ZOTI E USHQEN NJERIUN FALAS

Jul 25 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XVII gjatë vitit

Leximi i parë   2 Mbr 4, 42-44

Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve

Në ato ditë, erdhi tek Elizeu një njeri prej Baalsalisës dhe i solli njeriut të Hyjit bukë të fryteve të para: njëzet bukë elbi dhe grurë të ri në duqet e veta. Elizeu i tha shërbëtorit të vet: “Ndaju njerëzve të hanë!” Shërbëtori iu përgjigj: “Si t’ua vë para këto njëqind njerëzve?” Por ai i tha sërish: “Jepi popullit të hajë! Sepse kështu thotë Zoti: ‘Do të hanë dhe do t’u teprojë’!” Ua shtroi, pra, dhe ata hëngrën dhe u teproi sipas fjalës së Zotit.

Fjala e Zotit.

Ps 145

 

Ref. Hape dorën tënde, o Zot, dhe ngije çdo gjallesë.

——————————————————————-

Le të lavdërojnë, o Zot,

të gjitha veprat e tua,

e le të bekojnë shenjtërit e tu.

Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë sate,

le të kuvendin për pushtetin tënd.

——————————————————————–

Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty:

ti u jep ushqim në kohën e duhur.

Ti e hap dorën tënde,

dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.

———————————————————————–

I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,

dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

Zoti është afër të gjithë atyre

që e thërrasin,

të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

———————————————————————–

 

Leximi dytë Ef 4,1-6 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj.  Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.                         

Fjala e Zotit.

Aleluja!

Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!

Aleluja!

Ungjilli 6,1-15

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.

Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?” Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte. “As dyqind denarë bukë – i përgjigji Filipi – nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.” I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit: “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?” Jezusi u tha: “Thoniu njerëzve të ulen.” Në atë vend kishte shumë bar. U ulën, pra, rreth pesë mijë burra.  Jezusi mori bukët, u falënderua dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqish – aq sa deshën. E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukëve elbi.

Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.  

Fjala e Zotit

 

Porosia 

Profetët ishin kujdestarë të popullit të Izraelit, të cilët qortonin, mësonin; ishin zëri i Zotit. Ata ruanin Ligjet dhe traditat e popullit të zgjedhur, kritikonin pushtetarët që vepronin në kundërshtim me atë që kërkonte Zoti.

I tillë ishte edhe Elizeu që na paraqet leximi parë.

Shën Pali, na porositë dhe na përben të jetojmë denjësisht dhe drejtësisht si i ka hije të krishterit. E që të jetojmë si të tillë, dhe t’ i pëlqejmë Zotit, kërkohet të kemi duresë dhe dashuri.

Duresa dhe dashuria janë çelës që hapin dyert e parajsës.

Prandaj, shtrohet pyetja sa kemi duresë dhe dashuri?

Sa problemet ndodhin në mungesë të këtyre virtyteve që na mungojnë dhe rëndojnë jetën në familje dhe shoqëri?

Në Ungjill, shohim se si Jezu Krishti ka dhembshuri për njerëzit. Ai, erdhi për ne dhe shpëtimin tonë. Jezusi, përkujdeset për ne si Bariu i Mirë, i cili e përcjell dhe e ruan grigjën e vet.

Ai i din fare mirë nevojat e popullit, ai bashkëndjen dhe bashkëndanë me popullin: vuajtjen, dhembjen, pikëllimin, urinë, etjen.

Mrekullia e shumëzimit të bukëve, është shenjë që Jezusi është Zot. Më pastaj, në këtë mrekulli Jezusi dëfton lavdinë e vet dhe bën që populli i uritur të ushqehet dhe forcohet në fe.

Njeriu është udhëtarë në botë. Udhëton nëpër shkretëtirë në kushte të mira e të vështira. Por nuk është vetëm. Është Zoti që bëhet bashkudhëtar i Tij, është Ai bashkudhëtar i ynë.

Le të kujtojmë udhëtimin e dy nxënësve për Emaus dhe bashkëngjitja e Jezusit në ecje.

Ai hap sytë e tyre në ndarjen  e bukes.

Po ky është Jezusi që ne i lejojmë të udhëtojë me ne. Ai, na i hap sytë për të parë dhe na e forcon jetën për të mos ra nën peshën dhe ndikimin e mëkatit.

Jezusi, në çdo meshë na ofron Fjalën e vet për ta dëgjuar e për të korrigjuar jeten tonë. Na ofron nëpërmes bukës dhe verës vetveten si ushqim të shpirtit.

Prandaj ta falënderojmë Jezusin për këtë kafshatë që na e mundëson bashkimin me Të dhe çlodhjen në ecjen tonë nëpër shkretëtirë. Në fund na mundëson jetën e pasosur që nuk përfundon kurrë.

O Jezu, buka jetës, ushqeje popullin tënd, na ngushëllo dhe forco me fuqinë e bukës sate. Populli i zgjedhur, në shkretëtirë ishte i uritur, edhe ne në shkretëtirën e jetës që shpeshherë është e pranishme në ne, kemi uri dhe etje për Ty. Na ndihmo dhe forco që të qendrojmë besnik dhe të aftë për të kuptuar dhe zbatuar thirrjen tonë. Amen!

 

Lutjet e besimtarëve 

Të bashkuar një shpirti e një zemre si bij dhe bija të Zotit, si vëllezër e motra, të lutemi:

Dëgjoje o Zot, lutjen tonë!

– Dhuroja Kishës sate, o Zot, besnikërinë ndaj teje dhe Birit tënd, shpallësit të së vërtetës, të lutemi:

– Ripërtëritë o Atë në besimtarët e tu fuqinë për të bashkëpunuar me Ty për shenjtërimin e botës mbarë, të lutemi:

– Shndriti, o Zot, njerëzit të cilëve u është besuar kujdesi për të mirën e përbashkët që të kërkojnë dhe gjejnë zgjidhje për të mirën e të gjithëve, të lutemi:

– Të gjithë ata që materialisht qëndrojnë mirë, bëj të jenë zemërgjerë ndaj skamnorëve dhe atyre që janë në nevoja të ndryshme, të lutemi:

– Na ushqe gjithmonë o Zot me bukën e jetës që me dashurinë tënde të mundemi edhe ne të duam njëri tjetrin, të lutemi:

– Pranoj në amshim të gjithë besimtarët tanë të vdekur, të lutemi:

Në këtë gosti o Zot, Ti na nginë me dhurata tua të shumta, na jep sy që të shohim, veshë për të dëgjuar dhe zemrën që ndjen që të jemi të gatshëm të bëhemi bukë e gjallë për boten mbarë. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen!

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »