KUNGIMI – FJALA QË HAHET

Aug 2 • Meditimi i ditës

2 gusht 2015 – E diela 18-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh.”
Ja ku jam, o Zot.
Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.
Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

Liria

I kërkoj Hyjit që të më ndihmojë
që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,
që t`i hapem përmes kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

Vetëdija

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,
më përkujto, o Zot,
se je gjithmonë pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me besim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për të zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo ç`po ndodhë në zemrën tënde.

Gjn 6, 24-35

24 Kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. 25 Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë:

“Rabbi, kur erdhe këtu?”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

më kërkoni, jo pse patë mrekullitë,

por pse hëngrët nga ato bukë

dhe u ngitë.

27 Veproni,

por jo për ushqim që prishet,

por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme:

atë do t’jua japë Biri i njeriut,

sepse këtë e vulosi Ati‑Hyj.

28 Atëherë ata i thanë:

“Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?”

29 Jezusi iu përgjigj:

“Vepra që Hyji kërkon është kjo:

besoni në Atë

që Ai e dërgoi.”

30 “Çfarë shenje bën ti, ‑ i thanë ata ‑ që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? 31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë si shkruan edhe në Shkrim e shenjtë: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit. ’

32 Jezusi iu përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit,

por Ati im jua jep bukën prej qiellit,

atë të vërtetën:

33 sepse buka e Hyjit është Ajo,

që zbret prej qiellit

dhe që i jep botës jetën.”

34 Atëherë i thanë:

“Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!”

35 Jezusi u përgjigj:

“Unë jam buka e jetës.

Kush vjen tek unë

nuk do të ketë më kurrë uri,

kush beson në mua,

nuk do të ketë më etje.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

– Jezusi është i ndershëm me njerëzit që i kishte ushqyer ditë më parë. Ai e dinte se kishin ardhur për ta kërkuar atë, për shkak se ishin ngopur me bukë. Përse e kërkoj unëJezusin? Nga dashuria apo nga interesi – për shkak se mund të marr diçka?

– E vërteta mund të jetë e pakëndshme dhe të ndikojë që të fillojmë të mbrohemi, madje edhe të bëhemi cinikë. Ose mund të ndalemi, të shikojmë, të reflektojmë dhe të ndryshojmë.

– O Zot, më jep përvujtërinë që gjithmonë të ndjek të vërtetën, sepse vetëm ajo do të më bëjë “njeri të lirë” (Gjoni 8,32).

Bashkëbisedimi

Ç`ndodhë në mua kur lus?
A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?
E paramendoj Jezusin ndenjur apo është ulur pranë meje
dhe ia paraqes të gjitha çfarë jam duke ndjerë. Përfundimi

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »