PAJTONI NË EMËR TË ZOTIT, PËR TË ASGJËSUAR ARMIQËSITË MES VËLLEZËRVE

Aug 6 • Opinion

Shën Pali, në letrën e tij drejtuar Efesianëve (kap. 2, 16), i grish gjithë besimtarët që në emër të Zotit të angazhohen për paqen mes vëllezërve dhe popujve, për ta asgjësuar armiqësinë mes njerëzve. Është kjo një grishje e vazhdueshme apostolike, që Kisha në emër në Jezusit e zbaton në veprimtarinë e saj edhe në ditët e sotme. 

Pasi, këto ditë, në disa media është përgojuar Katedralja si vendi i një ndërmjetësimi për pajtim, Ipeshkvia e Kosovës ka dal me një deklaratë për të sqaruar opinion publik. Në deklaratën e lëshuar sot nga zëdhënësi Don Fatmir Koliqi, theksohen qartë dy pika fundamentale që Kisha Katolike i jetëson gjatë angazhimit në veprën e saj baritore.

1. Angazhimi permanent i Kishës dhe klerikëve të saj në shërbim të pajtimit dhe të ndërmjetësimit mes njerëzve për paqe.

2. Kisha katolike nuk e luan rolin e gjykatësit e as të drejtësisë në Vend, sepse atë e bëjnë organet kompetente, por ajo prek aspektin njerëzor, shpirtëror me qëllim për ta shëruar atë.

Përkundër qartësisë dhe transparencës që shfaqet në deklaratë, duket se mediat e informojnë opinionin me tendencë, sikur Kisha të kishte pasur gisht në materien e çështjes. Titujt tendencioz të disa medieve nuk e pasqyrojnë të vërtetën e shprehur në deklaratë, por një “të drejtë” të padrejtë duke nxjerr përfundime subjektive apo duke përkufizuar panatyrshëm veprimtarinë baritore të kishës.

————————————————————

Deklarata e plotë për media e Ipeshkvisë

Pasi Mediat janë të interesuara për një ndërmjetësim për pajtim pranë Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, me anë të kësaj deklarate, duami të sqarojmë opinionin publik dhe të informojmë mediat, si më poshtë:

Ndërmjetësimi për pajtim i Klerit dhe Kishës Katolike është i pandërpreshëm në raste konfliktesh mes njerëzve, pa marrë parasysh arsyen e konfliktit, apo  statusin shoqëror të njerëzve. Në mënyrë të veçantë jemi të angazhuar të ndërmjetësojmë në ato raste konfliktesh kur janë të përfshira familjet e besimeve të ndryshme, me qëllim që ato konflikte të mos ndikojnë në prishjen e harmonisë mes komuniteteve.

Ky ndërmjetësim pajtimi apo dialogu mes palëve nuk nënkupton, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë, përfshirjen tonë në materien e konfliktit, por angazhimi ynë është në aspektin njerëzor për pajtim mes palëve që mos të shkaktohet një e keqe më e madhe. Në raste të veçanta këto ndërmjetësime për paqe dhe pajtim mes njerëzve  kanë natyrë delikate dhe janë shumë të vështira, por megjithatë nuk do të pushojmë asnjëherë që ta japim kontributin tonë për çdo rast konflikti kur palët na e kërkojnë.

Prandaj, çdo tentativë për t’i dhënë kahje tjetër këtyre ndërmjetësimeve,  është në kundërshtim me të vërtetën e angazhimit tonë.

Prishtinë, 6 gusht 2015

Don Fatmir Koliqi, Zëdhënës i Ipeshkvisë

(DRITA)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »