QYTETI I TORINOS I KUSHTON NJË PARK NËNË TEREZËS

Aug 6 • Kulturë

Kryebashkiaku i Torinos Piero Fassino dhe nënkryetari i Këshillit Komunal Silvio Magliano, këto ditë kanë lajmëruar përmes një ftese të gjithë qytetarët e Torinos dhe rrethit të tij,  se në vigjiljen e festës të së lumes Nënë Tereza, më 4 shtator 2015, në ora 11:00 do të bëhet përurimi kremtor i parkut me emërtim “Nëna Tereze” në sheshin Vercelli nr. 10-14. Ceremonia do të fillojë pranë lokaleve “Circoscrizione 7”, në Corso Vercelli nr. 15.

Motivi bazë i këtij vendimi është: “Nëna  Tereze, Gonxhe Bojaxhiu, lindi në një familje shqiptare, ku qysh nga fëmijëria, mori një edukim të thellë katolik…

Janë të shumta nderimet dhe shpërblimet që mori ajo, nga ai indian Padmashari i vitit 1962, deri te shpërblimi më i njohur Nobel për Paqe në vitin 1979, duke nderuar kështu veprën e saj. E tërë jeta dhe vepra e Nënës Tereze japin dëshmi të gëzimit për të dashur, të madhërisë dhe dinjitetit të qenies njerëzore, të vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri dhe me dashuri.

 Gjatë viteve të fundit të jetës tokësore, edhe pse kishte shumë vështirësi shëndetësore, ajo vazhdoi udhëheqjen e Kongregatës “Misionaret e Dashurisë” për t’iu përgjigjur nevojave të të varfërve dhe të Kishës. Më 5 shtator 1997 jeta e saj tokësore kishte përfunduar, duke lënë një testament të fesë së pathyeshme, të shpresës së pamposhtme dhe të dashurisë së jashtëzakonshme.

Në vitin 2003 Papa Gjon Pali II e shpalli atë të Lume.

Parku, emri i të cilit është propozuar nga Shoqata Nëna Tereze, Art@mia dhe Infinita Mondi Onlus, së bashku me një rrjet të organizatave italo-shqiptare, paraqet përfundimin dhe simbolin e punës dhe bashkëpunimit më të gjerë të sensibilizimit të figurës së Nënës Tereze”.

Ky është edhe një shenjë ogurmirë, sukses i Shqiptarëve në Torino, si dhe i Komunës, për të “ngjallur” dhe nderuar jetën dhe veprën e së Lumes Nënës Tereze, duke e paraqitur atë botërisht për të gjithë qytetarët, si model  jete, flijimi dhe dhurimi në krijimin dhe zhvillimin e kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë.

Për Dritën: Don Lush Gjergji

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »