DEMOKRATË TE LODHUR, QEJFLI DHE ATA KËMBËNGULËS

Aug 4 • Res socialis

Shkruan: Dr. Pavao BRAJSHA

 

Në sjelljen demokratike duhet të punosh

Njeriu nuk vjen në botë i kryer dhe i plotë. Për t`u bërë njerëz, do që edhe të marrim mundim, të bëjmë përpjekje. Ne jemi njerëz vetëm potencialisht. Njerëz lypset të bëhemi vetëm me përpjekjen tonë. Ne jemi të krijuar me aftësinë për t’u bërë njerëz të mirë o të keq, njerëz o diçka tjetër. Njeriu nuk është i lindur më në kuptimin e fjalëpërfjalshëm të fjalës “në imazhin dhe përngjasimin e Hyjit”, por me mundësinë për tu bërë “imazhi dhe përngjasimi i Hyjit”, por edhe “imazhi dhe përngjasimi i djallit”. Këtu diku ndodhen shkaqet dhe arsyet e punës së domosdoshme të njeriut në veten e tij – në mënyrë që të bëhemi njerëz, dhe të mbahemi si të tillë.

Ne jemi të lindur me potencial për sjellje demokratike, por jo edhe me të. Për të arritur atë duhet të marrim mundimin, të bëjmë përpjekje, të mësojmë dhe ushtrojmë. Spontanisht shkojmë drejt jodemokracisë, ndërkaq vetëm me mundim drejt demokracisë. Kjo harrohet shpesh, kështu që shumë mendojnë që është e lehtë të arrihet deri te demokracia. Jo vetëm që ajo realizohet “me djersën e ballit tënd”, por edhe mbahet vetëm dhe vetëm “me djersën e ballit tënd”, d.m.th. me punën e vazhdueshme në veten tënde, me mirëmbajtjen e përhershme të vetvetes.

Wilhelm Schmidte përcakton punën në veten e njeriut si një formë marrëdhënieje me vetveten, një ndikim i vetëdijshëm mbi veten tënde për të formuar dhe transformuar vetveten, duke e njohur vetveten, gjë që s`na lejon që të mbetemi të njëjtë. Ky është një ndikim i qëllimshëm mbi vetveten, vetëdija për veten e njeriut e lidhur me veprimin në veten e vet. Njeriu bën diçka nga vetvetja, bëhet subjekt, i cili e formon me vetëdije vetveten, dhe objekt të cilin e formon, dhe i cili për këtë arsye bëhet më i ndryshëm. Ai ndryshon. Kjo është ndryshim parimesh, procesesh, potencialesh (mundësish të reja për veprim), pasojash e qëllimesh tona, kërkim i vetvetes, zbulim i mundësive tua të brendshme, zbulim i vetvetes, modifikim dhe transformim i vetvetes.

Erich Fromm vë në dukje se të jetosh mirë është art, që duhesh ta mësosh dhe ky mësim kërkon përpjekje, angazhim, mirëkuptim dhe durim. Sipas tij, njeriu vjen herët në botë dhe lindjen e vet fiziologjike e përfundon vetëm pas lindjes psikologjike. Njeriu ka nevojë për një jetë të tërë për të lindur edhe psikikisht (mendërisht). Në këtë gjë ai edhe mund të humbas (mos ta gjej veten). Në çdo moment të zhvillimit të tij mund të ndalet së rrituri. Të jetosh do të thotë të rritesh dhe të veprosh.

Demokracia ka nevojë për t’u zhvilluar, por edhe për t`u mirëmbajtur. Për të vlen edhe Ligji i Dytë i termodinamikës dhe ligjshmëritë e entropisë. Nëse s`e mirëmbajmë, ajo vetvetiu kalon në jodemokraci, në një demokracitë rreme, në diktaturë me fasadë, me një demokraci të jashtme. Demokracinë askush s`mund të na dhurojë, atë s`mund ta blejmë, atë lypset ta zhvillojmë në veten tonë dhe pastaj nevojitet ta ruajmë dhe përmirësojmë vazhdimisht. Ajo lind dhe fillon në ne, dhe identifikohet në marrëdhëniet tona me të tjerët.

Demokratëte lodhur,qejfli dhe ata këmbëngulës

Jean Pierre Teilhard de Chardin (Zhan Pjer Tejlard dë Shardën) dallon tri lloje alpinistësh. Të parët janë të lodhur ose pesimistë. Ata lodhen shpejt, shohin një çekuilibër mes rreziqeve dhe përfitimeve, duke zgjedhur të kthehen, jeta e tyre është një mashtrim dhe dështim, pyesin veten se ç`ju nevojitet të kërkojnë, a s`është  më mirë të ulen e të shtrihen se sa të qëndrojnë në këmbë, a s`është më mirë që të jesh më poshtë sesa më lartë ose ndoshta fare të mos jesh…

Të dytët janë qejfli. Ata s`duan të ngjiten edhe më lartë, bëjnë qejf atje ku ndodhen. Shtrihen, shikojnë dhe hanë. Filozofia e tyre është që është më mirë të jesh se të mos jesh,dhe të jesh e të jetosh s`do të thotë të punosh, por të mbushesh me momentin e tanishëm. Nuk janë të gatshëm për asnjë lloj rreziku. Kënaqen në momentin e tanishëm. Të tretët janë këmbëngulës. Ata janë alpinistë te vërtetë. Nuk e ndajnë shikimin nga majat që dëshirojnë t`i arrijnë. Ecin tutje. Jeta e tyre është të ngjitesh dhe të eksplorosh. Jo vetëm se është më mirë të jesh se sa të mos jesh, por përveç kësaj gjithmonë dhe e vetmja gjë interesante është të ekzistosh gjithnjë e më shumë. Pa hezitim pranojnë rrezikun e ngjitjes deri në majën e fundit. Edhe demokratët do të mund të ndaheshin në të lodhur, qejfli dhe këmbëngulës.

Demokratët e lodhur shpejt e ndiejnë lodhjen dhe heqin dorë. Nuk shohin kuptim të punojnë në veten e tyre dhe në sjelljene tyre demokratike. Janë të bindur që një gjë e tillë është qëllim i paarritshëm, utopi, iluzion, mësymje prej donkishoti përballë mullinjve të erës, shtyrje e gurit prej Sizifi përpjetë kodrës, tentativë e kotë prej Tantali për të mbërritur te uji.

Demokratët qejfli duan vetëm atë demokraci që u sjellë atyre përfitim të menjëhershëm, ëndje, kënaqësi. Atyre, në fakt, u mjafton çdo demokraci, sado e mjerë dhe varfër të ishte, vetëm që njerëzit t`i lënë rehat të kënaqen në atë çfarë kanë dhe çfarë mund të rrëmbejnë për veten e tyre. Këta janë demokratët të cilët veprojnë sipas parimit të kënaqësisë. Nuk duan të sakrifikojnë, nuk mund ta shtyjnë kënaqësinë e menjëhershme. Nuk i marrin parasysh të tjerët, të cilët gjithashtu do të donin të kënaqen në demokraci.

Demokratët këmbëngulës investojnë në veten e tyre dhe zhvillimin e demokracisë rreth tyre. Ata kanë qëllime të qarta demokratike. Veprojnë në veten e tyre, e mirëmbajnë vetveten, kujdesen për veten e tyre. Ata luftojnë për cilësinë e sjelljes së tyre demokratike. Vazhdimisht e përmirësojnë demokracinë brenda dhe përreth vetes. Një krahasim të ngjashëm me alpinizëm e përdor edhe psikanalisti italian dhe krijuesi i teorisë dhe praktikës së psikosintezës, Roberto Assagioli. Ai përdor frazën “ngjitje (përpjetë) psikologjike”. Për të arritur në një maje, kemi nevojë të dalim nga lugina, të ngrihemi mbi mesataren, të zakonshmen dhe ta zotërojmë atë. Duhet ta përvetësojmë dhe njohim të panjohurën, të fitojmë përvoja më të ndryshme dhe të pazakonta, të përjetojmë aventura dhe vështirësi. Duhet të pranojmë rrezikun personal dhe të dëshirojmë atë çfarë është më lartë dhe shpirtërore. Nëse bëhemi gati për të pushtuar ndonjë maje, atëherë së pari mbledhim njohuri teorike lidhur me malin që dëshirojmë ta pushtojmë, duke studiuar harta, kërkojmë informacione dhe përshkrime të atyre që tashmë kanë qenë në mal dhe i marrim përvojat e tyre. Në mënyrë të ngjashme duhet të përgatitemi edhe për të punuar në veten dhe sjelljen tonë demokratike.

Çështje mbijetese

Jose Ortegay Gassett thotë që njeriut i është dhënë mundësia abstrakte për të ekzistuar, por jo edhe realiteti i kësaj. Thelbi i njeriut s`është në atë çfarë ai është, por në atë çfarë ai ende nuk është. Atij s`i është dhënë thelbi i njeriut, por aftësia imagjinare. Jeta jonë është një punë e vështirë dhe një menaxhim i paepur. Jeta e secilit prej nesh është diçka që nuk na është dhënë e bërë, e dhuruar, por diçka që duhet bërë. Njeriu duhet bërë vetveten, ai vetë duhet krijuar vetveten. Për njeriun jeta është punë e vështirë për të qenë ajo çfarë ende s`është. Njeriu ka nevojë të mundohet duke e krijuar veten e vet.

Edhe demokracia i është dhënë njerëzve si mundësi, të cilën munden ose jo domosdo ta realizojnë, të cilën munden, por jo domosdo ta mbajnë, të cilën munden, por jo domosdo ta zhvillojnë. Nëse kjo nuk bëhet, zhvillohet spontanisht jodemokracia, demokracia e rreme, vetëm pamja e jashtme e demokracisë. Jodemokracia dhe demokracia e keqe zhvillohen vetvetiu, kurse demokracinë cilësore dhe të vërtetë njeriu ka nevojë me shumë përpjekje ta arrijë dhe një herë të arrirë sërish me përpjekje ta ruajë dhe ta përmirësojë. Prandaj, s`ka demokraci të vërtetë pa punë konstante në veten tënde dhe mirëmbajtjen e sjelljes vetjake demokratike të një numri sa më të madh të qytetarëve të një shteti demokratik. Kjo vlen kryesisht për mbajtësit e lëvizjes demokratike, politikanët demokratë dhe zyrtarët shtetërorë. Pa këtë s`ka demokraci!

Ndërkaq P. D. Ouspensky pohon se njeriu është qenie e paplotë. Natyra e ka zhvilluar vetëm deri te një pikë të caktuar. Mund të vazhdojë së zhvilluari vetëm nëpërmjet përpjekjeve vetjake. Disa nga cilësitë e brendshme as që duhen patjetër të zhvillohen. Zhvillimi njerëzor s`është i mundur pa përpjekje dhe pa ndihmë të huaj. Nëpërmjet zhvillimit njeriu bëhet një krijesë më e ndryshme, dhe për tu bërë një gjë e tillë, i duhet të dëshirojë të jetë ashtu, dhe në mënyrë të fuqishme dhe mjaft të gjatë. Pengesa e parë për të arritur në një gjendje të vetëdijes për vetveten është bindja e njeriut se është i vetëdijshëm për vetveten ose që bëhet lehtë i tillë. Ardhja deri te vetëdija për vetveten është një punë e gjatë dhe e vështirë.

Prandaj, s`është lehtë të jesh njeri i orientuar në mënyrë demokratike. Kjo mund të arrihet vetëm me punë të vështirë në veten tënde, dhe gjatë gjithë jetës. Sot njerëzit s`mund t`i lejojnë vetes “vijën e rezistencës më të vogël” dhe të refuzojnë që të merren me veten e vet, dhe në këtë mënyrë zhvillimin e sjelljes demokratike në veten dhe në mjedisin e tyre. Planeti ynë dhe njerëzimi në të nuk tolerojnë më trajtim me cilësi të dobët, jo vetëm në lidhje me shtetin si të tillë, por edhe me tërë shoqërinë njerëzore në të. Metoda jodemokratike te individi, në mes individëve, në familje, në vendin e punës, në lagje,në nivelin social, shtetëror, ndërkombëtar çojnë në katastrofë, vetë-shkatërrim, vdekje.

Kurrë s`kanë pas nevojë kaq shumë njerëzit për një cilësi të caktuar të sjelljes së ndërsjellë siç kanë sot. Nuk është më dilemë demokracia a jodemokracia, por jeta a vdekja, vazhdimi i historisë a përfundimi i saj. Sjellja demokratike sot gjithnjë e më shumë është duke e marrë rolin e mbijetesës, jo vetëm të një jete më cilësore. Prandaj pyetja bëhet e pakuptimtë se a duhet a nuk duhet të punosh në veten tënde dhe zhvillimin e sjelljes tënde demokratike, por vetëm dhe vetëm si të punojmë në veten tonë dhe sjelljen tonë demokratike.

Përktheu nga kroatishtja: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »