SHËN ANTONI I PADOVËS – SHENJTI I BOTËS

Aug 18 • Recension

Shkruan: Don Anton UKA

Përveç Shkrimit shenjt dhe sakramenteve, vendi apo libri më i mirë ku mund ta njohim dhe ta takojmë mësimin dhe porosinë e Jezu Krishtit, është jeta dhe dëshmia e shenjtërve.

Këtyre ditëve Shtëpia botuese italiane Velar, ka nxjerrë në dritë librin e radhës të meshtarit dhe autorit, tanimë me famë ndërkombëtareDr. Don Lush Gjergjit, mbi jetën dhe porosinë e shenjtit shumë të dashur dhe të nderuar në mbarë botën, Antonit të Padovës.

Autori, jo rastësisht, fillon shkrimin e tijduke paraqitur ambientin familjar dhe fëmijërinë e Fernandos (që më vonë do të merr emrin Anton, e që ndër ne shqiptarët njihet me emrin Nue apo Ndue) pikërisht për të treguar sesa rëndësi të madhe ka përzemërsia, edukimi, kujdesi, dashuria dhe mirësia e prindërve në jetën e fëmijëve në thirrjen dhe në të ardhmen e tyre. Fëmijëria dhe rinia e shenjtit të botësparaqitet nga Autorisi e një djaloshi në kërkim të vetvetes, të vokacionit dhe të përshpirtërisë, kërkim ky që e bënë të ballafaqohet me sfida të ndryshme personale, familjare dhe shoqërore.

Libri vazhdon me përshkrimin e thirrjes dhethirrjes në thirrje të Fernandos, pikërisht për të theksuar se jeta e krishterë është një thirrje e vazhdueshme në kryerjen e asaj çfarë Zoti kërkon dhe frymëzonpërmes Shpirtit të Tij të Shenjtë, në zemrën dhe mendjen e secilit njeri. Guximi për të marrë një vendim dhe për të rimarrë përsëri një tjetër, nëse këtë Hyji e dëshiron, është karakteristikë e veçantë e shenjtërve të mëdhenj, e cila duhet kaluar dhe filtruar përmes lutjes dhe identifikimit me personin e Jezu Krishtit, çka në Shën Antonin realizohet dhe personifikohet në mënyrë më shembullore të mundshme.

Dëshirën për tu bërë misionar dhe martir, që Fernando e kultivonte vazhdimisht, shihet nga Autori, para se gjithash, si një thirrje hyjnore që vazhdimisht kumbonte në mendjen dhe zemrën e tij e pastaj edhe si një zgjedhje radikale që më liri të plotë pranoi duke dëshiruar të shkëputej rrënjësisht nga familja, nga miqtë, nga Bashkësia augostinjane, nga të gjithë.

Ndjekja e Krishtit në varfëri, në dëgjesë, në pastërti dhe në përvujtëri, janë objekt studimi i pjesës së katërt të librit, që Don Lushii paraqet këto të fundit si katër rrugë shenjtërie përmes të cilave fra Antoni dëshmon dashurinë dhe përkushtimin e tij për Krishtin dhe për Kishën. E tëra kjo përforcohej nga lutja, që për Shenjtin e botës ishte shprehje e dashurisë së njeriut ndaj Zotit, një bisedë miqësore dhe e devotshme, braktisja e shpirtit të shndritur nga hiri për t’iu gëzuar pranisë së Hyjit. Autori me plotë të drejtë thekson se lutja e fra Antonit kishte rrënjë të thella teologjike: mbështetej në fe, frymëzohej në shpresë dhe dëshmohej në dashuri konkrete, e tëra kjo në një lidhje të ngushtë bashkimi me Krishtin eukaristik dhe me devotshmërinë mariane.

Një element tjetër që e karakterizon jetën dhe veprën e Shën Antonit, e që nga Autori paraqitet në pjesën e gjashtë të librit, është predikimi apo dhurata e fjalës për të shpjeguar dhe interpretuar Shkrimin shenjt dhe shenjat e kohës përmes të cilave fletë Hyji. Me plotë të drejtë Don Lushi praqet historinë dhe përvojën e përshpirtërisë së krishterë, pikërisht për të treguar se edhe për fra Antonin, sikurse edhe për etërit dhe shenjtërit e tjerë të mëdhenj të Kishës, heshtja, meditimi, kundrimi dhe lutja ishin vendi më i privilegjuar ku përgatitej predikimi dhe veprimi dëshmues i tij. Antonit, pikërisht pse i pajisur me dhurata të veçanta, iu besua katedra për të mësuar; amboni për të predikuar Fjalën e Zotit; rrëfyestorja për faljen e mëkateve; mrekullitë si shenjë e dashurisë së mëshirshme të Hyjit dhe shtegtimi për t’iu kumtuar të gjithëve Fjalën e Zotit.

Në pjesën e shtatë dhe tetë të librit Autori, sikur dëshiron të mbështesë atë që u tha më parë në lidhje me dhuratat e veçanta që Hyji i kishte bërë Antonit, paraqet detyrat dhe përgjegjësitë që Bashkësia dhe Kisha ia kishin besuar Shenjtit të ardhshëm të botës. Antoni, në sa teolog dhe shkrimtar, në dy veprat e famshme të tijat: Sermonesdominicales (Predikimet e të dielave) dhe Sermones festivi (Predikimet e festave), dëshmon përgatitjen e lartë teologjiko-biblike dhe njohjen e thellë të përshpirtërisë françeskane.

Në pjesët e fundit të librit Autori paraqet përvojën e Antonit në qytetin e Padovës, qytet kynë të cilin e karakterizon veçanërisht misioni e tij në mbrojtje të të varfërve dhe në angazhimpër drejtësi.

Krejt në fund, duke ju referuar traditës popullore, nderimit të madh që gëzon ky shenjt ndër njerëz, devotshmërisë që shumë shenjtër dhe figura të madha të historisë patën ndaj Shën Antonit të Padovës, shkrimeve dhe mrekullive të tija, Autori me plotë të drejtë iu bashkëngjitet vargut të atyre autorëve që, jo rastësisht, e quajtën: Shenjti i botës.

Uroj që ky libër, i cili përmbledh shumë mirë jetën, përshpirtërinë, teologjinë dhe porosinë e ShnaNdout, të përkthehet sa më parë edhe në gjuhën shqipe, në mënyrë që edhe lexuesi shqiptar të ketë mundësinë ta njohë edhe më mirë Shenjtin shumë të dashur dhe të nderuar edhe në popullin tonë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »