JEZUSI – BUKA E GJALLË PLOTË SHIJE

Aug 15 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XX gjatë vitit (B)

Leximi i parë   Fu 9, 1-6

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta

Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet dhe i latoi shtatë shtylla. I kushtoi flitë e veta, e përzjeu verën dhe e shtroi tryezën e vet. I dërgoi shërbëtoret e veta në qytezë, në vendet e larta për të grishur: “Kush është i papërvojë, le të vijë tek unë!” e të pamendit i çoi fjalë: “Ejani, hani bukën time, pini verën që e kam përzier për ju! Lëreni marrëzinë e jetoni dhe ecni udhëve të mençurisë!”

Fjala e Zotit

Psalmi 34

Ref. Përherë do ta bekoj Zotin, Hyjin tim.

——————————————————-

Përherë do ta bekoj Zotin,

në gojën time përherë është lavdi i tij.

Shpirti im mburret në Zotin:

le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

——————————————————-

Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij,

s’u mungon gjë atyre që e druajnë.

Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,

ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

———————————————————-

Ejani, o bij, e më dëgjoni:

do t’jua mësoj frikën e Zotit.

A e dëshiron jetën, o njeri?

A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat.

—————————————————————-

Rrudhe gojën tënde prej së keqes,

gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.

Ik prej së keqes e bëj të mirën,

kërkoje paqen e ndiqe atë!

—————————————————————–

 Leximi dytë Ef 5,15-20

 Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë, të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija. Prandaj mos jini të paarsyeshëm, por dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit. Mos u dehuni me verë, në të cilën është shfrenia, por mbushuni me Shpirtin Shenjt. Thoni së bashku psalme, himne e këngë të përshpirtshme! Këndoni e lavdëroni Zotin në zemrat tuaja! Gjithmonë dhe për çdo gjë falënderoni Hyjin Atë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit!            

Fjala e Zotit

Aleluja!

Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, thotë Zoti,

ai mbetet në mua dhe unë në të.

Aleluja!

 

Ungjilli   Gjn 6, 51-58

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?”. Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA 

Shën Gjoni apostull, i shkruan bashkësisë së parë të krishterë, e cila është në dijeni dhe praktikonte Eukaristinë.

Biseda e Jezusit me judenjë, i shërben shën Gjonit, për t’ iu treguar nevojën e jetës në bashkim me Zotin. Kjo bashkësi- dhe të gjithë ne- nëse duam të jetojmë me Të, duhet të besojmë në praninë reale të Krishtit nën trajtën e bukës dhe verës. Edhe në atë kohë, edhe sot, të gjithë besimtaret nuk kanë marrë e nuk marrin pjesë në Eukaristi. Për judenjtë kjo ishte diçka e pakuptueshme dhe skandaloze.

Shën Gjoni ka tentuar të shtjelloj në pikëpamje shpirtërore. Shkruan që sakramenti i Eukaristisë, është diçka e jashtëzakonshme, sepse bëhet fjalë në marrëdhënie me Krishtin, dhe sakramenti na bashkon me vet Hyjin.

Kurrë dhe askund njeriu nuk është më i bashkuar me Krishtin, sikur atëherë kur merr Kungimin shenjtë.

Edhe sot, duhet kuptuar që në pranimin e Kungimit shenjtë, ne, të bashkuar me Krishtin, mund të jemi më të fortë shpirtërisht dhe ia dalim që më mirë të sfidojmë problemet e jetës.

Njerëzit sot vijnë ndoshta në Kishë por nuk marrin pjesë në Kungim nuk ushqehen me bukën e jetës që jep jetë dhe gjallëron njeriun. Ose ndoshta marrim pjesë nuk Kungim pa u rrëfyer, pa qenë  përgatitur dhe ky është mëkat edhe më i madh.

Duhet të mendojmë mbi këtë që na porositë Ungjilli i sotshëm, sepse në Eukaristi bashkohemi me Hyjin dhe bashkohemi në mes vete. Jetojmë si bij dhe bija të Zotit, jetojmë si vëllezër e motra në tryezën që Hyji përgatitë për ne.

Një ngjarje që tregon një fëmijë për familjen e vet: Babai im kurrë nuk shkon në meshë, thotë se ka shkuar shumë kur ishte fëmijë, kur gjyshja e merrte dhe e shtrëngonte të ministronte. Përveç kësaj që nuk shkon të dielën, ai gjithmonë diçka punon, pastron veturën, rregullon kopshtin, shkon në gjueti e kështu gjithmonë bënë një punë.

Nëna ime thotë që do të shkonte me dëshirë në kishë po mos të kishte me pastruar rrobat dhe me t’i hekuroste ato.

Po ashtu, motra ime nuk shkon më në kishë të dielave, shkon në ushtrime sepse merret me volejboll. Edhe kur i thotë nëna shko në Kishë, ajo thotë se tashmë është rritur, ka pranuar sakramentin e krezmimit dhe ajo lutet në mënyrën e vet e nuk ka nevojë të marrë pjesë në meshë.

Gjyshi im, më parë nuk kishte shkuar kurrë në Kishë, ndërsa tani shkon jo vetëm të dielave, por edhe ditëve të rëndomta; në veçanti nëse bie shi e bën ftoftë, sepse thotë që në shtëpi e ka monotoni e posaçërisht nga televizioni që unë e shikoj vazhdimisht- thotë se ka marramendje nga televizioni. Në kafeteri nuk shkon me shokë ngase i pengon duhani e aty është plotë tym.

Në shëtitje nuk del sepse e pengojnë fëmija që luajnë vazhdimisht dhe veturat që janë në lëvizje. Në kishë thotë se ka qetësinë absolute dhe një orë e kalon bukur.

Unë nuk kam punë sikurse babai, nuk mundem të pastroj rroba dhe nuk hekurosi sikurse nëna. Nuk kam ushtrime sikurse motra dhe nuk e kam pranuar ende sakramentin e krezmimit. Sa kisha dashur të rritem sa më parë, atëherë nuk do të shkoja në kishë as unë sikurse babai, nëna e motra.

Kur të pensionohem, sikurse gjyshi im, do të shkoj herë pas herë, sepse unë nuk jam sikurse ai, sepse nëna thotë që ai është egërsirë, ndaj edhe nuk dëshiron të jetë në shoqëri me njerëz.

O Zot bëj që të rritem sa më shpejt përfundoi lutjen ky fëmijë.

Shembull i mirë rrëfimit të këtij djaloshi për familjen e vet e cila tregon jetën reale të njerëzve të sotshëm.

Nëse jetojmë larg Zotit, jetojmë edhe larg njëri-tjetrit dhe nuk na përfshinë dashuria, mbi të gjitha hiri i Zotit që na është aq shumë i nevojshëm për rritje në fe dhe shëlbim të shpirtit tonë. Amen!

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, Hyji nëpër Birin e vet Jezu Krishtin përgatitë gostinë e vet në të cilën na fton të begatohemi më Fjalën e Tij dhe Kungimin shenjtë që na mundësojnë jetën me Të dhe në bashkëpunim në mes veti, të lutemi së bashku:

Dëgjoje, o Zot lutjen tonë!

– Për Kishën tënde që materializmi mos ta ndryshoj misionin e saj për t’ u shërbyer të varfërve dhe atyre që kanë nevojë për mëshirën dhe dashurinë tënde, të lutemi:

– Për të gjithë të krishterët që të shndritur prej Shpirtit në çdo njeri të njohin Birin tënd, të lutemi:

– Për udhëheqësit e shteteve dhe të bashkësive që t’ u dhurosh forcë të punojnë dhe veprojnë për të mirën e përbashkët, të lutemi:

– Për të gjithë njerëzit e botës që të gëzojnë paqen që Ti edhuron, të lutemi:

– Për ne këtu të pranishëm, që nëpërmes kësaj gostie, të bëhemi bukë e gjallë dhe vepruese për shpëtimin e botës, të lutemi:

– Për të gjithë të dashurit tanë që kaluan nga kjo botë, bëj të gëzojnë jetën e amshuar, të lutemi:

O Hyj i gjithëpushtetshëm, Ti i thërret të gjithë njerëzit në mbretërinë tënde. Na i dëgjo lutjet që të jemi lajmëtar të Shëlbimit për të realizuar vullnetin tënd nëpër Jezu Krishtin Zotin tonë, i cili jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen!

Pëgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »