LIDHJE ZEMRASH TË (PA)NADARA

Aug 14 • Meditimi i ditës

14 gusht 2015 – E premte, Shën Maksimilian M. Kolbe, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe padukshëm.

Ai vjen me dashuri dhe pushtet të pamasë.

Të më përshkojë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

 

Shumë vende në këtë moment janë duke e kaluar agoninë e luftës.

E përkuli kryet në shenjë mirënjohjeje për lirinë personale

dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Vetëdija

 

Si jam duke e ndier veten përnjëmend? I/e pabrengosur? I/e trishtuar?

Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.

Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur ose i/e zemëruar.

E pranoj atë çka ndiej përnjëmend.

Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Mt 19, 3-12

 

3 Atëherë iu paraqitën disa farisenj dhe, me qëllim që ta sprovonin, e pyetën: “A është e lejueshme ta lëshojë burri gruan për ndonjë arsye.” 4Jezusi iu përgjigj:

“A nuk keni lexuar: Krijuesi, kur i krijoi në fillim i krijoi mashkull e femër 5 e tha: ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babain e nënën e vet e do të jetojë me gruan e vet e të dy do të jenë vetëm një trup?’ 6 Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj: çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!”

7 Por ata vijuan:

“E përse atëherë Moisiu urdhëroi: ‘të jepet letërndarja e të lëshohet?’

8 Ai u përgjigj:

“Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të karakterit tuaj të pagdhendur. Por në fillim nuk ka qenë ashtu. 9 Kurse unë po ju them: Kush e lëshon gruan e vet ‑ përveç në rast të fëlligështisë ‑ e martohet me një tjetër grua, bën kurorëthyerje; po edhe ai që martohet me gruan e ndarë, bën kurorëthyerje.”

10 Nxënësit i thanë:

“Nëse qenka e tillë gjendja e burrit ndaj gruas, atëherë është më mirë të mos martohet njeriu!”

11 Ai u përgjigj:

“S’e kuptojnë të gjithë këtë fjalë, por vetëm ata që e morën dhuratë këtë kuptim. 12 Sepse, ka njerëz që janë që nga barku i nënës të paaftë për martesë, ka edhe nga ata që njerëzit i bënë të paaftë për martesë dhe ka nga ata që i bien mohit martesës për dashuri të Mbretërisë së qiellit.

Kush mund ta kuptojë, le ta kuptojë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

– Jezusi i vendos standardet shumë lart. Ai na fton që të kemi pjesë në aspiratat dhe të kuptuarit e tij. Pa marrë para sysh a jetojmë të vetëm apo të martuar, jemi të thirrur për të jetuar jetën me tërësinë e zemrës – me zemër të pandarë.

– Me mirënjohje lus për të gjithë njerëzit që i njoh, të cilët janë në gjendje t`i jetojnë dëshirat dhe ëndrrat e tyre.

– Lus me dhembshuri për të gjithë ata që janë të zhgënjyer me ndryshimin e rrethanave të jetës së tyre.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »