FAMILJET E PLAGOSURA

Aug 5 • Familja

Papa Françesku

Me këtë katekezë po e rimarrin reflektimin tonë mbi familjen. Pasi që herën e fundit kam folur për familjet e plagosura për shkak të moskuptimit të bashkëshortëve, sot do të doja të ndalem në një realitet tjerët: si të kujdesemi për ata që, pas një dështimi të pandreqshëm të lidhjes së tyre martesore, e kanë krijuar një bashkim të ri.

Kisha e dinë mirë se një situatë e këtillë e kundërshton Sakramentin e krishterë. Megjithatë, shikimi i saj prej mësueseje tërheqë përherë me një zemër nëne; një zemër, e animuar nga Shpirti Shenjt, e kërkon përherë të mirën dhe shpëtimin e personave. Ja përse, e ndjen për detyrë  “për dashurinë e të vërtetës” të “shoshitë mirë situatat”. Kështu shprehej Shën Gjon Pali II, në nxitjen apostolike Familiaris consortio (n. 84), duke e sjell dallimin mes atyre që e kanë pësuar një ndarje dhe atyre që e kanë shkaktuar atë. Duhet ta bëjmë këtë shoshitje.

Nëse i shkojmë këto lidhje të reja me sytë e bijve të vegjël – e të vegjlit shikojnë -, me sy të fëmijëve, do të shohim më tepër urgjencën për të zhvilluar në bashkësitë tona një mikpritje (pranin) reale për personat që jetojnë në situata të tilla. Prandaj është e rëndësishme që stili i bashkësisë, gjuha me të cilën flet, sjelljet e saja, të jenë plot me vëmendje për njerëzit, duke u nisur nga më të vegjlit. Ata vuajnë më shumë se të gjithë në këto situata që krijohen në familje. Ndër të tjera, si mund t’i porosisim këta prindër që të bëjnë të mundurën për t’i edukuar bijtë e tyre për jetë të krishterë, duke u dhënë shembullin e një feje bindëse dhe praktike, nëse do t’i mbanim larg nga jeta e bashkësisë, sikur të ishin të shkishëruar? Duhet të sillemi në mënyrë, që të mos shtojmë barrë të reja, mbi ato, që mbartin mbi shpinë fëmijët, në situata të tilla! Për fat të keq, numri i këtyre fëmijëve e të rinjve është vërtet i madh. Ka rëndësi, prandaj, që ata ta ndjejnë Kishën si nënë, plot vëmendje për të gjithë, gjithmonë gati për  dëgjim e për takim.

Në të vërtetë, këta dhjetëvjeçarë të fundit, Kisha nuk ka qenë as e pandjeshme as përtace. Fal përthellimeve që janë bërë nga Barinjtë, të udhëhequr dhe të konfirmuar nga Paraardhësit e mijë, është arritur një vetëdijesim për të kuptuar se është e nevojshme mikpritja vëllazërore, me vëmendje, dashuri e vërtetësi, për të pagëzuarit, që krijuan një bashkëjetesë të re pas dështimit të martesës sakramentale. Këta njerëz nuk janë aspak të shkishëruar; nuk janë, e nuk duhen trajtuar si të tillë; ata vijojnë të jenë pjesë e Kishës.

Papa Benedikti XVI ka ndërhyrë në situata të këtilla, duke kërkuar një shoshitje të kujdesshme dhe një shoqërim të urtë baritor, duke e ditur se nuk ekzistojnë “receta të thjeshta” (Fjalimi në Takimin e VII Ndërkombëtar të Familjeve, Milano, 2 qershor 2012, përgjigja n. 5)

Prej këndej, ftesa drejtuar Barinjve që ta shprehin haptas e pa lëkundje gatishmërinë e bashkësisë për t’i mikpritur e për t’i inkurajuar, që ta jetojnë e ta zhvillojnë gjithnjë më shumë përkatësinë e tyre ndaj Krishtit e Kishës me lutje, me dëgjimin e Fjalës së Zotit, me ndjekjen e liturgjisë, me edukimin e krishterë të fëmijëve, me bamirësinë e shërbimin ndaj të varfërve, me angazhimin për drejtësi e paqe.

Figura biblike e Bariut të Mirë (Gjn 10, 11-18) e përmbledh misionin që Jezusi e ka marrë prej Atit: të jap jetën për delet e veta. Një sjellje e tillë është model edhe për Kishën, që i mbledh bijtë si nënë e që jep edhe jetën për ta. “Kisha është e thirrur të jetë gjithnjë shtëpia e hapur e Atit, që nuk i mbyll kurrë dyert […]” – Kurrë dyert e mbyllura – “Të gjithë mund të marrin pjesë, në një farë mënyre, në jetën kishtare, të gjithë mund të bëjnë pjesë në bashkësi. Kisha […] është shtëpia atërore, ku ka vend për secilin, me jetën e vet të mundimshme.” (Nxitja apostolike Evangelii gaudium, nr. 47).

Në të njëjtën mënyrë, të gjithë të krishterët janë të ftuar të ecin gjurmëve të Bariut të Mirë. Para së gjithash familjet e krishtera mund të bashkëpunojnë me Të, duke u kujdesur për familjet e plagosura, duke i shoqëruar në jetën e fesë dhe të bashkësisë.

Secili të bëjë pjesën e tij, duke  ecur në gjurmët e Bariut të Mirë, që i njeh një për një delet e veta e nuk e përjashton asnjërën nga dashuria e tij e pafundme!

(Teksti i plotë nga Audienca e Përgjithshme e të Mërkurës, 5 gusht 2015)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »