ÇFARË MBJELL DO TË KORRËSH

Jul 28 • Meditimi i ditës

28 korrik 2015 – e marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Para se të fillosh tërheqjen tënde shpirtërore, pusho një moment duke i lënë mënjanë shpërqendrimet.

Qetësohu dhe fokusoje mendjen dhe zemrën tënde në praninë e dashur të Zotit,

i cili është me ty ndërsa po nisesh në këtë rrugëtim.

Liria

 

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Vetëdija

 

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Zoti i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj avash

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mt 13,36-43

 

36 Atëherë Jezusi, mbasi i lejoi turmat, u kthye në shtëpi dhe dishepujt e tij iu afruan e i thanë: “Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë”.

37 Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut.

38 Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut,

39 dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës dhe korrësit janë engjëjt.

40 Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës.

41 Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi,

42 dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.

43 Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!”.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi përdor imazhin e arës për të shpjeguar praninë e së mirës dhe së keqes në botë dhe për të treguar se si këto forca manifestohen në fundin e kohës. Farën e mirë e mbjellë Jezusi që me dritën dhe dashurinë e tij më ndihmon të rritem në mënyrë që të mund të jap shumë fryt, dhetë shkëlqej si dielli në Mbretërinë e qiejve.

– Shpreh falënderimet e mia për frytet e besimit dhe mirësisë me anë të të cilave Jezusi vepron në jetën time. Ia paraqes të gjitha dobësitë që mund të pengojnë rritjen time si fëmijë i Hyjit. Në dritën e dashurisë së tij të madhe ndaj meje, lus për faljen e mëkateve.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.

Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »