PUSHIME NË LËVIZJE

Aug 15 • Editorial

 Shkruan: Shtjefën DODES

Zakonisht kur flasim për pushim na shkon mendja te papuna. Të pushosh do të thotë të jesh joaktiv, të mos bësh asgjë. Pushimi i kuptuar në këtë mënyrë merr konotacione pasive, negative. Por pushimi i vërtetë ka të bëjë edhe me anën aktive. Në fakt ai ndërlidhet më shumë me botën e brendshme. A mund të pushojë njeriu duke qenë aktiv? Ku qëndron dallimi atëherë midis pushimit e punës? Kuptimi i pushimit është ngushtë i lidhur me kuptimin e punës. Nëse dikush e paramendon gabim punën, me siguri do ta kuptojë gabim edhe pushimin. Kuptimi i gabuar i punës ndikon që njeri të jetë i lodhur edhe në punë edhe në pushim, ose edhe pas pushimit.

Shumë vetë, sidomos ata bashkatdhetarë që punojnë në mërgim, ankohen se kanë shumë punë ose se janë të preokupuar me gjëra që nuk dinë apo nuk munden t`i lëshojnë. Disa thonë se po t`u jepej mundësia nuk do ta bënin kurrë atë që janë duke bërë. Puna që e kanë zgjedhur për shkak të zorit të shkretë po ua zë frymën. Nëse i pyet përse vazhdojnë së bëri diçka që nuk e duan, ata janë të bindur se ashtu “duhet” bërë. Rrudhin krahët ose japin përgjigje vajtuese, duke ua hedhur fajin qoftë të tjerëve, politikanëve, gjendjes ekonomike, apo kohës në të cilën jetojmë. Të gjithë këta ndihen si viktimë të një dore që po i dirigjon, ndoshta edhe po i manipulon – një fati që vetë nuk e kanë zgjedhur. Sikur e gjithë kjo ua ka marrë lirinë e vendimit. Kjo i bën që të enden nëpër botë të lodhur, ndoshta edhe të rraskapitur.

Nuk është çudi që sot flitet edhe për sëmundjen “burnout” – rraskapitjen, ndjenjën se je bërë shkrumb, pafuqinë e plotë për të ndërmarrë diçka. Një gjë është e sigurt: këta njerëz nuk po dinë t`i shijojnë gjërat në jetë – as ato që tashmë i kanë arritur me djersën e ballit! Nuk po dinë të qetësohen, të jenë të relaksuar! Madje ua kanë lakmi (ose zili) atyre që punojnë dhe që po kënaqen (me pak) në jetë! Prandaj të krijohet përshtypja se i kanë çuar duart – janë pajtuar me “fatin”. Sikur kanë vendosur se duhet duruar disi kjo gjendje, duke shpresuar se do të vijnë ditë më të mira, do të bëhet më mirë, të paktën për fëmijët e tyre … Por, a do të vijë dhe kur do të vijë ajo ditë? Çka nëse kurrë nuk do të vijë?!? A duhet të presim rrethana dhe kohë më të mira për të filluar të ndryshojmë diçka, për ta shijuar jetën?! A ia prish njeriut humorin koha dhe rrethanat e jetës, apo është njeriu ai që është (duhet të jetë) farkëtar i jetës së vet? Si të gjejmë qetësinë dhe lumturinë në rrethanat e pavolitshme? A është kjo fare e mundur?!?

Kësi mendimesh dhe ankimesh të ngjashme dëgjon njeriu nëpër bashkëbisedime apo komunikime të ndryshme miqsh, sidomos para përgatitjeve, por edhe gjatë dhe pas pushimeve verore. Dikush mendon që zgjidhja e një lloj lodhjeje apo brengosjeje permanente ndodhet në pushim. Pyetja është se çka nënkuptojnë me fjalën “pushim”. Sepse po shohim që edhe ata që po pushojnë nuk po gjejnë qetësi.

Ka njerëz që punën e shohin si ndëshkim. Si rrjedhojë nuk është për tu çuditur kur këta mundohen që sa më pak ose fare të mos punojnë. Shpëtimin e shohin në “pushim” – që e keqkuptojnë si “papunësi”, që në fakt është moskokëçarje, indiferentizëm. Kështu e ushqejnë një mentalitet prej viktime që shndërrohet në fatalizëm. Gjërat mbesin të njëjta dhe rrethi vicioz vazhdon… E pra, puna është mënyrë që njeriu të realizojë vetveten. Nëpërmjet punës njeriu bëhet më shumë njeri. Duke punuar ne ballafaqohemi me burimet, kreativitetin dhe talentet tona. Ajo e aftëson personin që ekonomikisht të bëhet i pavarur dhe që të jetë në gjendje t`i mbajë raportet e tija familjare dhe emocionale. Në këtë kuptim mësimi shoqëror i krishterë papunësinë e sheh si cenim të dinjitetit të njeriut. Puna përputhet me dinjitetin e njeriut. Ajo i lejon njeriut bashkëpunimin në veprën krijuese të Hyjit. Njeriu me punën e vet e përsos dhe kryen krijimin.

Por, ka njerëz që bëhen skllevër të punës. Harrojnë që njeriu është shumë më i rëndësishëm se puna e tij. Njeriu duhet punuar për të jetuar, jo të jetojë për të punuar. Puna s’guxon ta çnjerëzojë njeriun, por që ta ngritë në dinjitetin e tij të birit të Hyjit dhe bashkëpunëtorit të Krijuesit. I tërë mësimi shoqëror i Kishës është në shërbim të njeriut që punon, që t’ia ruajë dinjitetin dhe që njeriu me punën e vet ta ngritë, jo vetëm atë që ka, por që të rritet edhe në atë që është, do të thotë në humanitetin, njerëzinë e tij.

Koha verore është kohë udhëtimi. Qysh për Shën Injac Lojolën (1491-1556) – themeluesin e urdhrit katolik “Shoqëria e Jezusit”, të qenurit rrugës, në lëvizje, mobilitet, ka qenë një element i rëndësishëm i jetës së tij shpirtërore. Jo rastësisht autobiografia e tij quhet “Relacioni i shtegtarit”. Dhe jo rastësisht një karakteristikë qenësore e jezuitëve për të është “diversa loca peragrare” – të jesh rrugës, d.m.th. t`i shoqërosh njerëzit në rrugën e botës, të jesh këtu për ta. Prandaj lëvizshmëria e Jezuitëve deri më sot është diçka krejt ndryshe nga turizmi i sotshëm modern i pushimeve apo përjetimeve. Sepse i jepet rëndësi qëndrimit të brendshëm, një mënyrë kjo specifike e formimit të jetës.

Vlen të përmendim këtu një dallim që i bëhej në kohët antike “kronos-it” dhe “kairos-it”. Kairosi është “momenti i volitshëm”, që nuk mund të planifikohet as të matet. Ai na mbush. Në të kundërtën qëndron “kronos”, koha e matshme. Kronosi, është ajo me çfarë merremi çdo ditë dhe me çka jemi shumë të preokupuar. Është interesante që kronosi në Greqinë e vjetër ndërlidhej me botën e zotave. Sipas gjitha gjasave koha e matshme dhe e planifikuar është bërë zot në shekullin tonë: zot, të cilit njerëzit po i sakrifikojnë shumëçka. Fjala është për precizitet, terminë, plane kohore… Kronosi e përshkruan pikëpamjen sasiore të kohës. Njerëzit e sotshëm (post)modernë ndihen pandreqshëm të robëruar nga kronos-i. A thua mund të ndërlidhet ky kronosi modern me kairosin e vjetër? A është i mundur shndërrimi i kohës sot?

Te njerëzit e shëndoshë që janë të aftë për punë shpesh herë ndodh kjo përvojë: koha po kalon shpejt. Nganjëherë themi: “koha po ikën” – sikur nuk e kemi fare në dorë. Shumë njerëz (post)modernë e ushqejnë shpresën në vetvete se koha e stresit do të zvogëlohet, se do ta transformojnë shpejt kalueshmërinë e kohës dhe që do të arrijnë të kenë më shumë kohë. Shumëçka ndërmerret me qëllim për ta fituar kohën dhe për ta vënë atë “nën kontroll”. Njerëzit që ndodhen nën stres shpesh herë e kanë ndjenjën se koha po u vidhet.

Këndvështrimi biblik flet për “momentin e mirëfilltë” – kairosin (khs. Lk 12, 54-57), që nuk mund as të planifikohet as të matet. Në kairos mund të përfshihet kronosi. Koha e matshme ndërrohet-shndërrohet dhe fiton një cilësi të re. Kjo na nxjerr nga shkapërderdhja, pabesnikëria dhe vetë-vullnesa e të gjitha roleve të mundshme që i luajmë, dhe na mundëson vetëdijen e rolit të mirëfilltë në momentin e duhur dhe për momentin e mirëfilltë në rolin e mirëfilltë. Jezu Krishti është i rreptë me ata njerëz që dinë t`i lexojnë dhe parashikojnë dukuritë e kësaj bote, por kur është fjala që t`i shohin dukuritë e brendshme, shpirtërore bëhen të padijshëm. Për këta njerëz e përdor një fjalë të rëndë: shtiracakë! Nuk mjafton që vetëm t`i dimë dukuritë natyrore, empirike, faktet e matshme të kësaj kohe në të cilën jetojmë. Nuk është gjithçka që ti të dish të orientohesh në botën teknike-shkencore-natyrore dhe ekonomike. Kemi nevojë për një “shkollë” ku do të dimë t`i “masim” jo vetëm “hard facts” (faktet e vrazhda) – por edhe të vërtetat që shkojnë përtej syve të ballit. Kemi nevojë për atë syrin e brendshëm që di t`i lexojë shenjat e kohës, që reagon në kohën e duhur, që i përgjigjet pyetjeve apo porosisë së momentit të volitshëm.

Kësaj vere mund të provosh të shohësh se çka qëndron brenda këtij “kairos-i”, kësaj dukurie dhe lëvizshmërie të brendshme dhe se a mund të ketë kjo ndonjë domethënie edhe për ty. Pyete veten: A jam ende i/e hapur dhe kureshtar për risi? A është në rregull nëse jam thjesht i kënaqur me të arriturën? Si qëndron puna me botën e rregulluar të rutinës së përditshme? A e ndiej nevojën për ta ndryshuar atë? A më kaplon ndonjëherë një shqetësim kreativ i brendshëm? A jam duke e ndier dëshirën për ndryshim? Dhe a ndodhet në këtë zëri i Zotit? Apo jam në tundim të shmang, të ik nga diçka?

Mund t`u rikthehej këtyre ditëve verore në mënyrë të përsëritur këtyre mendimeve dhe atyre të ngjashme me këto. Mund ta kujtoj Jezusin Zotn që gjithmonë ka qenë në rrugëtim nëpër vende të ndryshme. Guxoj t`i bashkëndaj me të mendimet dhe ndjenjat e mia në lutje. Mund të lus për qartësi atje ku e ndiej se kam nevojë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »