UNË JAM BUKA E JETËS

Jul 31 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XVIII gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Dal 16, 2-4.12-15 

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, mbarë bashkësia e bijve të Izraelit zuri të ankohet kundër Moisiut e Aronit në shkretëtirë. I thoshnin njëri-tjetrit: “Oh, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në dheun e Egjiptit, kur rrinim mbi vegsha mishi e hanim bukë derisa s’u ngopnim! Po pse na nxorët dhe na sollët në këtë shkretëtirë të vdesë urie mbarë bashkësia?!” Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Ja, unë po bëj t’ju bjerë bukë prej qiellit. Le të dalë populli e le të mbledhë, aq sa t’i dalë mjaft për çdo ditë. Dua t’i vë në provë palè a do të ecën në ligjin tim apo jo. I dëgjova ankimet e bijve të Izraelit. Thuaju: Sonte do të hani mish e nesër në mëngjes do të ngiheni me bukë e atëherë do ta pranoni se unë jam Zoti, Hyji juaj!”. Posa u bë mbrëmja, ia bëhen shkurtat dhe e mbuluan tëbanishtën, kurse në mëngjes një shtresë vese rreth e rrotull tëbanishtës e kishte mbuluar sipërfaqen e shkretëtirës! Atëherë u duk mbi tokë kokrrizë e hollë porsi brymë. Kur e panë bijtë e Izraelit, i thanë njëri-tjetrit: “Manhu?” – që do të thotë: “Çka është kjo?” Sepse nuk dinin se çka ishte. Moisiu u tha: “Kjo është buka që Zoti jua dha për ta ngrënë!”

Fjala e Zotit

Psalmi 78

Ref . Na e jep, o Zot, bukën e jetës.

———————————————————————

Ato që dëgjuam e mësuam,

çka na treguan etërit tanë,

nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre,

do t’i kalojmë gojë me gojë në breznitë e ardhshme

lavditë e Zotit e mrekullitë e tija,

veprat e bindshme që ai bëri.

——————————————————————–

Kështu u urdhëroi reve prej së larti,

i hapi pendët e qiellit,

porsi shi e lëshoi manën për ushqim,

u dha bukë nga qielli:

njeriu hëngri bukë engjëjsh.

——————————————————————–

U dha ushqim me shumicë.

I çoi në tokën e vet të shenjtë,

në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij.

Mandej në qiell e zgjoi erën e lindjes,

me pushtet të vet bëri të fryjë

——————————————————————–

Leximi dytë Ef  4, 17.20-24

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, them këtë dhe përbej në Zotin: mos jetoni sikurse jetojnë paganët, në kotësinë e mendjes së tyre. Ju veç nuk keni qenë mësuar kështu mbi Krishtin, në qoftë se keni dëgjuar për të dhe në qoftë se keni qenë mësuar sipas së vërtetës që është në Jezusin: në fuqi të së cilës u duhet ta flakni tej mënyrën e mëparshme të jetesës, njeriun e vjetër, të cilin prirjet e shfrenuara e çojnë në bjerrje, dhe duhet të përtëriheni me shpirtin e mendjes suaj dhe të vesheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,

por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

Aleluja!

 

+ Ungjilli Gjn 6,24-35 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë: “Rabbi, kur erdhe këtu?” Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë. Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’jua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati-Hyj.” Atëherë ata i thanë: “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?” Jezusi u përgjigj: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në atë që Ai e dërgoi.” “Çfarë shenje bën ti – i thanë ata – që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? Etërit tanë hëngrën manën në shkreti si shkruan edhe në Shkrim shenjt: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit’.” Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: sepse buka e Hyjit është ajo që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën.”

Atëherë i thanë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!” Jezusi u përgjigj: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.

Fjala e Zotit.

Porosia 

Në leximin e parë dëgjojmë se populli i Izraelit është në shkretëtirë dhe këtu ballafaqohet me probleme të ndryshme- e ndër to, edhe me mungesë të ushqimit dhe ujit, që iu nevojitej për jetë. Ata, dyshojnë në praninë e Hyjit, dyshojnë ne krejt atë që Ai ndërmerr për ta; nuk janë të mjaftueshme intervenimet që deri me atëherë Zoti ka bërë, dhe ata e mendojnë jetën edhe pse në robëri e në kushte të vështira që jetonin-mendojnë në ushqim dhe pije që vërtetë forcojnë trupin, por jo edhe shpirtin.

Hyji i sheh nevojat e tyre dhe u jep ushqim të mjaftueshëm.

Kështu, sikurse populli i Izraelit, edhe ne jemi në shtegtim të kësaj jete dhe duhet të begatohemi me ushqim të shpirtit që forcon jetën tonë shpirtërore.  

Në leximin e dytë, shën Pali iu shkruan efesianëve, atyre që u pagëzuan që mos të harrojnë se njeriu i vjetër duhet të flaket dhe nuk duhet jetuar si paganet, por si njerëz të rinj në Jezu Krishtin nëpër mes të cilit janë pagëzuar.

Të gjithë të pagëzuarit, duhet të jetojnë stilin e ri të jetës, në harmoni me atë që kërkon Zoti dhe mbi të gjitha në gëzim shpirtërorë si bij dhe bija të Zotit.

 

Ungjilli 

Gjithmonë në këtë botë diçka na mungon dhe si njerëz jemi kureshtar dhe insistojmë të kemi gjërat që mendojmë që janë për të mirën tonë. Por, Hyji sheh te metat tona që na përfshijnë çdo ditë: shqetësimet, brengosjet, jostabiliteti në nivel e gjëra tjera.

Nga Ungjilli i sotshëm, dëgjojmë se si masa e njerëzve që hëngrën nga mrekullia e shumimit të bukëve nuk e kërkon Jezusin, por mrekullitë e tija, shenjat.

Kjo gjë, ndodh edhe me ne kur shpeshherë nuk e kërkojmë Jezusin, por përshtypjet, plotësimin e kërkesave që kemi dhe shumë gjëra që na mungojnë.

Ndoshta, edhe besimin tonë që duhet të jetë i thellë, e vendosim në rend të dytë.

Por, mos të harrojmë që Jezusi përkujdeset për ne duke na thënë:  “Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.!

Jezusi vjen në heshtje në çdo meshë shenjte në trajtë të Fjalës dhe të Eukaristisë, këtu është fryti ynë për jetën tonë me Zotin. Këtu ne begatohemi dhe pasurohemi që të jemi të fortë në fe dhe stabil në jetën shpirtërore.

Sa besojmë ne në Krishtin dhe e vendosim jetën tonë në jetën e Tij, zemrën tonë në zemrën e Tij.

Në bashkim me Krishtin, nuk mund të ketë uri as etje, sepse Ai e shuan urinë dhe etjen tonë.

Ai është gurrë që freskon, është bukë që gjallëron, është Zoti që shëlbon.

Pyesim vetveten: sa besojmë dhe sa i lejojmë që Jezusi të bëhet udhëheqës i jetës sonë dhe në fjalën dhe mësimet e tij, a ndërtojmë të ardhmen tonë?

O Jezus, mos na e mungo, po të lutemi ushqimin e shpirtit, por Ti bukë e gjallë na ushqe gjithnjë që të mundemi të qëndrojmë besnik në rrugën e cila një ditë na bashkon me Ty, në amshim. Amen!

Lutjet e besimtarëve

T’ ia drejtojmë lutjet tona Hyjit, duke ju lutur që të na jep hirin ta njohim Krishtin si Shëlbues dhe bukë, që zbriti prej qiellit për shpëtimin tonë.

T’ i themi së bashku:

Dëgjoje o Zot, lutjen tonë!

– O Atë, po të lutemi për Papën tonë Françeskun, ipeshkvin tonë Dodën, të gjithë meshtarët dhe rregulltarët dhe rregulltaret bëj që me dashuri dhe besnikëri të kryejnë detyrat që ua ke besuar nëpër Birin tënd Jezu Krishtin, të lutemi

– O Atë, Ti Kishën që e themeloi Biri yt Jezu Krishti e bëre shenjë të pranisë sate në botë- jepi fuqi që gjithmonë të  dëshmojë Ty si dritë dhe e vërtetë që u dhurohet të gjithë njerëzve, të lutemi:

– O Atë, njerëzimi shpeshherë ngashënjehet në gëzime mashtruese dhe siguri të rrejshme- dhuroja paqen që me zemër të mirë të jetojë prej hireve tua, të lutemi:

– O Atë, shumë njerëz janë në probleme të shumta të jetës dhe bartin peshën e rënd të kryqit, nëpër mes Krishtit të ringjallur liroj nga vështirësitë dhe ndihmoju në nevoja që kanë, të lutemi:

– O Atë, ne kemi nevojë për bukë që forcon trupin, por mbi të gjitha kemi nevojë për Bukën që vjen prej qiellit, e cila forcon shpirtin tonë, na dhuro fenë e gjallë për ta marrë këtë bukë në zemër të pastre dhe të jetojmë në bashkëpunim me ty dhe në mes vete, të lutemi:

– Besimtarëve tanë të vdekur, të cilët u ushqyen me bukën e jetës, pranojë në bashkësinë e të lumturve, në mbretërinë qiellore, të lutemi:

O Hyj i gjithëpushtetshëm, ti për dashuri që pate për ne na e dërgove Birin  tënd të dashur si bukë e gjallë për shëlbimin tonë. Po të lutemi pranoj lutjet tona dhe nëpërmes bukës së jetës na ndihmo të jemi lajmëtar të mirë dhe besnik të mbretërisë sate ku Ti me Birin tënd dhe Shpirtin shenjtë Zot, jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »