SHËN INJACI DHE JEZUITËT NDËR SHQIPTARË

Jul 31 • Këndvështrime

Jezuitët janë një bashkësi etërish të “Shoqërisë së Jezusit”. Ky urdhër fetar në Kishën Katolike, latinisht «Societas Jesu» (SJ), është themeluar në vitin 1540 nga spanjolli Injac Lojola (1491-1556). Parimi i urdhrit jezuit është: «Omnia ad majorem Dei gloriam” – “Gjithçka për më të madhen lavdi të Hyjit». Qëllimi i rëndësishëm është nëpërmjet predikimeve, shpalljes dhe formimit ta përhapin fenë katolike dhe t`i përmbushin të gjitha kërkesat e Kishës. “Ta kërkosh dhe ta gjesh Hyjin në gjithçka”, kështu Injaci i Lojolës e përmbledh përshpirtërinë e jezuitit. Lloji i jetesës që jezuiti është i thirrur ta bëjë është që të jetë soditës në veprim.

Kush ishte Shën InjacLojola?

Në romanin e tij për të rinj “I lindur për të luftuar” – mbi jetëshkrimin e Shën Injac Lojolës, autori Albert Jou [Zhuu] kështu e përshkruan personazhin e tij kryesor:

Heroi ynë lindi për të luftuar.

Fjala E PAMUNDUR për të nuk ekzistoi.

Lindi në tokën e luftëtarëve, gjahtarëve dhe zbuluesve. Si i ri, u ngjit nëpër pemë, mblodhi mollë, kërkoi çerdhe zogjsh, futi gështenja nëpër xhepa.

Edukatën e jetës e mori nën hijen e pallatit mbretëror spanjoll.

Me një pakicë njerëzish iu kundërvu një ushtrie të tërë të mbretit francez për të mbrojtur nderin e Spanjës.

I plagosur në betejë, iu nënshtrua tri operacioneve të mëdha në këmbë, pa anestezi, vetëm e vetëm që të dukej më i bukur.

Gjatë kohës së sëmundjes vendosi të shkojë pas gjurmëve të shenjtërve dhe të realizojë atë çka realizuan më të mëdhenjtë prej tyre.

U bë shtegtar, u lut me orë, agjëroi dhe frushkulloi veten, siç kishin bërë edhe disa shenjtër para tij.

Përshkoi tokë e det për të mbërritur në atdheun e Jezu Krishtit.

Për të mësuar latinishten u ul në bankat e shkollës me fëmijët e vegjël. Vazhdoi të studiojë derisa arriti magjistraturën në institutin më të mirë të asaj kohe.

Bëri gjashtëdhjetë e katër ditë burg, por tetë gjyqtarë shpallën vendimin e pafajësisë.

Me një grumbull të vogël shokësh filloi Shoqërinë e cila, kur ai vdiq, kishte në radhët e saj mbi njëmijë anëtarë.

Shokët e vet i dërgoi në të gjitha anët e botës: në Indi, Kinë, Afrikë, Brazil, etj..

Shkroi më shumë se shtatë mijë letra për të gjitha grupet e njerëzve: mbretër, ministra, ipeshkvinj, rregulltarë, të sëmurë dhe njerëz të varfër.

Botoi dy libra që edhe sot janë Kryevepra. Themeloi Institutin që edhe sot lulëzon.

Djalli e paditi si një njeri të cilit ia kishte shumë frikën. Ëndërroi ëndrra të mëdha mbi shërbimin e Zotit të vet.

Ndërsa të tjerët kënaqeshin me atë çka arrinin, ai gjithmonë mendonte se duhet bërë edhe MË SHUMË.

Motoja e tij ishte: AD MAJOREM DEI GLORIAM (A.M.D.G.): PËR MË TË MADHEN LAVDI TË HYJIT.

Jezuitët ndër Shqiptarë

Ndër Shqiptarë urdhri jezuit është i pranishëm që prej vitit 1841. Disa etër jezuitë nga Italia erdhën si misionarë për të ungjillëzuar në Shqipëri. Hasën në vështirësi të shumta për shkak se në atë kohë Shqipëria ndodhej nën Perandorinë Osmane. Në vitin 1854 me vendim të Zyrës Misionare të Vatikanit dhe të Ipeshkvijve shqiptarë, u hap në Shkodër Seminari për krejt rajonin e Ballkanit Jugor. Ky seminar iu besua etërve jezuitë italianë, që e udhëheqin edhe sot e kësaj dite.

Në vitin 1877 u themelua Kolegji Saverian, në fillim si shkollë tregtie dhe më pas si lice klasik, pas shpalljes së Shqipërisë, në vitin 1912, si shtet i pavarur nga Perandoria Turke.

Në mënyrë të përmbledhur mund të themi që jezuitët ndër Shqiptarë janë të njohur për veprimtaritë e dendura misionare, kulturore, fetare dhe artistike, me grupe muzikore dhe teatrale, me revista dhe me shtypshkronjën “Zoja e Papërlyer”. Ardhja e jezuitëve shënoi pikënisjen e një rilindjeje të jetës fetare e kulturore-arsimore ndër Shqiptarë.

Mjafton të përmendim që te jezuitët e Shkodrës morën mësimet e para personalitete të rëndësishme, si p.sh. Ndre Mjeda, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Ndre Zadeja… Por edhe shumë poetë, shkrimtarë, letrarë, mjekë, meshtarë, arsimtarë, intelektualë, diplomatë  dhe politikanë, menaxherë të tjerë të bizneseve të suksesshme brenda e jashtë vendit. Në famullinë e Shkupit si vajzë e re Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze, u edukua në fe dhe u frymëzua për misione nga etërit jezuitë.

Veprat e Jezuitëve që kanë lënë më shumë jehonë, sidomos nëpër vende malore, kanë qenë “misionet shëtitëse” (Missione Volante). Të tilla misione ka pasur edhe nëpër viset tona në Kosovë, konkretisht edhe në famullinë e atëhershme të Letnicës. Por jezuitët i kanë vizituar edhe fshatrat/filialet përreth. Kanë përhapur ungjillin, i kanë mësuar popullit uratë dhe devocione të ndryshme, kanë ndërmjetësuar në pajtimin e gjaqeve.

Pasi tërhiqeshin prej misioneve ata ktheheshin në bazat/bashkësitë e tyre, në Shkodër dhe Shkup, dhe i studionin historinë dhe zakonet e shqiptarëve.  Jezuitët riorganizonin të dhënat që i kishin mbledhur, shkruanin relacione dhe botonin libra dhe fjalorë. Edhe sot, edhe pas komunizmit, populli i kujton këngët e thjeshta me tekste katekizmi të kompozuara nga etërit jezuitë.

Vlen të përmendet që në listën e 40 dëshmitarëve të fesë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, për të cilët ka filluar çështja e lumnimit, ndodhen edhe tre jezuitë: Atë Daniel Dajani, Atë Gjovani Fausti dhe Vëlla Gjon Pantalia.

Edhe sot jezuitët veprojnë ndër Shqiptarë. Kryesisht janë të angazhuar në fushën e arsimit dhe edukimit. Ata mundohen për të rritur dialogun mes fesë dhe kulturës, mes Ungjillit dhe kërkimit shkencor, edhe me qëllim që të vihen bazat e një Universiteti të ardhshëm Katolik.

Në kohën e Shën Injacit Shoqëria e Jezusit i kishte rreth 1000 jezuitë. Sot ajo numëron rreth 19.000 anëtarë të shpërndarë nëpër mbarë botën duke u konsideruar si urdhri më i madh fetar (për burra) në Kishën Katolike. Selia e Urdhrit të Jezuitëve ndodhet në Romë. Ky urdhër është i ndarë në 91 provinca, që gjithmonë udhëhiqen nga një provincial – eprorë i lartë. Kosova bën pjesë në provincën kroate kurse Shqipëria në atë italiane të Shoqërisë së Jezusit. Në Shqipëri ndodhet edhe një tjetër jezuit shqiptar, P. Zef Bisha, që momentalisht bën pjesë në bashkësinë e jezuitëve në Tiranë.

Për të qenë më të lëvizshëm jezuitët nuk jetojnë të lidhur ngushtë për një vendi në manastire, por – në përputhshmëri me detyrat dhe fushat e angazhimit – në godina dhe shtëpi të urdhrit të tyre të quajtura rezidenca, kolegje etj., të cilat prapë kanë një epror shtëpie (superiorin apo rektorin). Të gjithë këta eprorë i kanë këshilltarët ose konsullorët e tyre. Kështu puna e ndërmarrë është më shumë vepër grupi se sa e një individi. Edhe sot si në fillim jezuitët në mënyrë të veçantë i nënshtrohen Atit të Shenjtë – papës.

Udhëheqja dhe lëvizshmëria internacionale e anëtarëve të vet urdhrit jezuit i garanton një këmbim gjallërues kulturash dhe mentalitetesh.

Jezuitët mundohen t`i mbesin besnik traditës së lashtë të tyre në trojet shqiptare. Sot janë të pranishëm në Shqipëri nëpërmjet Seminarit ndërdioqezan dhe gjimnazit klasik ”Pjetër Meshkalla” në Shkodër, kurse në Kosovë nëpërmjet gjimnazit klasik “Loyola” që ndodhet në periferi të Prizrenit. Në Tiranë Jezuitët e udhëheqin edhe famullinë e Zemrës së Krishtit, ku ndodhet edhe Caritasi i famullisë. Në këtë famulli përkrahin edhe lëvizjen e skautëve, qëllimi i së cilës është t`i ndihmojë djemtë e vajzat që të rriten si qytetarë të mirë, të bëhen “njerëz për të tjerët”. Etërit organizojnë edhe kurse të formimit socio-politik. Jezuitë në Tiranë kanë themeluar librarinë “Genizah” dhe shtëpinë botuese “Ylber”. Qendra “Anton Luli” në Vaqarr, formon dhe edukon njerëz në nevojë.

Jezuitët me praninë e tyre dëshirojnë që ta vazhdojnë veprën e tyre misionare, së bashku me shumë të tjerë. Jo vetëm me besimtarët brenda Kishës ndër Shqiptarë, me meshtarë, rregulltarë, rregulltare e laikë, ata mundohen që të kultivojnë marrëdhënie edhe me të krishterët ortodoksë dhe me besimtarët e fesë islame. Qëllimi i këtyre veprimtarive është rritja njerëzore, kulturore dhe fetare e popullit shqiptar. Duhet të mësohemi që të gjithë përbërësit socialë dhe fetarë të dialogojmë mes veti. Ndryshimet që ndodhen ndër Shqiptarë duhet të ndihmojnë në riformimin e identitetit dhe të pasurisë së Shqipërisë dhe Kosovës.

Përgatiti: ShtjefënDodës SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »