ZGJEDHJA E PROFESIONIT – THIRRJES

Aug 5 • Bota e të rinjve

Shkruan: Mihály Szentmártoni

Zgjedhja e thirrjes është një prej vendimeve më të rëndësishme të adoleshentit. Vërtet, ajo zgjedhje fillon tashmë shumë më herët, por përpara nuk ka shkaktuar kokëçarje vetë të rinjve, por më shumë ndoshta prindërve. “Çka do të ndodhë me këtë fëmijë?” – me brengosje përsërisin shumë prindër fjalët e prindërve të Gjon Pagëzuesit. Mirëpo, pikërisht kjo rrethanë e vështirëson zgjedhjen e thirrjes në adoleshencë: i riu/e reja jeton nën shtypjen e vazhdueshme. Prindërit gjithnjë përsërisin pyetjen: “Po çka, më në fund, do të dëshiroje të bëhesh kur të rritesh?” Të njëjtën pyetje e dëgjon prej farefisit, prej mësimdhënësve, prej kolegëve. Kësaj i bashkëngjiten drojat dhe mërzitë e vetë adoleshentit. Më në fund për shkak të jetës shoqërore dhe zhvillimit teknologjik gjithnjë e më të ndërlikuar vetë profesionet bëhen të komplikuara dhe të paqarta, kështu që vetë të rriturit e kanë vështirë t’i definojnë (përcaktojnë) disa prej tyre, e lëre më fëmijët. Në fund megjithatë duhet të vendosë dhe të niset rrugës së një thirrje të jetës.

Cila thirrje të zgjidhet?

Një varg teorish përpiqet të ofrojë një përgjigje në këtë pyetje, përkatësisht në pyetjen si zhvillohet tërheqja pas profesioneve të caktuara nga fëmijëria deri te mosha e re. Edhe vetë kjo llojllojshmëri qasjesh dëshmon se këtu bëhet fjalë për një fushë të rëndësishme dhe të ndërlikuar. Do t’i shohim fluturimthi disa teori të njohura mbi orientimin profesional.

1. Teoria e kompromisit me realitetin e Ginzbergit. – Kjo teori vë në dukje sesi zgjedhja e thirrjes nuk është fryt i një momenti, por përfundim i një procesi jetëgjatë në të cilin mund të vërejmë etapa karakteristike. Ato etape janë në të vërtetë vendime të pjesshme që ngushtojnë hapësirën e zgjedhjes së ardhshme. Për shembull, vendimi se dikush do të mësojë një zanat, e jo të shkojë në fakultet, përjashton një seri të tërë profesionesh përkatësisht thirrjesh në të ardhmen. Në atë proces veçanërisht janë të rëndësishme tri etapa.

Faza e të fantazuarit zgjatë rreth deri në moshën 11 vjeçe. Në atë periudhë (moshë) fëmijët paramendojnë shumë gjëra çka do të dëshironin të bëheshin, pa marrë para sysh aftësitë dhe mundësitë e veta, përkatësisht nevojat shoqërore. Nga oxhakfshirësi deri te astronauti, gjithçka u bie ndër mend dhe gjithçka u duket tërheqëse.

Faza e eksperimentimit përfshin moshën e jetës prej 11 deri 18 vjeç. Ky eksperimentim u përket katër momenteve. Në fazën më të hershme adoleshentët i vështrojnë thirrjet apo profesionet e veçanta gati ekskluzivisht në bazë të interesimit (profesionit), përkatësisht të dëshirave të veta (personale). E pra në moshën prej 13 deri 14 vjeç tashmë shfaqet njohja se thirrjet e ndryshme kërkojnë aftësi të ndryshme dhe përgatitjen e ndryshme. Pas kësaj njeriu i ri fillon t`i vlerësojë thirrjet e ndryshme sipas vlerës së brendshme.

Faza e realizmit, sipas Ginzbergut, fillon vetëm pas 19 viteve të jetës. Nën shtypjen e thirrjes së shpejtë (të afërt) dhe të pashtyeshme njeriu i ri merr informata të hollësishme mbi profesione të veçanta, thirrja bëhet e qartë, shfaqen edhe synime drejt specializimit.

Në shikim të parë duket se kjo është një teori shumë e bukur dhe elegante, e cila hap pas hapi përcjellë zhvillimin psikik të njeriut të ri. Mirëpo, ka një të metë estetike: realiteti nuk do t`i përshtatet gjithmonë këtij zhvillimi të brendshëm! Vërejtjet, përndryshe, tregojnë se shumë adoleshentë qysh në fëmijërinë e hershme qartë e dinë çka dëshirojnë të bëhen në jetën e mëvonshme, kurse ka edhe djem dhe vajza, për më tepër edhe të rritur, të cilët nuk e kanë të qartë thirrjen e vet, çka është tregues se ende nuk e posedojnë vetëdijen e qartë sa i përket orientimit të vet profesional. Për këtë arsye është me rëndësi të përmendim se vetë orientimi profesional, pa njëfarë antropologjie të gjerë, përkatësisht filozofie të jetës, nuk mund të jetë bazë e kënaqësisë së jetës. Me fjalë tjera, nuk është e mjaftueshme vetëm pyetja çka do të punojë dikush në jetë, por është e nevojshme të shtrohet edhe pyetja pse dëshiron këtë ta bëjë. Vetëm kur njeriu e di përgjigjen edhe në këtë pyetje (të paktën për vete, së paku në mënyrë të përfshirë), atëherë mund të themi se çdo profesion bëhet thirrje.

2.Teoria e vetë-realizimit e Superit. – Kjo teori, në mënyrën e vet, ofron përgjigje në pyetjen më parë të hapur: pse dikush e zgjedh një thirrje të caktuar? Krejtësisht evident duket përgjigja se këtë e bënë për arsye se në atë profesion, përkatësisht thirrje sheh më së shumti mundësi që ta realizojë vetveten, që t`i zhvillojë mundësitë, talentet e veta më të mira. Shkurt: qëllimi i çdo zgjedhjeje profesionale është dëshira për vetë-realizimin, ose, nëse dikujt kështu më shumë i pëlqen: dëshira për lumturi. Pikërisht në këtë përvojë përgjithësisht të pranuar ndërton teorinë e vet psikologu amerikan D. Super.

Teoria e Superit e zgjedhjes së thirrjes bënë pjesë në teoritë më të popullarizuara dhe ka më së shumti verifikime (argumente) eksperimentale. Teza bazë e tij është kjo: prirja dhe interesimi për thirrje të veçanta janë shprehje e synimit (aspiratës) për realizimin e vetvetes në një profesion të caktuar. Me fjalë të tjera, vetë-realizimi është ai motivi bazë i cili gradualisht e kthen personin drejt një thirrjeje. Për atë arsye zhvillimin e vetëdijes profesionale mund ta shprehim edhe si diferencim gradual tëimazhit (përfytyrimit) të vetvetes dhe arritje e re përherë e më integruese në një shkallë më të lartë, deri atëherë kur njeriu të ngjitet (bashkohet) me thirrjen e vet, ashtu që ajo (të) bëhet pjesë e patjetërsueshme e të kuptuarit të vetvetes.

Teorinë e Superit e përkrahin shumë të dhëna eksperimentale. Personat u japin përparësi atyre profesioneve që tregojnë një harmoni më të madhe me strukturën bazë të personalitetit. Për shembull, në qoftë se dikush është më shumë introventir, i kthyer kah bota e vet e brendshme, atëherë do ta zgjedhë profesionin që është në harmoni me ato tendenca, p.sh. do ta zgjedhë studimin e matematikës, do t`i interesojnë kompjuterët, ose edhe do ta zgjedhë një profesion administrativ, përgjithësisht, profesion që nuk është i lidhur direkt me punën me njerëz. Në të kundërtën, nëse është dikush më shumë ekstrovertir, i kthyer kah bota e jashtme, veçanërisht kah njerëzit, sigurisht do ta zgjedhë një thirrje të tillë që i mundëson një kontakt sa më të madh me të tjerët, kështu do të bëhet mjek, psikolog, pedagog apo meshtar, përkatësisht avokat apo udhëtar tregtues.

Zgjedhja e thirrjes, do të thotë, nuk është fryt i një momenti, por proces dinamik. Në atë proces individi shqyrton dhe pranon ato role profesionale të cilat në një mënyrë të mundshme më të mirë mund të sigurojnë shprehjen e personalitetit të tij dhe garantojnë vazhdimësinë e atij imazhi/përfytyrimi të vetvetes që deri më tani e ka ndërtuar. Hap pas hapi, duke u bërë e vetëdijshme në ne imazhi i vetvetes sonë, mundohemi këtë ta shprehim edhe nëpërmjet profesioneve të ndryshme. Prandaj zhvillimi i interesave profesionale është i pandashëm nga zhvillimi i përgjithshëm i personalitetit. I tërë cikli zhvillimor do të mund ta ndanim në pesë etapa: fëmijëria, adoleshenca, djalëria/vajzëria, mosha e pjekur dhe pleqëria. Ne do të na interesojë në rend të parë adoleshenca dhe djalëria/vajzëria.

Adoleshenca është një periudhë kritike e zhvillimit të imazhit mbi vetveten. Kjo është njëkohësisht moshë kur adoleshenti duhet ta gjejë profesionin më të përshtatshëm për shprehjen e vetvetes. Natyrisht, kjo supozon se adoleshenti disponon me një njohuri të mjaftueshme dhe objektive të vetvetes. E pra, meqenëse bëhet fjalë për një proces, edhe këtu mund të vërejmë disa etapa:

a) etapa e kristalizimit shënjon kërkimet (hulumtimet) në moshën ndërmjet 14 dhe 18 vjeç. Të parat shfaqen idetë (mendimet) të cilat pasqyrojnë një harmoni ndërmjet imazhit/përfytyrimit të vetvetes dhe mënyrës së të shprehurit të tyre;

b) etapa e specifikimit sjell zvogëlimin e numrit të profesioneve të mundshme, adoleshenti ndërmerr hapat e parë drejt realizimit konkret të thirrjes së zgjedhur. Kjo është rëndom një periudhë e shkollës së mesme, që do të thotë përgatitje e drejtpërdrejt për drejtimin e jetës;

c) realizimi i zgjedhjes profesionale është etapa që vijon, ndërmjet moshës 21 dhe 24 vjeç. Njeriu i ri tani tashmë jo vetëm se përgatitet për thirrjen e vet por aktivisht merret me atë në çka deri më tani është përgatitur;

d) vendosja e themelit të karrierës së ardhshme relativisht është një periudhë e gjatë, dhe zgjatë prej moshës 25 deri në 35 vjeç. Këto janë vitet e krijimit dhe realizimit;

e) përforcimi i vetëdijes profesionale do të thotë maja e këtij zhvillimi, dhe fillon vetëm pas moshës 35 vjeçe. Kjo tashmë është detyrë e moshës së pjekur.

Megjithatëmbet një pyetje e hapur sesi njeriu i ri do ta gjejë atë profesion që në një mënyrë më të mirë do t`i pasqyronte synimet dhe aftësitë e tija personale? Në thelb janë tri rrethana që e (për)caktojnë këtë: zhvillimi personal, mundësitë e jashtme dhe profesionet që i qëndrojnë në dispozicion. Kundërshtimit se pas kësaj mbetet një hapësirë shumë e varfër për një zgjedhje Superi përgjigjet se individi është i aftë për një përshtatje të madhe, dhe në fund të fundit mund ta gjejë vetveten në shumë profesione. Mirëpo, me këtë pakëz po e prishë teorinë e vet. Do të thotë, me këtë arrijmë mbrapa deri te pyetja mbi filozofinë e jetës, sepse këtu më nuk është kryesore pyetja çfarë profesioni ka dikush, por a është i aftë në një situatë të caktuar ta gjejë vetveten. Një kënaqësi të tillë nuk mund ta japë kurrfarë profesioni që një njeri e ka zgjedhur prej zori, por vetëm i zgjeron qasjet vetvetes dhe realitetit. Me fjalë të tjera, një njeri i kënaqur mund të jetë i kënaqur pa marrë para sysh se çka duhet të punojë, kurse i pakënaquri s’do të bëhet i kënaqur as në kushtet më ideale.

3. Në fund do të përmendim edhe teorinë e Hollandit, e cila bazohet në harmoninë ndërmjet tipit të personalitetit dhe shenjave (karakteristikave) të rrethit. Duke e vështruar personin nga ana e pikëpamjes së zgjedhjes profesionale, Hollandi gjen shtatë tipa: realisti, intelektuali, shoqërori, konservatori, argëtuesi dhe artisti. Këtyre tipave njëjtë ashtu u përshtatet gjashtë tipa profesionesh. Njeriu do të jetë i kënaqur dhe i suksesshëm në thirrjen e vet, në qoftë se e gjen dhe e zgjedhë atë që i përshtatet më së shumti personalitetit të tij.

Kjo teori aq shumë e thjeshtëson realitetin sa më tutje edhe s’do të merremi me të. Megjithatë, ajo e ka një porosi të dobishme: vendi i takimit midis tipit të personalitetit dhe profesionit të caktuar është familja. Do të thotë, çdo familje e ka ‘atmosferë profesionale’ të caktuar: familja e prirë pas artit ka për miq artistë të vet dhe fëmija tashmë shumë herët takohet më këtë profesion. Për më tepër, fëmijët qysh prej ditëve më të hershme mund të marrin pjesë aktivisht në profesionin e prindërve të vet. Nganjëherë vetë prindërit prej ditëve të hershme e përgatisin fëmijën për një profesion të caktuar, p.sh. e regjistrojnë në shkollën e muzikës, i mësojnë gjuhë të huaja etj.

Vendimi personal

Prej një shumice teorish të mundshme dhe që ekzistojnë i kemi paraqitur vetëm tri. Besoj se në ne është shfaqur ndjenja se pas gjithë kësaj nuk jemi bërë më të mençur çka ti këshillojmë një djaloshi apo vajze, që do të na pyeste cilin profesion ta zgjedhin. Vështirë është të jepen parime të vlefshme të përgjithshme. Zgjedhja e thirrjes është një ngjarje aq fatale në jetën e çdo individi sa rregulla më e rëndësishme është kjo: le të jetë kjo një zgjedhje jashtëzakonisht personale. E pra në të njëjtën kohë reale. Përndryshe, a do të ndihet dikush mirë në thirrjen e vet, kjo varet prej katër faktorëve; edhe ata duhet marrë në konsideratë në zgjedhjen e profesionit.

Inteligjenca e ka një rol të rëndësishëm. Jo në kuptimin se për shumicën e profesioneve do të ishte e nevojshme aftësia intelektuale mbi-mesatare (shumicën e fakulteteve mund t`i kryesh edhe me inteligjencë mesatare!), por për shkak të një sendi krejtësisht tjetër. Sipas disa hulumtimeve, fëmijët më pak të aftë janë më të prirë për një zgjedhje më pak reale se fëmijët me një aftësi më të madhe. Me fjalë të tjera, ekziston një rrezik nga mbiçmimi i vetvetes, që më vonë mund të bie deri te një mossukses sistematik në thirrje. Aftësitë speciale mund të jenë një rrethanë vendimtare për një zgjedhje të thirrjeve/profesioneve të caktuara, p.sh. për muzikë apo art. Është një moment dhe interes i rëndësishëm: sa më shumë dikë e intereson puna e tij, aq më i suksesshëm do të jetë. Thonë se njeriu më i lumtur është ai, që me dëshirë punon atë që duhet bërë, do të thotë kur puna njëkohësisht është për të edhe hobi. Më në fund, duhet marrë para sysh edhe mundësitë që gjithnjë nuk pëlqehen me aftësitë dhe profesionin. Në lidhje me këtë ndoshta do të jetë me dobi për ta dëgjuar një ngjarje të vogël e cila mund t`u jap shumë dritë gjithë atyre që janë të detyruar të bëjnë punë për të cilat nuk janë të entuziazmuar tepër. Pyetja është kjo: A është e pashmangshme që një punë të tillë ta përjetojmë si një detyrim? Apo është e mundshme që edhe në mes të një pune më monotone të ndjehemi të lirë përbrenda?

Një punëtor detyra e të cilit ka qenë që në shiritin e lëvizshëm ta vërë një vidhë në një makinë të komplikuar i ka hyrë kësaj pune si sportist, siç e ka theksuar vet. Çdo tre muaj ka arritur ta përmirësojë realizimin e vet për disa sekonda. Ka qenë tejet i mburrur në ato realizime të veta; tërë përqendrimin e ka orientuar në ato realizime, dhe ka pohuar se ndjehet i lirë, meqë është zotërues i veprave të veta.

Ndoshta një dorëzim i tillë i plotë punës së vet është një gjë e rrallë. Megjithatë mbetet fakti se vetëm qasja personale në çdo punë mund ta sigurojë ndjenjën e kënaqësisë dhe lirinë e brendshme. Nëse dikush vullnetarisht pranon diçka në çka jeta e detyron, atëherë ndjehet i lirë. Askush s’mund të na detyrojë në atë që vullnetarisht e pranojmë. Kush ia shton kësaj edhe botëkuptimin e vet të krishterë, ai nuk mund ta ketë një jetë të dështuar.

(Pjesë nga libri: Mihály Szentmártoni SJ, “Bota e të rinjve”; përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »