TË DËGJOSH – POR MIRË!

Jul 24 • Meditimi i ditës

24 korrik 2015 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Në pikën e qetë të botës si me në lëvizje,
në thelbin e qenies sime,

pres ta dëgjoj dhe ta ndiej praninë e butë të Hyjit
i cili më thërret ta hap zemrën dhe të lejoj të shkoj tek Ai.
A mund të shkoj në atë vend ku po më thërret Hyji?

 

Liria

 

Po të dëshironte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund këtë ta vëreja?
Lus për hirin e çlirimit nga brengosjet personale
dhe çiltërinë për atë çfarë Hyji dëshiron të më komunikojë.

 

Vetëdija

 

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur përmes njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd për mua.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Zotit avash, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 13, 18-23

 

18 “Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: 19 Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’. 20 E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, 21 porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete ‑ pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. 22 E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt. 23 E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Shëmbëlltyra e mbjellësit shpjegon se si njerëzi te pranojnë fjalën e Hyjit. Jezusi është i vetëdijshëm se ka nivele të ndryshme të dëgjimit dhe pranimit të Fjalës–pranimi dhe dhënia fryt ose refuzimi kur efektet e Fjalës janë të dobëta. Si do ta përshkruaja zemrën time? A është ndonjë pjesë e ngurtë, shkëmbore ose me gjemba?

– Fjala e Hyjit më është dhënë si një dhuratë. Lus që t`i lejoj mirësisë së saj të lëshojë rrënjë në jetën time në mënyrë që të sjellë fryte të bollshme duke më çuar rrugës së të vërtetës dhe dashurisë.

 

Bashkëbisedimi

 

Nuk po më vijnë lehtë fjalët, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën e madhe për paqe.

Më ruaj, o Zot. E di se gjithmonë je pranë meje.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »