KORIFEU I KULTURËS SHQIPTARE

Aug 4 • Letërsi

Shkruan: Ndue Ukaj

Kultura dhe historia shqiptare njeh tri figura themeltare të cilave u mungojnë varret: Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani dhe Gjergj Fishta. Këto figura, s’janë dosido figura, sepse me veprën dhe veprimtarinë e tyre, u ngjajnë apostujve dhe misionarëve. Ndonëse jetuan në periudha të ndryshme kohore, ata i ndërlidh fati i tyre i pasvdekjes; mungesa e varreve. Dhe si të tilla, janë tri shtylla që e mbajnë lartë ngrehinën kulturore e identitetin europian të shqiptarëve.

Ismail Kadare, te eseu monumental “Mosmarrëveshja” dhe te tregimi “Raporti i fshehtë” e trajton këtë çështje, duke tërhequr një paralele domethënëse, mes mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe atij të Jezu Krishtit. Kadare e përforcon filozofinë e tij sidomos te tregimi në fjalë nëpërmjet frazës: Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.” Këtë shenjtëri e dëshmon edhe jeta dhe vepra Pjetër Bogdanit.  

Në fakt, te mungesa  e varrit kërkohet analogjia filozofike e influencës që kanë ushtruar këto figura në jetën shpirtërore e kulturore të shqiptarëve. E dimë se krishterimi si fe, është ngritur mu në saje të mungesës së varrit të Krishtit, pra ai qëndron te ngjallja e tij. E në kulturën shqiptare, zhvarrimi i Gjergj Fishtës e sforcon mitin e martirizimit të krijuesve shqiptarë, të ngjashëm me Pjetër Bogdanin-shkruan Sabri Hamiti.

Te tri figurat e lartpërmendura, përbëjnë boshtin qendror të kulturës e identitetit shqiptar.  

Në jetën e një kombi, të rralla janë ato figura të cilave u bie barra e rëndë, të kenë njëkohësisht role të shumëfishta: të jenë prijës politikë, ushtarakë, religjiozë e kulturorë. Pjetër Bogdani ynë, i traditës së Hasit, për të cilën fliste Dhimitër S. Shuteriqi e studiues të tjerë, nga elteri ku predikonte dashurinë dhe mirësinë kristiane, iu desh  të ngjitej në male dhe të zbriste në fusha, për t’i bashkuar shqiptarët në një kryengritje të armatosur kundër pushtimit osman, që dvarte gjuhë e kulturë. Misionari në aksion, s’mund të ndalej me kaq. Ai përshkoi qytete e vende, për të kërkuar dije e kulturë. U bë doktor i parë i filozofisë dhe teologjisë ndër shqiptar. Mësoi për artin dhe kulturën, për poezinë e filozofinë, për historinë e shumë dije tjera në Itali, dhe kështu përftoi kulturë e dije, të cilat do t’i manifestoi te libri monumental, Çetën e profetëve, një vepër misionare, shëlbuese, e cila do të influencojë kulturën shqiptare që nga botimi i parë me 1685 e gjer në ditët tona. Shëmbëllimin e figurës së Bogdanit e gjejmë të mishëruar te njeriu i shekullit  tonë, Ibrahim Rugova. Ky i fundit, si erudit i shkëlqyer, njohës dhe studiues i veprës së Bogdanit, nga libri do të kalonte në aksion, për të shpalosur identitetin kulturor e shpirtëror të shqiptarëve dhe për t’i udhëhequr ata drejt lirisë e pavarësisë. Rugova, mësues e udhërrëfyes pati Bogdanin. I tillë është fati i kryeveprave të mëdha të njerëzimit, që frymëzojnë pareshtur kulturën dhe qytetërimin.  E tillë është Çeta e Bogdanit.

Pjetër Bogdani, siç shkruan edhe vet në parathënie të librit, ishte prej Gurit të Hasit të Prizrenit, ku para tij ishte ngjizur një kulturë e shkrimit dhe e rezistencës kundër turqve. Të dhënat biografike, tregojnë se nga sëmundja nuk arriti ta realizonte përpjekjen me Pikolominin për të organizuar betejën kundër osmaneve, sepse ushtria e gjeneralit austriak niset në drejtim të Shkupit, po nuk mund të hyjë në qytet, sepse e kishte marrë epidemia e murtajës, prandaj e djeg qytetin dhe kthehet prapë në Prishtinë. Në këtë kohë, Bogdani ia siguron ushtrisë së Pikolominit 6000 shqiptarë dhe bashkë me të niset për në Prizren, ku shpartallohet ushtria e Pikolominit nga sëmundja e murtajës dhe forcat turke. Me të arritur në Prizren, edhe Bogdani sëmurët nga murtaja dhe vdes më 6 dhjetor të vitit 1689, në Prishtinë. Pas vdekjes, siç njofton nipi Gjergj Bogdani, turqit dhe tatarët trupin e tij e kanë nxjerrë nga varri dhe ua kanë hedhur qeneve në mes të piacës së Prishtinës. Këtu mbaron veprimtaria e tij tragjike dhe fillon jetën vepra e tij kulturore, si zgjatim i frymës së tij, i kujtesës dhe identitetit shëlbues që la si testament të përhershëm për ne.  Më këtë akt, tatarët tentuan ta zhduknin filozofinë bogdaniane, por ajo triumfoi, duke i qëndruar stoikisht kohës së mëvonshme, kur persekutimet dhe kalvari i shqiptarëve veçsa u thellua. Megjithatë, Çeta e tij, si kulturë e ideologji, s’u ndal. Ajo marshoi deri në ditët tona. U mishërua te dishepulli i ideve dhe idealeve të tij, Ibrahim Rugova, i cili si Bogdani u shkëputë nga jeta, pa e finalizuar misionin e tij. Një shëmbëllim, që na shtytë të përsiasim e meditojmë.

Historiografia letrare shqipe, e pranon se vepra e Bogdanit pati një jehonë të jashtëzakonshme kulturore dhe ndikoi fuqishëm në konsolidimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Dihet se vepra e tij njihej nga rilindësit e shumtë, si Naimi, Mjeda, Konica, etj. Ajo përjetoi botime e studime kritike të shumta dhe kështu u bë pjesë e pasurisë së përbashkët kulturore të gjithë shqiptarëve.

Nga relacionet e tij me vlerë, kuptojmë se bredhja ishte fati i Bogdanit. Ai vazhdimisht bredhte, herë duke kërkuar vendstrehim nga persekutimi dhe ndjekja që i bënin turqit, herë për të kërkuar aleatë e miq për të organizuar kryengritje kundër pushtimit turk, e herë duke kërkuar mbështetës për ta botuar librin e tij, me të cilin dëshironte të ndriçonte mendjet, në vendin ku mbizotëronte pa dije.

Mirëpo, ai si apasionuar për dije e kulturë, për të shëlbuar vendin e tij përball mëkatit dhe padijes, që zgjeronin hapësira në atdheun e plandosur në mjerim, dinte se armët më të fuqishme ishin dija e libri. Në këtë mënyrë, ai mendonte se mund të ndikonte në vetëdijesimin kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve të shtypur, sepse vendi i tij dergjej në një robëri të errët dhe i verbuem me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati, e  padija sepse u dvuer dijeje, e Urtija.  

Në parathënien “Të primitë përpara letrarit”, Bogdani në formë programatike e misonarike e shpalosi filozofinë e tij për librin, konceptet themelore për dijen, religjionin, kulturën dhe përparimin dhe ato i ndërlidhte me misionin e shenjtë të kulturës e librit, të letrarëve e doktorëve. Ai ishte në kontakt me qendrat e mëdha të kulturës, ku lulëzonte humanizmi, dija e përparimi.

Ndaj, Bogdani i bindur në nevojën që të kultivonte “ bukurinë’ e giuhesë” rrekët të shkruajë një vepër për Arbërinë e tij dhe kulturën tonë, një vepër që do të mbetet përmendore e lartësuar deri në piedestalin më të lartë të kulturën shqipe.

Luigj Marlekajt, një njohës i shkëlqyer i veprës së Bogdanit dhe i Shqipërisë së kohës së tij në studimin e tij monografik “Pjeter Bogdani e Shqipnia e kohës se tij”,  tregon se Bogdani me guximin e pashoq, u bë “ai qe nuk len këtë vend te bahet turk”- thoshin sundimtarët osman. Kjo ishte një punë kolosale e një korifeu të madh; e një njeriu të përkushtuar për ideale të larta e sublime. Ndaj, “Conues prophetarum” mbetet  Çeta e kulturës shqiptare, që marshon vetëdijshëm gjer në kohën tonë.

Koha si gjykatësja më e drejt ka dëshmuar se Pjetër Bogdani nuk shkroi dosido vepër. Ai shkroi një kryevepër, e cila përbën bazën e letërsisë shqiptare deri te fillimi i Rilindës Kombëtare, kur do të botohet “Milosau” i De Radës, me 1836.  

Pjetër Bogdani: konteksti kulturor dhe letërsia shqipe

Letërsia shqipe në gjitha periudhat letrare e kulturore, karakterizohej me tema që ndërlidheshin me etninë dhe çështjen e pazgjedhur kombëtare dhe në njëfarë mënyre, ashtu siç shkruan Krist Maloki, ajo gjendej paralel me rrjedhat sociale. Prandaj, ka të drejtë dijetari i madh Eqrem Çabej, që karakterizues të letërsisë shqipe shënjon ngjyrën politike të shkrimtarisë. Çabej e përligj mendimin e tij kështu: “Poetit si një prisi shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional, atij këtu i është duhur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushk.” Kjo referencë dhe mendimet e Çabeit, se literatura shqipe është dominuar nga politika dhe nacioni, janë shndërruar në pika orientimi për të kuptuar kontekstin letrar dhe kodet e përgjithshme kulturore të zhvillimit të letërsisë shqipe, si veprimtaria shpirtërore më aktive që ndihmoi emancipimin dhe ekzistencën kombëtare, në të cilat pika Bogdani rezulton të jetë një protagonist i veçantë.   

Është fakt i mirëditur, se, kultura letrare shqiptare, me gjuhën shqipe, si tipar karakterizues e identifikues, zanafillën e ka tek një frazë biblike, që njihet si Formula e Pagëzimit, e vitit 1462. Autori i saj, Pal Engjëlli, ishte argjipeshkvi i Durrësit dhe bashkëpunëtor i heroit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Teksti i kësaj fraze- formula e pagëzimit që praktikohet në liturgjinë kishtare, për pagëzim të fëmijëve, njihet në  këtë  formë: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spirtit seint.” Kjo frazë e shkurtër, qëndron mes një shkrimi të gjatë në latinisht, prej 37 faqesh, dhe deri me tani, njihet si dokumenti i parë i shqipes së shkruar. E vlera e kësaj fraze nëpër kohë, ka tejkaluar karakterin dhe funksionin primar dhe  shndërrua në paradigmë kulturore, që u pasua me një korpus të gjerë tekstesh letrare, të cilat, përgjatë shekujve të mëvonshëm, do të krijohen në lidhje të fuqishme ndër-komunikuese dhe ndër-kulturore, me Biblën.

Bibla përbën një realitet kulturor dhe letrar në gjithë sistemin letrar perëndimor, për faktin, se, siç vë në dukje T. S. Eliot:“ ka patur një influencë letrare mbi letërsinë angleze, jo sepse është trajtuar si letërsi, por sepse ka qenë trajtuar si referim i Fjalës së Zotit. Fakti që njerëzit e letrave tani e diskutojnë si “letërsi” ka mundësi të na shërbejë ne si tregues i fundit të influencës së saj “letrare.” Në përkim me këto mendime, teoricieni i njohur i letërsisë, Northrop Fray, me të drejtë shkruan:  “letërsia perëndimore ka qenë e ndikuar nga Bibla më shumë se nga çdo libër tjetër.”

Në kulturën, historinë dhe identitetin shqiptar, letërsia ka luajtur rol parësor, duke u shndërruar në paradigmë rreth së cilës kanë gravituar idetë kombëtare, kulturore, patriotike dhe politike. Prandaj, për të kuptuar e njohur letërsinë shqipe, lexuesit dhe studiuesit të ndryshëm, i duhet njohja me kontekstin e përgjithshëm kulturor, politik e fetar nëpër të cilin kaluan shqiptarët. Në këtë mënyrë, mund të kuptohet drejtë letërsia shqipe, rrugët e zhvillimit, karakteristikat dhe autenticitetin i saj. Letërsia shqipe, ashtu siç ndodhi edhe me kombin shqiptar, u zhvillua dhe kultivua në kushte dhe rrethana të vështira dhe mbijetoi me peripeci të mëdha.

Ky ishte edhe fati i kombit shqiptar, i cili ishte i ndodhur në kryqëzim të rrugëve, ku u ndeshën interesa të fuqishme politike; ku u ndeshen kultura perëndimore dhe lindore. Kombi shqiptar, i shtrirë pranë Italisë që është djep i kulturës dhe qytetërimit perëndimore, pas pushtimit turk, thuajse u shkatërrua tërësisht. U rrënuan bibliotekat dhe u dogjën libra, e bashkë me to,  kishat, vende këto që ishin çerdhe ku kultivohej kultura.  Ky ishte konteksti kulturor e fetar ku i formua filozofia e  Pjetër Bogdanit.

Letërsia shqiptare, është njëra nga letërsitë e kontinentit europian, e cila, për dallim nga letërsitë e tjera të këtij komuniteti letrar, u krijua në kushte e rrethana specifike. Pikërisht, për këtë arsye, ajo u konsolidua relativisht vonë, në krahasim me letërsitë tjera europaine. Mirëpo, si rezultat i këtyre rrethanave, ajo ka tiparet e saj specifike, të cilat e shquajnë dhe e bëjnë të dallueshme, sikundër në aspektin tematike, po ashtu në atë ligjërimor e ideor. Ajo u zhvillua brenda truallit të letërsisë europiane, mirëpo, për dallim nga letërsitë e mëdha të Europës, si ato franceze, italiane, angleze, gjermane, suedeze, etj, pati preokupime tjera, e këndej pari, natyrshëm tematik e dimensione ligjërimore specifike, të cilat, u kushtëzuan si rezultat i rrethanave specifike dhe raporteve komplekse nëpër të cilat u kultivua ajo. Këto raporte, kushtëzuan marrëdhëniet e brendshme të letërsisë shqipe, mes shkrimtarëve dhe shoqërisë- në një shoqëri ku shkrimtarëve iu deshtë të ishin, njëkohësisht prijës, edukatorë, dijetarë dhe shkrimtarë.

Pas vdekjes së heroit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, përgjatë shekujve të robërisë osmane, letërsia u bë diga më rezistuese, ndërkaq autorët shqiptarë (Barleti, Buzuku, Budi, Bogdani e Bardhi)  ishin ata që shkruan letërsi dhe u angazhuan direkt në çështjet kombëtare. Kjo e përligj atributin që studiues të ndryshëm ja vënë letërsisë, një model të funksionit, të cilin Northrop Fray e përkufizon si: funksion që nuk ka qenë në rend të parë estetik. Letërsia shqipe, në këtë aspekt, mbetet një rast tipik dhe një shëmbëllim i fuqishëm i letërsisë në funksione të shumëfishta- funksioneve etike, kombëtare, politike dhe kulturore e artistike, paralelisht. Në rrjedh të këtij mendimi, mund të përmendim autorët shqiptar, që nga libri i parë shqip, “Meshari” (1555), i Gjon Buzukut, përgjatë shekujve të mëvonshëm, me autorët Pjetër Bogdanin, e me vonë Naim Frashrin, Fan Nolin, At Gjergj Fishtën, Faik Konicën, etj., autorë këtë që krijuan një letërsi shumëfunksionale dhe me intenca jo parësore estetike.

Cuneus Prophetarum: Çeta e kulturës shqiptare

Pjetër Bogdani (1630-1689), nga njohës të veprës së tij është vlerësuar si korife i shkencës dhe arteve shqiptare. Vlen të përmendet se në kohën e Bogdanit, në Europë, letërsia krijohej dhe formësohej brenda koncepteve të renesancës, sidomos pas shkëlqimit të letërsisë së madhe me autor si Dante Ahlighieri (1256-1321), ndërkohë që vendi i Arbrit ishte plandosur në një robëri të rënd, pasojat e së cilës ndiheshin veçmas në sferën e kulturës.  Kjo frymë, e krijuar matanë Adriatikut, nuk arriti të depërtonte te shqiptarët si duhet, për shkak të pushtimit. Megjithatë, lëvizja për rezistencë kulturore kundrejt kulturës osmane, mori një impuls të fuqishëm më autorin më të ditur të kësaj periudhe dhe njërin nga më të shquarin e letërsisë shqipe, Pjetër Bogdanin, i cili në përkim me filozofinë dhe konceptet e mesjetës shkroi veprën monumentale, Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve). Kjo vepër, u botua në shqip dhe italisht dhe vlerësohet njëherësh si vepra me e përkryer e shekujve të parë të letërsisë shqipe. Çeta e profetëve, ashtu siç e ka përkufizuar Ibrahim Rrugova, është vepër bazë në humanistikën shqiptare.  Këtë vepër, autori e ka shkruar si tekst letrar, ndërkaq vepra si kompozicion dhe si strukturë i përgjigjet me përpikëri konceptit organizues dhe kompozicional të Biblës, dukuri këtë të cilat i kanë vlerësuar studiues të shumtë që janë marrë me studimet bogdaniane, Ibrahim Rugova, Engjëll Sedaj, Anton Berishaj, etj. Përveç faktit se ky libër i përgjigjet konceptit organizativ të Biblës,  vepra  funksionon në raporte të fuqishme interaktive në shumë plane me të.  

Libri është i ndarë në dy pjesë, ashtu siç është e ndarë Bibla në Besëlidhjen e Vjetër dhe në Besëlidhjen e Re.

Bogdani është autor origjinal që shkruan një vepër  origjinal, duke e zbatuar strukturën e Biblës dhe duke u bazuar në të. Po ashtu, në aspektin tematik, libri i parë është analog me Besëlidhjen e Vjetër, ku ritregohet kronologjia e Krijimit të rruzullimit sipas modelit biblik, dhe narracioni i veprës vjen deri te ardhja e Mesisë. Në këtë pjesë, Bogdani paraqet kronologjinë profetike. Pjesët e kësaj autori i quan ligjërata.

Ndërsa Libri i dytë shfaqet analog me Besëlidhjen e Re dhe kjo mund të kuptohet edhe nga vetë titulli, Jeta e Jezu Krishtit. Madje, në këtë pjesë edhe numri i ligjëratave është i njëjtë me numrin e librave biblikë. Këtu bëhet ritregimi i jetës së Krishtit, momente të rëndësishme të jetës së tij, që nga gjeneza familjare, shfaqja-lindja, vepra, dënimi-vdekja-kryqëzimi, ngjallja dhe rishfaqja e tij sipas modelit biblik.  Pas këtyre teksteve/ligjëratave, kemi një tekst për Antikrishtin, i cili me aludimet e shfaqura, ndërlidhet me kontekstin shoqëror të arbërisë ë tij dhe te fesë së autorit.

 ”Çeta e Profetëve” është tekst i shkruar kryesisht në prozë. Librit i paraprinë një parathënie tejet interesante Të primit përpara letrarit, ku autori shpalosë synimet qëllimore të tekstit të tij, në një kontekst të zymtë kulturor, ku atdheu dergjej në robëri, dhe ku mjegullat e akulturimit kishin errësuar jetën arbërore. Ndaj, kërkohej dija e urtia, dhe ajo lypsej nëpërmjet librit, e në këtë rast, duke e riaktualizuar Biblën, që për konceptin mesjetar ishte libri më i përkryer, sepse autori ishte Hyji i përkryer. Nëpërmjet librit, autori, si prijës dhe bari, kërkonte zgjimin dhe vetëdijësimin kulturor, etnik e fetar. Autori, në përkim me misioni dhe konceptin për misionarin,   shprehte hapur synimet e tija letrare dhe kulturore: “që të mos lënë dijen dhe gjuhen e dheut të zhduket, por sikur lufton gjithë dheu e bota për vet, po duke u lartësuar nga urtësia.

Kjo vepër, me tiparet karakterizuese, duke u shfaqur analoge me modelin e shkrimit biblik, sipas studiuesit të veprës së Bogdanit, Anton Berishaj ”është një hipertekst i tij dhe interpretim diskursiv i atij shkrimi, me shumë funksione të citatësisë, metatekstit, si njësi të shfaqjes së intertekstualitetit të pastër.”

Përmes modelit të ritregimeve biblik,  Bogdani ka dashur ta paraqesë Jezu Krishtin si fenomen kulturor dhe letrar evropian, dhe në të njëjtën kohë, t’i ngjallë shenjat e idealitetit e të kulturimit, në një kohë të errët, në të cilën kalonin shqiptarët nën zgjedhën osmane.

Përveç ligjëratave, nga krijimtaria e Bogdanit, kemi një cikël poezish, të njohura si ”Këngët e Sibilave”, personazhe që ishin profetesha pagane dhe e paralajmëronin ardhjen e Mesisë. Sibilat, në poezinë e Bogdanit marrin dimensione dhe mveshje etnike, të tipareve të vajzave shqiptare. Në fakt, ashtu siç ka vlerësuar studiuesi Ibrahim Rugova, Bogdani ka realizuar disa nga metaforat më të formësuara dhe më të bukura në poezinë shqipe. Poezia e Bogdanit, dallohet për ndërlidhnin me ambientin konkret shqiptar dhe personifikimin me figura jetësore të autorit, elemente këto që shfaqen shumë origjinale dhe me një nivel mjeshtëror artistik.    

Një element karakteristik i poetikës së Bogdanit, është prania e poezisë me tipare kozmogonike, e shkruar me një rrjet figurash stilistike të realizuara estetikisht. Në këto poezi, autori kultivoi njëmbëdhjetërrokëshin dhe formën e stances.

Teksti poetik bogdanian ka një skemë të rregullt rimash, që vargut i japin një muzikalitet rrëmbyes dhe poetik. Bogdani i kontekstualizon sibilat nëpërmjet topikës dhe figurës idiomatike shqipe. Te vepra e tij, gjejmë dhe një vjershë të pastër kosmogonike, Krijimi i Rruzullimit, poezi kjo me vlera të dallueshme, do të thosha e denjë për të qenë pjesë e çdo antologjie poetike. Botën e pasur dhe sistemin poetik të Bogdanit e çmonte edhe poeti i mirënjohur Lasgush Poradeci, i cili shkroi:“Tekstin e Bogdanit e citova pas disa shënimesh që kam marrë në Vienë, Vjeshtën e 1924-ës, kur pata gëzimin t’i-a shikoj me sy…t’i-a çik me dorë…t’i-a studioj dhe t’i-a përpij “Conneus”-in në shpirtin t’im për të parën herë. Përveç shënimesh të tjera gjuhësore që më qëndruan për zemre, kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila, nga pikëpamja e koncepcionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës letrare përgjithësisht. Kozmogonia e të madhit shqiptar i-u bën ballë, me cilësit’ e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase) ashtu sikundër këtë e shohin në Biblën hebraike, dhe kozmogonisë indike, ashtu sikundër këtë na e çfaqin Vedat e shenta. Kur të vij aty, do t’a rrëfej poezinë e Bogdanit, që të gjykosh më mirë vetë mbi vleftën e saj.  (Shkëndija, 1940, Cf, në Kritikën letrare, Prishtinë, 1979).

Përfundim

Nga kjo paraqitje e shkurtër rreth figurës së Pjetër Bogdanit, kontekstit kulturor dhe veprës e tij, kuptojmë se ai me jetën e flijuar në altarin e idealeve kombëtare, fetare e kulturore dhe me veprimtarinë e bujshme në shërbim të atdheut, mbetet apostulli kryesor i e letërsisë dhe kulturës shqipe, ndikimi i të cilit në formimin e identitetit kulturor të shqiptarëve është i pazëvendësueshëm. 

Bogdani, në kohen e përndjekjeve dhe persekutimeve, kudo që fshihej, me vete merrte libra. Sepse ai ishte i mishëruar me dijen, librin dhe misionin e bariut, sipas shëmbëlltyrës së mësuesit të tij të besimit. Kështu, kulturës shqiptare i la një kryevepër kulturore, që do të bëhet monument i identitetit shqiptar.

Vepra e Bogdanit ishte e njohur përgjatë gjithë fazave të zhvillimit të letërsisë shqipe. U çmua dhe vlerësua nga rilindësit, mirëpo kulmi  i influencës se tij u shfaq ne platformën e kulturore e ideologjike të Ibrahim Rugovës. Ne fakt, Rugova si dishepull i Bogdanit, e ndoqi ëndrrën e Bogdanit, për ta vazhduar aty ku mbet korifeu i kulturës shqiptare: betejën politike dhe kulturore.

 

Literatura:

Ismail Kadare, Mosmarrëveshja, Shqipëria përballë vetës, Onufri, Tiranë, Botimi i tretë, 2013

Ismail Kadare, Bisedë për brilantet në një fund dhjetori, Onufri, 2013

Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqipe, Libri Shkollor, Prishtinë, 1998.

Krist Maloku, Refleksione, (përgatitur nga Albert Ramaj), Faik Konica, Prishtinë, 2005.

Dr Eqrem Çabei, Për gjenezën e literaturës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1970.

Dr. Engjëll Sedaj, Bibla & Përkthimi i saj në gjuhën shqipe, Shtufi, Prishtinë, 1999.

Thomas Stearns Eliot, Religjioni dhe letërsia, Përktheu, Brikena Smajli, Revista, Phoenix 02_03_04  Artikulli13, http://www.dardania.com/phoenix/phoenix_02_03_04/phoenix_02_03_04_art13.html

Northrop Fray, Anatomia e kritikës, Rilindja, Prishtinë, 1990.

 Northrop Fray, The Great Code, The Bible and literature, A Harvest Book, USA, 1983

The idea of Europen in Litterature, Edited by, Susanne Fendler and Ruth Ëitlinger. Frants Fannon, ”On  National Culture”, Book, Debating the Canon- A reader from Addison to Nafisi, Edited by Lee Morrissey, Palgrave, 2005.

Edwin E Jacques, Shqiptarët, populli shqiptar nga lashtësia deri në bitin 1912, Kartë e pendë, 1995.

Arshi Pipa, Kritika, ese, 1940-1944, Princi, 2006.

Dr. Engjell Sedaj, Çeta e profetëve, Drita, 1997, Ferizaj.

Litteraturhistoria, Inga Söderblam & Sven-Gustaf Elqvist, Natur och kultur, 1992, fq. 114

Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit, Rilindja, 1982, fq. 225-226.

Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve I.  Rilindja, Prishtinë , 1990,

Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve II, Drita, Ferizaj, 1997.

Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve, Rilindja, Prishtinë, 1989.

Anton Berishaj, Retorika dhe letrarësia – Teksti i Bogdanit” – Buzuku, Prishtinë 2004.

Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit, fq. 180 Shkëndija, 1940, Cf, në Kritikën letrare, Prishtinë, 1979).

Ndue Ukaj, Diskursi Biblik në letërsinë shqipe, AIKD, Prishtinë, 2004

 

(Ligjëratë e lexuar në Zym, më 27. 06. 2015 në konferencën shkencore kushtuar Pjetër Bogdanit)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »