BESIMI MUND TË RRITET NË VËSHTIRËSI

Aug 4 • Meditimi i ditës

4 gusht 2015 – E martë, Shën Gjon MariaVianney, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

Liria

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, kujdesi dhe bashkimi.

Vetëdija

 

E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i lodhur, kam stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 14, 22-33

 

22 Pastaj aty për aty Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. 23Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.

24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha:

“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”

28Pjetri u përgjigj:

“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”

29 “Eja!” ‑ i tha.

Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:

“Më shpëto, o Zot!”

31Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:

“Fepakët! Përse dyshove!”

32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:

“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”

34 Pasi kaluan detin, u kapën në breg në Gjenezaret. 35 Njerëzit e atij vendi, posa e njohën, e vunë në dijeni mbarë krahinën dhe ia sollën të gjithë të sëmurët. 36 I luteshin t’i lejonte t’i preknin vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e prekën, u shëruan.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi për një kohë të shkurtër është tërhequr për t`u lutur. Koha e tij me Hyjin nuk e ka mbyllur para botës por e ka frymëzuar që t`iu ndihmojë nxënësve në hall. Koha që e kaloj në lutje më formon në raportin tim me Hyjin dhe më forcon që të veproj në emër të Zotit.

– Pjetri ka qenë i guximshëm gjatë kohës sa e kishte shikimin të drejtuar kah Jezusi, por është ligështuar kur është përqendruar në vetvete dhe gjendjen në të cilën ndodhej. Do ta lus Zotin që të më ndihmojë që Jezusin ta kem gjithmonë para sysh.

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

Përfundimi

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »