KOHA E PËRTHYER E KARPËS

Jul 28 • Letërsi

Homazh malli për 90 vjetorin e lindjes të Martin Camaj

Shkruan: Prof. Dr. Matteo Mandalà

1
Karpa përbën një etapë kyçe në veprën letrare të Martin Camajt. Nuk është e vështirë të gjesh aty ato elemente topike e formale që e lidhin në mënyrë koherente, madje gjenetikisht, me veprat në vargje dhe në prozë që paraprijnë këtë roman, a thua se këto janë një lloj ushtrimi parapërgatitor, a më mirë të themi një lloj eksperimenti që shkrimtari i shquar kreu në funksion të shkrimit të këtij romani. Para se të rrekemi ta vërtetojmë këtë konstatim, duhet të themi qysh në fillim se Karpa nuk paraqet aspak, sikundër mund të duket në vështrim të parë, pikën kulmore të parabolës ideologjike që zuri fill me mërgimin e autorit në dhe të huaj. Dhe kjo jo vetëm sepse testamenti i vërtetë letrar i Camajt do të shpallet pas vitit 1987 kur u botua Karpa, tashmë përmes përmbledhjes me poezi lirike Palimpsest, që ishte edhe vepra e fundit e botuar nga autori, por mbi të gjitha sepse romani Karpa, duke qenë konceptuar si guri qendror që do të duhej të mbante qemerin e ngrehinës poetike të Camajt, njëherazi dëshmon se autori kishte ndër mend të shkruante të tjera vepra në prozë, ku do të trajtonte në frymë autobiografike temën e përmasës ekzistenciale të njeriut bashkëkohor. Kjo kategori ungaretiane përshkon tejendanë veprën e autorit deri në atë masë sa ai bëhet jo vetëm përçues i vetëdijshëm, por edhe përtëritës i saj, duke e interpretuar në dritën e një gjendjeje ontologjike vetjake, pra biografike, tejet origjinale. Në fakt, parë në këtë këndvështrim, romani Karpa shfaqet si një hallkë lidhëse me veprat që do të duhej të shkruheshin më pas. Për këtë arsye, sipas mendimit tim, ky roman mbetet kyçi që, nga njëra anë, do t’i lejonte të përkryente atë projekt letrar që e zinte fillin qysh nga krijimet e para hermetike dhe, nga ana tjetër, do ta ndante autorin përfundimisht nga eksperimentalizmi italian i neoavangardës së viteve gjashtëdhjetë, që Camaj gjithsesi nuk diti a nuk deshi ta mohojë krejtësisht.

Natyrisht askush nuk mund të vërtetojë sot se pikëpamja mbi jetën dhe vdekjen, ngërthyer në veprën Palimpsest, përbën pa dyshim përmbylljen e asaj trajektoreje ideologjike që ka për hallkë qendrore romanin Karpa. Madje as mund të merret me mend, edhe përmes një shqyrtimi të vëmendshëm të veprave të tjera, ç’drejtim do të kishte marrë poetika e Camajt sikur të mos ishte ndarë nga jeta para kohe. Lexuesi i vëmendshëm gjendet pashmangshëm përpara një sfide: t’i bëjë ballë marramendjes dhe ndjesisë së përhumbjes që shkakton leximi i Karpës dhe ta kërkojë çelësin e leximit te vetë teksti i romanit. Por edhe kjo këshillë, sado e afërmendshme dhe e mirëqenë të duket, zor se do t’i mjaftojë lexuesit, nëse ky nuk do të njohë disa elemente jashtëtekstore si ato që vetë Camaj zbulonte gjatë bisedave me miqtë.

2
Në një studim të shkurtër gjuhësor, botuar në vitin 1981, mbi etimologjinë e fjalëve “bjeshkë e vërri”, Camaj merrej edhe me historinë e një fjale të tretë, duke parashtruar argumente toponomastike, etnografike dhe shoqërore:

«Nga karme-ja ‘roccia rasente le rive dei fiumi’ (Bashkimi, 184) vjen edhe emni i vendit Karmë-a që gjindet buzë lumit të Drinit në rrethin e Pukës. Ende nuk ashtë vu në dukje nga etnografët se shumësi i kësaj fjale karmat shënon, mbas bjeshkës e vërrinit, të tretin vendbanim të popullatës malore në sistemin e tranzumancës. Karmat quhet ai vend buzë lumejve, i mbrojtun nga shkambij të naltë, ku kalojnë barijtë me tufat e bagëtive të imëta, dhen e dhi, kohën ma të acartë të dimnit. Ndër karma gjindet edhe në dimën blerim dhe pranvera vjen ma shpejt, andaj edhe kullota për berre. Por jo të gjitha vërrijet kanë karma, domethënë, strehime buzë lumejve ashtu si banorët e maleve andej e këndej Drinit, në rrjedhën e mesme të tij».

Të thërrasësh në ndihmë këto të dhëna për të caktuar një qasje kritike efikase ndaj romanit Karpa nuk është as pa vend e as e tepërt. Nuk është pa vend sepse nëse argumenteve të mësipërme u shtohet saktësimi se «karmë-a ose karme-ja janë variante të fjalëve karpë-a dhe krep ‘shkamb, curr i thepisun’», del qartë lidhja mes shënimeve etimologjiko-etnografike dhe romanit, sidomos titullit të tij. Nuk është e tepërt sepse falë kësaj të dhëne ndërtekstore mund të rrokim elementin më tëhuajëzues të romanit.

A nuk është e vërtetë se në romanin Karpa, pikërisht në faqet e fundit të pjesës me nëntitullin Kuadri i dytë, ka një episod ku Voni merr vesh se historia që tregohet në skedat kompjuterike që gjeti në shtëpinë e gurtë pa hyrë në qytet, ishte «përpunimi i një historie fantastike që u shkrue mbas gjase mes 1975 e 1980»? A nuk është e vërtetë se ndërthurja e dy historive fantastike – ajo që sapo përmendëm, shkruar me gjasa pak përpara botimit të studimit etimologjik, dhe tjetra që rrëfehet në roman e që zhvillohet në vitin 2338 – përbën anën turbulluese që jeta pasqyron në art dhe që ky i fundit ka privilegjin, a më mirë të themi nderin të përfaqësojë? Atëherë përse të mos pranojmë si çelës shpjegimi të romanit Karpa hipotezën se autori ka derdhur aty një pjesë të jetës së tij, a më mirë të themi pjesën më të mirë të artit të tij?

Këto pyetje që pata rastin t’ia bëja Camajt, morën përgjigje vërtet të papritura. Por para se të merremi me to, është rasti të vëmë në dukje se ai syth tekstor falë të cilit rrokim lidhjen e thellë që ekziston mes një përvoje jetësore dhe pasqyrimit të saj në art, luan një rol të dorës së dytë që gjithsesi nuk do nënvlerësuar: ai shërben për të lidhur fillimin me fundin e romanit. Këto dy pjesë që Camaj i shënon me dy nëntituj Kuadri i parë dhe Kuadri i dytë, shërbejnë për të dalluar dy pjesët qendrore të romanit, por edhe për t’i izoluar ato si dy korniza. Ky funksion ndërtekstor është po aq i qartë sa edhe ai tjetri me anë të të cilit autori synon të zvogëlojë efektin surprizë përmes shtënies në diegjezë të një elementi vërtet turbullues. Tek e fundit, edhe pse vetëm në këtë pikë të tekstit autori na zbulon se Voni, protagonisti i ri, nuk ishte larguar kurrë nga shtëpia ku ishte strehuar dhe se nuk e kishte marrë kurrë udhën e gjatë drejt Karpës, lexuesi ishte paralajmëruar qysh nga nëntitulli Kuadri i parë për paradoksin kohor që ngërthen diegjezën e veprës. Në fakt, shtegtimi i Vonit nuk është një udhëtim i mirëfilltë në hapësirë, por një vegim, një ëndërr që shkaktohet nga leximi i një historie, pra një halucinacion që e ka burimin te fuqia magjepsëse e fjalëve të shkruara. Mund të shtonim se pretendimi për t’i dhënë kësaj shfaqjeje turbullimi një karakter strukturor përligjet më së miri edhe nga hollësi të tjera kuptimplota, si fjala vjen, nëntitulli i parë që jo më kot quhet nga autori “rrotullimi i kohës” dhe që përvijon qartë zhvillimin diegjetik qysh prej fillimit të romanit, duke e paralajmëruar lexuesin mbi mënyrën se si mund t’i shkojë filli rrëfimit. Por vlera e paradoksit kohor të Karpës, siç mund të merret me mend, shkon përtej kësaj të dhëne strukturore dhe arkitektonike. Në fakt, Voni ndjek një itinerar kohor: duke lexuar, ai ecën mbrapsht në kohë dhe kjo mënyrë ecjeje nuk dallon shumë nga ajo e një studiuesi të së shkuarës, fjala vjen e një gjuhëtari, që përmes të dhënave historike shpjegon prejardhjen e fjalëve, vendos lidhje me fjalë të tjera, studion përkimet formale të tingujve, ndjek zhvillimet semantike, me fjalë të tjera rindërton një botë tashmë të shkuar, që nuk jeton më.

3
“Është një roman kompleks; rrëfen dëshirat e papërmbushura të jetës sime”, pëshpëriti Martin Camaj, duke më zgjatur një kopje të Karpës ku kishte shkruar një nga kushtimet më të dashura për mua. Kishte ardhur të merrte pjesë, si çdo vit, në Kongresin e përvitshëm Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare që profesor Antonino Guzzetta organizonte në Palermo, ku mblidheshin studiuesit perëndimorë më të shquar të albanologjisë. Aty për aty nuk e rroka dot kuptimin e thellë të asaj fraze lapidare dhe enigmatike, madje as që isha i sigurt nëse e kishte një kuptim apo u shqiptua ashtu thjesht sa për të thënë diçka. Vetëm vite më vonë kuptova se ajo frazë, që m’u soll për ca kohë në mendje, ishte bërë shkasi që më shtyu t’ia hyja diskutimeve të gjata me Camajn mbi romanin Karpa. Fillimisht kisha menduar të përmblidhja në këto faqe thelbin e atyre diskutimeve, të cilat së bashku me analizën e tekstit do të përbënin një hipotezë të denjë interpretimi. Rastin më të mirë ma jepte pikërisht shkrimi i kësaj parathënieje, që do të përmbushte kështu edhe një dëshirë timen të vjetër për të shkruar një studim mbi romanin e Camajt.
Mirëpo më pas ndërrova mendje. Gjatë punës përgatitore për shkrimin e parathënies së romanit Karpa vendosa të mos i zija ngoje marrëdhëniet private që kam pasur qysh nga viti 1985 me Camajn. Ky vendim i prerë buronte nga dëshira për të pasur një qasje kritike profesionale ndaj romanit Karpa, pra për t’i vënë një kufi deontologjik lëmshit të kujtimeve dhe emocioneve që do të më ngjallte rileximi i veprës. Për ca kohë ia dola t’i bëja ballë tundimit. Derisa një episod më bëri të ndërroja sërish mendje.

Mes shënimeve të vjetra që kisha mbajtur dikur mbi Karpën gjeta disa fletë që më kishte dërguar Camaj nga Lenggries-i në shkurt të vitit 1992. Ishin disa faqe të fotokopjuara të romanit, ku autori, tashmë i sëmurë rëndë, kishte bërë disa shënime në italisht, si edhe një skedë e shkurtër e daktilografuar që po e sjellim këtu poshtë:

«Karpë,-a, karmë,-a “posto roccioso alla riva dei fiumi”. Tali posti servono come rifugio e sono ricchi di pascoli, specie in gennaio, poiché in tali posti non nevica. I Dukagjin in karpa nascondevano le loro famiglie (donne e bambini), nonché il bestiame per salvarli in tempo di guerra dalle scorrerie degli eserciti stranieri. Qui, come titolo, Karpa simboleggia una rocca inaccessibile, abitata da gente altrettanto inaccessibile e, in sostanza, selvaggia. Dentro le rocce, si conserva un’antichissima cultura che è da esplorare. Karpa, karma, karp significa “sasso, pietra tagliente ed acuta”; è una delle parole più antiche della lingua albanese; secondo gli indoeuropeisti è un termine illirico-trace (cfr. Vasmer, Çabej, Pokorny, ecc.), da una radice indoeuropea *s-ker- “tagliare” ovvero “oggetti taglienti”, da cui ÊáñðÜôçò –ñïò (cfr. Ptolomeo), lituano: kerpù “tagliare”, sanscrito krapana-h “spada”, parola messapica pure conservata nei dialetti pugliesi e salentini: carparu, “specie di sasso”. Karpa, Karma (< *korp-n-, cfr. gjalp- gjalm “corda di lana”) è usato come toponimo, cfr. Karma sul Drin nella parte diruposa tra Puka e Vau i Dêjës».1

Duke rilexuar këto shënime pas gati njëzet vjetësh nuk mund të mos vija re mes rreshtash shenjat e entuziazmit, të pasionit dhe të dashurisë që Camaj përçonte me fjalët, imazhet dhe iluzionet e tij. Këto shënime, ashtu si pa kuptuar, zunë të fitonin një funksion epifanik si ai i madeleine të Proust-it. Në fillim duke rizgjuar kujtimet që njëri pas tjetrit zunë të mbushnin zbrazëtinë që la ajo ditë e 12 marsit e vitit 1992. Më pas, duke më shtyrë t’i përdor ato si lëndë të parë për t’i mbijetuar mbytjes së gjemisë, siç bëri Robinson Crusoe. Së fundi, duke gjetur në atë mbivendosje të çuditshme të dy sferave të jetës dhe të artit çelësin e leximit tëhuajësues të Karpës.

4
Ç’është atëherë Karpa? Me siguri që është një vend real, siç e dëshmojnë të dhënat gjuhësore që zumë ngoje. Karpa mund të vendoset në viset e Dukagjinit, që përshkohen nga lumi Drin, pra në ato vise ku Camaj lindi dhe kaloi rininë e hershme. Nga kjo pikëpamje mund të themi se rrëfimi i Camajt e merr shkasin nga malli për atdheun e humbur e mund të shtonim, bashkë me Arshi Pipën, se pikërisht tek ai mall aq i pranishëm në letërsinë e diasporës Camaj ka bazuar sistemin e tij të përfaqësimit, pra “të qenët shkrimtar”. Ky është pa dyshim një gjykim kritik i patëmetë, posaqë mban parasysh, edhe pse nuk e thotë hapur, borxhin e madh që i kishte Camaj arbëreshëve dhe letërsisë së tyre të mallit, sidomos poemës së Zef Skiroit Te dheu i huaj, që jo më kot autori i Karpës e vlerësonte shumë. Por ky aspekt i poetikës së Camajt, sado i rëndësishëm, nuk mjafton për të shpjeguar deri në fund veprën e tij. “Karpa”, fjala vjen, nuk përkon kryekëput me Shqipërinë e përfytyruar dhe të dëshiruar nga arbëreshët, ndërsa ndjenja e mallit që duket se bashkon të dyja palët në fakt është krejt i ndryshëm, sepse të ndryshme janë dy vizionet përkatëse të botës: i thjeshtë dhe konkret vizioni arbëresh, më kompleks dhe abstrakt ai i Camajt. Këtë e dëshmon katërçipërisht qoftë kreu me titull Kopshti zoologjik, ku bien në sy përsiatjet e autorit mbi natyrën e lëkundur dhe të pasigurt të arbëreshëve, qoftë edhe pikëpamja ndërtekstore dhe kulturologjike që shprehet nga një citim prej komedisë së Shekspirit Nata e dymbëdhjetë, ku është rasti të ndalemi pak.

Ky epigraf luan rolin e shenjuesit të paratekstit. Në fakt, duke i paraprirë titullit ai përvijohet, nga njëra anë, si një gjenerator i mirëfilltë kuptimi, nga ana tjetër, si një projekt i vërtetë letrar, a së paku si një busull që tregon kahjen e leximit kritik. Shtegtimi fantastik dhe irreal i Vonit në vendin e “karpateve” të sjell ndër mend udhëtimin që ndërmerr Viola e komedisë së Shekspirit në Ilirinë e panjohur, që në epokën elisabetiane ishte prototipi i vendit gjeografik misterioz dhe imagjinar e për këtë arsye i përshtatej më së miri një komedie që sillet rreth mashtrimit. Në një vështrim të parë dhe të përciptë të dyja vendet, Iliria e Shekspirit dhe Karpa e Camajt, duken të ngjashme, madje të njëjta nga pikëpamja funksionale, sepse janë dy vende të largëta, jashtë historisë, do të thoshim mitike. Sikur të mos ishte kështu nuk do të gjenim në romanin e Camajt as këshillën drejtuar Vonit (“Por mos kujto se tue zbulue Karpën gjete dhe Ilirinë, apo se po të duket në ekran emni i ndoj legjende, e asaj të Motit të Madh, për shembull!”) e as saktësimin që mbart në vetvete një të vërtetë paradoksale (“sikur Iliria të ishte hija e Karpës, ana e zezë e saj, andaj e ndalueme të zihet ndopak në gojë”). Mbi të gjitha nuk do të zbulonim se gjithë rrëfimi i udhëtimit drejt rrënjëve të një kulture të lashtë në të vërtetë ishte zhvilluar “si në teatër”, pra si një shfaqje brenda një shfaqjeje edhe më surreale se ajo që jemi mësuar të gjejmë në letërsinë e turbullimit. Jo më kot sekreti që ngërthen romani do të zbulohet vetëm kur Voni do ta kuptojë se ngaqë ka luajtur, sikurse personazhet e tjera, “rolin e hijes së vet”, ai nuk është as një figurë prej letre e as imazhi i dyfishtë i një njeriu të vërtetë, sikundër mund të mendojnë lexuesit e pavëmendshëm. Voni është një qenie e destinuar të mbijetojë falë vetive mbinjerëzore që i jep arti i të shkruarit, qoftë të një kronike anonime si ajo që gjeti në shtëpinë e gurtë, qoftë të një romani si Karpa. Ky parim i shfytyrimit të rremë të botëve të trilluara dhe të banorëve të tyre i jep letërsisë të drejtën të sfidojë vdekjen në emër të jetës.

Bota e trilluar e Karpës është ngritur mbi dy shtylla: nga njëra anë, mbi atë historiko-gjuhësore, që i lejon Camajt të çjerrë velin e pluhurosur të kujtesës e të depërtojë me fuqinë e fantazisë krijuese në skutat e një të shkuare të moçme të padëshmuar nga fiset e malësorëve shqiptarë; nga ana tjetër, mbi shtyllën antropologjike, që i jep mundësinë të shfrytëzojë prirjen kulturore primitive e instinktive të shqiptarëve për ruajtjen e llojit, urtësinë e tyre të lashtë zakonore, aftësinë e tyre arkaike për t’u përshtatur me çdo kusht, me fjalë të tjera, botëkuptimin e tyre që ndër shekuj ia kishte kalitur aq shumë shpirtin, sa i kishte bërë të paprekshëm nga rrjedha e historisë. Bazuar në këto dy shtylla Camaj ia doli të rrëfejë qoftë përvojën e vështirë të të mërguarit në kërkim të qendrës së humbur të rëndesës, qoftë edhe përvojën e shumë individëve të cilët, si shkëmbinj të ngulur në tokë, janë kredhur kokë e këmbë në anonimatin e bashkëkohësisë, e për këtë arsye janë ngurosur si fosile të palëvizshme dhe të pandjeshme ndaj rrjedhës së historisë. E tillë është dhe kultura e tyre e egër dhe e padepërtueshme: kokla traditash dhe kujtimesh që përsëriten prore, pa u cenuar sadopak nga moderniteti.

Posaqë paradoksi kohor i Karpës nuk bazohet mbi kundërvënien mes epokave të ndryshme, a më mirë të themi, mbi kalimin shungullues nga e shkuara në të ardhmen dhe anasjelltas, por mbi sfidën ndaj çdo gjëje të rastësishme dhe jetëshkurtër, atëherë mund të themi se thelbi i atij paradoksi qëndron në përpjekjen për të paraqitur një kohë pa lëvizje, që fshin kundërvënien mes jetës dhe vdekjes. Me këtë model antropologjik përkon tipi kulturor “karpatik”, banori vizionar i një qyteti imagjinar, që Camaj e skalit mjeshtërisht, duke i kushtuar vëmendje të posaçme veçorive gjuhësore, tipareve të jashtme dhe natyrisht përcaktimit simbolik.

Tek e fundit, nëse edhe Camaj, ashtu si Defoe, i besoi personazhit të tij detyrën “të rindërtojë” një botë që t’i ngjasojë atij, duke e lejuar të përdorë të gjitha mjetet e mundshme, përfshirë rrënojat dhe mbeturinat, siç mund të jenë copëzat e kujtimeve dhe të mallit, ky qëllim nuk mund të arrihej veçse përmes krijimit të atij vendi ideal, imagjinar, magjik, origjinal ku njerëzit ëndërrojnë të lënë dëshirat e papërmbushura.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »