FJALA DHE SHKRIMI

Jul 29 • Histori

Shkruan: Dedë Palokaj

Gjuha është dukuri njerëzore e cila lindi si nevojë e domosdoshme për komunikim.[1] Shkenca mbi gjuhën (linguistika) dëshmon se gjuha është përcjellës i pashmangshëm i qenies njerëzore e cila lindi që nga krijimi i njerëzve të parë. Pa gjuhën dhe shkrimin nuk do të dinim asgjë për të kaluarën as të sotmen. Puna, mendimi dhe gjuha janë krijuar së bashku në të njëjtën kohë.[2]

Foshnja e posalindur nuk din të flas sepse nuk e ka të zhvilluar organin e të folurit. Mungesa e të folurit e nxit trupin për komunikim të heshtur. Kjo do të thotë se njeriu përveç gjuhës në mënyrë instinktive mëson  të përdorë me të njëjtën mënyrë edhe një gjuhë tjetër, atë që quhet “gjuha trupit ose gjuha fizike” e cila shoqëron të folurit tonë. Kjo do të thotë se njeriu zotëron aftësinë për të transmetuar mesazhe që behën të kuptueshme jo vetëm nëpërmes përdorimit të fjalëve dhe zërit që janë dy “vegla” kryesore për komunikim, por edhe duke përdorur lëvizjet e duarve, të fytyrës, kokës apo trupit të tij ose akoma duke përdorur edhe shqisat, si p.sh. nuhatjen, dëgjimin etj.

Fytyra dhe sytë tanë shpeshherë pasqyrojnë ndjenjat tona, frikën, gëzimin, surprizën, të vërtetën dhe gënjeshtrën. Një mesazh ose informacion, për ta transmetuar zakonisht i përdorim tri ‘vegla’: fjalën, zërin dhe lëvizjen ose simbolin. Shtrirja e dorës, shprehja e fytyrës, shikimi i ashpër apo i butë, ngritja apo ulja e zërit etj. flasin mbi gjendjen tonë shpirtërore, mbi atë se çka po ndodhë ndërmjet njerëzve. Duke u rritur dhe duke mësuar të flasim, nevoja fillestare e “gjuhës së trupit ” kufizohet, sepse me anë të fjalëve mund të shprehemi me qartë dhe më saktësisht. Kështu zhvillojmë të folurit dhe të menduarit tonë.

Fjala është diçka e thënë me gojë, e shprehur nëpërmjet një tingulli apo grupi tingujsh që tregon një kuptim, përshkrim, vend, lajm apo mendim. Fjala është pjesë themelore e marrëveshjes (komunikimit) gojor midis njerëzve.

Gjuha është instinkt natyror i fshehur në mendjen e çdo njeriu që nga lindja e tij, dhe njëkohësisht, fitohet nga ambienti në të cilin jeton dhe formohet përmes shkollimit dhe edukimit ku njeriu zhvillon kulturën e të folurit.

 “Nëna” gjuhë ka ekzistuar qysh në të kaluarën e lashtë parahistorike e cila është fol nga njerëzit të cilët nuk i njohim. Gjuha ishte bashkudhëtare besnike me mendimin, meditimin, gjykimin dhe vlerësimin. Njerëzit filluan të komunikojnë mes veti, të mendojnë e padyshim të shprehin ndjesitë e tyre. Por që të gjitha këto ishin në fazën fillestare.

Komunikimi dhe mendimi, nuk arriti të shpjegonte drejt dukuritë e natyrës dhe jetës së përditshme. Lëkundjet e tokës, pastaj zjarret, thatësirat, të ftohtit apo reshjet e dendura ishin të vështira për tu kuptuar dhe për tu shpjeguar nga njeriu i hershëm parahistorik. Kjo bëri që njerëzit të krijojnë bindjen se një forcë e mbinatyrshme me kujdes kontrollon natyrën duke i përfytyruar dhe adhuruar si perëndi dukuritë natyrore me emra e me një hierarki të caktuar. Mbase për të frenuar këto dukuri, ata i drejtoheshin një besimi, botëkuptimi dhe bindje fetare për diçka të mbinatyrshme që mund të zbuste sadopak dëmet që vinin nga dukuritë e sipërmendura. 

Në historinë e njerëzimit zbulimi i shkrimit (paleografia) dhe përdorimi praktik i tij është mjaft i lashtë dhe shënon periudhën e historisë kur zhvillimi i shoqërisë njerëzore dëshmohet me shkrime dhe me dokumente historike. Sikur se hapësira që nuk mund të ndahet nga koha, ashtu edhe shkrimi nuk mund të ndahet nga fjalët (gjuha).Pas komunikimit gojor, kultura e shkrimit është mënyra e parë e komunikimit mes njerëzve, dhe mjeti i parë i përdorur për ruajtjen dhe përcjelljen e të dhënave dhe informacioneve.

 

SHPIKJA E SHKRIMIT

Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se njeriu në periudhën parahistorike bënte hulumtimin e visarit të germave. Me këto kërkime dëshironte ta hap derën e madhe të historisë. Mbi këtë na dëshmon numri i madh i shenjave – germave të kulturës së vinçës dhe të kulturave tjera në tërë territorin e Ballkanit të cilat na flasin për gjurmët e para të paleo – shkrimit.

Historia e përfshin periudhën nga shpikja e shkrimit e deri në ditët e sotme. Shkrimi është shpikur gjatë historisë së lashtë në disa vende, pavarësisht njëri nga tjetri dhe për këtë në historinë e shkrimit përmendet Kina, Mesopotamia, Egjipti etj. U përdorën disa sisteme shkrimi: kinezët përdornin ideogramat, ku një simbol (shenjë) shprehte një fjalë, sistemi sumer i Mesopotamisë përdori sistemin kunjor ku një shenjë kunjore shprehte një fjalë gjithashtu, por në formë tjetër. Sistemi egjiptian i shkrimit përdori hieroglifet, ku secili prej tyre shprehte një fjalë. Sistemi i lashtë indian “Devanagari” ka qenë më i përhapur, sepse ka përdorur për çdo rrokje një simbol.

Historia botërore e shkrimit dëshmon se shkrimin më të vjetër në botë e kanë shpikur sumerët në Babiloni të cilët jetuan rrethë 5 000 vjet para Krishtit. Sumeret konsiderohën popull i parë i një kulture të qytetëruar që lanë pas vete monumente të shkruara. Shkrimi kunjor sumer njihet qysh nga viti

3 300 para Krishtit. Ndërsa në historinë e alfabetit si më i vjetër përmendet alfabeti egjiptian, i krijuar rreth vitit 2 900 para Krishtit. Nga ky alfabet më pas rrjedh alfabeti fenikas i shekullit 11 para Krishtit. Më pas nga fenikasit rreth shekullit 9 para Krishtit alfabetin e morën, grekët, e përmirësuan dhe e plotësuan dhe prej tij rrodhi më pas alfabeti latin.

Shkrimi piktografik[3] sumer (proto – Sumerian pectographic script) nga Uruku i Bagdadit qe deri tani është konsideruar shkrimi më i vjetër në botë, i krijuar rreth vitit 3 300 para Krishtit.

Mirëpo, kërkimet e reja të studiuesve të shkrimit dhe alfabeteve të lashta, tregojnë se njerëzit e parë në botë që kanë shpikur germat dhe që kanë përdorur alfabetin për të shkruar gjuhën e tyre kanë qenë pellazgët, banorët më të lashtë dhe të vetëm të Europës, Azisë së Vogël dhe rajonit të Mesdheut. Autorët antikë e përmendin shkrimin dhe alfabetin pellazg.

Pellazgët përdorën alfabetin në gjuhën e tyre pellazgjishte qysh nga koha e mezolitit (koha e mesme e gurit) 12 000 vjet para Krishtit.

Sipas shumë studiuesve shqiptarë e të huaj, pellazgët ishin paraardhësit e ilirëve, bartësit e kulturës së neolitit dhe të fillimit të epokës së bronxit të cilët më vonë u mbuluan nga helenet e ardhur, dhe u asimiluan prej tyre. Germat dhe abecedarit pellazg janë shpikur dhe përdorur qysh gjatë mijëvjeçarit të 6 para Krishtit për të cilën sot ka prova mjaft të sigurta dhe bindëse. Shpikja e alfabetit pellazg ka rëndësi të jashtëzakonshme në historinë botërore, sepse ndodhi një herë në histori dhe ai përdor një shenjë (simbol) për çdo tingull, ashtu si dhe sot. Nga alfabeti pellazg rrodhën më pas të gjithë alfabetet e botës. Fillimisht atë e përhapen pellazgët në Mesdhe, Kretë dhe Azi e Vogël dhe fenikasit dhe etruskët gjatë shekullit 11 para Krishtit. Latinët e gjetën gati dhe e kopjuan nga etruskët atë që quhet sot alfabeti latin. Prej alfabetit pellazg u formuan më pas alfabetet hebre, grek, arab dhe çirilik.

Alfabeti pellazg përmendet shpesh edhe nga autoret antik, por dijetarët e mëvonshëm nga shkaku i falsifikatorëve, atë e braktisën dhe e harruan. Provat më bindëse për përdorimin e këtij alfabetit apo më mirë të abecedarit pellazg, janë ndeshur në “Kulturën e Vinçes”, e zbuluar në truallin e sotëm të Serbisë, që është zhvilluar gjatë neolitit në mijëvjeçarin e 6 para Krishtit. Në kulturën neolitike të Vinçës, që shtrihej në gjithë gadishullin e Ballkanit, gjatë mijëvjeçarit të 6 para Krishtit janë zbuluar mbishkrime të lashta deri tani të pavlerësuar nga ana gjuhësore.[4] Në këtë lokalitet arkeologjik u zbuluan më shumë se 300 artefakte të cilat na ofrojnë një pasqyrë të vërtetë të “shkrimit parahistorik”. Në bazë të analizës për matjen e lashtësisë, (metoda C -14) mësojmë se ‘shkrimi’ i Vinçës është shumë më i vjetër se sa  shkrimi protosumer i cili deri me tani është konsideruar si shkrim i parë i qytetërimit botëror.[5]

Artefaktët e zbuluara tregojnë se germat e paraqitura në kulturën e Vinçës nuk janë përdorur vetëm për të shënuar punëtorinë e një vendi, apo mjeshtrin e punimit, por kanë shërbyer për komunikim të gjërë.[6] Në objektet e kësaj kulture janë të gdhendura mbishkrimet të cila paraqesin shkrimin.[7]

1111111

Kultura e Vinçës: Fragment i një ene balte me mbishkrim. Germa “M”e alfabetit (5 500 – 4 500 v. para Krishtit)

2222

Kultura e Vinçës: Shtatorja e një gruaje e veshur me fustanellë

3333

Shkrimi sumer: Mileniumi i tretë p. Kr.

Shkrimi është petk i jashtëm i fjalës ku përmbajtja dhe forma janë të veshura me fjalën e shkruar. Përdorimi i shkrimit është mjeti më i rëndësishëm për ruajtjen e fjalës nën të cilën fshehet e vërteta apo gënjeshtra. E folmja (ligjërimi, predikimi, këshillimi, këndimi, bisedimi i gjallë etj.) me kohë del nga mendja dhe harrohet, por shkrimi ruan me kujdes për të mos u zhdukur thesari i fjalës së fshehur.

Periudha më e lashtë dhe më e gjatë është parahistoria, periudhë kjo kur ende nuk ishte zbuluar asnjë formë e shkrimit për të shkruar në një gjuhë të caktuar. Edhe pse parahistoria daton që nga krijimi i gjthësisë, ky termin shpesh shfrytëzohet për të emërtuar periudhën kur u paraqit jeta në tokë. Periudha parahistorike përkon me kohën njeriut analfabet. Edhe pse njeriu i asaj kohe nuk kishte arritur të shkruaj dhe të lexoi, mirëpo ai dinte të gjykoj, të kuptoj dhe të mbahej gjallë në jetën e përditshme shoqërore në një mënyë të ulët jetese, karakteristik kjo për shoqërinë e hershme njerëzore.

Fjala e pashkruar e njeriut parahistorik e kishte rëndësin dhe mesazhin e vet. Nevojat e veta njeriu i kësaj periudhe i definonte me anë të mendimeve dhe fjalëve të shprehura. Çdo gjë përcillej me gojë e jo me shkrim. I drejtuar në fjalën si mjet komunikimi njeriu i atëhershëm kujdesej për realitetin e përgjithshëm dhe traditat primitive për t’i zbatuar në jetë rregullat e përgjithshme jetësore.

 Ruajtja e traditës dhe normave zakonore trashëgohej nga një brez në tjetrin dhe zhvilloheshin më tej si një thesar i çmuar. Rëndësia e fjalës ishte mjet i thjeshtë njoftimi dhe komunikimi që mundësonte mënyrën e jetesës në kushte të shumë të vështira ekonomike dhe përherë në luftë me forcat e ashpra të natyrës dhe të ndryshimeve klimatike për të mbijetuar. Edhe pse shumçka mbetët e paqartë dhe e errët për atë kohë, reliktet, veglat e punës, mënyra e jetesës etj. kanë mbetur dëshmi e kuptueshme deri në ditët tona.

 Mendimi, gjykimi, shprehja e ndjenjave të gëzimit dhe pikëllimit qoftë me anë të këngës, vallëzimit apo formave tjera si dhe pasqyrimi i botës objektive dhe subjektive shprehej përmes simboleve, vizatimeve, figurave të thjeshta primitive dhe veglave të punës. Mbi këtë flasin gjetjet e kulturës materiale të arkeologjisë parahistorike. 

Thuhet se popujt e bëjnë historinë. Librat e shkruara s’janë gjë tjetër veqëse kujtesë e popujve të ndryshëm. Duke rrëmuar kujtesën e Popullit të Izraelit dhe të fesë krishterë shofim se që nga fillimi është trashëguar përvoja  e besimit (fesë) në një libër e kjo është Bibla, Fjala e Zotit.

Ky shkrim është pjesë e librit të posabotuar të autorit “Dritë prej Dritës”, ShB. Drita 2015.

____________________________________

[1]  Dr. Milivoje Minovic, Uvod u Nauku o Jeziku, Sarajevo 1971, f. 9.

[2] Po aty, f. 34

[3]Shkrimi i parë ishte tejet primitiv. Kur njeriu dëshironte të lajmëroj diçka, këtë e bënte me anë të vizatimit. Një vizatim e shpjegonte lajmin. Kështu nëse njeriu ka dëshiruar ta përcjell porosinë: Unë kam marrë dru – e ka vizatuar njeriun dhe malin. Ky ishte fjalori shpjegues. Ky tip i shkrimit quhet piktografik (lat. pictus – figurë, gr. graphos – shkrim = shkrim me figura).

[4] Luftulla Peza dhe Joana Diamanti, Konferenca I (parë) mbi Qytetërimin Pellazg, Tiranë, 21 – 22 tetor

2011, Libri i përmbledhjeve f. 1 – 4

[5] Dr. Jovan Todorovic, Written Signs in the Neolithic Cultures of the Southeastern Europe, Beograd, 1969

  1. 1- 20

[6] Radivoje Pesic, Vincansko pismo, Beograd, 2011 f. 20 – 30

[7]  Po aty 121

Shpërndaje

Comments are closed.

« »