ZOJA – GRUAJA E PËRVUJTUR QË NDRYSHOI NJERËZIMIN

Aug 15 • Meditimi i ditës

15 gusht 2015 – E shtunë – Ngritja e Zojës në Qiell, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment dhe mundohem të ndërgjegjësohem se Hyji është i pranishëm:

afër meje, në atë çka bëj, në njerëzit që i takoj,

në çdo rrethanë të përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

 

Janë pak vetë që e kuptojnë

ç`do të mund të bënte Hyji me ta

po të dorëzoheshin në duart e tij

dhe t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)

Lus për hirin shenjtërues: t`i dorëzohem plotësisht dashurisë së Hyjit.

 

Vetëdija

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.

I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë të shembura, disa të ndërprera:

Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 1, 39-56

 

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.

41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:

“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

46 Atëherë Maria tha:

“Shpirti im e madhëron Zotin,

47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:

ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm

‑ i shenjtë është Emri i tij!

50 Mëshira e tij brezni më brezni

për ata që e druajnë.

51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:

i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre

e i lartësoi të përvuajturit.

53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë

e të pasurit i nisi duarthatë.

54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

duke e sjellë në mend mëshirën

55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑

në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve

të tij në amshim.”

56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Në lutjen e Marisë nuk ka përvujtëri të rreme. Është e pranishme përvujtëria e vërtetë e njohjes se çdo gjë që është realizuar në të në fakt është realizuar nga Hyji. Maria e pranon plotësisht madhësinë e misionit të saj, me gëzim dhe shpresë.

– O Zot, më ndihmo ta bëj vullnetin tënd me gëzim dhe pa frikë. Thirrjes sate dëshiroj t`i përgjigjem me “Po!” ngazëlluese, i/e  sigurt që, ndërsa jam duke ecur drejt së panjohurës, udhëtimi im do të shoqërohet nga prania jote transformuese.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »