JEZUSI – BUKA QË SHIJOHET
16 gusht 2015 – E diela 20-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
Prania e Hyjit
Me të filluar këtë kohë lutjeje të qetë, gjeje një vend të rehatshëm për t’u ulur me shpinë drejt dhe këmbët lëshoji në tokë. Lejoji vetes ta vësh re frymëmarrjen tënde ndërsa vazhdon të marrësh frymë normalisht. Merr frymë. Qite frymën jashtë.
Liria
O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.
Vetëdija
Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,
më përkujto, o Zot,
se je gjithmonë pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.
Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me besim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për të zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.
Gjn 6, 51-58
51 Unë jam buka e gjallë
që zbriti prej qiellit:
nëse ndokush ha këtë bukë,
do të jetojë për amshim.
E buka që unë do ta jap
është trupi im
‑ për jetën e botës.”
52 Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi‑shoqin e thoshin:
“Si mundet ky të na japë trupin (e vet) për ushqim?”
53 Prandaj Jezusi u tha:
“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut
e nuk e pini gjakun e tij,
nuk keni jetë në vetvete!
54 Kush ushqehet me trupin tim
dhe pi gjakun tim
ka jetën e pasosur.
Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit.
55 Sepse trupi im është ushqim i vërtetë
e gjaku im është pije e vërtetë.
56 Kush ushqehet me trupin tim
dhe pi gjakun tim
ai mbetet në mua
dhe unë në të.
57 Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë
dhe unë jetoj për Atin,
po ashtu edhe ai që më ha mua
do të jetojë për mua.
58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit,
jo porsi ajo që hëngrën etërit
e vdiqën:
kush ushqehet me këtë bukë
do të jetojë në amshim.”
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
– Vështirë mund të ketë ndonjë shprehje tjetër më eksplicite apo përshkrim më befasues të pjesëmarrjes së pa thyeshme të një jete në tjetrëNë gjuhën hebraike shprehja ‘mishi dhe gjaku’ e kanë kuptimin e qenies/personit të tërë. Realiteti i pranisë së Krishtit në Eukaristi tejkalon të arsyetuarit dhe të kuptuarit tonë. Nga ne nuk kërkohet që këtë ta kuptojmë, por ta shijojmë, ta përjetojmë.
– “Qëndroni në mua” është shprehje që Jezusi vazhdimisht e përsërit. Ai na fton që ta marrim atë në veten tonë dhe të bëhemi një me të. Atëherë do ta kemi një jetë të vërtetë.
Bashkëbisedimi
Cilat ndjenja zgjohen në mua
kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?
E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje
dhe ia hapi zemrën.
Përfundimi
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« VENDI I PREHJES SONË SHPIRTËRORE BESIM VEPRIMESH APO MARRËDHËNIESH? »