GRUAJA E VESHUR ME DIELL

Aug 14 • LEXIMET E SË DIELËS

Festa e Të Ngriturit e Marisë Virgjër në Qiell 

Leximi dytë Zb 11,19; 12, 1-6,10 

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shpërthyen vetëtimë, gjëmë e rrufe, termet dhe breshër i madh! Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje! Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes.  Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë! Bishti i tij ngrehte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit – dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta lindte fëmijën, t’ia hante. Dhe Ajo lindi fëmijën – një djalosh – që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por fëmija i saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, kurse Gruaja iku në shkreti ku Hyji ia përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.  Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: “Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.             

Fjala e Zotit

Psalmi 46

Ref. Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha 

Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde,

në të djathtën tënde të qëndron mbretëresha,

në ar Ofiri e ngrirë.

————————————————————————————–

Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:

harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës

tënd.  Nëse mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote,

nderoje atë, ai është zotëria yt!

————————————————————————————–

Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.

Me hare u prijnë e me brohori,

ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!

————————————————————————————–

 

Leximi dytë 1 Kor 15,20-26 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja.

Fjala e Zotit

Ungjilli   Lk 1, 39-56

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!” 

Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.” Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj, e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

Fjala e Zotit

 

Porosia

Sot, kur festojmë të ngriturit e Zojes së bekuar në qiell, e kujtojmë atë si Nënë, e cila, e solli në botë Shëlbuesin.

Trupi i saj, nuk mund që të kalbej në dhe, ndërsa jeta e saj, e cila ishte në shërbim të plot të Hyjit, të përfundon në varr, por në lavdi dhe kurorëzim të Saj si Mbretëreshë, Nënë dhe Shërbëtore, e cila edhe pse lart në qiell nuk shkëputet nga bijtë e bijat e saja në botë, por ndërmjetëson dhe lutet me ne dhe për ne që të bëhemi edhe ne pjesëtar të asaj lavdie që gëzon Ajo.

Nga shembulli dhe jeta e saj në tërësi, mësojmë se jemi të ftuar në jetë dhe në botë që të bashkëpunojmë me Hyjin, nëpërmes Birit të Tij Jezus Krishtin, i cili erdhi në botë për shpëtimin tonë.

Dhe shpëtimi arrihet, duke u angazhuar dhe duke punuar në nderë e lavd Zotit.

Kusht për një jetë me Zotin, është jeta shpirtërore së cilës ndoshta pak i japim rëndësi – e në realitet ka vlerë të madhe.

Jeta shpirtërore do jetë në nivel në saj të lutjeve dhe jetës sakramentale.

Zoja e bekuar, posa e dëgjoi lajmin të shpallur nga Engjëlli, siç dëgjuam sot në Ungjill- e lumtur që ishte e zgjedhura e Zotit, shkon të takohet me  kushërirën e vet Elizabeten. Një vajzë e re, merr rrugë të largët e të rrezikshme, sepse ishin rreth 130 kilometra deri në krahinën e Judesë që duhej kaluar nëpër Samari që ishin kundërshtarë të izraelitëve. Ajo, nuk frikësohet, ajo nuk lodhet, ajo shkon e lumtur dhe e frymëzuar nga Shpirti Shenjt për një takim, takim shumë i rëndësishëm i dy zemrave, kushërirave dhe fëmijëve ende në kraharorë.

Çka e shtyri Marinë të shkoi tek kushërira e vet Elizabeta; gëzimi dhe frymëzimi që këtë lajm të mirë t’ua kumtoj edhe të tjerëve e në këtë rast kushërirës së vet, e cila po ashtu do të sjell në botë një foshnje me mision të caktuar pararendësin e Jezusit, Gjonin, profetë të fundit të Besëlidhjes së vjetër.

Elizabeta po ashtu e frymëzuar këndon himnin e mrekullueshëm: Shpiti im e madhëron Zotin, një himn që tregon krejt kujdesin e Hyjit që ka për njerëz, një himn dhe këngë që përfshinë dashurinë dhe mirësinë, mëshirën dhe afërsinë e Hyjit ndaj krijesës më të dashur njeriut.

Për këtë pra nga shembulli i Zojes së bekuar mësojmë të jemi të përvujtë dhe t’ i nënshtrohemi vullnetit të Hyjit e me përkushtim të punojmë dhe veprojmë në nderë e lavd të Tij për të siguruar jetën më Të.

Ne pra, kah do që shkojmë, sa do që jetojmë një ditë e përfundojmë jetën, por ky përfundim i jetës mos të jetë tragjik por shpresëdhënës dhe i lumtur për t’ u gjet në shoqëri me Zojen e bekuar dhe me shenjtërit dhe shenjtëreshat e Hyjit në mbretërinë qiellore. Amen.

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, sot kur festojmë të Ngriturit e Zojes së bekuar në qiell, kujtojmë dhe ia drejtojmë lutjet tona që si Nënë dhe Mbretëreshë të kujdeset për fëmijët e vet në botë:

O Jezus, ki mëshirë për ne!

– Fjalë e amshuar që zgjodhi Marinë të jetë arkë e pashkatërrueshme e qëndrimit tënd ndër ne, me ndërmjetësinë e saj na ndihmo që të ruhemi nga mëkati dhe të jetojmë në hirin tënd, të lutemi:

– Shëlbues i botës, Hyji Atë, deshi që Ti të lindësh nëpërmes Virgjëres Mari, na ndihmo me ndërmjetësinë e Nënë tënde dhe Nënës sonë që edhe ne të rilindim për jetë të re me Ty dhe në mes vete, të lutemi:

– Jezu, Mbret qiellor, Ti deshe që Nëna jote të jetë aty ku gjendesh Ti në gëzimin e amshuar, me ndërmjetësinë e Nënës tënde na frymëzo dhe ndihmo që të punojmë dhe veprojmë për shëlbimin e shpirti tonë, të lutemi:

– Ti, o Jezu, bashkë me Nënën tënde, ishe në dasmë në Kanë të Galilesë, qëndro me familje tona dhe Nëna jote të ndërmjetësojë për t’ u shtuar gjithmonë gëzimi në paqe, dashuri, mirësi dhe ndihmesë në mes bashkëshorteve dhe fëmijëve, duke u rritë gjithnjë e më tepër në fe, shpresë dhe dashuri, të lutemi:

– Ti, o Jezu, premtove parajsën të gjithë ata që shpresojnë në Ty, me ndërmjetësinë e Nënës sate, bëj që të dashurit tanë që kaluan nga kjo jetë të gjenden në gëzimet e jetës së pasosur, të lutemi:

O Jezu, të falënderojmë për Nënën tënde që na e le për ndërmjetëse tonën. Na i dëgjo lutjet tona, dhe na ndihmo që të një ditë të gjendemi të gjithë në Mbretërinë e Atit tonë qiellor. Amen!

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »