(RR)JETA – TË SHOHËSH NË DRITËHIJE

Jul 30 • Meditimi i ditës

30 korrik 2015 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment dhe mendoj për praninë e fshehur të Zotit në sende: në elemente duke bërë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke ua dhënë që të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, dhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

 

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton për të nxjerr të gjitha ato çfarë mund të bëhet prej këtij trungu. (Shën Injaci)
Lus hirin e shenjtë: të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Vetëdija

 

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 13, 47-53

 

47 Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. 48 Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. 49 Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve 50 dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.” 

51 “A i kuptuat të gjitha këto?

“Po! ‑ iu përgjigjën ata.

52 E ai u tha:

“Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan të zotit të shtëpisë, që nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra.”

53 Kur Jezusi i kreu së treguari këto shëmbëlltyra, shkoi prej andej.

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Imazhi që Jezusi përdor–nxjerrja e rrjetave dhe ndarja e peshqve të zënë–është i tillë që shumica e nxënësve të tij e kuptojnë meqenëse ata ishin peshkatarë. Vënia e peshkut të mirë në shportë dhe hedhja e të këqijve ishte pjesë e detyrave të tyre të përditshme. Kur ai fliste për Mbretërinë e Qiellit, Jezusi, pra, fliste me gjuhën që ata e kuptonin.

– Elementet e së mirës dhe së keqes janë pjesë përbërëse e gjendjes njerëzore.

– O Zot, po të lus që me hirin tënd të mund të kultivoj mirësinë në jetën time në mënyrë që të mund të kontribuoj në ndërtimin e Mbretërisë sate, sundimin e drejtësisë, paqes dhe dashurisë.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, më ndihmo që çdo ditë

edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »