GJYSHET E KRISHTERA – DËSHMITARET E URTA TË UNGJILLIT

Jul 27 • Kisha në Kosovë

Festa e Shën Anës, nënës së Marisë Virgjër dhe Gjyshes së Jezusit

 

Shën Gjergj, 26 korrik 2015: Sot, në fshatin Shën Gjergj, filial i Famullisë së Zymit u kremtua festa e Shën Anës, nëna e Marisë Virgjër dhe gjyshja e Jezusit. Meshën qendrore të festës e kremtojë Don Fatmir Koliqi, në bashkëmeshim me meshtarë të dioqezit tonë, në praninë e besimtarëve të famullisë së vendi dhe të famullive përreth.

Predikatari i festës Don Fatmir Koliqi, duke bërë një hyrje për leximet e të dielës së shtatëmbëdhjetë gjatë vitit, kaloj tek festa duke u ndalur te figura e Shën Anës, kësaj gruaje, nëne, gjysheje të shenjtë.

Për jetën e saj dimë shumë pak. Shkrimi i shenjtë nuk ka rezervuar as edhe një rresht për jetën e saj. Gjithë atë që e dimë dhe mësojmë për jetën e saj dhe të shën Joakimit, pra prindërve të Marisë dhe gjyshërit e Jezusit, na vjen prej burimeve jo kanonike (Protoungjilli i Jakobit). Por kjo fshehtësi – theksoj Don Fatmiri – sikur dëshiron të na thotë se krejt jeta e saj, misioni i saj, kulmi i jetës së saj, është e përqendruar në lindjen e Marisë Virgjër; e kjo do ta prezantonte si gruan e cila do të luante një rol të rëndësishëm në historinë e shëlbimit, pjesë e një trashëgimie, në qendrën e së cilës do të shquhet vetë Biri i Zotit. Shën Ana është gjyshja e Jezusit, e Jezusi është nipi i Shën Anës. Nga bija e saj Maria, do të lind Biri i Zotit. Jezusi Krishti na ka mësuar, se pema njihet nga frytet, e kjo do të vlejë për Shën Anën, sepse nga shenjtëria e frytit saj, nga Maria virgjër, e papërlyera, ajo që u bë tabernakulli i gjallë i Zotit në tokë, ne vijnë në përfundim se prindërit e kësaj bije të Izraelit, dhe nënës së mbarë botës, kanë qenë të shenjtë.

Kremtimi i gjyshërve të Krishtit ka një domethënie të madhe për Kishën, sepse e kthen vetëdijen e thellë tonën për të përsiatur për ardhjen e Zotit në mesin e njerëzve, praninë e Hyjit në jetën e njeriut, pra një dashuri të pamasë për gjithçka që është njerëzore, një tregues për dhembshuri ndaj çdo plagë të njeriut, e në mënyrë krejt të veçantë na tregon mënyrën e shërimit të këtyre plagëve, na tregon vendin e përjetimit të pasioneve të njeriut; që është familja, me gjyshër, prindër, bijë e bija. Kjo vatër e mishërimit të Shëlbuesit, bëhet vatër e jetës sonë plotë gëzim, paqe e dashuri; bëhet vatër e njohjes së fesë dhe e shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Të nisur nga këto pohime të rëndësime, është bazuar edhe kulti i Shën Anës, i cili ka filluar të festohet në kishën e Lindjes qysh në shek. VI, kurse në Perëndim në shek. X.

Jeta e gjyshërve të Jezusit, prindërve të Marisë virgjës, kanë jetuar në një kohë vërtetë të hirit, të historisë së shëlbimit, sepse ishte koha e plotësimit të premtimeve të Zotit dhënë Abrahamit, ishte duke u plotësuar premtimi profetik i BV. Pikërisht Ana dhe Joakimi ishin të zgjedhurit për të lindur bijën e Izaraelit, të papërlyerën, e cila do të bëhet Hyjlindsja, Nëna e Zotit, Nëna e Shëlbuesit tonë.

Edukatorja e Marisë Virgjër?

Shën Ana është e rëndësishme për ne sot, sepse ajo kundrohet në relacionin me Marinë dhe Jezusin, si nëna e Zojës, gjyshja e Jezusit dhe gjyshja jonë. Pra në këtë raport është e pashmangshme dhe person i rëndësishëm në jetën e historisë së shenjtë, që ne e quajmë historia e shpëtimit.

Shën Ana na e tërheq vëmendjen për të kujtuar lidhjet tona familjare, na kujton sa e rëndësishme është tradita, trashëgimia dhe pashkëputshmëria mes gjyshërve, prindërve dhe fëmijëve; si e këtillë ajo na shfaqet si modeli traditor i familjes.

Shën Ana është e para që e ka mësuar Marinë Virgjër si të jetë nënë. Është kjo grua e shenjtë që është thirrur të jetë nëna e Nënës së Zotit, ishte thirrje prej Hyjit për të qenë misionare edukative e nënës së Jezusit.

Ja mësimi i për çdo nënë të krishterë: të jenë misionare, çdo nënë e krishterë ka thirrjen e misionares së edukimit njerëzor dhe fetar. Shën Ana – potencoi predikatari – e edukojë bijën e saj Marinë, të bëhet mbretëresha e Qiellit dhe e Tokës, e nënat tona të krishtera duhet të edukojnë bijat e tyre sikur një ditë të bëheshin mbretëresha, dmth. të edukojnë për projekte të mëdha për shoqërinë dhe kishën. Popujt dhe kisha formohen në prehrin e nënës, theksoj Don Fatmiri, duke e modifikuar thënien e burrshtetit francez Klemonsò.

Gjyshërit – të urtit e familjes

Të rinjtë e të rejat, bijtë e bijat në familje kanë nevojë për dëshmi të vlerave (ungjillore) dhe idealeve autentike, të njëmendta, ato vlera që kanë burimin tek Zoti, të forta si shkëmbi mbi të cilat do të ndërtojnë jetën e tyre. Kjo prani e vlerave dhe idealeve – shtoj Don Fatmiri – shfaqet me praninë e gjysheve dhe gjyshërve në familje, si; dashuri e pandërprerë, si ata që e ndezin dritën e shpresës për jetën, si dëshmitarë të së kaluarës, si të urtit e të tashmes dhe si shpresëdhënës për të ardhmen. Ata janë të urtit e jetës sonë fetare, eksperienca e të cilëve pasuron gjeneratat e reja.

Edhe populli ynë shqiptarë – vazhdoj – ka pasur dhe vazhdon ta ketë në gjirin e vet familjarë respektin e gjyshit, gjyshes, të moshuarve, edhepse kohët e reja e kanë zbehur paksa. Porse, mos të harrojmë – porositi predikatari – se rrugën që e kemi bërë deri këtu, si individ, popull, kishë, meritë të madhe kanë gjyshërit tanë, mbi supet e të cilëve kemi ecur të paluhatshëm, kemi ndjerë mbështetjen e tyre të sigurtë, e lutjet e tyre kanë nxjerr hire dhe bekime prej Zotit.

Nëna – bashkëedukarore me Zotin

Në fund të porosisë Don Fatmiri i porositi të gjitha nënat, gjyshet: lejoni Zotit të bashkëpunojë krejtësisht me ju, që Ai të ju bëjë të denja për fëmijët tuaj, që të jeni nënat/gjyshet më të mira të mundshme. Shndërrohuni në dishepuj autentik të Jezusit. Nëse ende nuk e keni bërë këtë pranim, sot është dita për të vendosur që ta pranoni Krishtin në zemrat tuaja, që Ai vetë të mund të banoj në shtëpitë tuaja e ju bekojë fëmijët tuaj përmes personit tuaj.

(Drita)

1

2

3

4

5

6

7

8

9

10

11

12

13

14

15

16

17

18

19

20

21

22

23

24

Shpërndaje

Comments are closed.

« »