RELIGJIOZITETI DHE POLITEIZMI

Aug 7 • Opinion

Shkruan: Dedë Palokaj

Shoqëria njerëzore ndërtohet në tri shtylla: në universalizëm, futurizëm (e ardhme) dhe në personalizëm.[1] Edhe pse religjioziteti është i gjithëllojshëm, ai është raport personal, është faktor subjektiv ndërmjet njeriut dhe Zotit. A është një person religjioz apo jo, tregon çfarë njohje dhe marrëdhënie ka me Zotin e vërtetë.

Megjithëkëtë religjioni si shprehje e brendshme e religjiozitetit nënkupton edhe atë që shihet nga ana jashtme, e cila përfshinë kultet për këtë qëllim si p.sh. objektet dhe gjësendet që u besojnë, vendet e shenjta, lutjet, agjërimet, flijimet, shtegtimet etj. dhe gjitha aderimet me premisa religjioze.

Fatkeqësisht religjioni dhe religjioziteti i shumë njerëzve është i lidhur ngushtë me magjinë, idhujtarinë, astrologjinë, spiritizmin, ezoterizmin, agnosticizmin, sharlatanizmin (shkruesit e hajmalive) dhe me fuqitë e fshehura enigmatike (okulte) të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me religjionin dhe religjiozitetin e vërtetë. Praktikat okultiste janë të njohura qysh nga kulturat e lashta të Egjiptit, Babilonisë, Greqisë, Romës etj. të cilat edhe sot janë të njohura gati në të gjitha fetë dhe grupet e ndryshme fetare.

Hulumtimet arkeologjike, antropologjike si dhe studimet paleontologjike të bimëve, kafshëve, fosileve dhe qenieve të gjalla në përgjithësi, dëshmojnë evolucionin e jetës dhe gjurmët e para primitive të shoqërisë njerëzore.

E kaluara na dëshmon se jeta e shoqërisë njerëzore filloji gjatë paleolitit të hershëm, një proces i gjatë dhe i ndërlikuar. Krijimi i njeriut sipas teorisë së evolucionit i njohur ndryshe edhe si hominizim, i cili filloi rrethë 100 milion vjet më parë. Fazat e hershme lidhen me primatin e quajtur Purgatorius (70 milion vjet) deri tek Homo Sapiensi (40 mijë vejt).

  

KRONOLOGJIA RELATIVE E PERIUDHAVE TË NJERËZIMIT

– Homo Habilis ( 2 500 000 – 1  500 000 vjet ); 

– Homo Pitekantropus Erectrus ( 1 500 000 – 200 000 vjet);

– Homo Neandertalensis ( 100 000 – 35 000 vjet );

– Homo Sapiensis ( 40 000 – 35 000 vjet ).[2] etj.

Të parët tanë jetuan të bashkuar në grupe – hordhi, jetuan jetë endacake në kushte shumë të ndryshme nga kushtet e sotme. Ata jetuan në një klimë, florë e faunë krejt tjetër, në një kohë kur kanë ndodhur ndryshime të mëdha gjeologjike.

Instinkti për të mbijetuar, dëshira e madhe për jetën si dhe lufta me vështirësitë dhe rreziqet e ndryshme, i shtyri njerëzit e hershëm t’i përshtaten mjedisit, kushteve dhe rrethanave të kohës ku si vendbanim kishin zgjidhur shpellat dhe vendstrehimet e përshtatshme natyrore. Në thelb, epoka historike përfaqëson historinë e luftës së klasave, kurse epoka parahistorike përfaqëson historinë e luftës së njeriut me natyrën.[3]

Kështu, njeriu i periudhave të hershme parahiastorike i ngjante foshnjës së vogël e pa zhvilluar mirë, por për dallim nga kafshët kishte arsyen, moralin dhe ndërgjegjen. Dihet mirëfilli se kafsha nuk ka aftësi mendore dhe nuk e posedon tërësinë shpirtërore ashtu siç e ka njeriu.

Nga agimi i hershëm parahistorik e tutje, i hasim të dhënat e para të kulturës materiale arkeologjike të cilat na flasin mbi format e hershme të kulteve, besëtytnive, magjive, totemizmit, fetishizmit, pra të një religjioziteti primitiv të njeriut i cili besonte në fuqitë natyrore dhe qe ishte i lidhur ngushtë me procesin e punës në luftë për sigurimin e mjeteve të nevojshme për ekzistencë.

Paraqitja e hyjnive me anë të simboleve, shëmbëlltyrave të kafshëve, të njerëzve, trajtave gjeometrike dhe vegjetative, kryqeve të thyer – svastika (sanskr. svastik) simbol i jetës dhe i vdekjes dhe relikteve të ndryshme etj., paraqesin kërkimin fillestarë dhe “virgjëror” të njeriut për të gjetur rrugëdalje nga ndjenja e pafuqishme para forcave të natyrës dhe për të zbuluar realitetin e ekzistencës, thelbin e së vërtetës, pra burimin e jetës. 

Ky botëkuptim metafizik në dukje të parë paraqitet i thjeshtë. mirëpo është koncept i veçantë i shprehjes së ndjenjave religjioze, përkatësisht kërkim i përjetësisë. Kjo tregon se njeriu i hershëm parahistorik në shpirt nuk ishte “tabula rasa”.[4] Pavarësisht nga mungesa e lëndës së shkruar, të dhënat arkeologjike dhe antropologjike padyshim dëshmojnë se religjioni realisht është i vjetër sa edhe vetë njeriu.

Nga gjitha krijesat e gjalla në natyrë, vetëm qenia njerëzore u paraqit religjioze. Kafsha nuk është religjioze dhe asnjëherë nuk mund të ketë përkatësi as identitet religjioz. Lidhur me këtë shtrohet pyetja: Pse mbetjet e kufomës së njeriut nderohen dhe meritojnë respektin e të gjallëve edhe sot e kësaj dite? Pra, që nga periudhat e zymta parahistorike, atëherë kur njeriu ishte “gdhirë” në këtë botë me një “virus” të mistershëm që mbeti i pa shërueshëm deri me sot, e kjo është vdekja, qysh atëherë njeriu si qenie e vdekshme e ka bërë varrimin e të vdekurve të vet, gjë që këtë rit nuk e hasim të asnjë kafshë apo krijesë tjetër e gjallë. Qe nga fillimi i kulturës njerëzore  njeriu është kujdesur për ritet e varrimit duke treguar përkujdesje të veçantë për varret e prindërve, vëllezërve, motrave dhe fëmijëve të vet.

Ritet e varrimit i hasim në gjitha periudhat të kaluarës sonë të lashtë. Varri gjatë gjitha kohërave konsiderohej si “apartament banimi“, shtëpi e të ndjerit dhe vendi ku ai njëmend pushon në Përjetësi. Këto rite varrimi paraqesin shenjë përkujtimi, respekti, dashurie dhe religjioziteti, sepse në shtratin e vdekjes njeriu ballafaqohet më gjendjen e vet reale dhe në kthetrat e vdekjes ndjehet plotësisht i pafuqishëm.

Këtë e vërteton fakti i një monumenti mortor i zbuluar në arealin e Kalasë së Kamenicës (shih fig. më poshtë). Në këtë monument sepulkral, është paraqitur skena e varrimit të një burri duke e përcjellë tek varret. Janë të paraqitura tri valltare, të cilat shoqërohen nga disa vajtuese, që dukët se shkulin flokët e tyre. Katër persona, të cilët duhet të kenë qenë të afërm të vdekurit, mbajnë kufomën. Ndërsa poshtë reliefit janë të paraqitur dy drerë, të cilët lidhen me kultin e diellit.[5]

9999

Kamenicë: Monument mortor – relief i skalitur në gurë me shfaqje të një procesioni varrimi i një të vdekuri

(shek. V – IV p. Kr.)

Nderimi i të ndjerëve padyshim tregon qartë funksionin shoqëror të kultit religjioz.[6] Analiza e jetës dhe vdekjes, kontrasti i dritës dhe errësirës, ditës dhe natës, të mirës dhe të keqes, ndjenja e faktorit kohë, kujdesi për të kaluarën dhe të ardhmen etj., paraqesin vetitë dalluese të njeriut nga kafshët.[7]

Shpirti i arsyeshëm i njeriut zbuloi gjuhën, shkrimin, zhvilloi kulturën, artin, edukatën, arsimin, njohurinë etj., dhe vazhdoi rrugën e qytetërimit të vet. Monumentet e para të pashkruara dhe të shkruara ndër kulturat e lashta na flasin mbi kultet, besëtytnitë dhe religjiozitetin primitiv të njeriut i cili kërkonte kuptimin dhe qëllimin përfundimtarjetës së tij.

Shikuar nga ky aspekt, etnologjia dhe historia e religjioneve nuk njohin ndonjë epokë të njerëzimit pa religjion dhe as një popull areligjioz që së paku nuk e ka një formë të religjiozitetit të vet. Mu për këtë koncepti ateizëm është i karakterit individual.

Që nga zanafilla e njeriut e deri më sot e kësaj dite, religjioni ishte dhe mbeti i pranishëm në të gjitha periudhat dhe në të gjitha kulturat e qytetërimit njerëzor. Çdo shoqëri dhe çdo epokë e zhvillimit të saj, ka patur dhe ka qenë e “ngjyrosur” dhe e vulosur me religjionin e vet.

Në historinë e kulturës njerëzore, religjioni ishte dhe mbeti i paevitueshëm nga skena botërore. Të gjitha ndjenjat dhe vlerat estetike njeriu i vente në shërbim të hyjnive duke i shprehur përjetimet religjioze në forma dhe mënyra më të ndryshme, qofshin ato përmes ndërtimit të objekteve të kultit, pikturës, skulpturës, muzikës, letërsisë, artit, shkrimit, leximit dhe jetës në përgjithësi.

Mjafton të përmendët Olimpi pagan i periudhës antike i cili ishte i stërngarkuar me idhuj dhe me një sistem religjioz politeist si formë e posaçme e religjionit. Kjo strukturë politeiste si dhe format tjera religjioze u shfaqen të të gjithë popujt e lashtë ashtu siç ishin p.sh. popujt qe jetuan në Mesopotami, Egjipt, Greqi, Romë etj.

Sipas politeizmit të egjiptasve të lashtë, e tërë bota është e mbushur plot e përplot me perëndi. Ata aderonin si perëndi jo vetëm njerëzit e mëdhenj si psh. kultin e faraonëve por edhe krijesat tjera si kultin e Diellit, detit, lumenjve, gjarprit etj., pastaj Gilgameshi, ep i njohur i babilonasve, politeizmi grek, romak etj. Teogonia (lindja e imagjinuar e perëndive) është gjenealogji e karakterit imanent, është një shqyrtim i posaçëm historik dhe psikologjik.

Asnjë ceremoni e popujve të lashtë nuk bëhej pa kushtuar flijime për nder të hyjnive dhe hyjneshave të cilët i ndanin në hyjni të mirë dhe të këqija, të luftës dhe paqes, të dritës dhe të errësirës. Jo vetëm se i nderonin hyjnitë, por ata e kishin edhe ndjenjën frikës, dyshimit dhe pasigurisë ndaj tyre.

Të gjitha këto janë religjione natyrore me një ndjenjë të stërmundimshme për t’ia dalë në krye me betejën rreth së mirës dhe së keqes, jetës dhe vdekjes. Në zemrën e vet njeriu çdoherë kishte një parandjenjë mbi lindjen e re, mbi jetën pas vdekjes se nuk do të shfaroset përgjithmonë “fara“ e tij. “Fara e amshimit që njeriu e bartë në vetvete, nuk mund të reduktohet vetëm në materie, sepse ajo e kundërshton vdekjen”.[8]

Derisa politika ka për qellim të mirën e përgjithshme të popullit, medicina shëndetin, ekonomia mirëqenien, arti të bukuren, kultura fisnikërimin, filozofia të vërtetën, kurse religjioni përfshinë tërë qenien e njeriut, shpirtin dhe trupin, arsyen dhe zemrën, ndjenjat dhe dëshirat, veprimin dhe punën e tij. Religjioni përfshinë dhe kalon nëpër të gjitha porët e jetës duke e prekë qenësinë dhe vetëdijen morale të jetës së njeriut.

______________________

[1]Kusić Ante, Theilhard de Chardin, evolucionističke misli kršćanske usmjerenosti, Obnovljeni život 37 (1982) 3, f. 203

[2]Srejovic, vep. e cit. 1997, f. 379, 704

[3]Ceka, vep. e cit. f. 25

[4]Tabula rasa. Lat. tabula – dërrasë, racë e fshirë dhe plotësisht e padije.

[5]Dr. Exhlale Dobruna – Salihu, Plastika dekorative dhe figurative e gurit në Dardani gjatë kohës romake,

Prishtin, 2005, Tab. 136, Fig. 255 – N. 296

[6]A. R. Rediklif – Braun, Struktura i funkcija u primitivnom drustvu, Beograd, 1982, f. 225 – 227

[7]Brooks, vep. e cit. 1987, f. 16

[8]GS, 18

Shpërndaje

Comments are closed.

« »