ZANAFILLA E RELIGJIONIT

Aug 2 • Histori

Shkruan: Dedë Palokaj

Njëra ndër çështjet më të lashta e cila e preokupoi shpirtin e njeriut padyshim është ndjenja fetare – religjioni. Po e mbylli njeriu derën e çështjes së transcendencës, përjetshmërisë, apo si do të thoshte atë Shtjefën Gjeçovi “matanën”, atëherë i magjepsur nga bukuria e krijesave me entuziazëm mund t’i kthejë krijesat në idhuj e t’i adhurojë ato si hyjni deri në përulje.

Qytetërimin dhe kulturën njerëzore e përshkon fenomeni i religjiozitetit. Shikuar nga ky aspekt, etnologjia dhe historia e religjioneve nuk njohin ndonjë epokë të njerëzimit pa religjion dhe as një popull areligjioz që së paku nuk e ka një formë të religjiozitetit të vet.

Që nga zanafilla e njerëzimit e deri më sot e kësaj dite, religjioni ishte dhe mbeti i pranishëm në të gjitha periudhat dhe në të gjitha kulturat e qytetërimit njerëzor. Çdo shoqëri dhe çdo epokë e zhvillimit të saj, ka patur dhe ka qenë e “ngjyrosur” dhe e vulosur me religjionin e vet.

Në Greqinë e lashtë qysh në shek.VII para Krishtit kur zuri fill materializmi filozofik, përkrahësit e materializmit (Talesi, Anaksimandri, Anaksimeni, Herakliti, Anaksagora, Demokriti, Epikuri etj.) u përpoqën ta shpjegonin ekzistencën – jetën me ndihmën e materies, duke pohuar se materia është realitet parësor e pakrijuar dhe e pazhdukshme. Sipas materialistëve, materia gjoja rastësisht e paska krijuar jetën, kurse njeriu na qenka produkt i materies dhe gabim i natyrës siç thoshte Gilbert, filozof francez. Ky botëkuptim fillestar naiv pësoi trajta të ndryshme gjatë historisë, por në thelb mbeti i njëjti dhe nuk pushoj deri me sot e kësaj dite.

Religjionet të cilat nuk iu drejtuan zbulimit Hyjnor (Budizmi,  Hinduizmi etj.), mbetën thjeshtë përpjekje njerëzore, religjione natyrore me plot devijime dhe mite si p.sh. miti mbi Hermesin etj. Në Indi p.sh. lopa konsiderohet e shenjtë dhe miliona njerëz vuajnë nga uria duke refuzuar ngrënien e mishit të kafshëve. A nuk është kjo devijim serioz nga e Vërteta?

Mjedisi oriental dhe kulturat e lashta (Egjipti, Babilonia, Greqia, Roma etj.) për të ndërhyrë në fshehtësitë qiellore dhe njerëzore përdornin: fallin, ëndrrat, astrologjinë, magjinë, teozofinë, ezoterizmin, spiritizmin dhe praktikat e shumta okultiste. Këto praktika të gabuara zbatohen edhe sot e kësaj dite kudo në botë. Bile në popullatën tonë në Kosovë ky mashtrim ka marrë hov të madh.

Këndvështrimi i filozofisë greke njeriun e shqyrton si mikrokozmos që lidh dy botëra: shpirtëroren dhe materialen. Ndërsa Bibla – Fjala e Zotit, njeriun e shikon si qenie të tërësishme përballë Zotit, shëmbëllesë e të cilit është.

Religjioni biblik i jep fund të gjitha përpjekjeve spekuluese mbi të vërtetën e amshuar dhe njeriut ia hap mundësinë e re për ta shtri horizontin në përmasat e historisë, të një historie ku aktor kryesor është Zoti, i cili krijoi njeriun dhe në Jezu Krishtin u bë vet Njeri dhe u zbulua plotësisht. Jezu Krishti i demaskoi shtrembërimet mbi të vërtetën e Zotit, të atyre gënjyesëve të regjur të cilët në emër të “përndritjes” i mashtruan të tjerët gjatë historisë. Të vërtetat e veta Krishti me dashuri ia besoi Kishës duke qenë vet “shtylla, ekuilibri” dhe Roje besnike e saj. ”Unë jam me ju gjithmonë deri në mbarim të botës![1]

Feja e krishterë nuk është “religjion i Librit”.[2] Themel i krishterimit nuk është religjion i librit të shenjtë – Biblës, i fjalëve të shkruara e të pagojë, por është religjion i Personit të shenjtë, i Fjalës së gjallë e të mishëruar,[3] i Jezu Krishtit i cili u bë Njeri. Krishti nuk shkroi asnjë varg fjalësh dhe asnjëherë nuk lajmëroi për ndonjë libër të shenjtë që mund të jetë themel i fesë krishtere. Qysh në Besëlidhjen e Vjetër u shkrua për shkronja të zemrës: “Dhe ja, Besëlidhja të cilën do ta lidh me Shtëpinë e Izraelit pas këtyre ditëve – thotë Zoti: ligjet e mia do t’i thadroj në shpirtrat e tyre dhe do t’i zgavroj me shkronja në zemrat e tyre”.[4]

Në të kaluarën e largët parahistorike na çon arkeologjia e cila na bën të mundur ta hedhim shikimin mbi kohën para lindjes së shkrimit. Edhe para shfaqjes së ideve fetare të njëmendta, qysh në epokën parahistorike ka ekzistuar kulti për të panjohurën në lidhje me objekte, gjallesa apo dukuri natyrore. Ky kult kishte si shkak frikën, habinë e admirimin në drejtim të së panjohurës në natyrë e në jetën e njerëzve. Janë këto përfytyrime të mjegullta të foshnjërisë së njerëzimit për të cilët Zoti dhe bota ku jetonin ishin të panjohura.

Në bazë të studimit të shtresave gjeologjike, gurëve gelqeror dhe fosileve të ndryshme, llogaritet se toka si planet të jetë formuar rreth 4, 6  miliard vjet më parë, aq sa është i vjetër Dielli dhe planetët tjerë. Gjurmët e jetës primitive janë zbuluar në shtresat shkëmbore të lashta rreth 3, 5 miliard vjet. Në fillim jeta përbëhej nga bakteret e algëve të thjeshta shumë të vogla  njëqelizore. Edhe pse kemi një pamje të zbehtë për zanafillën e krijimit dhe të njerëzimit, arkeologjia dhe paleoantropologjia kanë arritur të depërtojnë shumë larg në të kaluarën.

Sipas rezultateve hulumtuese arkeologjike në lokalitetin Purgatorë Hili në Shetet e Bashkuara të Amerikës, janë zbuluar gjurmet e hominoidëve të hershëm të cilët kanë jetuar para 65 milion vjet.[5] Nga Hominoidët (Hominoidae) evolucionistët i kërkojnë rrënjët e të parëve tanë. Në rëndin e hominoidëve evolucionistët e futën edhe njeriun bashkë me të gjitha llojet e majmunëve të cilët jetuan në epokën e miocenit. Duke jetuar në një shkallë shumë të ulët të zhvillimit dhe transformimit në zona të ndryshme gjeografike të botës si psh. në Afrikë, Europë, në Lindjen e Mesme, Azi etj., rreth hominoidëve janë krijuar hipoteza të shumta, por dy shkolla të mendimit janë më të theksuara: Njëra e cila thekson transformimin e hominoidëve dhe vazhdimësinë multiregjionale, kurse shkolla e dytë sugjeron se hominoidët kanë një origjinë të vetme për njerëzit modernë të cilët evoluan relativisht herët në Afrikë (në Keni, Tanzani etj.) e pastaj migruan në Euro – Azi dhe vende tjera të botës. Në bazë të studimit të eshtrave të gjetura dhe dëshmive të veglave të punës të punuara nga hominoidët, kjo shkollë e fundit sugjeron se gjenet e të gjithë njerëzve modernë erdhën nga Afrika.

Studiuesi i njohur Lee Berger paleoantropolog, gjatë kërkimeve të shpellave në afërsi të Johanesburgut, në Republikën Jugafrikane, ka zbuluar eshtra shumë të ruajtura të një fëmije që mendohet të jenë të vjetra rreth 2 milionë vjet. Ndërsa Universiteti Amerikan i Tiranës, në qershor të vitit 2009 në Spanjë zbuloi eshtrat e një hominoidi mashkull (Supërfamilja Hominoidea) i cili ka jetuar para 12 milion vite (Epoka e Miocenit të Mesëm) të panjohur më parë të cilin e “pagëzuan” me emrin “Lluc”. Mirëpo këto shkolla mbi hominoidët me shumë prova arkeologjike, anatomike, gjenetike dhe paleobiologjike kanë nevojë të rishqyrtohen dhe të rivlerësohen sipas kërkimeve dhe studime të reja shkencore dhe të lirohen nga supozimet e biologëve dhe nga skenari i evolucionit.

Edhe pse shumica e ngjarjeve gjatë kësaj periudhe e cila zgjati më së shumti janë zhvilluar në fshehtësi mbuluese për ne, hulumtimet arkeologjike dhe paleontologjike kanë dëshmuar se njerëzit e periudhave të hershme parahistorike të cilët jetonin nëpër shpella në një mënyrë kanë qenë religjioz. Në kët periudhë të hershme të njerëzimit vihet re si njerëzit më primitivë janë kujdesur për varrimin e të vdekurve. Këtë e vërtetojnë gjetjet e ndryshme arkeologjike si psh: objktet e kultit, vizatimet nëpër shpella, gdhendjet në gurë, pastaj ritualet dhe përfytyrimet e ndryshme magjike, nderimi i të vdekurëve, mënyra e varrimit etj.

1111

       Francë: shpella Pech Merle: shenjë e dorës                  Austri: Venera e Vilendorfit

                          (35 000 vjet p. Kr)                                          (28 000 vjet p. Kr)

Në fazat e hershme të zhvillimit të njerëzimit burimi i jetës (Ai që ka dhuruar jetën) konsiderohej dhe trajtohej si hyjneshë e cila nga errësira misterioze e barkut i lind të gjitha. Sipas besimeve të hershme edhe vet natyra trajtohej si hyjneshë e madhe. Njerëzit shpallnin dashurinë ndaj kultit të natyrës dhe krijesave natyrore në formë këngësh dhe vallëzimesh më të ndryshme. Duke u bërë imazh i shumë fiseve dhe popujve të botës, “Nënës Natyrë” i besohej sepse ajo ia dhuron dhe ia merrë jetën kuj do. Kështu religjioni i hyjneshave e përcolli njeriun që nga fillimi.

Fazat më të hershme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore ishin nën pushtetin dhe ndikimin e fuqishëm të materiarkatit.[6] Këtë e vërteton figura parahistorike e Venerës së Vilendorfit ( sipas metodës C-14 është e lashtë rrethë 30 000 vjet para Krishtit)[7], hyjneshë e pllejshmërisë dhe amësisë e zbuluar afër Vilendorfit në Austri, një statujë 11, cm e gjatë si dhe qindra figura dhe simbole tjera religjioze të zbuluara në lokalitete të ndryshme arkeologjike përfshirë këtu edhe Dardaninë antike.

Me zhvillimin e mëvonshëm të shoqërisë njerëzore, forcat e lashta magjike marrin veti animiste, totemiste, panteiste etj. dhe bëhen pjesë përbërëse e religjioneve të ndryshme politeiste.

Në historinë e kulturës njerëzore, religjioni pati ndikim shumë të madh. Në përmasa të jashtëzakonshme religjioni ishte dhe mbeti i paevitueshëm nga skena botërore. Njerëzit ishin religjioz si në parahistori ashtu janë edhe sot, gjithashtu do të janë edhe nesër sepse njeriu është qenie religjioze. Për kah natyra njeriu është i tillë dhe si i tillë do të jetë gjërsa të jetojë në këtë botë.

Të gjitha ndjenjat dhe vlerat estetike njeriu i vente në shërbim të Hyjit dhe hyjnive të imagjinaur duke i shprehur përjetimet religjioze në forma dhe mënyra më të ndryshme, qofshin ato përmes ndërtimit të objekteve të kultit, pikturës, skulpturës, muzikës, letërsisë, shkrimit, leximit, artit dhe jetës në përgjithësi.

22222

Rumani: Lokaliteti Tartaria. Pllakë gline me simbole piktografike – simbol i lashtë biblik i Pemës së jetës. Vinça – Tordosh (4 500 vjet para Krishtit).[8]

Njeriu është religjioz jo pse këtë e kërkon dikush, por për arsye se në shpirtin e vet është i tillë. Të gjithë njerëzit e kanë të mbjell në zemrën e vet besimin në Zotin. Gënjejnë ata njerëz kur thonë se nuk besojnë, sepse kur vjen nata,kur janë në vetmi dyshojnë  –  thotë Seneka, filozof romak.

Njeriu me mendjelehtësi të cekët mund të thotë: unë nuk besoj. Por të jetosh sipas kësaj thënie dhe të heqësh dorë nga feja donë të thotë të jetosh në një gjendje të papërballueshme nihiliste. Sepse, nuk është fare lehtë t’i mohosh vlerat e fesë, të heqësh dorë nga burimi e ekzistencës i cili është Zoti nga i cili jetohet, kurse nga ana tjetër të kërkosh pikëmbështetje në ideologji, në besëtytni të gabuara dhe në gjërat e kalimtare që janë sot për nesër. Atë që Zoti kishte vendosur para “shekuj të shekujve” e kishte realizuar në çastin e krijimit të njerëzve të parë.

Ky shkrim është pjesë e librit të posabotuar të autorit “Dritë prej Dritës”, ShB. Drita 2015.

 ________________________________

[1]Mt  28, 20

[2]Katekizam Katolicke Crkve, Zagreb 1994, f. 44

[3]Shën Bernardi nga Clairvaux – i , Homilia super missus est. 4. II: Pl. 183, 86 B

[4] Heb  8, 10

[5] Dragoslav Srejović, Arheološki Leksikon, Beograd 1997, f. 378

[6]Materiarkat – lat. mater – nënë + gr. arhos – arhos – prijës, sundues. Formë e hershme e shoqërisë njerëzore, ku rolin drejtues në gjithë jetën ekonomike, shoqërore e familjare e luante gruaja dhe ku grupet gjinore krijoheshin sipas lidhjeve të afërsisë në vijën e grave.

[7]  Srejovic, vep. e cit. f. 1098

[8] Radivoje Pesic.Vincansko pismo, Beograd 1995, f. 30. tab. XVII

Shpërndaje

Comments are closed.

« »