NUK KA JETË MË PAK TË VLEFSHME!

Aug 11 • Meditimi i ditës

11 gusht 2015 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Jezus i dashur, po vij sot tek ti dhe kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Vetëdija

 

Jetoj në një rrjetë marrëdhëniesh – lidhjesh me natyrën, me njerëz, me Zotin.

I lejoj vetes t`i ndiej këto lidhje duke falënderuar për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, dëmtuar, ose janë ndërprerë:

për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 18,1-5, 10, 12-14

 

1 Në atë moment nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:

“Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?”

2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 3 e u tha:

“Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”

10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor. [11]

12 Ç’ju thotë mendja? Po pati ndokush njëqind dele dhe po i humbi njëra prej tyre, a nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në mal e nuk shkon për të kërkuar atë që i humbi? 13 Dhe, po ia doli ta gjejë, për të vërtetë po ju them: për atë gëzohet më tepër se për nëntëdhjetenëntë të tjerat, që nuk i humbën. 14 Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë ndër këta të vegjëlit.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi Shenjt:

– Jezusi na tregon shumë qartë se në sytë e tij çdo jetë është e vlefshme. Çdo person që e takoj është i paçmueshëm dhe i pa zëvendësueshëm. Jezusi shfuqizon besime të zakonshme. “të vegjlit”, njerëzit që bota nuk i konsideron të rëndësishëm, janë më të çmuarit nga të gjithë.

– A do të reflektojë mendimi im sot këtë qëndrim?

– Po të kisha qenë i vetmi person në këtë botë që ka nevojë përshpëtim, Jezusi do të vdiste për mua. A më frikëson kjo apo më eksiton? Pse?

  

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »