DEMOKRACIA FILLON NË MENDIMET TONA

Jul 28 • Res socialis

Dr. Pavao Brajsha

Demokracia duhet të zhvillohet më së pari në mendimet tona. Në qoftë se ne nuk jemi në gjendje të mendojnë në mënyrë demokratike, nuk mund as të veprojmë e të sillemi në mënyrë demokratike. Te mënyra dhe përmbajtja e të menduarit tonë fillon demokratizimi i mjedisit tonë. Nuk ka asnjë ndryshim në veprimet dhe sjelljet tona, pa ndryshuar të menduarit/të reflektuarit tonë.

John G. Burnell, mendon se mënyra e të menduarit e përcakton përmbajtjen e tij, kurse përmbajtja i formon qëndrimet tona, e këto i përcaktojnë veprimet tona, me çka ndikojmë në rrethanat e jetës sonë, kështu që në fillim të çdo gjëje është mënyra e të menduarit tonë. Perandori romak dhe filozofi Marcus Aurelius është i bindur se mendimet e përcaktojnë karakterin dhe shpirtin e njeriut, dhe se jeta e një njeriu është ajo që mendimet e tij bëjnë prej tij. Shkrimtari i njohur Mark Twain, mendon se ajo që dikush mendon për veten e vet e përcakton fatin e tij. Philip James Bailey mendon se për të ardhmen tonë, më pak e rëndësishme është se çfarë bëjmë dhe se shumë më e rëndësishme është ajo që ne mendojmë. Psikologu dhe filozofi i famshëm amerikan Williams James thekson se zbulimi më i madh i brezit të tij është njohja se qeniet njerëzore mund të ndryshojnë jetën e tyre duke ndryshuar të menduarit e tyre. Filozofi Emerson beson se fitojnë ata që mendojnë se këtë mund ta bëjnë, dhe se njeriu është ajo çka ai mendon gjatë gjithë ditës. Psikiatri amerikan Karl Menninger thekson se qëndrimet janë më të rëndësishme sesa fjalët. Krijuesi i teorisë së të menduarit pozitiv Norman Vincent Peale siguron se rrethanat e jashtme janë më shumë të përcaktuara nga mendimet tona sesa mendimet tona nga to, se nuk ndërrojnë marrëdhëniet pa ndryshuar mendimet, sepse në mendimet tona formohen marrëdhëniet tona. Sipas tij, mendimi ynë është i gabuar për marrjen e rezultateve të gabuara, kështu që prapa dështimit njerëzor është gjithmonë mendimi i gabuar.

Çdo gjë që bëjmë dhe ndiejmë zë fill në mendimet tona. Mendimet tona përcaktojë se çfarë do të ndiejmë dhe se si do të sillemi. Pas çdo emocioni dhe akti, është një mendim. Ndryshimi i humorit (disponimit) dhe sjelljes sonë fillon në ndryshimin e mendimeve/ideve tona. Për të ndier ndryshe dhe për t`u sjell  ndryshe, duhet edhe të mendojmë ndryshe. Prandaj, ka shumë rëndësi ndryshimi i të menduarit tonë në mënyrë që të mund të ndryshonim edhe sjelljen tonë.

Edhe demokracia fillon në mendimet tona. Ne nuk mund të sillemi në mënyrë demokratike, nëse nuk mendojmë në mënyrë demokratike. Me mendimin jodemokratik domosdo shkon edhe sjellja jodemokratike. Shumë janë demokratë në fjalë, por rrallë në mendime dhe vepra. Demokracia në kokën tonë është një parakusht i demokracisë në sjelljen tonë. Për të duhet vendosur në vetvete dhe me veten tonë. Veprimeve demokratike u paraprijnë qëndrimet demokratike.

(Përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »