FUQIA E SË VOGLËS

Jul 27 • Meditimi i ditës

27 korrik 2015 – E hënë, Shën Joakimi dhe Ana, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria

 

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas:

Dashuria, buzëqeshja, kujdesi dhe bashkimi.

 

Vetëdija

 

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 13, 31-35

 

31 Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër;

 

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në pemë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.”

33 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:

“Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet e gjitha.”

34 Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra 35 që të plotësohej fjala e profetit:

‘Do të flas në shëmbëlltyra,

do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi (i botës)’.

 

Ç` po dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Fara e sinapit dhe tharmi simbolizojnë rritjen, që bëri të mundur misionin e Jezusit. Duhet të na prekë çudia që një njeri–Jezusi–mund t`ia sjellë shpëtimin botës. Do të lus që kurrë mos të përpiqem ta zbus Zotin as ta zvogëloj madhësinë e tij duke e reduktuar atë në diçka që është e vogël dhe që mund të manipulohet. Zoti është mirësia e mbushur plot e përplot – që të rrëmben: besonë këtë dhe gëzohu!

– Jezusi ishte një predikues shëtitës nga një fshat i vogël. Ai nuk kishte ku të mbështeste kokën. Megjithatë, nxit një shumicë marrëdhëniesh ndër personale që i tejkalojnë hapësirën​​ dhe kohën. Ndërsa bashkësia e krishterë ka shumë dobësi falënderoj Zotinpër gjithçka që ajo arrin.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »