MREKULLIA E DHURIMIT

Jul 26 • Meditimi i ditës

26 korrik 2015 – E diela 17-të gjatë vitit(B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.

Merr tri herë frymë thellë, qetësohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim zhvillimi dhe zbulimi.

 

Liria

 

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Vetëdija

 

Jetoj në një rrjetë marrëdhëniesh – lidhjesh me natyrën, me njerëz, me Zotin.

I lejoj vetes t`i ndiej këto lidhje duke falënderuar për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, dëmtuar, ose janë ndërprerë:

për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo ç`po ndodhë në zemrën tënde.

 

Gjn6, 1-15

 

1 Pastaj Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. 2 E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. 3Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. 4 Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.

5Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit:

“Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?”

6 Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte.

7 “As dyqind denarë bukë ‑ iu përgjigj Filipi‑ nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.”

8 I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i SimonPjetrit:

9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?”

10Jezusi u tha:

“Thuajuni njerëzve të ulen.”

Në atë vend kishte shumë bar.

U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. 11Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve ‑ aq sa deshën. 12 E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” 13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukësh elbi.

14 Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” 15 Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.

 

Ç` po dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Në imagjinatë do të përfshihem në këtë vendngjarje. E marr me mend konfuzionin e Filipit: E shikoj djaloshin që heq dorë nga dreka e vet që ia kishte përgatitur nëna e vet. E shikoj Jezusin se si lutet, pastaj e thyen bukën dhe e ndan peshkun.

– Mrekullia që bëri Jezusi me bukë dhe peshk e bindi turmën e madhe se ai ishte profeti që po e kërkonin. Mësimi i tij, shërimet, ushqyerja e turmës lanë një përshtypje të thellë mbi ta dhe ua dëftuan praninë hyjnore të Jezusit.

– Jezusi është i pranishëm në ngjarjet e përditshme të jetës sime. Ai është i pranishëm në të gjithë ata që i takoj çdo ditë, veçanërisht në të varfrit, të margjinalizuarit dhe ata që kanë nevojë për ndihmën time. Kur e hap zemrën time dhe me dashuri i afrohem të tillëve, e takoj, gjithashtu, Jezusin.

  

Bashkëbisedimi

 

Zot, ti më njeh mëmirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj tëveprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »