konsiderojë roman trivial e kontrovers, që implikon gënjeshtra dhe shpërfill të vërtetën…

Ai që e ka lexuar “Kodin e Da Vinçit” ka përjetuar një breshëri emocionesh, dilemash e konfuzionesh. Mbarimi i leximit receptuesin e lë të shqetësuar, sepse aty përmes një zhanri eksperimental postmodern kiminalistik, takohet me një mal risish, të padëgjuara deri më tash (?): apo, sepse e vërteta e njerëzimit shumëshekullore shtresëzohet si krim. Diabolizmi i krimit mëtohet të endëzohet si e vërtetë e shtypur me shekuj, madje e ngulitur në sistem e institucion me përmasa botërore. Autori është i ushtruar mirë në zhanrin e kriminalistikës, lehtë lundron në narrativen e saj dhe shkëlqyeshëm zbërthen kodet e trilluara (vetë)autoriale. Trilli i tij depërton në traditën e besimit dhe artit, jo të çfarëdollojshëm, por të atij të rrënjosur thellë në mendësinë e botës së gjithëmbarshme, madje-madje edhe në atë elitare e në botën e letrave me renome akademike. Ky lloj rrëfimi i përdorur në gjithë romanet e tij, s’mund të perceptohet i shkëputur nga konteksti sociokulturor. Dhe sepse romani “Kodi i Da Vinçit”, ka përmbledhur shumë elemente aktuale nga bota e kulturës moderne e postmoderne, gjendjen e njeriut dhe spiritualen e tij patologjike; thyerjet e tija religjioze dhe rizgjimin pagan – neopaganizmin. Një shtysë jo të vogël do të japin edhe zhvillimet më të reja në botën e letërsisë, përkatësisht romani i ashtuquajtur modern dhe postmodern.

 

  1. Konteksti sociokulturor

Konteksti i sotëm letrar, kulturor e sociologjik në raport me artin sakral dhe në përgjithësi me fenë, religjionin, përkatësisht krishterimin është pasojë e ndërrimeve radikale në shek. XVII, me deizmin, iluminizmin dhe me sekularizmin e vrullshëm të revolucionit francez (1789) – pajtim ky i përgjithshëm gjithandej në botë. Kjo epokë do të mbahet mend si përleshje mes letërsisë dhe artit (sakral), e jo vetëm. Do të ndodhë një re-voluim i përgjithshëm kulturor, një përmbysje e vlerave tradicionale dhe fillim i një epoke tjetër – epokë që vetëm arsyen do ta njohë për hyjni. Religjioni do të konsiderohet si një armike e arsyes, iluminizmit, e do shpallet lufta për ta përmbysur e për ta varrosur thellë në nëntokë, që të mund të çlirohet njeriu njëherë e përgjithmonë prej saj. Nga ajo kohë e deri sot, lindën rryma filozofike e letrare antireligjoze që shtrihen deri në botën tonë aktuale, krejt këto në emër të lirisë së shprehjes dhe të drejtësisë, si: marksizmi, frojdizmi, ekzistencializmi nihilist, satanizmi letrar francez (shek. 20), sekte e lëvizje religjioze moderne, lloje të ndryshme të kabbalës hebraike, forma magjike, sipiritizma, satanistët, luciferianët, rosenkroicerët, okultistët, teozofët, martinisët dhe deri te ithtarët e konfesioneve lindore (Lindja e Largët), ndër to më e përhapura New Age plotë konfuzitete.[2] Është kjo një kohë e harresës, madje e braktisjes së transcendencës, për të krijuar një botë krejtësisht antropologjike pa metafizikë, pa teologji, pa Zot.[3] Kultura e njeriut, e paraqitur përmes veprave letrare dhe të artit ishte e do të mbetet e ndikuar prej këtyre rrymave. Prandaj, në lëmin e artit të fjalës – në literaturën moderne, në art, në muzikë, në pikturë, në skulpturë, film e teatër, përkundër krijimeve të mëdha të zhanreve e llojeve, që quan në kualitete estetike, do të përjetojë një rënie përmbajtjesore, rënie të kuptimit. Me të drejtë do të shprehet Henri-Pierre Jeudy se në këtë shekull “kuptimi po vdes”[4], “… kuptimi po bie viktimë e strategjisë së fshehur! Të asaj strategjie, e cila si parim qendror ka degjenerimin e fjalëve në kuadër të koordinatave të qëllimeve jashtë natyrës së kuptimit, për të nxjerrë kuptime të rrejshme, konvenuese për qarqe të caktuara të shoqërisë, e që në krahasim me të vërtetën e kuptimit, të jenë sa më larg, të mos funksionojnë në kontribut të së vërtetës […] këtë kurdisje me domethënie sociale, të organizimit të fshehur e të hapur social, e cila bëhet me qëllime, de facto të shkurdisjes, të taktizimit do ta quanim strategji negative. .. kjo është një tjetërsim i strategjisë … dhe nga këndej përhapet epidemia e tjetërsimit.”[5]

 

  1. 1. Romani postmodern

Shekulli XX dhe fillimi i shek. XXI konsiderohet si koha e kthesës kopernikane në zhanrin e romanit. Romani postmodern europian e botëror merr kahje jokonvencionale, ngritët kundër tij dhe si i tillë mëton progresin sfidues përballë modernes dhe konvencionales. Në romanin postmodern (fillimi i shek. XX) tejkalohet kontinuiteti rrëfimor dhe personazhi linear rrëfyes, dominon reflektimi i realitetit shoqëror dhe psikologjia e personazhit. Dialogu tradicional-konvencional shndërrohet në monolog; ndërfuten tekste e pasazhe mendimesh nga vepra tjera si komunikim me të kaluarën. Koha në romanin postmodern nuk është një, aty gërshetohen shumë kohë – pluralitet kohësh. Kjo lojë ka emrin intertekstualitet. Harmoninë kallëzimore e zëvendëson kaosi dhe vendin e empirisë, të prekshmes e të pashmes, e merr abstrakcioni. Mimesis-i si reflektim tradicional i të njëmendtës shpesh shkrihet. Romani postmodern e ngacmon receptuesin, do me çuditë, me mahnitë, do me e mbajë në tendosje edhe mbas leximit të veprës, do me lan gojëhapur; e gjithë kjo ndërtohet në mënyrë strategjike duke inkorporuar rryma e zhanre estetike letrare të ndryshme. Po ashtu, postmoderniteti romanor ka tendencën e përhershme për të treguar mitiken, magjiken, intuitën, gërshetimin mes reales dhe fantastikës; kërkimin e ndjesisë së re (psikologjizimi e parapsikologjizimi) për ta ngritur në vlerën e shkencës.[6] Si paralajmëruesit më me zë të postmodernes do të merren James Joyce dhe argjentinasi Jorge Luis Borges (intertekstualiteti borgesian shfaqet te tregimi i tij “Bibloteka e Babilonit“ 1944). Mbas viteve ’50-ta do të kemi emra të njohur në mbarë Europën dhe SHBA që do të vazhdojnë këtë rrymë, si: Bothoa Strauss, Peter Handke, Christoph Ransmayer (Gjermani), Wiliam Burroughs, Kurt Vonnegut, Robert Lowell Coover, John Fowles dhe Paul Auster (SHBA), Julio Cortazar dhe Mario Vagas Llosa (Amerika Latine), Alian Robbe – Grillet (Franca). Po ashtu edhe Umberto Eco në romanin e tij “Emri i Trëndafilit“, i cilësuar si roman detektiv do të ndërfut shumë elemente të postmodernes dhe semantikës.[7]

Si rezultat i gjithë kësaj, romani postmodern do të lë hapësirë alternacioni e shpërfytyrimi në intencën e tij. Edhe pse arti i romanit s’është vetëm didaktikë gjuhësore – letrare, artisktitke, estetike, morale a fetare, ai këtij misioni s’guxon t’i shmanget. S’është anakronizëm të thuhet se edhe prozës postmoderne i duhet morali.[8] Sepse sado të theksohet artistikja, e bukura; mungesa apo shkëputja e të mirës, të fismes, të vlefshmes në veprat e prozës do ta shëmtojë të bukurën, estetikën e ligjërimit e të rrëfimit…[9] Leximi letrar – pohon U. Eco – ndikon edhe në krijimin e mendësisë, identitetit individual dhe kolektiv, madje edhe kombëtar.[10] Kjo na bën të nxjerrim konkluzionin se shkrimtari, prozatori, ka misionin me përgjegjësi para receptuesit.[11]          

 

  1. Zhanri kriminalistik

Në babiloninë universale të postmodernes zhanri kriminalistik ka marrë një zhvillim të hovshëm. Romani kriminalistik, i quajtur edhe triler, detektiv apo policesk si diskurs letrar, kryesisht është i kohës moderne dhe asaj postmoderne. Edhe pse i konsideruar nga kritikët si zhanër me karakteristika triviale, i nënçmuar në krahasim me të çmuarën letrare, ky zhanër tani ka shkrimtarët e njohur: Arthur Canon Doly, Dashiell Hammett, Raymond Chandler, Agatha Christie, Patricia Cornwell dhe kohët e fundit Dan Brown. Popullariteti i romanit kriminalistik po rritet fal ekranizimi të tij, filmimit të tij dhe rritjes së shikueshmërisë së madhe kinematografike. Ky lloj letërsie – i quajtur edhe “letërsi masive”[12], që i përkasin edhe zhanre tjera: uestern, science-fiction, fantasy, romani rozë – është i orientuar kryesisht tek receptuesit pa shije artistike dhe grupeve anonime lexuesish. Ky model i prozës lexohet lirshëm, pa mund e pa parapërgatitje estetike letrare, rirrëfehet lirshëm tek të tjerët, ngjashëm me informatat ditore gazetareske. Narracioni i këtyre romaneve ndërtohet mbi substratin real, personazhet marrin cilësi sociale në vende të njohura për lexuesin. Me gjuhë shpesh alegorike narracioni merr formë solidariteti sublim, veçse syzheu i kësaj proze, kryesisht, ngërthen krimin, korrupsionin, margjinalizimin dhe shtresat më të ulta të shoqërisë. Para lexuesit shfaqen vende konkrete, b.fj. rrugë, sheshe, peizazhe, institucione, organizata etj., për të krijuar ndjenjë te lexuesi se rrëfimi ngjan në afërsi. Përkundër angazhimit social përherë mungon qartësia rrëfimore për të dalluar pozitiven a negativen, të vlefshmen a të pavlefshmen.[13]

Romani i Dan Brown “Kodi i Da Vinçit” i përket kryekreje këtij zhanri kriminalistik, por në strukturën e tij narrative, duke e përdorur intertekstualitetin postmodern (ndërhyrjet e teksteve të vjetra gnostike etj.) e me elemente të romanit tradicional (prania e rrëfimit linear) arrin të ngacmojë edhe kritikën letrare edhe teologjinë e krishterë. Loja e gërshetit postmodern kriminalistik dhe konvencionales në “Kodi i Da Vinçit” e karakterizon atë si roman kriminalistik të veçantë.

 

  1. Kompozicioni narrativ – krim dhe ankth njëzetekatër orësh

Kompozicioni narrativ te “Kodi i Da Vinçit” i Dan Brown-it ndërtohet sipas kompozicionit Joysian që e gjejmë te romani i tij Uliksi. Krejt kallëzimi i romanit, që përfshin 105 kapituj dhe 565 faqe, zgjat 24 orë, ndërthuret dendësia e një ankthi, që kohë pas kohe shndërrohet edhe në monotoni. Sikur autori reflekton tendencën për të treguar ankthin e njeriut të sotëm, kozmologjinë e përditshme nënvetëdijësore dhe të fshehtën e saj. Bota e shpirtit shkokëlohet si arrë, prej së cilës nxirret thelbi. Ky thelb i fshehur zbulohet për kohë të shkurtër me hulumtim policor-kriminal. Ndërfutet ironia dhe parodia rrëfimore postmoderne, stërkeqet e kaluara e njohur botërisht, tëhuajsohet hulumtimi policesk e fiton gjurmim epokal senzacionues për të fshehtën e madhe që e mban bota bashkëkohore. Vetë autori Brown, madje qëllimisht, do të krijojë lexues skeptik; kallëzimin e thur ashtu, për t’ia krijuar mundësinë lexuesit të bëjë interpretim alternativ. S’ka si mos të venerohen tendenca autoriale e (vetë)argëtimit dhe lojës me të vërtetën.

Rrëfimi nis në Muzeun e Luvrit, në Paris. Mbarështuesi i famshëm Zhak Sonieri – mjeshtër i madh i Parësisë së Sionit[14] – kah ora 22:46 në Galerinë e Madhe të këtij muzeu qëllohet me revole nga Silasi, murg i Opus Dei-it. Para se të ndërrojë jetë, ia arrin të shkruajë me gjakun e tij një porosi emblematike-misterioze në trupin lakuriq të shtrirë në formë të njeriut vitruvian. Porosia që kishte lënë mbarështuesi i muzeut ishte ylli pesëcepësh, numrat e Fibonaccit, një tekst në anglisht dhe p. s. tako Robert Lagdonin. Rastin e vdekjes së mistershme e marrin për hulumtim Drejtoria Qendrore e Policisë Gjyqësore e Parisit. I dyshuari për vrasje është Robert Langdon, profesor i simbologjisë fetare në Universitetin e Harvardit, i ndodhur ato ditë në Paris, i cili kishte pas planifikuar një takim me të vrarin po atë natë para se ai të vritej. Pikërisht i dyshuari kryesor ftohet për të deshifruar kodin e Sonierit. Në hulumtim futet edhe Sofi Nëvë (mbiemër që në frëngjisht dmth. mbesë), kriptologe e specializuar për deshifrimin e këso lloj kodesh. Për çudi, Sofi është mbesa e Sonierit. Sofi kupton se Langdoni është futur në grackë dhe se porosia e koduar e gjyshit i drejtohet asaj. Në vrasjen e Sonierit Brown trillon një kod marramendës si substrat për të zhvilluar rrëfimin e mëtutjeshëm. Prandaj, kodi i parë hap shtegun për një zingjir kodesh, që jo rastësisht romani mban emrin kyç Kodi. Mjeshtri i madh shkëlqyeshëm udhëzon Lagdonin dhe Sofinë për të zbuluar vrasësin. Deshifrimi i kodeve do të çojë në njohjen e një të fshehte të madhe që e mbante bota, përkatësisht Parësia e Sionit. Mjeshtri i madh, Sonieri, kishte kryer një mision fisnik; të transmetojë përmes kodit këtë të fshehtë në çastet e fundit të jetës. E fshehta e madhe është Graali i shenjtë, që e ruante me shekuj Parësia e Sionit, që në fakt konsiston të jetë, jo sipas gojëdhënës, se Graali është kupa (kelku) të cilën Jezusi kishte përdorur në Darkën e Mbrame dhe në të cilën Jozefi prej Arimateje kishte mbledhur gjakun e Krishtit të kryqëzuar, por në të vërtetë është një Person, përkatësisht Maria Magdalenë.[15] Kjo e vërtetë është ruajtur deri tash nga një organizatë apo vëllazëri e ashtuquajtur Parësia e Sionit, që – simbas autorit – ngjan të jetë themeluar në vitin 1099. Mos mendoni se kjo është e tëra. Mashtroheni! Këtu zë fill ndërlishmënia e kodeve dhe dekodimeve e mbështjellë me rrëfim avanturesk detektiv që do zgjasë njëzetekatër orë. Rrëfimi fillon në Paris, fluturon në Londër e Skoci dhe kthehet prapë në Paris, përkatësisht në Museun e Luvrit.

Lexuesi do të priste një hulumtim thjesht detektiv, plotë të papritura në kërkim të vrasësit, posaçërisht kur mendohej nga policia se Langdoni ishte i dyshuar. Imagjinata na fut në ngjarje të ankthshme. Porse, rrëfimi këtu merr kahe tjetër; ndërfuten tekste historike, romani hëpërhë shndërrohet në doracak didaktik të historisë, simbologjisë, teologjisë(?), religjioneve, kulteve…

 

  1. Substrati trillues dhe intenca narrative

Nuk do t’i nevojiten lexuesit me sens të mprehtë kritik (lexuesit model) as kalimi disa faqeve të Kodit të Da Vinçit për të kuptuar se romani është i kompozicionuar në atë mënyrë që mëton për të futur lexuesin në lojë të kodeve misterioze. Kodi i parë është tëhuajësim i retorikës konvencionale. P. S. s’është më post scriptum, por nistoret e vëllazërisë Parësia e Sionit. Sendërtimi i kodeve browniane ka substrat kontraverz, trillues, jo logjik e aspak artistik; retorika konvencionale dhe tradita disashekullore e deshifrimeve të kodeve a simboleve primitive pagane dhe mitologjike-relogjioze, sikur edhe simbolizmi kristian, shtresëzohet përçudnushëm dhe është tejmase i panatyrshëm; imagjinatë e papërpunuar estetikisht as letrarisht. Si një intencë kjo vetë autoriale e tëhuajsimit, si kontinuitet, për romansierin s’çon peshë si e krijon personazhin, gjendjen e tij në agoni (Sonierin), intencën e tij, ka apo jo potencë mendore për të lënë mesazh (meta)historik; është e nevojshme intenca autoriale për të transmetuar mesazhe, sepse ai ka ndërtuar një fabul krejt koncize, që do të ketë për përfundim idenë e tij personale. Që në nismë autori e shtrin imagjinatën e vet të pafré në botën e trillimeve disashekullore. Ky trill do të jetë substrati autorial mbi të cilin do shtresëzohet subjekti i romanit. Vrasja e Sonierit ka qëllimin e nisjes, hulumtimi policesk tëhuajsohet në proces gjurmimi të të vërtetës së historisë së krishterimit, përkatësisht Kishës Katolike, si një institucion që jeton përmes të fshehtave dhe vrasjeve, institucion që e mbanë botën me gënjeshtra. Dan Brown në mënyrë krejt të qartë ka shtruar qëllimin e tij narrativ: përmes zhanrit kriminalistik, me objektin e tij çfarë e karakterizon, do ta kriminalizojë Kishën dhe shërbëtorët e saj. Porse brendapërbrenda romanit manifestohet krejt itinerari që konsiderohet të jetë mbulesë dhe zbulesë e krejt një bote patologjike bashkëkohore të ndarë në dysh; tendencën e saj për të jetuar e pavarur, ashtu si i thotë mendja, arsyeja e tij – e shkëputur parevokueshëm nga transcendenca kinse e imponuar nga krishterimi – dhe njëmendësia e saj e pashlyeshme dhe krejt natyrore, se religjioni a spiritualja e kësaj bote (lex. e njeriut) është po ashtu natyrore dhe e pandashme e jetës. Njeriu s’mund të jetojë jetën e majmunit – religjioni është pashmangshëm transcendenca e tij e vetvetishme, jo aksidentale por substanciale. Të mohosh këtë njëmendësi është sikur të mohosh vetë qenësinë e njeriut. Dymijë vjet krishterim dhe qytetërim kristian, ndërtuese kjo e qytetërimit të dashurisë, e rikthimit të shëndetshëm të transcendencës, këtij individi bashkëkohor të bërë dysh, i paraqitet si perde e zezë, si tis i zi, frymzënëse e shpirtit njerëzor, konvencionalizëm primitiv e traditë sterile që tashmë i ka dal boja, pamundësi për të krijuar raporte Zot – Njeri dhe Njeri – Zot. Krishterimi është i padurueshëm për këtë njeri. Njeriu është animal – i privuar prej ratio-s, mendon ai, që duhet të gjejë kënaqësi aty ku ai mendon se do ta ketë (i udhëhequr nga instinktet), të krijojë religjion atje ku ai përhumbet mendësisht e shpirtërisht dhe çnjerëzohet për nga kodi moral tradicional e i vlefshmërisë njerëzore. Brown këtë njëmendësi do ta shfaqë në shumë vende në roman, përmes personazheve dhe trillimeve që i ka ndërtuar jashtëzakonisht mirë e që janë inkorporuar në zhanrin e tij kriminalistik. Se Kisha Katolike, përkatësisht Jezu Krishti është “shenjë kundërshtuese“ në botë, tanimë është e njohur qe dy mijë vjet. Personi i Krishtit është sfidë për çdo njeri dhe letërsia si e tillë pashmangshëm i kthehet Atij – për ta lartësuar apo për ta përultësuar, zhvleftësuar (?) – siç e bën Brown në romanin e tij Kodi i Da Vinçit.

 

  1. Imagjinata që mëton të bëhet e vërtetë

Romani Kodi i Da Vinçit është imagjinatë letrare, roman me fiksion/vetëtrillim autorial postmodern. Asgjë e re për sa i përket vetë natyrës së romanit. Asgjë e re në letrat artistike. Madje pëlqehet imagjinata si mjet për të krijuar vepër artistike. Nuk do të ishte asgjë përçundunuese të mbetej imagjinata autoriale thjeshtë imagjinatë, porse kur ajo mëton të ngritët në një të vërtetë mbarë njerëzore, e humb efektin e vet edhe në letërsi edhe në jetën e reale, si një mjet i (vetë)kënaqësisë apo ikjes prej fakticitetit. Ky kthim dhe mëtim i imagjinatës për t’u marr si e vërtetë, është i pranishëm në romanin Kodi i Da Vinçit. Në fillim të romanit vetë autori pohon, se përveç personazheve, gjithçka është e vërtetë.[16] Sa guxim i madh letrar të pohosh një gjë të këtillë! Është madje tejet interesante fakti se lexuesit janë bërë pré e këtij pohimi, që do kuptuar si reflektim i sotëm sociokulturor dhe opinion i pranishëm gjithandej në botë. A mund të na mësojë të vërtetën imagjinata letrare? Romani si imagjinatë, çfarëdo zhanri qoftë, ai është vetëm imagjinatë, është nevojë e shpirtit të njeriut për të krijuar një botë në vete, një utopi ku autori gjen prehje, por autori e përdor imagjinatën e vet edhe për ta kënaqur lexuesin, qoftë ajo e shtirë përmes intrigës, parodisë, tëhuajësimit, lojës etj. etj. Kjo do mbetet pathos/dëshirë e njeriut për kënaqësinë e të shkruarit dhe të lexuarit e jo didaktikë ekzistenciale, normë e jetës së përgjithshme e as ethos riatdhesimi në të njëmendtën, realitetin.

Ashtu si është në natyrën e romanit postmodern, edhe Kodi i Da Vinçit, me mëtimin e tij të flakët për të mësuar risi(?) apo për ta zbuluar të vërtetën, e konteston tërësisht krishterimin dymijëvjeçar për të ngrehë religjion të ri për njeriun e sotëm.

 

  1. Falsifikimet e shtresëzuara

6. 1. Personazhet – biografi autoriale

Edhe kur Brown krijon personazhet edhe kur ata marrin rolin e ligjërimit, shtresëzohet falsifikimi i së vërtetës. Personazhi kryesor Robert Langdon, me profesionin e tij që nuk ekziston në realitet (simbiozë e vetëtrilluar)[17], autori atë e ngrit në autoritet universitar. Jeta e tij është mision i kushtuar krejtësisht për të gjetur simbolet fetare paganike, parakristiane në artin fetar kristian, sepse aty fshihet e vërteta e shtypur me shekuj që Kisha Katolike me mjeshtëri e mban në gjirin e vet. Edhe personazhi i dytë, Li Tibingu, një anglez multimilioner i pasionuar ndaj Graalit të shenjtë, ka të njëjtat epitete. Që të dy D. Brown i krijon si dy misionarë të mbarë njerëzimit që janë në shërbim të gjetjes të së vërtetës. Ata kanë përgatitje të lartë akademike dhe, si të tillë, kompetentë për këso detyra të mëdha mbarëbotore. Është interesante se këta personazhe janë miq që i ka lidhur detyra e tyre profesionale. Në roman ata takohen si rastësisht, sepse misionit të tyre po i shkëlqen fati. Gjinden para zbulimit historik dhe përfundimit të misionit të tyre. Janë krejt në vrullin e qenësisë së tyre misionarike.

Si në pasqyrë, krejt qartë shohim në këta personazhe fytyrën dhe misionin e vetë autorit.[18] S’ka si mos të hetohet natyra autoriale e vetëshpallur misionar i të vërtetës së fshehtë. Prandaj, autori nuk hy thellë në natyrën e personazheve për të na treguar gjendjen e tyre psikologjike, sepse do ta mbajë të koduar intimitetin e tij. Përkundër kësaj nuk ka mundur ta fsheha qëllimin e vet patologjik, të përhumbur në rrjetin e ideve të grumbulluara nëpër libra e studime pseudohistorike. Personazhet e tij janë të ngashënjyer prej përrallave të stërfolura disa shekuj. Por përrallat, mjerisht, koha jonë i shndërron në të vërteta historike dhe personazhet e Brown-it janë akademikë të këtij shndërrimi, jo në studimin e tyre, por në besimin e tyre. Apo siç thotë një fjalë e urtë: shpif, shpif se diçka do të mbetet. Porse, thotë edhe një fjalë tjetër e urtë: Rrena i ka këmbët e shkurtra.

Këta dy personazhe janë një venerim i qenieve disamilonëshe që frymojnë nëpër glob, në fqinjësinë tonë, në universitete tona, në institucione e shoqata humanitare e pseudohumanitare. Është kjo një botë që nuk po duron më vlerat tradicionale, moralin tradicional e as fenë e krishterë.   

 

  1. 2. Dëlirësia e çvirgjëruar

Personazhi i tretë në roman është Sofi Nëvë, një vajzë e re, e bukur dhe tërheqëse, specialiste në kriptologji. Ky personazh dallon shumë prej dy personazheve të parë edhe për nga natyra e brendshme edhe për nga profesioni. Sofi është një vajzë e edukuar mirë, me shpirt të pastër fëmijëror, me shpirt të pafajshëm, që bie grackë e falsifikimeve të dy personazheve meshkuj (Langdonit dhe Tibingut). Personaliteti i virtytshëm i Sofisë do të shpaloset në momentin e takimit me kultin seksual (hieros gamos) të gjyshit të saj Sonierit. Reagimi i saj:

Jam në ëndërr – tha me vete Sofia – Jam në ëndërr. Ç’mund të jetë tjetër?”

Pasi pa krejt atë perversitet ajo

po zbrapsej e mnerruar, ajo shëmbëlltyrë iu ngul përgjithmonë në kujtesë. Iu përzie, u kthye mbrapsht dhe duke mbajtur mbas faqeve të murit, u ngjit përsëri lart. […] Në Paris mbërriti e shastisur dhe e përlotur. Po atë natë – tashti që jetën ia kishte vrarë zhgënjimi dhe tradhtia – i mblodhi të gjitha sendet e veta dhe iku nga shtëpia. Mbi tryezë la një copë letër: Isha aty. Mos më kërko më.” (f. 183).

Edhe pse Brown ka dashur ta paraqesë Sofinë si një vajzë naive, të mashtruar nga tradita, ai në anën tjetër pashmangshmërisht ka treguar natyrën e njeriut të tmerruar nga kultet pagane perverse seksuale, e që autori ka për qëllim shtrirjen e këtyre kulteve në jetën normale dhe ngritjen në normë sjelljeje, normë të etikës bashkëkohore, madje-madje edhe në religjion të ri. Sofi në fund do ta humbë virgjinitetin e shpirtit. Personazhi i Sofisë pasqyron një fakt të kudondodhur nëpër hapësirat e perëndimit; shkatërrimin e shpirtrave të dëlirë nga ithtarët e neopaganizmit modern, ithtarëve të kulteve mitike, satanike…

 

  1. Doktrina e romanit

Dan Brown përmes romanit të tij dëshiron, jo të ofrojë, por të imponojë një doktrinë sinkretike parakristiane, me elemente paganike dhe shumë kulteve që tanimë janë mbeturinë (para)historike. Për të imponuar doktrinën e vet, autorit i duhet zhdukur Kishën Katolike nga faqja e dheut dhe nga historia e religjioneve. Për këtë qëllim në roman Kisha paraqitet si komploti më i madh njerëzor, institucion vrastar.

Të shqyrtosh me D. Brown për natyrën e Jezu Krishtit dhe Kishën, historinë e saj që nga ditët e para e deri sot, e shoh absurde[19], sepse doktrina e tij është fiksion i kulluar dhe mashtrim i vetës së tij. Këtë absurditet, ndër të tjera, e dëshmojnë gabimet flagrante të koncepteve të përdorura filozofike-teologjike të krishtera, nga lëmi i biblicistikës, historisë së Kishës Katolike dhe lëvizjeve shpirtërore (karizmave) brenda saj,[20]madje edhe të artit të përgjithshëm. Por ajo që duhet të merret si intenca e tij, e që gjendet brendapërbrenda romanit, ajo vlen të ngritët në sipërfaqe. Pikërisht prapavija romanore është edhe qëllimi kryesor i veprës së tij. Kemi të bëjmë me një ide, një frymë nostalgjie e shumë sekteve sinkretike moderne të shfaqura kohët e fundit në hapësirat europiane e matanë oqeanit, – që në Kodin e Da Vinçit paraqiten përmbledhtas sikur të ishin të porositura.

 

  1. 1. Gjakim për përjetimin e hyjnores!?

D. Brown që në kapitujt e parë (kap. 4) të romanit të tij, shtron me dinakëri sugjestionin e vet narrativ, përkatësisht doktrinën, e cila endëzohet fundekrye nëpër roman. Përdorimi i një bagazhi kodesh e simbolesh, kulteve ezoterike dhe hyjnive pagane – një amalgam i vërtetë, – të kallëzuara me ligjërim alternativ krijohet komploti historik dhe shpaloset gjoja e vërteta kruciale njerëzore e kosmologjike, teologjike e filozofike-religjioze.

Që nga kohët e lashta njeriu gjakon për ta përjetuar Qenien Absolute, Hyjin. Rrugët e shumta të njeriut të trasuara, prej kur s’mbahet mend, janë një dëshmi e nostalgjisë së tij për humbjen e Parajsës Tokësore, shenjtërinë e parë dhe shijimin e hyjnores. Ky gjakim i pashlyeshëm e krejt natyror i njeriut, ka ngritur kulte e rite nga më të ndryshmet, jo krejt e përherë të dobishme, që do ishin ndihmesë rikthimi në qenësinë zanafillore. Ato jo vetëm se nuk ia ’dhuruan’ Hyjin, por mbetën kodër e pamposhtur e çorientim shekullor. U deshën mijëra e mijëra vjet të ecurisë së njeriut për t’u vetëdijesuar për këtë verbëri magjike, – për këtë vorbull shpirti. Së fundi kur iu mundësua shikimi, prekja dhe shijimi, përjetimi i hyjnores dhe përmbysja e kodrave dhe riorientimi shpëtimprurës përmes Logosit të Inkarnuar/Mishëruar, njeriu e gjeti prehjen e qenësisë së vet. Fatkeqësisht, kjo njëmendësi nuk do të mbetet gjithmonë estetikë e përhershme e lidhjes së tij me hyjnoren. Njeriu do të ngritët përsëri kundër limanit të qetësisë së vet për të përvetësuar shpirtin e qoftëlargut, diabolizmin. Do shfaqen gjithandej në glob qoftëlargësi rrëmuese, ithtarë luçiferianë, me qëllimin e sistemimit të estetikës së tij, për të qenë metodologji e prekjes së transcendencës, përkatësisht shkëputje e saj dhe mbetja e qenies si njeri perversisht i përdheshem.

 

  1. 2. Kulti ndaj hyjnisë femërore

E pamohueshme do të mbetet prania e kulteve ndaj hyjnive femërore në kohën primitive, si një pjesëz e gjakimit të njerëzve për harmoni e reciprocitet njerëzor e hyjnor. Porse kjo periudhë primitive i përket kohës mitologjike, antike e semitike (kryesisht e popujve të lindjes së afërt dhe të largët, besimtarë të religjioneve primitive të quajtur religjione natyrore), e asaj kohe kur qenia njerëzore ende s’kishte arritur të prek Logosin, Hyjin e vërtetë – kohë kjo e politeizmit, madje politeizëm magjik – materialist.

Kulti ndaj hyjnisë femërore apo femërores së shenjtë, është një hipotezë imagjinare moderne që Brown e shndërron në të vërtetë historike. Sepse autori ka nostalgji për dëfrim (seksual) pa norma, nostalgji ridefinimi të religjionit, mbase të kuptuarit e tij është shkëputje e dhimbshme me realitetin, me arsyen dhe ndërgjegjen njerëzore. Sipas këtij pseudokuptimi, – në kohën e sotme të arrirë në kulmin e zhvillimit racional e nuk di çfarë, – religjioni si kult i njeriut duhet rikthyer në primitivitet, në shpellat e njeriut primitiv a mitologjik. Vendi, i konsideruar tempull i kultit pervers e orgjik seksual, ku kryhej kulti i femërores së shenjtë, është i shkëputur prej banesave të sotme; tempulli duhet jetë jashtë arkitekturës bashkëkohore:

Dhoma ishte njëfarë shpelle, një kthinë me mure të palëmuara që dukej sikur ishte sajuar duke rrëmuar granitin e kodrës. E vetmja dritë vinte nga pishtarët e ngecur nëpër unaza të ngulura në mure. (f. 182).

Sikur autorit i duken të shestuara edhe veprat arkitekturore moderne me religjionin e krishterë, as drita elektrike s’ka vend në tempullin e tij. Aspak e pakuptimtë për një rikthim në paganizëm! Nga kjo logjikë diskursive browniane, s’është e rastit edhe pikëvështrimi i autorit edhe Piramidës moderne të Luvrit. Numri 666 sipas librit të Zbulesës do merret si emër i Përbindshit nëntokësor, Qoftëlargut, Djallit. Ndërtimi i Piramidës moderne i shkon për shtati dhe është në ujdi me simbolet e Brownit dhe logjikës së tij narrative.

 

  1. 3. Hieros gamos – jo shijim, por shkëputje e hyjnores!

Autori për mrekulli e udhëheq lexuesin në kultin e femërores së shenjtë, jep recetë – ritin hieros gamos, kombinim i dy fjalëve greke me kuptimin e martesës së shenjtë. Ky rit në roman paraqitet si i vetmi që sendërton harmoni mes gjinive, mes mashkullit dhe femrës; i vetmi rit që ia mundëson njeriut gnosis (shq. njohjen) e hyjnores, Hyjit.

Hieros gamos është dymijëvjeçar. Priftërinjtë dhe Priftëreshat e Egjiptit të lashtë e praktikonin rregullisht për të kremtuar aftësinë riprodhuese të gruas. […] Ishte akt shpirtëror. Në lashtësi marrëdhëniet seksuale ishin akti me anë të të cilit burri dhe gruaja përjetonin përvojën e Zotit. Në kohë të lashta njerëzit kujtonin se mashkulli ishte shpirtërisht i paplotë derisa njihte epshin e „femërores së shenjtë“. Bashkimi fizik me femrën mbetej mjeti i vetëm me anë të të cilit mashkulli mund të bëhej shpirtërisht i plotë dhe të arrinte më në fund gnosis-in, njohjen hyjnore. Qysh nga koha e Isidës, ritet seksuale janë quajtur si ura e vetme për të shkuar nga toka në qiell. (f. 387-388)

Përveç anakronizmave të paparë që bën autori, kur thotë se hieros gamos praktikohet qe 2000 vjet, e pak më poshtë jep kryehyjneshën e këtij kulti-riti, se i njëjti rit praktikohet nga koha e Isidës[21] egjiptase, e cila fillesën e saj e hasim në njëzet shekuj para Krishtit. Vërtet, gjë e pabesueshme! Gjithsesi autori është krejt naiv në paraqitjet e tija kontradiktore, jo vetëm këtu, por në krejt faqet e romanit vërehen gjëra të këtilla. Sikur Brownit i humbet kujtesa çfarë ka shkruar më parë – mbase ndoshta ka praktikuar edhe ky një hiros gamos në kohën kur ka shkruar romanin. Personazhi i Brownit, Robert Langdon, i shpjegon Sofisë se ky rit që e kishte tmerruar, nuk është aspak erotizëm as diç e ngjashme me të, por akt shpirtëror. Kurse fill më poshtë në tekst pohon të kundërtën, se është rit seksual.

Të pohosh sot se njeriu përmes marrëdhënieve seksuale e arrin Zotin, do konsideruar injorancë, tjetërsim dhe mohim flagrant i natyrës së njeriut. Praktikimi i prostitucionit nëpër tempuj paganë, i pranishëm në kohët e lashta, ishte dhe do të mbesë atje si njëmendësi e patenzonë dhe devijim trashanik i të kuptuarit të seksit, të dashurisë dhe të religjionit.[22]

Brown përmes romanit të tij e ngreh hyjninë egjiptase në transcendencë absolute, përkatësisht në urëlidhëse me Absolutin. Diskursi i autorit është krejt transparent; diskurs iracional religjioz, sikur ndodh në ritin e tij hieros gamos. Mbështetja e tij kinse në Besëlidhjen e Vjetër (BV) dhe në hebraizmin, e ka vetëm një kuptim; se krishterimi është njëmendësi imponuese dhe dhunuese e hyjnores, shkëputje e traditës parakrishterore. Mbase autori është injorant për sa i përket teologjisë biblike, s’ka se si mos të mbështesë imagjinatën e vet kaotike. Se një rit i kësifarëlloji nuk ka ekzistuar në popullin e Izraelit, mjafton shfletimi i Biblës, përkatësisht i BV. Shekiah, fjalë kjo e cila nuk gjendet aspak as në versionin hebraik të BV, është pjellë e Kabalës, apo të rabinëve edhe interpretimeve krejt anësore të teksteve biblike[23]. Autori përherë vrapon pas literaturës anësore, madje literaturës fiktive. Ja edhe këtu Brown mbetet ithtar i falsifikimeve e hamendësimeve. Tempulli i Salomonit nuk ka njohur asnjëherë praninë e priftëreshave prostituta me dërgimin e tyre për të mundësuar shijimin e hyjnores. Një rit i këtillë ishte i pranishëm në religjionet përreth Popullit të Izraelit, tek popujt që kufizoheshin me Izraelin. Ky popull e ka luftuar në kontinuitet këtë perversitet, këtë degradim të religjionit. Mjafton të lexohen librat e profetëve të BV për të kuptuar të vërtetën mbi ritet hebraike, tempullin dhe rregullimin e tij, lutjen e përditshme dhe përshpirtërinë e dëlirë të tyre.

 

  1. 4. Boshatisja e trurit/arsyes – kusht për ta parë/shijuar Hyjin!

Njeriu është i krijuar me arsye. Arsyeja e tij është element krejtësisht dhe vetëm antropologjik që shëmbëllen me natyrën e Hyjit. Veçantia e njeriut të arsyeshëm e dallon atë nga gjallorët tjerë dhe e ngrit në krijesën më të lartë të Hyjit; i krijuar në përngjasimin e Hyjit, ai me arsye ngritët në lartësitë e hyjnores. Kurse Brwon në romanin e tij na servon një rit, i cili njeriun e privon nga arsyeja.

Duke u bashkuar me femrën, burri mund të mbërrinte çastin kulmor kur i boshatisej plotësisht truri dhe ai mund të shihte Zotin. (f. 388).

Njeriu me arsye s’ka si ta shohë Zotin. Po s’arrite të mbetesh pa mend, s’ke për ta parë Zotin kurrë!… Të pohosh se boshatisja e mendjes është kusht për ta shijuar hyjnoren, është vërtetë pakuptimësi e pakufi. Një Zot, i cili do të kërkonte nga njerëzit boshatisjen e trurit, do të ishte një Zot mizor, makabër. Zoti nuk kërkon nga njeriu pamendësinë, tjetërsimin e krijesës së vet. Për ta shijuar prezencën e Tij, për ta shijuar hyjnoren, është e mundshme vetëm dhe vetëm me krejt qenien e njeriut: me arsye, duke e njohur, me ndjenja dhe me dashuri, duke e dashur … Bashkimi i burrit dhe femrës nuk do të thotë këtu se është akt djallëzor dhe akt mëkatar (fq. 390), porse ky bashkim ka kuptimin tjetër dhe krejt të veçantë. Të pohosh se bashkimi i burrit me gruan është akt për ta shijuar Zotin, është absurde aq sa të thuash se të ushqyerit mirë është akt për ta parë Zotin.[24]

Mbase Brown këtu ka menduar se njeriu vetëm kur e përjeton një ekstazë, një dalje nga gjendja e vetëdijshme e tij, ai është në gjendje jo njerëzore dhe hic et nunc është në sferën e hyjnores. Ekstazë apo të qenurit jashtë vetes – jashtëvetësia  e njeriut më së paku arrihet me bashkimin seksual. Që në kohë e lashta, po e përsërisë kohë pagane, janë përdorur substanca haluçinative për t’ia çrregulluar trurin/mendjen njeriut, duke menduar në primitivitetin e tyre se ashtu do ta shijojnë Zotin e vërtetë.

Mandej, të droguarit dhe pijanecët në çaste të përdorimit të substancave të tepruara, nuk janë në gjendje normale dhe se ata mendojnë se e shijojnë një botë të posaçme, nga e cila, ne njerëzit mendërisht të kthjelluar, qenkemi të privuar. Kush do të pohonte se ata e shijojnë Zotin!? Më pastaj, mos të harrojmë mentalitetin hedonist (të tepruar) të përhapur sot gjithandej në botë, industrinë e hatashme të erotizmit. Çfarë do të mendonte romansieri Brwon!? Se është kjo një mentalitet shpirtëror a hyjnor apo mentalitet i një morali në dekadencë!

Autori, s’do mend, ka imagjinatë tejet të erotizuar, imagjinatë kjo që e shtrin në sferën shpirtërore. Sepse s’mbahet mend të ketë ekzistuar në historinë e njerëzimit një rit i këtillë i femërores së shenjtë, që përmes bashkimit të burrit me gruan të konsiderohet akt përmes të cilit shijohet Zoti. Praktika e priftëreshave prostituta të pranishme tek popujt paganë, para krishterimit, si tek kanaanët, grekët në antikitet, tek romakët (orgjitë), tek pitagorianët, stoikët e disa tjerë, konsiderohej si kënaqësi e epsheve fizike dhe nuk kanë synuar të jenë përsosmëri shpirtërore. Pse ata këto rite janë munduar t’i fusin si pjesë e religjionit, kjo dëshmon degradimin moral të atyre popujve në atë kohë dhe tjetërsim të religjionit.

 

  1. 5. Gruaja e degraduar në objekt

Se Brown ka dashur të tejtheksojë feminizmin modern dhe të jetë në mbrojtjen e tij, është mbase evidente. Për këtë qëllim imagjinata e tij ka krijuar femëroren e shenjtë. Autori do ta bëjë femrën hyjneshë, sepse ajo në primitivitet, po edhe sot mashkullin e le të pamend, ia mundëson boshatisjen e trurit si një ekstazë apo dehje hyjnore; ajo është e aftë të lindë dhe lindja konsiderohet mrekulli që mund ta bëjë vetë Zoti, Hyji.

Por fatkeqësisht ai me të e ka degraduar dinjitetin e femrës/gruas në objekt, në mjet të mashkullit për t’ia kënaqur epshet e tija.  Femra – simbas Brownit – herë-herë është vetë hyjneshë e herë-herë ajo është vetëm mjet dhe kurrë nuk e shijon hyjnoren. Derisa ajo ia mundëson mashkullit shijimin e hyjnores, ajo mbetet e përdheshme, e privuar nga hyjnorja. Krejt simbas karakteristikave të zhanrit kriminalistik, edhe këtu mungon qartësia narrative që do të çonte në pohimin a mohimin e plotësishëm të heroit në fjalë.

Femra/gruaja është dhe do të mbetet e një natyre me mashkullin/burrin, me dinjitet dhe të drejta të barabarta, përkundër përdhosjes dhe degradimit modern. Femra nuk është hyjneshë po as prostitutë, ajo është vajzë e dëlirë, është grua, nënë, loke, gjyshe… Në të gjitha këto faza të jetës e respektueshme dhe e lartësuar në piedestalin e njeriut.

 

  1. Epilog – Estetika e takimit

Të parët tanë me urtinë e tyre na kanë mësuar se “Rrena i ka këmbët e shkurta“. Ata deshën të na thonë se rrena, si e tillë, është e prirë të mos jetojë gjatë, por të bie, të ketë jetë të shkurtër, edhe kur ajo përmes zhanreve letrare tërheqëse ofrohet e imponohet. Romani “Kodi i Da Vinçit“ është kryekëput një rrenë e trilluar mirë, që ka pasur jehonë të madhe, por që për fatin çlirues të lexuesve po i shkruhet rënia.

Takimi me romanin Kodi i Da Vinçit ka një kuptim: ta lexosh për ta refuzuar, të komunikosh me romanin për të dialoguar me autorin e për t’ia bërë të ditur lexuesit intencën e tij, dhe, së fundi, për të kuptuar mirë se çfarë është e Vërteta.

S’ka vepër artistike që do të jetë e imponuar pa dëshirën tonë. Takimi ynë me një vepër artistike, të çfardolloji qoftë, do të varet prej qëndrimit tonë personal, prej formimit tonë letrar, kulturor, fetar… Mbas kësaj, receptuesi i veprës artistike ngritët për të pranuar apo për të refuzuar, në heshtje apo në mënyrë aktive – përmes kritikës letrare si aparat i vetëdijesimit dhe të veneruarit nga lart. Kjo do të quhet edhe refuzim estetik[25], e unë do ta quaja me modesti estetikë e refuzimit.

Në jetën e vet njeriu gjithmonë do të ketë nevojë të pohojë madje edhe të dëshmojë të vërtetën e tij, edhe kur atë ia mohojnë të tjerët me vepra letrare, me estetikë të të shëmtuarës apo edhe drejtpërdrejt nga ana e njerëzve diabolikë. Sepse, e konsideroj tejet të rëndësishëm faktin se njeriu në jetë lufton ose për ta gjetur ose për ta mbrojtur të Vërtetën nga njeriu – siç thotë Trebeshina, “që i ka humbur përfundimisht pikat e horizontit, përsërit nga dita në ditë tri fjalë të mësuara nga ndonjë papagall!… I ngjashmi me të kujton se të gjithë të keqën e kanë sjellë Profetët me moralin e tyre dhe, për të shpëtuar nga “Dhjetë Porositë“ (Urdhërimet, vër. ime), mundohen të kthehen në origjinën e egërsisë njerëzore dhe pikërisht aty fillon incesti!… Dhe nuk ngurron të dhunojë seksualisht edhe nënën, apo motrën e tij!…”[26] Ky tejkalim i njeriut për të dalë, do të thosha, në paganizmin parakrishteror, mund të vihet në jetë. “Por a e pranojmë ne, se njeriu është një qenie me një kujtesë të qartë dhe me një arsye të saktë, gjëra që e shtyjnë përtej ‘Përmasave’ të panjohura?!… Atëherë si mundet kjo qenie të kthehet në veprime që i takojnë fazës më të hershme (paganike, vër. ime) të zhvillimit të saj?!…”[27] Liria e njeriut është aq e madhe sa që s’ka kush t’ia ndalojë kthimin e tij mbrapsht, sepse qeniet njerëzore e kanë të “drejtën ta flakin kujtesën kur të duan, të flakin arsyen përfundimisht dhe, për kënaqësinë e tyre, të kthehen në egërsinë më të hershme!… E kanë të drejtën të jenë pedofilë dhe diçka tjetër akoma më përtej!… Por një të drejtë edhe më të mirë e kanë edhe ata që dëmtohen dhe që duan të mbrohen prej tyre (nënvizim i im)!…[28] Ecuria e njeriut në shekuj e paraqitur në fjalën e shkruar e të kënduar, na e shpalojë natyrën e njeriut të brishtë, që si duket lodhet, e në epoka të ndryshme, futet në shtigje të errëta ku ai bie poshtë, më poshtë se kafsha, se e flak arsyen e fituar nga lart e s’ka më dritë për të parë më larg se hunda e vet.[29] /drita.info

 

———————————

[1] Dan Brown është shkrimtar amerikan, i lindur në 22 shkurt 1964 në New Hampshire të SHBA-së, bir i një profesori të matematikës dhe një muzikante. Ka studiuar gjuhën angleze në Amherst College dhe historinë e arteve në Universitetin e Sevilës. Është i martuar me Blythe, historiane e artit. Deri tani ka shkruar pesë romane, të gjitha të zhanrit kriminalistik/triller apo detektiv/policesk. Romani i tij i parë ishte “Digital Fortress“ (1996). Në vitin 2000 e boton romanin e dytë “Agnels and Demons“, “Deception Point“ (2001) “The Da Vinci Code“ (2003) dhe romani më i ri me titull “The Solomon Key“ (2006).

[2] Khs. Nikola Mate ROŠČIĆ, Zavjera protiv Isusa Krista, në: Obnovljeni Život 1/2006, f. 106. Po ashtu shih librin e Godfried DANNEELS, Le Christ au le Verseau?, Archbisdom Mechelen-Brussel 1990. (përkthimi kroatisht: Isus ili Vodenjak. Da li je Antikrist već među nama?, Verbum, Split 1998.

[3] Khs. Josef RATZINGER – BENEDIKTI XVI, E vërteta e krishterimit, në: Urtia 1/2006, f. 136-139.

[4] Citati është marr nga: Ibrahim RUGOVA, Strategjia e kuptimit, Faik Konica, Prishtinë 2005, 13.

[5] Ibid. f. 13-14. 

[6] Khs. Thomas KÖSTER, Postmoderna literatura, në: http://www.omnibus.ba/omnibook/prevodi/p020524b.htm.

[7] Khs. Ibidem.

[8] Khs. Thomas Stearns ELIOT, Religjion dhe letërsi, në: www.shkoder.net.

[9] Khs. Umberto ECO, Si shkruaj, AIKD, Prishtinë 2003, f. 107-125.

[10] Khs. Ibid.,  fq. 110.

[11] Khs. GJON PALI II, Letër dërguar artistëve, në: Urtia 1/2006, f. 70.

[12] Khs. Agron TUFA, Letërsia masive si fenomen social, në: www.shkoder.net/fjala/2006/atufa.htm.

[13] Khs. Ibidem.

[14] Parësia e Sionit (fr. Prieuré de Sion) një organizatë imagjinare e autorit që nuk ka ekzistuar si e tillë në histori. Referencat e Brownit nga dokumentet sekrete të Parësisë, të nxjerra nga Biblioteka Nacionale e Parisit, kanë qenë të futura viteve të 50-ta nga Pierre Plantard. Si antisemit që ishte, Plantard kishte pohuar se ishte trashëgimtar i Francës nga gjenealogjia e merovingëve dhe pasardhës i drejtpërdrejt i Jezu Krishtit dhe Maria Mandalenës. Vetë Plantard ka formuar „Parësinë e Sionit“ dhe ka shkruar dokumentet sekrete, mbi të cilat Brown citon listën e gjatë të anëtarëve, në mesin e të cilëve ka qenë edhe Leonardo da Vinçi, Viktor Hygo, Isak Njuton etj. etj. Porse, kjo lojë e Plantardit me disa shokë të tij doli ballafaqe kur u mor vesh e kaluara e tij patologjike, dosja e tij policore si hajdut dhe cub, antisemit dhe pjesëtar i djathtistëve të dalë nga lufta. E gjithë kjo marrëzi në gjyq u zbulua si një imagjinatë argëtuese e tij dhe shokëve të tij Gerard de Sede dhe Philippe de Cherisy.  Mandej, edhe emri edhe dokumentet e Parësisë së Sionit janë trillim dhe lojë e kësaj treshe të dështuar dhe patologjike. Fatkeqësisht, as Brown as edhe autorët Michael Baigent, Richard Leigh dhe Henry Lincoln të librit „Holy Blood, Holy Grail“, ku është marrë ideja e romanit nuk i kanë marrë parasysh të vërtetet e njohura për të gjithë. Për të gjitha këto lexo më gjerësisht. Marie-France ETCHEGOIN & Frédérik LENOIR, vep. e cit., fq. 13-62.; A. WELBORN, vep. e cit., f. 147-150.

[15] Graali i shenjtë është një legjendë që nuk mund t’i dihet me saktësi burimi i saj. Mund të jetë se rrjedh nga legjendat Kelte, me këtë kuptim; Kupa e përpunuar me gurë të çmuar, e cila në kohën e Jezusit ka shërbyer për ushqim. Këtë kupë e ka përdorur Jezusi me apostujt për ushqim edhe në Darkën e Mbrame. Po ashtu me këtë kupë Jozefi prej Arimateje ka mbledhur gjakun e derdhur nga kraharori i Krishtit të kryqëzuar dhe si e tillë është ruajtur me shekuj. Porse për Graalin e shenjtë janë thurur edhe legjenda tjera që në shumë raste nuk përputhen njëra me tjetrën. Kjo tregon se secila kohë legjendën e ka modifikuar për qëllimet të caktuara. Kryesisht legjenda e graalit gërsheton një përzierje të folklorit, romantikës dhe mitologjisë. Romanet e parë kalorësiakë mbi graalin janë shkruar në shekullin XII dhe XIII. Shih. A. WELBORN, vep. e cit., f. 145-147; Siomon COX, vep. e cit., f. 48-53.

[16] Pohimin në roman (f. 9), Dan Brown do ta ripohojë edhe në një intervistë në emisionin Tydey Show të teliviozionit amerikan NBC, me 9 qershor 2003. Pyetja e reporterës: “Sa ka në roman të vërteta që janë të bazuara në fakte, përkatësisht në ndodhi të vërteta?“, Brown përgjigjet: „Gjithçka, në tërësi. Natyrisht personazhi Robert Langdon është personazh imagjinar, porse tërësia e artit, arkitekturës, riteve dhe shoqërive misterioze të paraqitura aty jane të vërteta historike?” Në të njëjtin vit në revistën Bookpage, do të bëjë të qartë intencën e tij: “Një aspekt që kam dashur me ngulm ta fus në librin tim është mësimi. Kur ta lexoni librin tim, të ju pëlqejë apo jo, ju keni mësuar shumë gjëra.” Intervista citohet simbas librit James L. GRALOW & Peter JONES, Cracking Da Vinci’s Code, Cook Communications Ministries, Colorado 2004. Përkthimi kroatisht: “Razbijanje Da Vincijeva koda”, Marjan Tisak, Split 2005, f. 21. Se Romani Kodi i Da Vinçit, gjithnjë simbas deklaratave të Brown-it, është i bazuar në fakte historike, e vërtetojnë edhe intervistat e tija gjithandej nëpër emisione televizive dhe revista. Një deklaratë të kësaj natyre e gjejmë po ashtu në kanalin televiziv ABC, emisioni Good Morning America, 3 dhjetor 2003. Shih për këtë: José Antonio Ullate FABO, Kundër Kodit të Da Vinçit. Mistifikimet e Dan Braunit dhe e vërteta katolike, Dituria, Tiranë 2005, f. 15.

[17] Shih. Simon COX, Sekretet e Kodit të Da Vinçit, Guidë mbi faktet, personazhet dhe misteret e Kodit ë Da Vinçit, Bota Shqiptare, Tiranë 2005, f. 171.

[18] Shih. Fusnota e 16, deklaratat e autorit.

[19] Sepse teologjia apo disputatio theologica s’ka si të mësohet e të zhvillohej përmes zhanrit kriminalistik. Studime të publikuara si kundërargument ndaj tezave të D. Brownit janë të shumta, të cilat në një metodologji të thukët historike-shkencore i kanë shtruar të vërtetat për sa i përket Personit të Jezu Krishtit, Kishës Katolike dhe krishterimit në përgjithësi. Këto publikime janë në gjuhë të shumta botërore. Po i përmendim vetëm disa prej tyre: Amy WLBORN, De-Coding Da Vinci: The Facts Behind the Fiction of The Da Vinci Code, Our Sundey Visitor, Inc., 2004. (Përkthimi kroatisht: Dekodirani Da Vincijev kod. Činjenice koje se kriju u pozadini romana Da Vincijev kod. Verbum, Split 2004.). Marie – France ETCHEGOIN & Frédéric LENOIR, Das Geheimnis des Da-Vinci-Code: Geheimbünde, Verschwörungen, codierte Gemälde und die wahre Schauplätze in Dan Browns „Sakrileg“, Piper, München-Zürich, 2005. I përkthyer në gjuhën shqipe libri i cituar i Jose A. U. FABO, Kundër kodit të Da Vinçit… Mandej edhe shumë  faqe interneti që kanë publikuar fakte historike, biblike, teologjike, arkitektonike, nga lëmi i artit, për Opus Dei-in dhe nga arkeologjia e shkrimeve të vjetra antike, siç përmenden ungjijtë gnostikë të shek. II – IV: www.opusdei.org (në disa gjuhë botërore); http://www.boundless.org/departments/pages/a0000882.html; http://www.leaderu.com/focus/davincicode.html; http://www.evangelsociety.org/rein/davincicode.html; http://www.tektonics.org/davincicrude.htm; http://www.sakrileg-betrug.de/sakrileg/hintergrund.php; http://www.sakrileg-betrug.de/sakrileg/hintergrund-zwei.php; http://www.sakrileg-betrug.de/sakrileg/hintergrund-drei.php; http://www.br-online.de/kultur/literatur/lesezeichen/20040404/20040404_3.html

Madje, e konsideroj po ashtu të arsyeshme shfletimin e literaturës autentike të biblicistikës, teologjisë biblike dhe historisë së Kishës dhe Historisë së përgjithshme mbarë botërore për të pasur pasqyrë të qartë dhe autentike mbi të vërtetat në fjalë, sepse natyra e pikëvështrimit tonë nuk është përmbysje a rrënim i bagazhit amalgam të romanit, por ajo anon kah kritika letrare e njëmendtë dhe krejt objektive dhe si e tillë shpalosjen e intencës autoriale e artikstike të veprës.

[20] P. sh. Opus Dei, është paraqitur krejt në natyrën e tij të shtrembëruar. Brown, për çudi, Silasin, si anëtar i Opus Dei-it, e paraqet sikur të ishte mëkuar në xhihadin islamik – një luftë e shenjtë. Ky koncept në teologjinë katolike nuk ekziston fare. Khs. José A. U. FABO, vep. e cit., f. 35.

[21] Isida është hyjni egjiptase. Për herë të parë historia e përmend të ketë ekzistuar në vitet 2000 e më tepër para Krishtit. Isida ka pasur ndikim të madh në religjionin e Egjiptit të asaj kohe, sa që kulti ndaj saj është përhapur edhe në popuj tjerë. Në nderim të Isidës janë ndërtuar tempuj të shumtë. Ndër më të mëdhenjtë gjendet në Fileas, në jug të Egjiptit, nga koha greko-romake. Në kohën e Kleopatrës (51-30 para Krishtit), kulti i Isidës ishte religjion zyrtar në Egjipt. Shih. Simon COX, vep. e cit., f. 60-65.

[22] “Dashuria mes mashkullit dhe femrës s’është fryt i planifikimeve dhe dëshirave, por në njëfarë mënyre është imponim i vetvetishëm i qenies njerëzore, Grekët e lashtë e kanë quajtur eros. … Duke e mos e përdorur fjalën eros (Besëlidhja e Re, vër. F. K.), por me vizionin e ri të dashurisë që shënjohet me konceptin agape, pa dyshim theksohet diçka e re dhe esenciale për sa i përket mënyrës se si e kupton krishterimi dashurinë. Në kritikën e krishterimit […] kjo risi është kundruar krejt në mënyrë negative. […] Simbas Nietzsches, krishterimi e ka helmuar erosin. Kështu filozofi gjerman ka shprehur një perceptim të gjerë: a nuk e ka ngurtësuar Kisha me urdhërimet dhe ndalesat e veta gjënë më të bukur të jetës? A nuk vihen ndalesat atje ku Krijuesi na ka dedikuar fatin tonë përmes gëzimit e që përmes kësaj na jepet parashija e diçkaje hyjnore? Grekët – ashtu edhe kulturat tjera – e  kanë konsideruar erosin para së gjithash një lloj dehje, pushtim i arsyes me njëfarë „çmendurie hyjnore“, me të cilën njeriu del nga jeta e këtushme e kufizuar dhe aftësohet, i mbushur me këtë fuqi hyjnore, për të shijuar lumninë më të lartë. Të gjitha fuqitë mes qiellit dhe tokës këtu janë në planin anësor, dytësor. “Omnia vincit amor“ – dashuria ngadhënjen mbi gjithçka – thotë Virgjili në “Bucolica“, dhe shton: “et nos cedamus amori“ – dhe ne mbetëm të nënshtruar kësaj dashurie. Në religjionet tjera kjo maksimë, qëndrim e ka gjetur konceptin e vet në ritet e plleshmërisë, pjesë e së cilës është prostitucioni „i shenjtë“, që lulëzoi në shumë tempuj. Erosi, pra u kremtua si forcë hyjnore, si bashkim me hyjnoren. Besëlidhja e Vjetër fuqishëm e kundërshtoi këtë formë të religjionit, i cili si tundim i madh i kundërvihet fesë në një Hyj të vetëm. Luftoi kundër këtij religjioni si religjion i përçudnuar. Porse kurrë nuk e ka mohuar erosin si të tillë, por i ka shpallur luftë formës së shtrembëruar dhe rrënuese, meqë ky divinizim i rrejshëm erosin e privon nga dinjiteti i tij dhe e dehumanizon. Vërtet, ndaj prostitutave në tempull, që kanë pasur për detyrë të ofrojnë dehje hyjnore, s’ka pasur qëndrim sikur ndaj qenieve njerëzore apo ndaj personave, por si mjet për të ndezur „çmendurinë hyjnore“; në realitet ato nuk janë hyjnesha, por njerëz që keqpërdoren. Për këtë arsye erosi i dehur dhe i shfrenuar nuk është ndonjë „ekstazë“, lartësim kah hyjnorja, por rënie, degradim i njeriut. Kjo na bënë të qartë se erosi kërkon disiplinë dhe pastrim për t’i mos ofruar njeriut kënaqësi të çastit e kaluese, por, në një mënyrë, parashije kulminate të ekzistencës sonë, atë fatbardhësi që e aspiron krejt qenia jonë.” BENEDIKTI XVI, Letër enciklike Deus caritas est (Hyji është dashuri), nr. 3-4. (Përkthimi është i autorit)

[23] Khs. J. A. U. FABO, vep. e cit., f. 110-112.; Amy WELBORN, vep. e cit., f. 101-102.

[24] Khs. J. A. U. FABO, vep. e cit., f. 109.

[25] Khs. Ibrahim RUGOVA, Refuzimi estetik, Faik Konica, Prishtinë 2005, f. 11-16.

[26] Kasëm TREBESHINA, Nata para apokalipsit, Phoenix, 1999, f. 46-47.

[27] Ibidem.

[28] Ibidem.                            

[29] Khs. Ibidem.

Shpëndaje: