LIRIA E KULTIT DHE LIRIA FETARE

Aug 7 • Opinion

Shkruan: Don Jeton Thaqi

Si zakonisht, kur analizohen disa çështje religjioze, brendapërbrenda një shteti, shpeshherë është e mundshme të krijohen paqartësi terminologjike të atij studimi. P.sh: A është e drejtë të baraspeshohet liria fetare me lirinë e kultit? 70% e popullsisë botërore jeton në vende-shtete që imponojnë kufizime të rënda ndaj lirisë fetare, të cilat, shfaqën në formën e persekutimit, diskriminimit dhe atolerancës. Me persekutim, nënkuptojmë dhunën e ushtruar sistematikisht nga regjimet autoritare ndaj besimtarëve e që manifestohet në formën e burgimit, torturës, konfiskimin e të mirave, shkatërrimin e shtëpive, dënimin me vdekje… etj. Diskriminimi, në fushën ligjore dhe politike, theksohet në përjashtime nga detyrat, postet publike; pengesa për të marrë pjesë në mjetet e komunikimit; ndalesa për të shfaqur publikisht simbolet e fesë, apo pengesa e përhapjes së fesë. Me atolerancë nënkuptohet mënjanimi i realizuar, nëpërmjet mekanizmave shoqërore, stereotipave dhe marrjen e akteve administrative ad personam. Në disa tekste konstitucionale, sikur ato të Meksikës, p.sh, reduktohet liria fetare në liri të kultit. Kjo e fundit, nënkupton mundësinë e jetësimit të fesë vetëm në akte liturgjike-ceremoniale, ekskluzivisht në vendet që shprehimisht i dedikohen kultit me leje paraprake të autoriteteve zyrtare.

Në disa vende të botës, si në Arabinë Saudite nuk lejohet asnjë kremtim që nuk është islamik dhe vetëm posedimi i një libri të shenjtë, sikurse Bibla konsiderohet përdhosje e tokës që ruan dy vendet e dalluar të Mekës dhe Medinës. Në Kinë, drejtuesit e shtetit pretendojnë të emërojnë ipeshkvijtë kundër pëlqimit të Papës, duke hequr lirinë atyre. Në Korenë veriore, parashihet kamp pune të dhunshëm për ata që përhapin Shkrimin e Shenjtë. Në disa vise të Indisë, policia nuk intervenon në dhunën që u shkaktohet të krishterëve. Në Myanmar, represioni i regjimit ushtarak ndaj çdo lloji përshpirtërie është sistematikisht brutale. Në Malaysi, konvertimi në krishterim shkakton humbjen e trashëgimisë atërore. Në ishujt Maldive, janë të ndaluara shtypi, shitja, importimi dhe shpërndarja e teksteve të pakicave fetare. Në disa shtete të Nigerisë, Sharia është futur në kodin penal si ligj për të gjithë të krishterët. Në Pakistan, mjafton të akuzohesh për blasfemi kundër fesë islame dhe kjo shkakton dënimin me vdekje. Në Vietnam bashkësive fetare vazhdimisht u merren të mirat materiale dhe vendet e kultit.

Meqenëse liria e kultit është vetëm njëri ndër aspektet e jashtme të lirisë fetare. Për të pasur një definicion i referohemi Deklaratës Universale e të drejtave të njeriut e aprovuar në vitin 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

“Çdo individ ka të drejtë në lirinë e mendimit, të njohjes dhe të religjionit; dhe lirinë për ta manifestuar, personalisht apo në mënyrë të përbashkët, qoftë në publik, qoftë privatisht religjionin e vet dhe besimin e vet në mësimdhënie, në kult dhe në mbajtjen e riteve”.

Pra, kemi të bëjmë me një imunitet nga ndëshkimet lidhur me raportin që një person lirisht e ndërton me Zotin, me mundësinë e zgjedhjes dhe ndërrimit të religjionit (akt i dënuar me vdekje në disa shtete me shumicë islamike), që të manifestoj personalisht, ose brenda një grupi fenë e vet në aspektin dogmatik, moral dhe liturgjik, për të zhvilluar aktivitete propaganduese nga shoqata me karakter fetar, të ushtroj kultin privatisht dhe publikisht, të edukoj fëmijët konform fesë së tyre.

Definicioni i Kombeve të Bashkuara, mëton të përjashtojë një model të laicitetit që pretendon të lidh fenë vetëm në fushën private të ndërgjegjes individuale.

Sipas sociologut KhaledFouadAllam, Islami nuk ka arritur të zgjidhë çështjen e raportit të tij me politikën. Në regjimet e reja të lindura nga shpërthimet e fundit në disa vende arabe, të ashtuquajtura Pranvera e 2011, do të mund të jetë i madh tensioni ndërmjet atyre që shohin, si burim dominues për drejtësinë, ligjin kuranor dhe anën tjetër të atyre që presin ndërtimin e një demokracie të tipit perëndimor.

Kujtojmë momentin e adoptimit të Deklaratës Universale, ku Arabia Saudite evitojë të japë pëlqimin e vet, duke u limituar me abstenim, sepse pikërisht e drejta për të ndërruar religjionin, e drejta e konvertimit, shkon kundër deliktit të apostazisë.

Arqipeshkvi libanez Paul – MoungedEl-Hakem, prej vitit 2005 deri 2009 NuncApostolik në Kuwait, Bahrain, Yemen e Qatar, ka pohuar se shekullarizimi nuk është i mundur në Lindjen e mesme, sepse popullata është naturaliter religjioze. Edhe në vendet me shumicë Hinduiste apo Budiste – është më pak e njohur, por është e vështirë të bëhet ndërrimi i religjionit: si në Siri Lanka, Laos, Indi. Në këtë të fundit, ekzistojnë në fuqi ligjet antikonvertim, që zyrtarisht janë vendosur për të mbrojtur pakicat fetare, por që në fakt janë diskriminuese ndaj religjioneve. Sidoqoftë, lira fetare ndihet nga qeveritë më shumë si një problem, sesa si një e drejtë që duhet të mbrohet dhe të promovohet. Në bazë të gjithë kësaj mund të japim disa konkluzione:

1. Bindja rrënjësore se shteti është ai që i jep të drejtat, dhe bën përcaktimin e përmbajtjes dhe zgjerimin e tyre: në realitet të drejtat themelore vijnë para shtetit dhe nuk janë një e drejtë e disponueshme në duar të qeveritarëve. Aktualisht shteti dhe organizatat e fuqishme të shoqërisë civile po përvetësojnë të drejtat themelore të njeriut dhe definon, kur lind, kur mbaron jeta.

2. Religjioni po instrumentalizohet nga njerëzit e politikës dhe të qeverisë, duke e reduktuar atë si një faktor i ndarjes, kërkimit dhe luftës.

3. Ekziston edhe një element i tretë, që shprehet në stereotipa ideologjikë, si p.sh.: jo të gjithë myslimanët janë terroristë, por të gjithë terroristët janë myslimanë; misionariteti dhe ri-ungjillëzimi i katolikëve nuk janë asgjë tjetër përveçse një prozelitizëm i maskuar; zhvillimi nuk është një çështje e bamirësisë se krishterë, por implementim i të drejtave të njeriut që na rikujton thënien marksiste mbi religjionin si një opium për popujt; feja dhe religjioni janë çështje private. Lidhur me këto tematika rrezikohet të shkohet me shumë në rrugën diskriminimit, atolerancës, në emër të tolerancës, duke e devijuar problemin, edukimin, dialogun dhe dëshminë. Për çdo rast, qartëson profesori i nderuar FrancescoPaoloCasavola, president nderi i gjykatës kushtetuese të Italisë, ideja që po tentohet të afirmohet, se religjioni është një liri kushtetuese e qytetarëve dhe si e tillë është një instancë në një shtet demokratik dhe laik.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »