AI QË BESON KA JETËN E PASOSUR

Aug 8 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XIX gjatë vitit (B) 

Leximi parë   1 Mbr 19, 4-8 

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në atë kohë, Elia vetë mori rrugën e shkretëtirës e udhëtoi një ditë rrugë. Kur mbërriti, u ul të pushojë nën një dëllinjë, i dëshiroi vetes vdekjen e tha: “S’mundem më, o Zot! Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi!” Atëherë ra e fjeti nën hijen e dëllinjës. Por ja, e preku engjëlli dhe i tha: “Çohu e ha!” I hapi sytë, kur qe, te kryet e tij një bukë e pjekur dhe një katrovë me ujë. Elia hëngri e piu dhe përsëri ra e fjeti. Porse engjëlli i Zotit u kthye edhe të dytën herë, e preku dhe i tha: “Çohu e ha; sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë.” Elia u çua, hëngri e piu. I forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 34 

Ref. Ushqimi yt, o Zot, i forcon skamnorët në udhën e tyre.

———————————————————————-

Përherë do ta bekoj Zotin,

në gojën time përherë është lavdi i tij.

Shpirti im mburret në Zotin:

le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

———————————————————————

Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,

le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.

E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,

edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.

———————————————————————-

Shikojeni atë e do të ndriçoheni,

fytyra juaj nuk do të turpërohet.

Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi

dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.

———————————————————————-

 

Leximi dytë Ef 4,30-5,2  

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit. Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, shamje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin. Përngjani Hyjit porsi bij të dashur dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli që jep erë të mirë.

Fjala e Zotit

 

+ Ungjilli  Gjn 6,41-51

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Judenjtë nynykatnin kundër tij pse tha: ‘Unë jam buka që zbriti prej qiellit.’ Ata thoshin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit? Po, a nuk ia njohim babën e nënën? Si mund të thotë tani: ‘Kam zbritur prej qiellit’?” Jezusi u përgjigj: “Mos nynykatni njëri me tjetrin! Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit. Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra, e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë. Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin!  Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkreti dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë.  Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.”

Fjala e Zotit

POROSIA

Elia profet, ishte një luftëtar i madh që angazhohej për drejtësi por shpesh kishte edhe vështirësi për angazhimin që bënte në emër të Zotit, sepse ishte i kërcënuar. I lodhur nga puna, dhe ndoshta nëse mund të themi i dëshpëruar që nuk arrinte sukses, ai kërkon nga Zoti që ta merr nga kjo botë, sepse ndihej se e kishin lëshuar fuqitë, por Zoti kishte ende plane me të. Atij i duhej të forcohej në trup, shpirt dhe të vazhdonte tutje. Kështu Elia e sheh se nuk duhet të bazohet vetëm në forcat e veta por në ndihmën e Zotit.

Dhe me Zotin do të ngadhënjej mbi të këqijat dhe mëkatet që bëheshin në popullin e Izraelit. E dëgjon Zotin dhe vazhdon rrugën që ia tregon Ai.

Shën Pali, edhe njëherë, i qorton dhe mëson bashkësinë e Efezit që të jetojnë në përkim me Shpirtin Shenjt që do të thotë të kenë dashuri dhe dhembshuri njëri për tjetrin, si bashkësi e krishterë të shquhen në një stil të ri të jetës, të frymëzuar nga Shpirti shenjtë që e kanë pranuar.

Ungjilli i sotshëm, në fillim dhe në mbarim, përmend fjalët që i tha Jezusi: “Unë jam buka që zbriti prej qiellit”. Nxënësit e tij, nuk e kishin harruar mrekullinë e shumëzimit të bukëve; nuk është çudi që këtë bukë ata ende e kërkojnë. Jezusi ju ofron bukën e jetës por jo të kësaj jete por të jetës së amshuar, për këtë bukë nuk janë të nevojshëm dhëmbët që ta përtypin, por feja, besimi në Jezusin Zot. E feja nuk është një ndjenjë subjektive e pa definuar, nuk është besimi që ekziston një qenie, ndonjë fuqi, një ndjenjë e përgjithshme njerëzore që ka Zot. Por këtu është feja-besimi konkrete lidhur me personin e Jezu Krishtit. Kjo është feja besimi në Atin, në Trininë shenjte. Të prirë nga feja kuptojmë që jemi dhuratë e Zotit, jemi bijtë dhe bijat e Zotit, vëllezër dhe motra.

Për këtë pra si të krishterë jemi të gjallë dhe veprues vetëm nëse ushqehemi më Fjalën e tij dhe me trupin e tij nën trajtë të bukës dhe verës.

I krishteri duhet të ketë lidhje me Zotin në jetën sakramentale, i cili na aftëson për të kuptuar qëllimin  e jetës dhe për të jetuar në vlerë shpirtërore, na aftëson për të besuar e për të jetuar nga feja e cila forcon jetën tonë.

E jeta e jonë duhet të jetë e bashkuar me jetën e Jezu Krishtit. E këtë mund ta arrijmë në planprogramin tonë që e bëjmë duke u munduar të zbatojmë mësimet e tija.

Unë jam buka që zbriti prej qiellit, jo sikurse ajo buka që izraelitet hëngrën në shkretëtirë e vdiqën, por kjo bukë që e përmend Jezusi është Ai vet, që jep jetë, që gjallëron, që mëshiron dhe që na mundëson jetën e pasosur, sepse Krishti erdhi për ne dhe shpëtimin tonë, prandaj në Të e kemi jetën që nuk përfundon askurrë.

 

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, t’ i lutemi Atit tonë qiellor, i cili na dhuron bukën prej qiellit që kjo bukë të na forcojë në fe, shpresë dhe dashuri:

O Atë i mirë, dëgjoje lutjen tonë!

– Për Kishën shenjte, e cila është e bashkuar nga shumë popuj dhe fise që me fe të gjallë të jetë shenjë e pranisë sate në botë të lutemi:

– Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarë, rregulltarët e rregulltaret që t’u ndihmosh sa më mirë të kryejnë dërgimin që ua ke besuar, të lutemi:

– Për të gjithë njerëzit në botë që t’ i lirosh nga robërimi i errësirës dhe gabimit, shndriti me dritën e Shpirtit Shenjt dhe frymëzoj të jetojnë në hirin dhe dashurinë tënde, të lutemi:

– Për bashkësinë tonë këtu të pranishme që të jetë e përvuajtë në shërbimin e të mirave që ua ke dhuruar të veproj dhe dëshmojë praninë tënde, të lutemi:

– Për vëllezër e motra tona të vdekur që mëshira jote t’ i pranoj në lumturinë e amshuar, të lutemi:

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, Ti në këtë gosti të dashurisë dhe bashkimit, na ushqen me bukën prej qiellit duke na dhënë të përjetojmë gëzimin e amshuar me ty. Na dhuro edhe Shpirtin shenjtë që të mundemi të jemi ndërtues të një bote të re, që të pelqen Ty, nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »