PSE KISHA SHPRESON NË FAMILJEN?

Aug 8 • Familja

Kur thua familje, thua jetë, të ardhme, pra edhe shpresë. Çdo njeri, që vjen në botë, bën ç’është e mundur për arritjen e objektivave, që i vë përpara vetes, por synon edhe të krijojë diçka të re përreth tij, të hyjë disi në historinë e botës. E gjithë kjo çon drejt një fillese të re biologjike e shpirtërore, që realizohet përmes bashkimit të dy njerëzve, të një burri e të një gruaje, të cilët krijojnë familjen.

Ky realitet nuk varet thjesht nga vullneti i njeriut. Vërtet, është shkruar: “Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet… i krijoi mashkull e femër” (Zan 1, 27). Pra, ekziston një shoqëri e dashur nga vetë Krijuesi, shenjë e pikë referimi e detyrueshme për çdo shoqëri tjetër më të gjerë, duke përfshirë edhe Kishën. Përveç kësaj, familja përbën realizimin e pjesshëm të mbarë njerëzimit, i cili është i thirrur të bëhet, i gjithi, një familje bijsh dhe vëllezërish në Zotin, në Mbretërinë e Tij. Është kjo arsyeja për të cilën Kisha e vlerëson lart familjen e bazuar në martesën, së pari, sepse e themeluar nga vetë Krijuesi e, së dyti, sepse është baza mbi të cilën ngrihet Kisha dhe shoqëria.

Por le të kthehemi tek shpresa, që përmendëm në fillim. Të shpresosh do të thotë të presësh me një besim të përzier me drithmë, që të realizohet plani i Zotit për secilin prej nesh. Kjo shpresë varet së pari nga Zoti, por edhe nga “mjetet”, që Ai i Lumi na i ka nxjerrë në shteg. E këtu duhet të kujtojmë një të vërtetë elementare, që e harrojmë shpesh: jeta e amshuar varet nga jeta tokësore, e cila vjen para saj. Pra, askush s’mund të ringjallet, nëse nuk ka lindur më parë për këtë tokë. Ekzistenca mbi tokë është dhuratë e premisë për t’u bërë bij të Zotit. Prandaj, sa herë që bashkëshortët dhurojnë jetën bëjnë një gjest feje e shprese jo vetëm njerëzor, por edhe për amshim, në Zotin.

Kisha flet për Ungjillin e martesës e të familjes, duke e vënë në qendër të bartiorisë familjare.  Kështu, Ungjilli shihet në një këndvështrim të dyfishtë: si “Lajm i Mirë” i Fjalës së Zotit mbi martesën e familjen, por edhe si diçka që e shndërron martesën e familjen në vetvete në “lajm të mirë” për njerëzit e çdo kohe.

Për ç’lajm është fjala? Që Zoti, përmes dhuratës së vazhdueshme të jetëve të reja njerëzore, na thotë akoma se nuk është lodhur me ne, por na do, na pret, na ndjek me dashuri e respekt të madh, na ofron miqësinë, takimin me Të, vetë jetën e Tij. Na thotë se dashuria e Tij është shumë më e madhe se interesat tona të ngushta, se llogaritë tona meskine, madje, na dhuron jetën. Na kujton se e ardhmja është në duart e Tij, jo në tonat, e as në të atyre, që e mbajnë veten për të mëdhenjtë e kësaj bote. E familja është pikërisht vendi, ku kjo prani e mistershme, por reale e Zotit, vepron e duket. Pra, a të shpresojmë në familjen? Falë Zotit, po, edhe sot e kësaj dite.

(Radio Vatikani – Shqip)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »